MEHMET HAJRIZI: THEMELIMI I GRUPIT REVOLUCIONAR – GR (9)

Pashtriku, 24 prill 2019:
2.2 Fillet e organizimit
2.2.1 Organizimi i hershëm
Arsimtarët, Kadri Osmani, Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Idriz Zeqiraj etj., të cilët punonin dhe studionin njëkohësisht, në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë organizuan një grup veprimtarësh patriotë, sipas shembullit të paraardhësve të tyre, që po dergjeshin burgjeve jugosllave. Kadriu dhe Binaku më vonë do të shkruajnë për fillet e këtij organizimi: “Në fillim veprimtaria e këtij grupi ishte e përqendruar në njohjen me të rinjtë, por edhe me të tjerët, që e kuptonin faktin se kjo pjesë e atdheut ishte nën okupim e që ishin të gatshëm të bënin sadopak diçka në të mirë të çështjes kombëtare, në ngritjen e vetëdijes kombëtare, veçanërisht të nxënësve dhe të të rinjve, në shpërndarjen e literaturës ilegale, në shtruarjen dhe arsyetimin e kërkesës publike për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare, sidomos të Flamurit Kombëtar”. Më tej ata theksojnë edhe luftën “kundër analfabetizmit dhe për emancipimin e gruas shqiptare” për të nënvizuar se “në vitet 1967-1969, ishte krijuar një klimë më e përshtatshme për veprimtari ilegale, por edhe legale. Megjithëkëtë, gjatë zhvillimit të veprimtarisë, që ishte e përqendruar në përhapjen e ideve atdhetare, në përhapjen e literaturës ilegale, etj., përveç organeve shtetërore dhe partiake, problem të veçantë paraqiste qëndrimi i një kategorie qytetarësh të tjetërsuar, por edhe i një numri jo të pakët qytetarësh të tjerë, të cilët, qoftë për shkak të privilegjeve që kishin dhe mirëqenies ekonomike të arritur si qytetarë të dëgjueshëm, qoftë për shkak se nuk e dinin se ç‟është liria kombëtare, robërinë e konsideronin liri.
Në Tiranë, Idriz Zeqiraj, do të kontaktojë e këshillohet me personalitete atdhedashëse dhe të përkushtuara ndaj çështjes së Atdheut dhe shumë atdhetarë që kishin kaluar ilegalisht në krahun tjetër të Atdheut. Porositë që vinin nga Idrizi ishin të qarta”.51
2.2.2 Trakti në njëvjetorin e 1968-ës
Demonstratat e vitit 1968 patën jehonë në tërë botën, por efekti i tyre qe sidomos i fuqishëm në ngritjen e frymës patriotike te të rinjtë shqiptarë në viset e robëruara shqiptare. Ato treguan dhe hapen shtigjet e reja të Lëvizjes Kombëtare shqiptare. Binak Ulaj bashkë me Kadri Osmanin, Xhafer Shatrin etj., vlerësojnë se duhet të shënohet përvjetori i parë i demonstratave historike të vitit 1968, me demonstrata. Për këtë qëllim ata e kanë përpiluar traktin “Kushtrimi i Kosovës”, të cilin e ka shumëzuar Selami Helshani, student nga Mitrovica. Për këtë trakt, në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Kž. nr. 200/70, ndër të tjera shkruan: “…përmbajtja e të cilit fton studentët dhe qytetarët në demonstrata më 27 nëntor për përmbysjen me dhunë të sistemit shoqëror nëpërmjet luftës, për bashkimin territorial dhe çlirimin kombëtar, dhe për shkatërrimin e vëllazërimit e bashkimit të popujve të Jugosllavisë”. “Pas shpërndarjes së afisheve, ata zbulohen brenda një kohe të shkurtër, burgosen dhe Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 9 mars 1970, i dënon “për vepër penale propagandë armiqësore nga neni 118, paragrafi i parë i Kodit penal…”, Binak Ulajn, një vit burg të rëndë, Kadri Osmanin dhe Selami Helshanin, nga dhjetë muaj burg, ndërsa Gjykata e Qarkut në Pejë i dënon Xhafer Shatrin, tetë muaj burg, Zenel Ulajn dhe Islam Blakajn, nga pesë muaj burg”.52

Drejtuesit e Grupit Revolucionar (GR): Xhafer Shatri, Kadri Osmani dhe Mehmet Hajrizi

2.2.3 Veprimi i disa grupeve të vogla
Në fillim të viteve shtatëdhjetë, po ngrihej me të shpejtë ndërgjegjja kombëtare te të rinjtë e Kosovës. Mundësitë për të bërë diçka për çlirimin e Kosovës, i shqyrtonin edhe nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e Universitetit të sapothemeluar të Kosovës. Edhe pse pati arrestime, në Kosovë tashmë ekzistonin një varg grupesh patriotike të organizuara në ilegalitet. Karakteristika të këtij organizimi ishin amatorizmi i hapave fillestarë, veprimi në forma gjysmë konspirative, mungesa e disiplinës së rreptë, e rregullit organizativ dhe padituria vepruese (Gëte). Koha ishte të reflektohej seriozisht për këto shfaqje, por edhe për të metat e organizimit ilegal të gjithë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, i cili nuk kishte arritur t‟u përballonte gjatë ndjekjeve policore as të siguronte një qëndrueshmëri kontinuele organizative. Kjo ndodhte të paktën për tre shkaqe, që lidheshin me stadin historik të Kosovës. Së pari, në mungesë të literaturës, me gjithë vullnetin e madh dhe guximin për të vepruar, pak njiheshin ligjet e lëvizjeve shoqërore dhe teoria e revolucioneve nacionalçlirimtare. Së dyti, veprimi gjysmëkonspirativ dhe zgjerimi i shpejtë i radhëve, bënte të mundur infiltrimin e agjentëve të UDB-së brenda tyre. Së treti, rrjeti rankoviqist i organeve të ndjekjes ishte aq i dendur, sa e bënte tepër të vështirë çfarëdo forme të veprimit kundër regjimit pushtues. Në kushtet e reja shpresa e perspektivës së organizimit ilegal ishte pasioni i rinisë për të lexuar, sidomos literaturë të ndaluar me përmbajtje patriotike dhe organizative, e cila vinte kryesisht nga Shqipëria dhe nga mërgata. Disa nga këto grupe nuk u përballuan goditjeve policore, ose u shpërndanë, kurse të tjera i shpëtuan ndjekjeve sistematike dhe mbijetuan. Përveç grupit të Kadri Osmanit, Binak Ulajt, Xhafer Shatrit etj., në Gjilan, Rexhep Malaj, ndonëse i ri, por i sprovuar si organizator dhe i kalitur si militant në demonstratën e vitit 1968, vepronte me një varg veprimtarësh më të rinj e më të vjetër. Në Prishtinë, ndërkaq kishte zënë fill një grup i tillë i nxënësve më 1969, netëve kur rrinin të bashkuar nëpër banesat e ftohta e plot myk të njëri-tjetrit. Aty fillonte me këngët dhe mandolinat e normalistëve dhe mbaronte me bisedat më serioze. Normalja e Prishtinës ka qenë vatër e njohur e përgatitjes së kuadrove arsimorë të Kosovës, por edhe e edukimit patriotik të të gjithë brezave të saj. Nga këto përpjekje u konsolidua celula e përbërë nga Mustafa Ademi, Gani Sylaj dhe Mehmet Hajrizi. Kjo celulë kishte lidhje dhe bashkëpunonte me ato që përfaqësonin Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Rexhep Malaj, Binak Ulaj etj. Deri në vitin 1972 vazhduan të vepronin grupe të tilla, secili më vete, por me disa lidhje koordinimi midis tyre. Punohej me një entuziazëm të madh në ngritjen e anëtarëve, shkruheshin dhe shpërndaheshin artikuj me përmbajtje patriotike e analitike, sillej nga jashtë literaturë e fshehtë, e cila përcillej dorë më dorë për lexim dhe siguroheshin mjete teknike për shtypje e shumëzim të materialeve.
Lëvizja i përballoi rreziqet e këtij stadi të zhvillimit për të hyrë e sigurt në fazën e re të pjekurisë politike, të përgatitjes teorike dhe të organizimit të strukturuar mirë. Hapi i parë dhe më i vështiri, ishte hedhur. Aktiviteti në Kosovë kishte vështirësitë e një rruge për shumëçka të pashkelur deri atëherë në përvojën e Lëvizjes. Ajo po kalonte një varg sprovash të natyrës së rritjes dhe të reformimit të saj. Koha e re, kur marrëdhëniet brenda Federatës së ish Jugosllavisë sado-kudo po liberalizoheshin, hapte më shumë mundësi për një veprimtari më të studiuar, më të përsosur dhe në mënyrë të veçantë, për të kombinuar dhe koordinuar punën konspirative me atë të hapur të institucioneve, në të cilat tashmë shqiptarët përfaqësoheshin shumë më mirë.
2.3 Riorganizimi dhe konsolidimi
2.3.1 Zgjedhja e udhëheqjes qendrore
Në fillim të vitit 1973, u krijuan kushtet e shkrirjes dhe bashkimit, prandaj nga këto grupe të vogla u zgjodhën përfaqësuesit për të bërë riorganizimin e radhëve. Në një mbledhje të mbajtur në shtëpinë e Bahtir Hajrizit, në Prishtinë në pranverë të vitit 1973, u shpall formimi i Grupit Revolucionar (53) të Kosovës dhe u zgjodh udhëheqja qendrore e tij (e cila më vonë u quajt Komitet Drejtues). Përgjegjës i Grupit ishte Kadri Osmani, sekretar organizativ, Mehmet Hajrizi, përgjegjës për punën me rininë Xhafer Shatri, përgjegjës për shtypin Binak Ulaj dhe përgjegjës për çështje materiale, Feriz Seferaj. Këta veprimtarë ishin nga anë të ndryshme të Kosovës, që nga Gollaku e Artakolli, Dukagjini e Drenica dhe deri në Plavë. Rëndësia e kësaj mbledhjeje qëndron jo vetëm në unifikimin e radhëve dhe të udhëheqjes, por edhe në intensifikimin e veprimtarisë më të organizuar, më të planifikuar dhe më efikase. “Zëri i Kosovës” më vonë shkruante: “Lëvizja revolucionare në Kosovë mund të themi se e hodhi hapin e parë të saj, d.m.th. organizimin e disa aktivistëve për t‟i shërbyer me gjithë forcat e tyre çështjes së popullit dhe të atdheut. Dhe nëse kësaj mund t‟i themi hap i parë, i dyti pa dyshim është zgjerimi dhe intensifikimi i veprimtarisë sonë.54 Udhëheqja që në fillim u përcaktua për këto objektiva të ngutshme: riorganizimi i strukturës organizative, zgjerimi i radhëve, botimi i organit “Zëri i Kosovës”, formimi i Komitetit Studentor në Universitet dhe shpërndarja e trakteve për sqarimin dhe mobilizimin e qytetarëve.
Duke pasur parasysh që në teorine e marksizmit, njiheshin disa tipe të revolucionit, në literaturën dhe dokumentet e Organizatës me revolucion kuptohet revolucioni nacionalçlirimtar.
Duke studiuar kushtet dhe mundësitë e veprimit, filluan përgatitjet për të gjitha çështjet. Veprimtaria e Organizatës kishte hyrë në një fazë intensive. Ndryshe nga organizimi i mëparshëm, tani në radhët e Lëvizjes qarkullonte sasi e madhe e literaturës së ndaluar, që lexohej me një frymë, si i thonë fjalës. Lëvizja Kombëtare e Kosovës po e rriste aktivitetin e vet edhe me ngritjen e një shtypi klandestin, nëpërmjet organit, ”Zëri i Kosovës”, të trakteve, në fillim më të rralla, por që sa vinte dhe shpeshtoheshin dhe të materialeve të shumta dedikuar radhëve ilegale. Në këtë kohë po mendohej seriozisht, si të vihej kontakt zyrtar me udhëheqjen e Shqipërisë, ndonëse disa lidhje të tërthorta, por private ekzistonin prej kohësh. Lidhjet që kishin dikur me Shqipërinë ish të dënuarit politikë si Kadri Halimi, Ali Aliu, Ramadan Hoxha, Zeqir Hajrizi, Banush Ademi etj., nuk siguronin ndonjë rrugë të rivënies së kontakteve, sepse ishin të hershme dhe të shkëputura. Ndonjë udhëtim individual dhe me vetiniciativë i veprimtarëve në Shqipëri ose në ambasada të saj në botë, nuk kishte dhënë rezultate të pritura. Megjithatë, në këtë periudhë nuk pati kontakte të mirëfillta dhe zyrtare midis Lëvizjes në Kosovë dhe udhëheqjes së Shqipërisë.

VIJON…
___________
Referencat:
51 Kadri Osmani- Binak Ulaj: Shënime, 2006
52 Nga shënimet e Binak Ulajt, Prishtinë, 2006
53 Duke pasur parasysh që në teorine e marksizmit, njiheshin disa tipe të revolucionit, në literaturën dhe dokumentet e Organizatës me revolucion kuptohet revolucioni nacionalçlirimtar.
54 Çështje agjitacioni dhe propagande, “Zëri i Kosovës” nr. 2, prill 1974
_____________
MEHMET HAJRIZI KOSOVA DHE MARRËDHËNIET SHQIPËRI – JUGOSLLAVI! (8)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8678

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura