HILË LUSHAKU: TË PATHËNAT E JETËS SË MUFID BEJ LIBOHOVËS(II)

Tiranë, 24. 02. 2013 – (Kritika dhe akuza për Mufid bej Libohovën) – Mufid bej Libohova nuk iu ka shpëtuar përfoljeve të politikës së viteve 1920 në Shqipëri. Është akuzuar nga Sejfi Vllamasi, në librin e tij me kujtime “Ballafaqimet politike në Shqipëri” se ka qenë kundër kongresit të Lushnjës, gjë e cila në një farë mënyre është bindëse nga fakti se ai u largua në mënyrë “inatçore” nga politika, duke përdorur si pretekst sjelljen euforike dhe disi “kaçake” të Ahmet Zogut. Lidhur me këtë fakt flitet se ai “qe sulur në Fier për të rrethuar e burgosur, me ushtrinë e gjeneralit italian Piaçentinit, kongresistët e Lushnjës”. Ja çfarë shkruan Vllamasi: “Konsulli Eden i Inteligence Service, në dhjetor të vitit 1919, shkon nga Berati për në Gjirokastër bashkë me major Mustafa Maksutin dhe Azis Tahirin, ish-kadi, ku takohet me Javer Hurshitin dhe Beso Gegën , kryetar i Bashkisë dhe u thotë konfidencialisht se qeveria britanike dëshiron formimin e një qeverie kombëtare në vend të asaj, që kemi sot në Durrës dhe që është vegël e italianëve. Pra, kur t’ju ftojnë për në kongres të dërgoni dy delegatë: Beso Gegën dhe Veli Hashorvën. Mufid Libohova, rastësisht atë ditë, ndodhej në Libohovë dhe merr vesh e vjen në Gjirokastër, ku i thotë Javerit: “Ti, si vepron kundra një qeverie, ku unë, miku yt, jam anëtar i saj? “Javeri i përgjigjet: “Unë më parë dua Shqipërinë”. Mufidi kthehet e i thotë Besos: “Ti, Beso, mos shko në Kongres, se komanda e përgjithshme italiane është e angazhuar të mbrojë qeverinë e Durrësit, qoftë dhe me armë, kundër çdo agresioni që do të bëhet kundër saj. Bile, milicia e Gjirokastrës nesër po niset për në Lushnjë”. Milicia u dërgua kundër Kongresit me inisiativën e Mufidit”. Kur Mufid Libohova kërkoi të fliste në Gjirokastër si ministër i qeverisë proitaliane të Durrësit, populli tregoi hapur urrejtjen ndaj tij dhe shprehu miratimin e vendimeve të kongresit të Lushnjës. Në këtë rast Mufid beu,-shkruhet në shtypin e asaj kohe,-iku i hidhëruar në Libohovë, i zëmëruar që Gjirokastra nuk deshi ta njihte si ministër. Duke qenë mosbesues ndaj kongresit të Lushnjës, ai i quajti organizatorët e tij “intrigantë e sherretë”, të cilët nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Në këtë rast ai u lidh ngushtë me Kapialbin në Gjirokastër, për të mos njohur qeverinë e Lushnjës, dhe me Piaçentinin, për një orientim pa kushte nga Italia.

Gjithashtu, është akuzuar prej Vllamasit si konservator që iu kundërvihej ideve të grupit liberalo-demokrat.
Mufid Libohova ka përkrahur protektoratin e huaj ndaj Shqipërisë dhe për këtë ka shkruar: “Shqipëria nuk kishte shpresa të lindej, sepse shqiptarët nuk kishin atë zotësi e meritë . Duke qenë një afarist pa skrupull, ai vazhdimisht ka mbajtur lidhje me regjentë të legatës italiane në Tiranë, të cilët i raportonin Romës bisedat e fshehta me Mufid Libohovën, për depërtimin ekonomik të Italisë në Shqipëri. Mufidi u kërkonte italianëve që “Italia duhet t’i ballkanizonte pak metodat e veprimit në vendin tonë”. Në një korrespondencë të Hilë Mosit , shkruhet se: “…Zotni Castoldi, qi ka çue Italija në Durrës si ministër fuqiplotës, i ka thanë qeveris s’onë, se po në dishrojte me u marrë vesh me Italin, lypej qi të pranonte marrëveshtjen e mshehët, qi Myfid Begu e Fejzi Begu kishin ba në Gjinokastër me Italin; d.m.th. nji gja qi asnji shqyptar nuk mundet me e pëlqye”.
Në zgjedhjet e vitit 1921, që nga Italia, prefekti i Gjirokastrës, Faci, ka dhënë porosi “të vinte në qeveri Mufidi, se ndryshe Shqipërinë do ta merrte lumi”, duke argumentuar se ai i duhej Italisë në qeveritë shqiptare dhe se ai vazhdonte të mbetej vegël e politikës së tyre.
Mufid beu ka qenë kreu i agallarëve shqiptarë. Flitet se ata, për të siguruar fitoren e Mufid beut në zgjedhjet e vitit 1921, kanë dhënë dhjetë mijë lira turke. Me gjithë këto përkrahje politike dhe financiare Mufid beu nuk mundi të zgjidhej deputet në zgjedhjet e vitit 1921, si pasojë e urrejtjes antifeudale dhe anti Mufid që kishte shpërthyer në popull në atë periudhë. Është akuzuar se ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Esad Toptanit, gjë e cila është konkretizuar me bashkëpunimin e tyre në periudhën e mëvonshme. Duke qenë se ishte mik i privilegjuar i Italisë është konsideruar “tradhtar” nga qeveria komuniste.
Flitet se miku Libohovës, Eshref Frashëri, në veprimtarinë e tij kundër Ahmet Zogut, u përpoq të tërhiqte pas vetes edhe Mufidin, duke qenë se kishte përkrahjen e një pjese të klerit fanatik mysliman, por Libohova shkoi dhe i tregoi Zogut gjithçka që po përgatitej, i cili pa vonuar dërgoi forca të shumta matjanësh në Korçë të shtypte çdo orvatje që në embrion, mirëpo dëshmia e Mufidit për mungesë provash të qarta nuk mundi të qëndronte në këmbë, prandaj Zogu ngurroi të dilte hapur kundër Frashërit edhe nga frika e reaksionit që mund të ngjallte tek jugorët. Në këtë rast ai u mjaftua me largimin e Frashërit nga detyra dhe pushimin nga puna të disa oficerëve toskë.
Kundërshtarë të Mufid beut janë shprehur se është shpërblyer disa herë nga sulltan Abyl Hamiti dhe ka qenë mbiemëruar prej tij me pseudonimin “i kuq”, për përkrahjen që i ka pas dhënë pushtuesit turk. Libohovitët thonë se në sarajet e pashallarëve të fshatit të tyre, “gjëje sahate me vlerë që mbanin portretin e sulltan Reshatit VI, dhuruar Mufid beut, si shpërblim për librin e shkruar prej tij për Ali pashë Tepelenën, të cilin në këtë vepër ai e paraqet me origjinë turke”. Më 1980, me ndërmjetësinë e nipërve të tij, të cilët i kishte rritur vetë, kjo vepër, e cilësuar prej tyre “vepër historike madhore” u përkthye në greqisht nga Akademia e Epirit në bashkëpunim me universitetin e Janinës.
Është akuzuar se i ka shitur Italisë Vlorën me gjithë rrethinat e saj. Faktet flasin se veçanërisht pas vitit 1919 e në vijim ai u bë vegël e politikës perëndimore.
Në fondin e qendrës kulturore në Gjirokastër ka pasur dokumente të shumta lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Mufid bej Libohovës. Në kronikat e asaj kohe shkruhej: “Ai ishte feudali me mustaqe të holla e të vogla, me të veshurit elegant e shik, me parulla të vockla e anekdota të shpeshta në muhabete, me frëngjishten, që e kuvendonte lehtazi, me pamjen e një italiani të fisëm”.
Ai ishte beu që e akuzonte Korça, Vlora, e afërsisht çdo vend i Shqipërisë.
Nga kundërshtarë të tij libohovitë, Mufid Libohova akuzohet si i dyshuar në nxitjen e organizimit të vrasjes së Avni Rustemit. Në këtë rast flitet se ai “i trembur nga forca e hakmarrjes popullore, e la vrapin në Shkodër”.
Flitet gjithashtu se ai ka qenë arrestuar për vrasjen e Avni Rustemit. Në një dokument të datës 17.06.1924, të QKGJ, Mufidi cilësohet nga familja e Avniut “shkaktari kryesor i vrasjes”, “tradhtari që leu duart me gjakun e Avniut”.
Lefter Dilo, në librin e tij “Avni Rustemi”, duke ju referuar këtyre dokumenteve ka shkruar “Populli u revoltua, kur mësoi se Mufid Libohova, i arrestuar në Shkodër, iku nga burgu dhe u arratis jashtë shtetit. Ikjen e Mufidit nga burgu populli e ka konsideruar “si kallauz të vrasjes së Avni Rustemit, falimentim të revolucionit të qershorit dhe pazotësi monumentale e gjyqit politik”.
Noli e ka akuzuar publikisht në shkrimet e tij se Libohova bashkë me qeveritarët e tjerë po vjedhin pasurinë e shqiptarëve, por ata mbrojnë njëri-tjetrin. “Për çdo akuzatë vjedhjeje, Mufidi përgjigjet me gjakftohtësi që është një “e fshehtë e shtetit” dhe e dërgon komisionin të pyesnin Ahmet Zogun. Puna është e kthjellët si dita. Mufidi dhe Ahmet Zogu kanë vjedhur shoqërisht dhe i kanë ndarë fitimet në mes. Kështu zë rrënjë shteti me kusarë në zyrat më të larta” . Qeveria e Nolit e ka shpallur Mufidin “të pandehur” (në atë kohë ky ishte ministër i Drejtësisë). Në Arkivin e Shtetit gjendet një dokument, protokolluar në muajin tetor 1924, në të cilin prokurori i Gjyqit Politik në Shtetin Shqiptar, I. Dede, i kërkon Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë si më poshtë: “Në themel të deklaratës bashkëngjitur, nga an’e gjyqit Hetues Politik, këtu, asht vendos ndalim i përhershëm për të pandehurit Shefqet Vërlacin, Iliaz Vrionin, Mufid Libohovën, Kostaq Kottën, Abdurrahman Dibrën, Mustafa Aranitasin, Banush Hamdiun e Ahmet Zogun e Ceno Beg Jakovën . Pra, lutemi asaj P.T komande me dhanë urdhën gjithë fuqinë armate për zanjen e tyre”.
Në tetor 1925 Mufid Libohova është akuzuar nga deputetët Rauf Fico, Maliq Bushati, Hiqmet Delvina, Jashar Erëbara, Kristo Floqi, Kolë Mjeda, etj., madje prej tyre është propozuar ngritja e një komisioni parlamentar, për të hetuar shkeljet e Libohovës. Ndër akuzat e bëra renditen: pazarllëqe në shtypjen e dy milion frangave ar letër e nikel; shpenzimet e 280 mijë frangave ar; importimi miellit në Sarandë pa tagër doganor (dëmi rreth 100 mijë franga ar); problemi i vaporëve të mbytur; çështja e pullave në bankën e Korfuzit; eksportet e ndaluara; marrja e bakshisheve; vaporët e blerë; ndërtesa e Prefekturës së Vlorës; shpenzimet e nëpunësve të ministrisë së Financave, etj.
Mufidi ka pasur kritika edhe nga Bernd J.Fischer, i cili ka evidentuar se: “Libohova u caktua ministër i Drejtësisë në kabinetin e parë të Vërlacit, në shkurt 1923, ndonëse “zotëronte shumë pak, për të mos thënë aspak, cilësitë e nevojshme për postin në të cilin u emërua. Përfshirja e tij në kabinet kontribuoi jashtëzakonisht në paqëndrueshmërinë e qeverisë së Vërlacit” …Karriera e tij politike kishte filluar në vitin 1909 si deputet në parlamentin turk. Aty ai kishte shfaqur për herë të parë prirjen për korrupsion, duke pranuar një ryshfet prej qeverisë greke…Në fund të viti 1918…ai bashkëpunoi me ushtrinë italiane, radhitej mes elementëve më pro-italianë në qeverinë e Turhan pashës, ishte një prej dy nënshkruesve të një marrëveshjeje të fshehtë me Italinë, e cila krijoi kushtet për vendosjen e një mandati italian mbi Shqipërinë…ai u ngarkua të zhvillonte negociatat për krijimin e Bankës Shqiptare me italianët në prill 1925, ku përfitoi për ta shitur dhe futur vendin e tij në varësi ekonomike. Nga hetimet që i bëri gjykata parlamentare Mufid Libohovës, u zbulua se ishte zhdukur origjinali i dokumentit që përmbante klauzolën penale të koncesioneve bankare dhe konventa e kredisë, ndërsa aneksi i konventës, edhe pse nuk ishte miratuar prej kabinetit, ishte nënshkruar nga Mufidi dhe nga kjo konsiderohej i vlefshëm nga koncensionarët italianë, çfarë i solli vendit një humbje të konsiderueshme të kapitalit bankar. Ai u shpall fajtor për vjedhje të shtetit dhe korrupsion dhe u dënua për tradhti të lartë, por kjo akuzë mbeti në letër mbasi Mufidi pati mbrojtjen e shtresës së pronarëve të tokave, të italofilëve dhe se mundi të korruptojë një pjesë të deputetëve dhe të gjykatësve me paratë e vjedhura. E vetmja pasojë për Mufidin ishte humbja e posteve zyrtare fitimprurëse” .
Vlerësime për Mufidin
Është vlerësuar nga nipërit e tij Arsllan dhe Kapllan bej Libohova: “…ka qenë një nga flamurtarët kryesorë të lëvizjes sonë kombëtare. Patriot nacionalist nga më të pastrit, studios dhe burrë shteti realist, i pajisur me cilësi të larta diturie dhe karakteri, i njohur dhe i çmuar edhe në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare. Ai ka qenë një nga prijësit shqiptar më me rëndësi të kohës së tij dhe ka luajtur një rol vendimtar si për përpjekjet për shpalljen e pavarësisë kombëtare ashtu edhe për themelimin e Shtetit Shqiptar.
Mufid Libohova vlerësohet të ketë qenë “njeri me kulturë humanistike dhe juridike si dhe me një eksperiencë politiko-diplomatike shumë të gjerë”.
Ai ka pasur marrëdhënie me personalitete të larta të botës politike, diplomatike dhe shoqërore jashtë dhe brenda vendit, duke mbajtur kontakte me patriotë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë. Ka ndihmuar me shkrime, memorandume, raporte, kumtime diplomatike të drejtuara, herë pas here, kancelarive evropiane me të cilat paraqiste problemet shqiptare dhe mbronte me guxim interesat e larta të vendit, seriozisht të cenuara nga fqinjët tanë të Veriut dhe të Jugut. Ai luftoi fuqishëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare bashkë me Ismail Qemalin, të cilin e kishte kushëri dhe e lidhte një miqësi e ngushtë.
Mufid bej Libohova qe një prej atyre burrave që mundën të bashkonin gjithë deputetët shqiptarë të katër vilajeteve në një ballë të vetëm parlamentar. Qeveria e Stambollit u trondit tepër nga veprimtaria guximtare e tij dhe që ta bënte për vete i ofroi një ministri me rëndësi në qeveri ose kryesinë e një ambasade, po ai që të dyja këto propozime të rëndësishme i refuzoi kategorikisht për të vazhduar me këmbëngulje përpjekjet në parlament dhe jashtë parlamentit për pavarësinë e Atdheut.
Është cilësuar dhe vlerësuar si njeriu që krijoi për herë të parë lekun shqiptar (monedhën shqiptare). Ai i ka dhënë vlera qeverisjes së Zogut, duke krijuar Bankën Kombëtare. Ndonëse kjo ka qenë shumë e përfolur, ai mundi të sigurojë huan e madhe nga Italia fqinjë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë së prapambetur. Është vlerësuar nga politika shqiptare e kohës së tij si kundërshtari më i ashpër i Ahmet Zogut për faljen Jugosllavisë të Shën-Naumit. Është përmendur si fakt se kundërshtimet e Mufid Libohovës në këtë kohë çuan në krijimin e një qeverie tjetër.
Miku e kushëriri i tij, Eqrem bej Vlora, në kujtimet e shënuara për ditët e para të krijimit të shtetit të parë të pavarur shqiptar, ka shkruar për Mufid Libohovën se: “Mufid beu i merrte me të qeshur të gjitha: mangësitë e qeverisë së përkohshme, papjekurinë e popullit shqiptar, madje tërë këto fyerje që na kishin pllakosur… Mufid beu, ministri i Brendshëm, banoi disa javë tek unë, pastaj mori me qira një shtëpizë të këndshme prapa avllisë sonë, ku jetoi gjatë kohës së qëndrimit të tij në Vlorë… Stili në të cilin ai e drejtoi Ministrinë e Brendshme, të kujtonte paksa kohën e Dagobertit, Mbretit të mirë të Frankove: pakëz atëror, pakëz kalorësiak, por edhe pakëz despotik” .
Në qeverinë e parë shqiptare, të kryesuar nga plaku i urtë Ismail Qemali, ka punuar përkrah njerëzve të shquar të poshtëshënuar: Kryetar shteti, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme Ismail Qemal bej Vlora; zëvendëskryeministër, dom Nikollë Kaçorri; ministër i Drejtësisë, Dr. Petro Poga; ministër i Bujqësisë, Pandeli Cale; ministër i Financave, Abdi bej Toptani; ministër i Arsimit, Dr. Luigj Gurakuqi; ministër i Luftës, Gjeneral Mehmet Pashë Dëralla; ministër i Punëve Botore Mit’hat Frashëri; ministër i Bujqësisë Pandeli Cale; ministër i Postëtelegrafës, Lef Nosi.
Në vitin 1908 i fali, ndër të tjera, me bujarinë që e karakterizonte, bashkisë së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit që ishte pronë e familjes si dhe një dhuratë financiare prej 5.000 napolona për ngritjen në atë vend të gjimnazit shtetëror. Mufid beu e bëri Libohovën nënprefekturë. Gjithashtu, ndërtoi rrugën që lidhte qytetin me Gjirokastrën e Janinën, pruri ujin e pijshëm dhe ndërtoi shkollën fillore.
Në mbarim të vitit 1926, pak kohë para vdekjes, i dha fund pjesës së parë të kujtimeve të tij politike dhe diplomatike që mbulon periudhën 1896-1927. Ato përfshijnë edhe dokumente shtetërore dhe ndërkombëtare origjinale, të pabotuara, me një rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë, janë aty dhe fjalimet e debatet në Parlamentin e Stambollit në favor të pavarësisë kombëtare si dhe veprimtaria e tij në fushën diplomatike ndërkombëtare me qeveritë më të mëdha të atëhershme.
Mufid bej Libohova konsiderohet nga shumë intelektualë dhe historianë të paanshëm, qofshin të huaj ose shqiptarë të ndershëm, si burrë shteti dhe një nga diplomatët më të shquar shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së atdheut, në vitin 1912. Për më shumë se dhjetë herë ai ka qenë ministër në dikasteret kyçe të shtetit shqiptar, mes të cilave në ato të Punëve të Jashtme, të Brendshme, Drejtësisë dhe të Financave. Është për të theksuar se ka qenë ministër i Jashtëm në periudhat: qershor 1913 deri më 24 janar 1914; 25 dhjetor 1918 deri në gusht 1919; 6 janar 1925 deri më 31 janar 1925 (në këtë rast në vend të Gjergj Kolecit, i cili nuk e mori këtë post) dhe nga 1 marsi 1925 deri më 23 shtator 1925.
Si ministër i parë i Brendshëm dhe ministri i parë i Punëve të Jashtme (mbas Ismail bej Qemalit) në qeverinë e Vlorës, më 1912-1913, ai ka qenë një nga reformatorët dhe themeluesit e administratës së brendshme të shtetit të parë shqiptar (kishte ndihmuar për të emëruar prefektët, nënprefektët, kryetarët e bashkive dhe të komunave, komandantët e parë të xhandarmërisë).
Libohova ka qenë gjithashtu një nga themeluesit e diplomacisë shqiptare dhe kësisoj ai vazhdoi politikën e tij në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave kombëtare, të cilën e kishte filluar në vitin 1908, kur ishte diplomat e deputet i Shqipërisë në Parlamentin e Stambollit, ku përpara tij kishte qenë i ati i tij, Neki pashë Libohova.
Eqrem bej Vlora (diplomat, shkrimtar, ish ministër) i cili e kishte njohur personalisht Mufidin, në librin e tij “Kujtime”, flet gjerësisht për të nënvizuar cilësitë e larta të tij. Midis të tjerave ai shkruan: “Mufid bej Libohova-Arslan Pashalli ishte pa dyshim një nga personalitetet më të veçanta dhe më të shquara të Shqipërisë së kohës. Niveli i lartë që e bënte të dallohej qartë mbi të gjithë njerëzit e serës së vet, dëshmonte për kulturën e gjerë të tij të spikatur evropiane. Ai ishte doktor i shkencave juridike të Universitetit të Stambollit dhe doktor i shkencave politike të Universitetit të Lausanne (Zvicër). Ai ka qenë shumë i pasur, diplomat me gradë të lartë në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë Osmane”.
Mufid Libohova, deputet i Shqipërisë në Parlamentin Turk, shkrimtar i njohur në Turqi, por edhe në Shqipëri dhe Evropë, ishte i destinuar të kishte një karrierë në perandorinë osmane por ai donte dhe përpiqej për pavarësinë e atdheut tij. Mufidi ka qenë anëtar i klubit “Bashkimi”, në Stamboll. Shtypi i asaj kohe shkroi: “Në muajin maj të vitit 1911 e përtëriti aktivitetin në mënyrën të riorganizuar edhe Klubi Qendror “Bashkimi” i Stambollit në krye me Abdyl be Ypin. Në Pleqësi të këtij klubi, midis të tjerave, ishin: Gani be Frashëri, Myfid be Gjirokastra, Hasan be Prishtina, Nexhib be Draga dhe Sylejman pashë Kolonja. Nga tashti “Të gjitha klubet në Shqipëri do të punojnë sipas programit qendror” të “Bashkimit” të Stambollit (është fjala për gjuhën shqipe-H.L.) . Mufid Libohova i përket grupit të parlamentarëve shqiptarë, të cilët do ta detyrojnë qeverinë xhonturke të bënte lëshime lidhur me shkollat shqipe dhe alfabetin kombëtar latin të gjuhës shqipe, miratuar në Kongresin e Manastirit.
Mufid Beu ka përkrahur Nexhib Dragën në seancën parlamentare të datës 29 mars/11 prill 1910, në debatin me vezirin e lartë turk dhe Ismail Haliun (përfaqësues i Bagdatit) .
Kur Ismail bej Qemali u ngrit kundër dhunës së komandantit Xhavid Pasha, në Kosovë, Myfid Be Janina (Lybohova) do ta quaj Xhavitin gjakpirës, vrasës, ujk. Kundër këtyre “epiteteve” për Xhavid Pashën u ngrit xhonturku shovinist antishqiptar, Talat Beu, por Myfid Beu ia priti flakë për flakë: “Në i ardhtë randë Xhavid Pashës le të më thërrasë në dyluftim. Jam gati ta qa” . Mufid Libohova rezulton një deputet flakadan dhe shumë trim kundër qëndrimeve denigruese apo tallëse të parlamentarëve shqiptarë. Në një rast, kur ndërhyri me tallje përfaqësuesi i Bagdatit, Ismail Hakiu, ndaj mendimtarit e atdhetarit Nexhip Draga, flakë për flakë iu kthye Mufid Beu: “…Më vjen keq se luan në nji kohë kur asht dyke u derdhun kaq gjak…!”
Mufid Libohova, ka nxitur kryetarin e dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes, në Paris, Imzot Luigj Bumçin të takonte Papa Benediktin XV, për problemin e Korçës e Gjirokastrës. Këtu Bumçi, duke krahasuar Mufidin me pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar, e cilëson Libohovën “ndër ta ma i xeti e ma i pari, i ndjeri z. Myfid Libohova” m’u lutën të bëja një sakrifice për atdheun, pra për të pasur një audiencë, që t’i parashtrohej shqetësimi dhe t’i kërkohej ndihmë për bashkimin e këtyre dy krahinave me Shqipërinë.
Në Shqipëri, ai ishte patjetër njëri ndër udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare. Si biri i një dere të madhe historike dhe të pasur, ai kishte të gjithë përparësitë, por edhe të gjitha mendësitë, të cilat duhet të ketë një pinjoll i një fisi të lashtë, veçanërisht të shquar për t’u pëlqyer në Shqipëri. Me gjithë arsimimin e lartë të tij, me gjithë mënyrën e tij autoritare evropiane-shqiptare, të jetës, në mendësinë e tij ai kishte ruajtur tipare që zbulonin në mënyrë të padiskutueshme prejardhjen e mirëfilltë të aristokracisë së vjetër shqiptare.
Ai ishte i gjallë, gazmor, shumë i kulturuar por pastaj befas mund të bëhej i thjeshtë i vrazhdë, popullor. Kontrastet që e dallojnë karakterin e shqiptarit, dilnin tek ai veçanërisht të qarta. Më miqtë ishte besnik, bujar dhe i dashur dhe i fjalës, me armiqtë kundërshtar i papajtueshëm, por fisnik dhe i çiltër.
Ai ishte i pajisur me një karakter të fortë dhe me një guxim fizik dhe moral të jashtëzakonshëm. Ishte njeri që mbante marrëdhënie miqësore edhe me njerëzit e thjeshtë dhe sillej si një mik i vërtetë me ata që ishin të tillë. Veçanërisht në Turqi, ai ishte i njohur si burrë shteti shqiptar, si shkrimtar dhe historian serioz i historisë së perandorisë osmane. Shumë diplomatë të huaj, që kanë pasur njohje personale me Mufid beun, midis të tjerëve ambasadorët, Sola, Quaroni, Jakomoni etj., kanë shkruar kujtime për personalitetin e tij. Mufid Libohovën e ka kujtuar në shkrimet e tij edhe kryeministri grek, Venizelos, të cilin ai e kishte mik.
Familja e Mufid Libohovës
Në moshën 20 vjeçare u bë baba. Mufidi ka pasur dy djem. I pari, Malik beu, lindur në Stamboll më 1896 dhe që vdiq në mërgim në Romë, në vitin 1952 (martuar me Sheref Hanëm Giritli Zade, vajza e Ibrahim pashës dhe mbesa e Mustafa pashës, 5 herë sadrazem dhe kryeministër në perandorinë osmane, i cili ka qenë diplomat, ministër fuqiplotë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë me shumë dinjitet dhe zotësi në shumë kryeqytete evropiane, Paris, Londër, Romë, Gjenevë, etj). Dy djem binjakë të Malik beut, Arsllan dhe Kapllan beu, sa lindën, i mori dhe i rriti gjysh Mufidi, si djemtë e tij, deri sa vdiq, kur ata ishin në moshën 10 vjeçare.
Djali i dytë i Mufid beut ka qenë Elmaz beu, i cili u lind në Libohovë, nga e shoqja e dytë e Mufid beut, Olga Scheitzer, një zonjë e shquar dhe bujare nga Danimarka.
Mufid bej Libohova ka pasur edhe tre vëllezër e një motër më të rinj: Sedat beu, kolonel akademist i Shtatmadhorisë, vrarë pabesisht nga një kapiten çerkez, në vitin 1906, në Selanik; Ajet beu, diplomat, jurist, historian, i cili vdiq, në mërgim në Romë në vitin 1952; Eqrem beu, oficer epror akademist i Shtatmadhorisë, prefekt i Vlorës, komandant brigade në Çamëri në luftën ballkanike 1912, kryeadjutant i princ Wied-it, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Romë, Bruksel, Paris, ministër i Oborrit të Mbretit Zog, ministër i Punëve të Jashtme dhe së fundi kryeministër e ministër i Punëve të Brendshme, i cili vdiq në mërgim, në Romë në vitin 1948.
Pak kohë mbas kthimit të tij në Atdhe, Mufidi vdiq pa pritur në moshën 51-vjeçare në Sarandë, në shkurt të vitit 1927, mbasi i kushtoi më shumë sakrifica dhe rreziqe tërë jetën e tij çështjes kombëtare. U varros në Libohovë me nderime të posaçme dhe në praninë e një numri të madh njerëzish të ardhur nga shumë vise të Shqipërisë dhe nga jashtë vendit. Trupi i tij u kall në tyrben e oxhakut të tij pranë gjyshit Malik pashës dhe stërgjyshes Shanisha Hanëmi, e famshmja motra e Ali pashë Tepelenës dhe e shoqja e Ali pashë Libohovës. (FUND)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura