(Prishtinë, 8 janar 2012) – Institucionet e Kosovës shkelën mbi gjithçka që është kombëtare. Këto institucione mohojnë historinë dhe të kaluarën tonë, shkatërrojnë të tashmen dhe e vështirësojnë shumë të ardhmen tonë. Për to historia fillon me ta dhe nga ta. Si rezultat i kësaj politike, Kosova është pa sovranitet dhe integritet territorial, me struktura ilegale e kriminale të Serbisë, me kufij të brendshëm etnik, me trashëgimi kulturore të tjetërsuar, pa ushtri, pa ekonomi, pa arsim e shëndetësi, me varfëri e papunësi. Tash së fundi nga këto institucione Kosova mbeti edhe pa vlerat e saj më të mëdha kombëtare: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Qeveria e sakatoi ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së. UÇK kërkon njohje politike në tërësinë e saj. Nuk mund të ndahen veteranët e UÇK-së nga invalidët e dëshmorët, sepse vetëm bashkë e bëjnë tërësinë që quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve të UÇK-së nuk kërkojnë lëmoshë. Ata nuk duan që të trajtohen si kategori sociale por të trajtohen si luftëtarë të lirisë. Përkujdesja e shtetit dhe e shoqërisë ndaj ushtarëve të UÇK-së ia kthen dinjitetin dhe krenarinë luftës sonë të drejtë çlirimtare. Vetëm atëherë kur çmohen e trajtohen si duhet veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve mund të konsiderojmë se kombi po ecën rrugës së duhur. Deri tani kjo nuk ka ndodhur.
Veteranët i hoqën nga ligji, i lanë vetëm në titull të ligjit. Dëshmorë thonë janë vetëm ata që u vranë në luftë nga viti 1997 e deri në vitin 1999. Në versionin e parë në projektligj ishin të përfshirë dëshmorët që nga viti 1945 e deri në vitin 1991 si dhe dëshmorët e UÇK-së nga viti 1991 e deri në vitin 1999. Kështu siç është tani në ligj, kemi fyerje për dëshmorët. Për më keq, në këtë ligj nuk përfshihen ushtarët e UÇK-së të cilët ranë dëshmorë në luftë në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni. Nëse ne nuk i quajmë dëshmorë, atëherë çfarë të presim? A mos vallë të presim që Serbia e Maqedonia do të miratojnë ligje e t’i shpallin dëshmorë?!
Kuvendi i Kosovës e votoi këtë ligj dhe e miratoi. Nuk u morën parasysh amendamentet e komisionit funksional. Lëvizja VETËVENDOSJE! abstenoi në të gjitha amandamentet e propozuara për arsye se aty përfshiheshin kategoritë e tjera të dala nga lufta, ndërsa në votimin e ligjit si tërësi nuk mori pjesë fare. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk mori pjesë në votim sepse nuk dëshiron që të bëhet pjesë e manipulimit që po bëhet më veteranët dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky ligj është i pranueshëm vetëm për Qeverinë dhe disa deputet të pakurriz, por ai është i papranueshëm për veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve. Është i papranueshëm për qytetarët e Kosovës.
Shumë veteranë e invalidë të UÇK-së bënë grevë e protestuan 47 ditë me radhë duke kërkuar që të bëhet njohja politike e luftës së UÇK-së si dhe për miratimin e një ligji të dinjitetshëm për këto kategori të shoqërisë. Ata i vunë në siklet institucionet e Kosovës dhe i detyruan ato t’i përshpejtojnë procedurat dhe të zotohen për përmbajtje adekuate të ligjit. Kjo protestë nuk u mbështet nga ata që sot i udhëheqin shoqatat e kategorive të dala nga lufta. Këta veteranë e invalidë të UÇK-së ishin mashtruar edhe më parë nga Qeveria dhe mandej nuk u dorëzuan plot 47 ditë duke qëndruar në kushte shumë të vështira në tenda para Qeverisë. Qeveria dhe udhëheqësit e shoqatave të luftës nuk i mbështetën, por përkundrazi i ironizuan dhe i fyen duke i konsideruar si njerëz të manipuluar për qëllime politike. Por, në të vërtetë, njerëzit më të manipuluar janë pikërisht këta që sot udhëheqin shoqatat e dala nga lufta. Ata janë bërë më shumë vegla të përdorshme të Qeverisë se sa përfaqësues të veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve. Këta zotërinj nuk e akuzojnë në asnjë rast Qeverinë për këtë ligj, por vazhdimisht e akuzojnë Kuvendin. Qeveria e sponsorizoi këtë ligj dhe ishte ajo e cila e solli në Kuvend si të tillë. Ishin vetë këta veteranët e shoqatave ata që morën pjesë në hartimin e këtij ligji. Edhe nëse kanë pasur vullnet e dëshirë që ligji të ishte ashtu siç do të duhej, duhet ta thonë qartë se ishte Qeveria ajo që nuk mori parasysh rekomandimet e tyre. Qeveria e negocioi ligjin me FMN. E votuan në Kuvend sepse u përkujdesën që t’i kenë numrat. Bënë pazare me këtë ligj. Analizojeni mirë se kush votoi dhe si votoi dhe do ta shihni pazarin. VETËVENDOSJE! nuk pranoi që të bëhet pjesë e këtyre pazareve dhe manipulimeve prandaj edhe nuk mori pjesë në votim. Ja kush votoi PËR këtë ligj: Në votim morën pjesë 71 deputetë, 61 votuan PËR, 4 votuan KUNDËR dhe 6 ABSTENUAN. Por kush votoi PËR? PËR votuan 22 deputet nga PDK, 21 nga LDK, 2 nga AAK, 7 nga AKR, 2 nga SLS, 2 nga VAKAT dhe nga një ishin nga KDTP, GIG, BSDAK, PDAK dhe një i pavarur. Pazarin po e shihni besoj.
Ky ligj është edhe një e keqe e këtij pushteti. Ky ligj është kundër dëshmorëve, kundër veteranëve e invalidëve të UÇK-së. Në Kuvendin e Kosovës ka shumë deputet që plot gojën e kanë patriotizëm. Për interesa të tyre të ngushta i keqpërdorin dëshmorët dhe luftën në përgjithësi. Vazhdimisht krekosen si trashëgimtarë të luftës së UÇK-së e, në anën tjetër, punojnë e veprojnë kundër të gjitha vlerave të kësaj lufte. Nuk mund të mos i përmend vetëm disa nga ata që votuan kundër dëshmorëve e ushtarëve të UÇK-së. Për këtë ligj votuan ndër të tjerë edhe: Jakup Krasniqi, Elmi Reçica, Bekim Haxhiu, Behar Selimi, Adem Grabovci, Halit Krasniqi, Fatmir Xhelili, Ramë Vata, Ramiz Lladrovci, Hydajet Hyseni, Nijazi Idrizi.
Këta, por edhe ata të tjerët që nuk i përmenda, e bënë një shërbim antikombëtar. Veprime antikombëtare kanë bërë edhe shumë para tyre por kanë përfunduar keq. Keq do të përfundojnë të gjithë ata që bëhen pjesë e të keqes.
Postime të Lidhura
FAHRI DAHRI: AKTUALITETI LIDHUR ME ‘ÇËSHTJEN ÇAME’
Itali, 24 shkurt 2018: I.- Protestat në vartësi të problemeve. Në çdo shoqëri njerëzore lindin probleme të cilat…
KARAKTERE DHE PROFILE TË PJESËTARËVE TË UÇK-s (ZONA OPERATIVE E KARADAKUT)
KARAKTERE DHE PROFILE TË PJESËTARËVE TË UÇK-s (ZONA OPERATIVE E KARADAKUT) Nga Meti Rexhepi Pas dhunës mbi njëqind…
ABDULLA MEHMETI: VETËM GJENERATAT ME IDEALE TË LARTA E KANË TË ARDHMEN E SIGURT
Tetovë, 05. 11. 2015. Gjeneratat e reja, të lindura pas fillimit të proceseve demokratike në vendin tonë, tanimë…
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
Pashtriku, 20 shkurt 2019 – PROLOG – Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë (1) u organizua posaçërisht për vendosjen e…