(Durrës, 8 mars 2012) – Dëgjova deklaratën e z.Stefanoviq, i cili në bisedimet e Brukselit përfaqëson vrasësit e shqiptarëvet. Ai tha: “Sërbët (e Republikës së Kosovës, Gj.D.) i kanë (sërbe, Gj.D.) targat e makinavet dhe do t’i kenë.” Pastaj shtoi: “Kjo (pajisja e shtetasvet sërbë të Republikës së Kosovës me targa makinash të këtij shteti, Gj.D.) nuk është pjesë e marrëveshjes.” Në anë tjetër, e kemi parë përfaqësuesen tonë, përfaqësuesen, e e pakta 15 mijë shqiptarëvet të vrarë e masakruar VETËM në vitet 1997-1999, zonjën Editë Tahiri, e cila, në çdo takim që bëhet në Bruksel, ia zgjat dorën zotit Stefanoviq. Unë, si shikues, e vë re që ajo e ka shumë vështirë me ia zgjatë dorën përfaqësuesit të vrasësvet të Kombit tonë, megjithatë, ajo e kryen këtë normë kortezie. Ndërmjetësi evropian i vështron këta 2 negociatorë që nga kreu i tavolinës. Duket sikur vigjëlon: Pale, a po ia jep dorën zonja Tahiri zotit Stefanoviq apo nuk po ia jep dorën! Zoti Stefanoviq e shtrinë dorën me fodullëk, zonja Tahiri gjithashtu e shtrinë dorën, por me vështirësi…
Ç’e shtynë këtë grua?!. O Zot i Madh! Ç’e detyron këtë grua t’ia zgjatë dorën e vet të pastër, një njeriu që ende s’i ka pranuar as vrasjet e fëmijëvet të Prekazit (Atje i kemi 10 varre fëmijësh nën moshën 15 vjeç!), që s’i ka pranuar të 41 martirët tanë të Reçakut, që ende s’ka çuar një lule në varret e këtyre shqiptarëve të vrarë prej bashkëkombësvet të tij, që s’ka kërkuar falje për Hoqën, Gjakovën, Pejën, Malishevën, Llapin, të shkatërruar, të djegur e vrarë prej bashkëkombësvet të tij, që s’na e ka treguar ende ku ndodhet Ukshin Hoti?!. Ç’hata e madhe e shtërngon këtë luftëtare të lirisë (se ne të tillë e njohim), ta bashkojë shuplakën e dorës së vet të djathtë me shuplakën e djathtë të një të atillë dredharaku me mbiemrin Stefanoviq?!
Ai farë Stefanoviq, ruajtës, deri në emrin e fisit të vet, të paranojës stefanore të Nemanjiqëvet (Shih ç’do me thënë fjala stefanos!), njeri shumë i ngjashëm me personazhin Urjah Hip të Ç.Dikensit, pa u tharë ende në dorën e tij djersa e dorës së zonjës E.Tahiri, del para mediavet dhe na thotë: “Sërbët i kanë targat (sërbe) në makinat e tyre dhe do t’i kenë. Kjo nuk është pjesë e marrëveshjes.” Del kështu jo vetëm kundër nesh, por edhe kundër EULEKS-it, pra, kundër autoritetit të Evropës dhe kundër çdokujt tjetër.
E mua tani po më mundon kjo pyetje: A është shtërngimi i duarvet pjesë e marrëveshjes, midis 2 bashkëtakuesvet, njëri prej të cilëvet nuk po pranon kurrsesi të heqë dorë nga paranojat kurorëlakmuese?! (Shih prapë ç’do të thotë stefanos!) A është shprehimisht e shkruar në protokoll?!
Mbas një të këtillë deklarate të armikut të vet TË PAKORRIGJUESHËM, a është e detyruar z.E.Tahiri të shkojë në takim e t’i japë dorën atij armiku?! A mos do të ish më mirë të rrijë z.E.Tahiri në shtëpi të vet e t’i thotë ndërmjetësit evropian: “Fol ti me z.Stefanoviq!”?! Të rrijë në shtëpi, qoftë vetëm në emër të atyre 10 fëmijëve që na i kanë vrarë në Prekaz, kush tjetër, veç bartësit e atyre targave?! Të rrijë në shtëpi, në emër të Bujarit 5 vjeç, të Blerinës, të Fatimes, të Ikballes, të Blerimit të Hamzës, të Blerimit të Zenës, të Ikballit, të Kushtrimit, të Lirisë së Hamzës dhe të Valdetes së Rifat Jasharit!
Dhe t’u thotë REPUBLIKA E KOSOVËS të përkëdhelurvet të Stefanoviqit: “Ndaçi rrini, ndaçi shkoni! Në shtetin tonë mund të hyjnë me targa sërbe vetëm banorët dhe shtetasit e Republikës së Sërbisë!” E t’i thotë Republikës së Sërbisë: “Bisedime nuk ka, pa ardhur vetë B.Tadiqi me tufa lulesh në varrezat e të rënëvet tanë!” Dhe t’i thotë z.A.Merkel: “Shko prapë në Beograd dhe thuaji edhe njëherë Sërbisë që të heqë dorë nga strukturat paralele në Veriun e Republikës së Kosovës!”
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: KRIMOGJENËT E POLITIKËS – VRASËSIT E SHPRESËS!
Pashtriku, 23 nëntor 2019: “Ithtari i së keqes, nëse nuk bindet me fjalë të mira, lyp drunin si…
MJAFT ME AKSIONE “PËR VOTA FETARE”!
MJAFT ME AKSIONE “PËR VOTA FETARE”! Nga Ali Sh. Mehmeti, Gjenevë, 19.05.2023 Shumë gjatë, madje edhe sot, kam…
GËNJESHTRAT DJALLËZORE TË ZELENSKYT!
GËNJESHTRAT DJALLËZORE TË ZELENSKYT! Nga Sheradin Berisha, FB, 16 nëntor 2022 E vërteta na bën të lirë kur…
GJOKË DABAJ: MILIONERËT SHQIPTARË DHE ATDHEU I TYRE, SHQIPËRIA
Durrës, 8 shkurt Para pak ditësh dërgova për botim një shkrim me titull “Koha për një kuvend të…