IBISH NEZIRI: XHEMAJL FETAHAJ JETËN E TIJ E VURI NË SHËRBIM TË ATDHEUT

Pashtriku.org, 20. 06. 2013 – (Dy fjalë lexuesit të librit “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë”) – Përpjekjen time më të gjatë se katërvjeçare për ta ndriçuar figurën e dëshmorit të Kombit, Xhemajl Fetahaj, e konsideroj të përfunduar, por gjithsesi jam i vetëdijshëm se nuk është thënë e tëra. Rruga për ta finalizuar këtë monografi jo vetëm që nuk ka qenë e lehtë por, përkundrazi, ka qenë mjaft e vështirë. Kur ia ngarkova vetes këtë punë, synim imi ka qenë që Xhemajl Fetahajn, duke e ditur se ai nuk kthehet dot më në jetë, ta kthej mes njerëzve me ato përmasa që i ka pasur, i bindur se, pa i zmadhuar as me një fjalë të vetme, ato kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha.
Në dymbëdhjetë vjetorin e rënies, në një përkujtim për të, pata shkruar: U bënë 12 vjet nga rënia në fushë të nderit. Ndërkaq, unë ka vite që e ndiej në shpirt si një borxh, si një detyrim, që para bashkëkohanikëve të mi ta nxjerr dhe, për gjeneratat që vijnë, ta ndriçoj figurën e një veprimtari të paepur të çështjes kombëtare, që ishte më shumë se veprimtar dhe anëtar i organizatave ilegale të viteve të 80-ta dhe 90-ta, të cilat vepruan në Kosovë e jashtë saj, të një pajtuesi gjaqesh dhe të një ushtari që ishte më shumë se ushtar, Xhemajl Fetahajt.
Kaluan tri vjet që unë përpiqem ta ndriçoj këtë figurë madhore të historisë sonë më të re dhe, edhe përkundër përpjekjeve të mia, ende nuk ia kam dalë. Kam kontaktuar në një mënyrë a në një tjetër shumë shokë të Xhemajl Fetahajt, pa e përjashtuar asnjërin prej tyre, dhe u kam kërkuar që t’i shpalosin kujtimet e veta dhe të m’i dërgojnë, duke llogaritur se në këtë mënyrë edhe ata e nderojnë shokun dhe bashkëveprimtarin e tyre tani dëshmor. Shumica prej tyre m’u përgjigjën me korrektesë, prandaj shfrytëzoj rastin këtu t’i falënderoj përzemërsisht. Ndërkaq, për ata që e bënë veshin të shurdhër s’kam koment, ua kam lënë ndërgjegjes së tyre. Madje, me keqardhje më duhet të theksoj se ndonjëri prej tyre më ka bërë pyetjen, që unë e konsideroj edhe banale, se a e kam pëlqimin e familjes së dëshmorit për të shkruar librin për Xhemajl Fetahajn. Kjo më duket se ishte skandaloze.

Unë nuk i marr leje askujt për të shkruar për dëshmorët e Atdheut, për dëshmorët e Kombit. Dëshmorët nuk janë më të familjeve, ata janë pasuria jonë e përgjithshme, janë tanët, të të gjithë neve, janë nderi jonë, por unë nuk e di sa ne jemi të tyre.
Xhemajl Fetahaj nuk është më në mesin tonë.
Ai është flijuar për të gjithë ne, për ATDHEUN, për KOMBIN…
Ne çfarë bëjmë për të?
Gjatë punës sime për ta ndriçuar këtë figurë shpeshherë kam belbëzuar
mes dhëmbësh: „Sa njeri me fat Xhemajl Fetahaj! Njeri me fat, sepse është dëshmor i Atdheut, dëshmor i Kombit”, por shumë shpejt dëshmorët e kombit i quaja njerëz fatkëqij, njësoj sikur i pat quajtur gjatë bisedës pikërisht për Xhemën edhe gjenerali Kudusi Lama, i cili luajti rol të madh në luftën e UÇK-së. „Janë njerëz fatkëqij dëshmorët e Kombit, sepse nuk mund të ngrihen nga varret dhe t’u thonë shumë vetave: ‘Oreeee, për ty nuk e kam qitur as hapin më të vogël. Nuk kam lëvizur fare vendit, por kam lëvizur dhe kam rënë për Atdheun!’ T’u thotë shumëve që sot paraqiten si shokë të tyre: ‘Ti as nuk ke qenë e as nuk je shok imi, ti po gënjen…!’”
Libri për dëshmorin e Kombit Xhemajl Fetahaj do të shkruhet dhe figura e tij do të ndriçohet, por ndoshta këtë herë jo e tëra. Për këtë kam qenë i vetëdijshëm që në fillim, sepse çdo fillim e ka mbarimin dhe kjo mendoj se është krejtësisht e kuptueshme. Megjithatë, duke llogaritur se, përkundër vështirësive që i pata, kam arritur ta paraqes një panoramë relativisht të plotë të jetës dhe veprës së Xhemajl Fetahajt, e hoqa qafe atë tundim shpirtëror ndaj njeriut i cili gjithë jetën e tij e vendosi në shërbim të Atdheut, duke filluar nga mosha e tij ende e mitur në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, për ta përfunduar në ditën 31 majit të vitit 1999, kur përjetësisht u vendos në altarin e më të merituarve të Kombit, në altarin e lirisë!
Recensenti i këtij libri, Gjenerali Kudusi Lama, me të drejtë e ngre shqetësimin e vet për mungesën e prononcimeve të një numri të caktuar njerëzish me përgjegjësi për luftën dhe e njëjta gjë më shqetëson edhe mua, por unë nuk kam mundur të bëj më shumë se ç‘kam bërë. Këtu po e shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj përzemërsisht recenzentët Kudusi Lama e Kadri Rexha për sugjerimet që m’i ka dhënë, njësoj sikurse edhe redaktorin, Hasan Ukëhaxhaj.
Ashtu si pata premtuar se librin do ta përfundoj së shkruari, e mbajta premtimin, duke qenë tërësisht i vetëdijshëm se nuk i kam thënë për Xhemajl Fetahajn të gjitha që është dashur t‘i them, jo për fajin tim.
Tani, lexues të nderuar, libri është në duart tuaja dhe ju do të jeni ata që e vlerësoni punën e bërë, ju do të jeni gjykatësit e punës sime.
Autori – Buchs, Zvicër, mars, 2013

……………………………

Më 29 Qershor 2013:
NË GJERMANI PROMOVOHET LIBRI I AUTORIT IBISH NEZIRI

“KËTU JAM PËR T’I LUFTUAR ARMIQTË”,

KUSHTUAR DËSHMORIT TË KOMBIT XHEMAJL FETAHAJ…


 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura