DR.ERMIRA YMERAJ: NARRATIVA AUTORIALE …

Shkodër, 12 shtator 2019:

 

 

 

 

 

KONFERENCË SHKENCORE
“Mitrush Kuteli në 110 vjetorin e lindjes”
Fusha: Letërsi
Universiteti “Fan S. Noli” Korçë.
Dr. Ermira Ymeraj
Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër
[email protected]

Tema: Narrativa autoriale, brenda përmbajtjes koherenciale dhe tradicionale te “E madhe është gjëma e mëkatit” dhe “Ditë paqeje e ditë lufte në Enkelinë e mbret Bardhylit”

Argumenti: Diapazoni i fuqishëm krijues lidhet me ciklet dhe faktin se ato prodhohen dhe riprodhohen në dy forma: në variante dhe në versione, marrin dhe japin. Nga pikëpamja tipologjike, personazhet nuk janë të zakonshëm, si për letërsinë tradicionale, ashtu edhe për vetë krijimtaritë autoriale. Metafizika e kohës sipas Bergsonit konsiderohet si njësi jo e barabartë me minutën që përjeton një subjekt në dallim nga një subjekt tjetër, kështu ëndrra që sheh Tat Tanushi do ndryshojë kahun e kohës, nga kohë konvencionale në kohë të panatyrshme, deri në ngrirjen paralajmëruese më pas. Vetë personazhi do jetojë në një kohë të ngrirë, si gjëmë e mëkatit jeta do jetë mallkim, koha e Tatë Tanushit s’do ketë lëvizje horizontale por antonimike me lëvizjen e jetës, natyra metamorfizohet në pamje të ndryshme prej motit, vetëm atë nuk do e prekë moti, koha si e pavdekshme bëhet ndëshkim për të.
Fjalë kyçe: miti, rimitizimi, tipologji, konvencione, oralitet.

Rrëfimi si akt oral dhe thyerjet e formave tradicionale

Sipas konceptit të oralitetit vetë rrëfimi është akt oral. Ekzistenca e oralitetit në veprën e Kutelit formon një vepër unike, si transmetues, autor, rrëfimtar, dëshmitar e receptor. Ndërsa Aurel Plasari thekson:
“Praninë e elementeve gojorë si karakteristikë themelore të rrëfimit si dhe pozicionin e “distancuar” të autorit nëpërmjet futjes së rolit të tregimtarit: “shtënia në punë e këtyre “elementeve të gojshmërisë” lidhet me përpjekjet e autorëve për t’iu reshtur mënyrës tradicionale të të treguarit, duke qëndruar përanash, përjashta veprës (…). Duke e zmadhuar qëllimisht rolin e tregimtarit, ky vetjakësim synon ta zhdukë edhe iluzionin më të vogël se ajo çka ndodh qenësh “jetë” dhe jo “art” ”.
Sali Bashota thekson se: “rrëfenja është simbiozë e disa teknikave narrative, si përrallës, mitit, legjendës që si lloje më të thjeshta të epikës kanë shtrirje të madhe hapësinore ”.
Natyrisht oraliteti i krijon receptuesit lehtësi psikologjike në asimilimin e domethënieve artistike rimarrja e së cilës nga autori krijon po të njëjtën atmosferë komunikimi lehtësues . Genett pohon se: Tregimtaria është një sekuencë dyfish kohore Është koha e gjësë së treguar dhe koha e tregimtarisë (koha e të shënjuarit dhe koha e shënjuesit). Ky dualitet jo vetëm që bën të mundur të gjitha shtrembërimet kohore që janë të zakonshme në tregimtari (tre vite të jetës së heroit të përmbledhura në dy fjali të një romani ose në pak filmime të një montazhi “frekuentativ” në film, etj.)

Mbreti Bardhyl, (rreth 449 p.e.s – rreth 356 p.e.s)

Kryesisht kjo, na fton ne të konsiderojmë që një nga funksionet e tregimtarisë është të shpikësh një skemë në kohë, në kushte të një skeme tjetër kohore. Për më tepër e krahasojmë me pjesë nga novela e Tatë Tanushit psh: Si thamë, rronte dikur në gjirin e Kishës së Lindjes një prift me emrin Tanush”.
Narrativa autoriale e Kutelit si përmbajtje koherenciale bën që ringjallja te Tatë Tanushi të ketë logjikë fiksionale dhe të marrë trajtat e një dëshire vizionale , duke u shndërruar në një obsesion. Rrëfimi vishet me petk abrahamik. Tata i drejtohet Hyut përmes lutjes dhe sakrificës dhe krijon një model, Hyu i shfaqet Tatës, përmes ëndrrës, shenjave paralajmëruese dhe mrekullisë, duke krijuar një urë komunikimi mes mitikes dhe letrares të transponuara në një realitet tjetër tashmë të ri dhe autentik me një bollëk tematik si ajo e jetës – vdekjes – pezullimit të jetës-mosvdekjes dhe ringjalljes.
Me një filozofi origjinale e shenjta dhe njerëzorja pikëtakohen përmes opozicioneve: jetë – mosvdekje, e ndritshme – e errët, vdekje – ringjallje si burim kozmogonik i përhershëm dhe i pandalshëm i universit ontik dhe hyjnor, e gjitha kjo në sajë të filozofisë së autorit. Të jetosh me përjetësi do të thotë: Mallkim. Të bindesh se kalimi në botën tjetër bëhet i mohueshëm, e shtyn në dëshira mëkatare të tjera, së pari si dëshirë për të hyrë në varrin e Kalijes dhe më pas me dëshirën për të hapur varrin e Kalijes jo me dorë por me mendje. “Vdekja e frikshme” për Gilgameshin bëhet e dëshirueshme për Tatë Tanushin.
Duket se në krijimet e këtij realiteti, të kësaj bote, të joshur nga mitologjia, heronjtë krijojnë me veprimet e tyre realitete, ku ashtu si në botën e mitologjisë thyhet dallimi mes reales e ireales, mes të besueshmes e të pabesueshmes, e ku kërshëria për të njohur botën, për të kuptuar realitetin, i jepte forcë fantazisë që të thurte disa krijesa, që për njerëzit ishin edhe udhërrëfyese në udhën e të fshehtave, edhe mistere që nuk do të zbuloheshin kurrë.
Për këtë Northrop Fraj në një studim të tij për mitin shprehet: “Në botën e mitit nuk kemi përshtatjen ndaj përvojës së njohur. Miti është imitim i veprimeve afër ose brenda kufijve të mundshëm të dëshirës ”.
Kulti i Edipit te “Ditë paqeje e ditë lufte në Enkelinë e mbret Bardhylit” të Kuteli, është shembull i narratives e gjenisë artistike brenda përmbajtjes koherenciale.
Në interpretimin e personazhit të Kaligjenit, Kuteli ndërton profilin e njeriut si shprehje e raporteve të kundërta, mbartësin e dilemave, njeriun që është në lëvizje të përhershme drejt kuptimit të vetes dhe asaj që e rrethon.
Kaligjeni – Edip, te Kuteli është shfaqje e një personazhi të strukturuar në linjë rrëfimore që deshifron, është version i ri i mitit të Edipit, jo në etapën e parë të incestit, por në pjesën e dytë si vazhdimësi lineare e jetës së heroit, pas krijimit të tij si mit. Rruga që ndjek mbas krijimit si heroi i incestit, është drama e ikjes, është përjetimi i tragjedisë ai nuk i shpëton dot asaj çka vetë ka ndërtuar, por diçka mund të bëjë.
Në novelën e Kutelit ai është Edipi që largon me dorë leshrat pellazgjike, që i binin mbi ballë , që e quante veten enkelas, që flet gjysmë enkelisht e gjysmë helenisht, që pikëllohet e shtanget kur flet për dashurinë, që betohet: “Për atë Tebë me shtatë porta dhe për hijen e Kadmit të lumtur, që ndërtoi Kadmejen e Tebës” dhe që në të vërtetë emri i tij nuk ishte Edip, por Kaligjen. Ata të Drimonës i thoshin “Edip”, sepse “atij ia kish enda të tregonte dendur ngjarjen e hidhur të mbretit fatzi të Tebës, të cilin pasi kish arritur kulmin e lavdisë sepse kish mbrojtur dhe shpëtuar popullin, e kish ndjekur pa mëshirë mëma e perëndive helene: të vriste t’anë e të martohej me t’ëmën. ai qe munduar me të gjitha mënyrat t’i shmangej kësaj nëme, por më kot: e thëna kish mbetur e thënë. Kështu Edipi kish vrarë, pa ditur të anë, (…), dhe kish marrë për grua, gjithë pa ditur mëmën e tij Jokastën. (…)”.
Veç kësaj Kaligjeni kish këmbët e ënjtura, si Edipi. Dhe çalonte. I cili në thelb të historisë së tij kishte: etja për të vërtetën, kundër së rremës; lufta për dritë, kundër errësirës .
Kjo do thotë se: Diapazoni i fuqishëm krijues lidhet me ciklet dhe faktin se ato prodhohen dhe riprodhohen në dy forma: në variante dhe në versione, marrin dhe japin.
Thyerjet e përmbajtjes tradicionale në ndërtimin e personazhit: Nga pikëpamja tipologjike, personazhet nuk janë të zakonshëm, si për letërsinë tradicionale, ashtu edhe për vetë krijimtaritë autoriale.
Personazhi ashtu si dhe miti, plotësojnë një funksion të nevojshëm, rrëfejnë një histori domethënëse, kodifikojnë besimin e tyre, imponojnë parimet, garantojnë efikasitetin e ritualit, dhe afrojnë rregulla që priten të qasen nga receptuesi, ku ndërfutet komunikimi i njerëzores me hyjnoren.
Lidhja e njeriut me mitologjinë nuk është një lidhje e sajuar me mund, por një lidhje që vjen natyrshëm, për të cilën nuk është e nevojshme të studiosh thellësisht ç’është miti më tepër, se ç’është e nevojshme të dëgjosh e të kapësh me intuitë atë që s’mbetet thjesht problem i një kohe, por i të gjitha kohërave, atë që edhe pse shekujt i kanë kaluar sipër, ende mbetet si pikëpyetje në ndërgjegjen e njerëzimit.
Në tregimin: “E madhe është gjëma e mëkatit”, “raporti njeri – Zot”, lind nga një metamorfozë e dëshirës, nga një iluzion i shpirtit, si ekzistencë reale e një fuqie të mbinatyrshme siç është “Zoti”. Ato ndërtohen në favor të mendimit të pranisë së hyjnisë si fuqi ekzistenciale e universale e ndryshimit dhe e përjetësisë, ku të gjitha format organike dhe inorganike transformohen në trajta mbetjesh (hi, skelet, frymë), dhe në funksion të idesë se “asgjë nuk humbet, gjithçka transformohet”, ku njeriu shpall pakënaqësinë e jetës së përkohshme.
“(…) një dhimbje e madhe i çau shpirtin. Qau me zhurmë sa kumboi e gjithë kisha.(…). Atëherë zëri i altarit pushon, kandilat e ulën dritën dhe Kalija nuk ish më në krahët e tija përveç se një skelet. Duke u shembur greminë pas gremine, nëpër natë, ja se ku sytë e tij ç’quan kandile. U përpoq të shkojë ndaj drita dhe nuk ecte dot. Çdo gjë – drita, koha dhe ay vetë – kishin ngrirë si shtylla guri e nuk lëviznin befas, prej së thellash, një zë që i fliste me një gjuhë të lashtë: “Qetësi, lumë i rreptë zemërimi i tij, si det i thellë mëshira”. Dëgjoj pastaj një zhurmë të madhe si zhurmë deti edhe u zgjua. Dirse të ftohta në ballë. Kalija flinte pranë tij. Drita e kandilës i ndriçonte fytyrën (…) ”.
Tatë Tanushi ungjilltari i katundit Bubutimë vjen si njeriu që beson në ungjill dhe ato që thuhen në të: Pra besa ish fuqija e tij e madhe , flet me botën hyjnore përmes zërit të altarit, që i këndonte të kënduarat e vdekjes dhe përmes ëndrrës ai paralajmërohet për vdekjen:
“Cili gëzim mbetet i pa përzier me hidhërim? / Cila lavdi qëndron mbi dhe e pa ç’vendosur? / Të gjitha janë më të dobëta se hieja. Të gjitha janë më të reme se ëndrrat: një çast e të gjitha këto i mëkëmbëson vdekja ”.
Dhimbja e vdekjes e shtyn drejt mëkatit, kërkon ngjalljen e Kalijes dhe pse zëri i thotë:
(…) “përse e zemëron Zotnë me dhimbjen tënde? A mos je ti i pari që ke të tillë dhimbje? (…) Ku është vallë besa jote në ngjalljen e dytë ”.
Ai i zemërohet zotit njësoj si çifuti Ahasver , Tatë Tanushi ishte pikërisht 40 vjeç kur mallkohet nga zoti. Ndërkaq emri i tij, Tanush, lidhet me “shën Thanasin”, personazh abrahamik, i cili mori, në disa vise të siujdhesës ilire atributet e perëndisë së hershme pagane Dionisit. Kështu, Tanushi parë nga toka përcjell dashurinë, po është mëkatar parë nga qielli se këndon meshë si mëkatar dhe është i padenjë të qëndrojë përpara tij. Tanushi nuk pranon dhe me zë të lartë e quan veten të denjë. Tri herë përsëritet dialogu i padenjë – i denjë, deri sa Tanushi e mallkon zotin “aty mbeç”, ndërsa zoti e mallkon Tanushin “kurrë mos vdekç”. Dhe të dy si Tanushi ashtu dhe çifuti Ahasver vuajnë pavdekësinë, duke marrë dënimin më të rëndë me pavdekësi, dhe të dy çlirohen nga mallkimi mbasi vuajnë pavdekësinë për qindra vjet duke u përballur me kundërshtinë dhe përunjësinë deri në vetëdënimin me larje të mëkatit të ndërgjegjes. Sepse siç dhe pohojnë teoricienët e letërsisë një lëvizje tipike letrare është të ballafaqosh gjuhën “poetike” dhe “literale”, me gjuhën “shkencore” dhe “referenciale”, në lidhje me llojin e referimit që bën teksti.
Duke mbështetur shfaqjet e motivit të heroit të dënuar me pavdekësi në letërsi si gjetje artistike Kuteliane dhe lidhjet e natyrshme të heroit letrar me heroin biblik, përvijojmë me mendimin e studiuesve se:
“Qendra e artit letrar është padyshim e gjetur në zhanret tradicionale të lirikës, epit, dramës. Në të gjitha këto, referenca është për një botë të trilluar, të imagjinuar. Pohimet në një novelë, poemë ose dramë nuk janë të vërteta të fjalëpërfjalshme, nuk janë pohime logjike”.
Miti i nënshtrohet teorisë difuzioniste . Nëse do përdorja termin narcizëm kulturor si sjellje e krenarisë nacionaliste, dhe refuzim i përshtatjes duke kërkuar të ruajnë sensin e një identiteti të veçantë, narcizmin ndërkulturor do e lidhnim me vijat kufitare të cilat tentojnë të magjepsin kulturën e vendit tjetër, duke u përpjekur të fitojnë simbolet qarkulluese universale si simbole autoktone, psh mitet e ndërtuara në vijat kufitare të arealeve ballkanike, shpesh janë bërë objekt i narcizmit nacional nga kritikat e studiuesve narcisë, për autorësinë e mitit.
Kështu në narrativen autoriale , brenda përmbajtjes koherenciale dhe tradicionale të vetëfiksionit, miti gjallon në një shfaqje të dytë.
Miti i rimitizuar ndiqet gjatë leximit nga lexuesi i cili në mënyrë aktive krijon universin e tij fiksional, dhe ndjek me sy mjedisin e kodit narrativ të ndërgjegjësuar në fakt nga autori .
Njeriu është i lirë ai mund të prodhojë iluzione dhe limite për natyrën në perspektivën e tij narrative. Rishfaqja e mitit dhe riprezantimi i tij nga autori, kryqëzohen sistematikisht në mënyrë metafiksionale, ku dallohen dy tipe të pasqyrimit:
1. Pasqyrimi ndërdimensional i mitit në tregim, si prerje vertikale që operon mes “fiksionit” (çfarë është thënë nga kodi i mitit) dhe “tregimit” (si është thënë) Tatë Tanushi – çifuti Ahasver, mallkimi me përjetësi, dhe Kaligjeni – Edip, zbulimi i së vërtetës;
2. Përfaqësimi horizontal brenda dimensioneve të mitit në tregim, bën të dallojmë katër mënyra të veçanta të shfaqjes:
a). Rishfaqja vertikale e simbolikës shprehëse të mitit, këtu fiksioni është nën kontroll të tregimit, ashtu siç është tradicionalisht në tekstet reale në të cilin dominon dimensioni referencial (psh “Miti i Tatë Tanushit” dhe variantet e ringjalljes që kërkon).
b). Rishfaqja vertikale ngjitëse, këtu “fiksioni” është në veprim dhe “tregimi” është ai që kontrollon fiksionin (Mallkimi dhe Kërkimi i së vërtetës)
c). Rishfaqje horizontale që i referohet hapësirës së fiksionit në formën e strukturës ( Përjetësia), ndërtojnë mitin në formën e një strukture rrethore që rrethqarkullohet në kohë të ndryshme me misione fiksionale të ndryshme.
d). Rishfaqje horizontale literale që funksionon vetëm në nivelin narrativ, ku tregimtaria bëhet fiksion (miti i Kalijes, kërkesa për ringjallje literale, miti i mallkimit, si mallkim literal, etja për të vërtetën, kundër së rremës; lufta për dritë, kundër errësirës).
Ky mit i transfiguruar në një realitet tjetër, zbulon mendimet sociologjike, psikologjike, eko-politike të kultit matrinar përballë kultit patrinar. Dyanësia e personazhit shfaqet te Etleva amazona e pyjeve, dhe bija e malit: Gjahtarja, luftëtarja, kaprollja, tmerri i ujkut dhe i të paudhit , përballë Artanës bijës qaramane të fushës (si kulti i gjahut dhe transponimi drejt kultit të fushës). Tabuja e gjahut dhe lëvizja drejt ç’mitizimit të tabusë. Etleva zanë e harkut dhe e malit u lutet perëndive të veta:
“ – O Thanë harkargjendë, bijë e Zotit të madh të Dushkut! Drejtoma me dorën tënde këtë shigjetë në fyt të prijësit gjakatar të armikut për shpërblimin e gjakut të Kalistartit të Tebës (…) Dhe Thana – Gjahtarja ia drejtoi shigjetën motrës së saj të vogël ilire, Etlevës (…)”.
Përballë kultit matriarkal, kulti i incestit te Edipi ka përballje tjetër. Funksioni i tij shpallet si Edipi në arealin grek të zgjidhë kundërthëniet, dhe në analizën logjike ai demonstron dhe mundëson lidhjet e fillimit me vazhdimësinë si pjesë përbërëse e një areali të përbashkët kulturor, që si fushë veprimi mitik, do përkthehej modeli arketipor i një areali të përbashkët kulturor, ku lëvizshmëria e mitit është tipar i përhershëm i çdo kulture.
Dy variantet e Edipit si meditime konvencionale autoriale, vendosin lexime të caktuara, në këndvështrimin intertekstual , si dy vepra që u përkasin periudhave dhe epokave letrare të ndryshme, si dy epoka që përcjellin kompleksitetin social – psikologjik të kohës, natyrës dhe mendësisë. Edipët vijnë nga dy zhanre të ndryshme letrare, me tematikë të ndryshme, me stile të ndryshme.
“Imitimi dhe asimilimi në forma dhe në mënyra të ndryshme ritregojnë dhe ripunojnë duke ruajtur syzheun kryesor, porosinë, komunikimin, qartësinë, por dhe thellohen, zgjerohen me elemente të narracionit autorial. Ato shfaqen si krijim dhe rikrijim e formësim ”.
Edipi i Kutelit nuk i përket diskursit tradicional të Edipit Euripidian, ai supozon lëvizje të reja dhe i shërben një të vërtete tjetër të madhe, si identitet letrar, ngërthen brenda vetes ide të mëdha, përcjell jehonën dhe kujtesën popullore. Antikiteti vjen si dëshmi tematike për Kutelin:
“Hipotheosi tha se ndjenjën e madhe të dashurisë e të vetmohimit për njeriun e gjejmë sidomos tek Prometeu i Eskilit, atë të mbrojtjes së lirisë të një populli të vogël kundër dhunonjësit të huaj, shumë të fortë e gjejmë tek Persët, ndjenjën e hakmarrjes e gjejmë tek Oresti dh tek Medea, atë të dashurisë tek Fedra dhe tek Alçesti (…)”.
Nga tematologjia ai përcjell temën e njeriut të etur për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën: Edipin e shtyn të veprojë një ndjenjë shumë e lartë, nga më të lartat që mund të ketë njeriu: dëshira për të zbuluar të vërtetën me çdo kusht, me çdo pasojë, me vetëmohim .
“Shortari i Tiresias e paralajmëron: “Vaj, sa tmerr është të dish të vërtetën / kur njohje e saj sjell humbjen tënde ”.
Në Tebë hyri triumfator, pasi ishte mohuar e i ishte dëshiruar vdekja, mbodhi vdekjen e të atit, duke shpëtuar jetë, do ikë i turpëruar nga Teba, me damkën e incestit shekullor, por duke vendosë në themel të vërtetën e të drejtën, dhe dashurinë për njerëzit e atdheun. Kuteli rrëfen:
“Ai ka bërë, pa ditur, gabime të rënda, por e do me zjarr atdheun e tij, popullin e tij, të cilin e kish shpëtuar nga mynxyra të tjera: “Tani më duhet të bëj rishtas dritë”.
Edipi ose Kaligjeni i Tebës trajtohet si personalitet i fiseve ilire dhe veprimet e tij lidhen pas tragjedisë së Tebës, rikthehet në shtëpinë e Asoparit, dhe martohet me të bijën e tij, e cila pas tre vjetësh vdes, nuk eksponohet e ndrydhur nga mendimi i thellë dhe nga vuajtja e tmerrshme morale .
Edipi i bashkohet atmosferës dhe koloritit ambiental të enkelejve, dialogët e tij me Etlevën e cila identifikohet me Thanën, perëndeshë ilire e gjahut dhe të grigjave.
“Ky mit nga Kuteli shfrytëzohet për qëllime të caktuara filozofike, psikologjike, estetike apo thjesht për qëllime etnogjenetike dhe vihet kontakti me heronjtë e ciklit epik të Trojës ”.
Tregimndërtimi i mitit të rimarrë në personazhin e Tatë Tanushit dhe Kaligjenit , afron efekte të tjera konotative. Mbi bazën e lidhjeve natyrore të realiteteve mitike me letrare, mitet e rishfaqura, paradigmatikisht ndiqen nga:
 Intriga bazuar në modelin mëmë dhe në mistikën e enigmës por me formë literale;
 Fantazia, teksti literal ose i shkruar mbulon fantazinë illiterale ose gojore dhe ka aftësinë të detyrojë lexuesin të krijojë një imagjinatë fiktive;
 Loja ideore e narratorit, si e folur jashtë tekstit, si trillim i konceptit të kodit mitik dhe përmbajtje ndaj rregullave të caktuara që ndjekin aktin e të shkruarit;
 Teksti fiksional që kujdeset të mundojë joshjen e lexuesit në intriga të reja literale.
Procesi i komunikimit e i organizimit social nëpërmjet tregimit Kutelian, hyn në dimensione të reja: nëpërmjet risjelljes së modeleve kulturore në tekste letrare, mitet përgatisin individët për pranimin në shoqëri me një vetëdijesim të respektimit të parimeve e idealeve të kësaj shoqërie dhe në nivel artistik përcjellin estetikisht ndryshimet sociale përmes kumteve simbolike e ndjesive emocionale.
Të dy rrëfimet Kuteliane kanë tekste me strukturë të përcaktuar, të cilat u referohen sekuencave përkatëse dhe paraqiten në formën e vet arketipale, e formësuar dhe e përfunduar, të cilat paraqiten si modele sa herë kremtohen duke u tekstualizuar në një vepër letrare.
————————————–

DR.ERMIRA YMERAJ: THYERJET E KUFIJVE TRADICIONALË NË FORMËSIMIN E PERSONAZHIT – HERO
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=9027

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura