IBRAHIM KABILI: SABILE BASHA – INTELEKTUALE DHE STUDIUESE ME VLERA KOMBËTARE

Tiranë, 28 janar 2020: Me datën 23.01.2020 së bashku me tre bashkudhëtar të tjerë Gencin, Tinin dhe Rushin u nisëm dhe bëmë një udhëtim të këndshëm por dhe të lodhshëm në Kosovë. U nisëm herët nga Tirana në ora 6 dhe Arritëm në ora 9-të. Udhëtimi qe komod dhe me axhendë të përcaktuar më parë. Shoferi jonë, Tini, u tregua i palodhur dhe na çoj për mrekulli në Prishtinë pa asnjë avari. Meqenëse mëngjesin e kishim ngrënë në Morinë, u ulëm në një lokal në qendër për të pushuar dhe pirë diçka. Bëmë porosinë sipas dëshirës, dhe natyrshëm filloi dhe biseda.
Si ju duket Prishtina djema? I pyes unë. Në këtë kontakt të parë na duket shumë e mirë, por, përgjigjen përfundimtare ta japim pasi ta shohim e vizitojmë mirë atë. Po natyrisht kështu është. Kosova sapo ka dalë nga lufta e përgjakshme e vitit 1999, dhe në çdo pëllëmbë të saj ka gjurmë të përgjakshme. Numri i viktimave në luftë qe mbi 13 mijë. Serbia dhe Millosheviçi ushtruan një gjenocid të madh ndaj shqiptarëve të Kosovës. U desh UÇK-ja dhe ndërhyrja e NATO-s që Kosova të çlirohet dhe më pas të krijoj shtetin e saj. U desh 100 vjet që të vihej në vend kjo padrejtësi historike ndaj Kosovës. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli… Biseda rrodhi shtruar dhe qe e këndshme. Ora po kalon, them unë, sipas axhendës që kemi vendosur do lëvizim? Po. Mirë po unë kam një shtesë të vogël. Është hera e 10-të që vij në Kosovë nga 17 shkurti i 2008, dhe nuk kam mundur të futem në librari, për mungesë kohe, ndaj kësaj radhe do shohim për libra. A nuk ka libra në Tiranë, thotë Rush? Ka bile dhe shumë, por këtu jemi në Prishtinë dhe patriotizmi, atdhedashuria dhe urrejtja ndaj pushtuesit shekullor dhe barbar serb, marrin vlera të tjera. Dardania apo Kosova e sotme është e shquar dhe shquhet për vlera të tilla. Dhe këtu si në Shqipëri, ka Institute, është UP, Akademia e Shkencave, ka intelektual dhe akademik të shquar, bëhet punë shkencore e mirëfilltë dhe botimet shkencore e artistike janë të një niveli të lartë. Pse mërzitesh, diçka të vogël, kërkova! Dhe kjo “diçkaja” e vogël që shtova u bë motiv e nxitje për të bërë këtë shkrim modest…

Ibrahim Kabili në Mitrovicë

Koha po kalonte me shpejtësi dhe ne ikëm nga kafja, dolëm për të vizituar Prishtinën sipas planit të bërë më parë. Tre vizitorët që ishin me mua, si për herë të parë, shihnin me kureshtje, dhe bënin edhe pyetje të ndryshme. Unë ndërkohë, nuk e kisha mendjen fare aty, dhe gati u “përhumba” në histori. Si në një film me metrazh të gjatë më “shfaqej” në kujtesë historia e vjetër, por dhe ajo e re, e Shqipërisë etnike, e më shumë ajo e Kosovës ku isha. Isha shumë i dyzuar dhe për shumë probleme të sotme të Kosovës kam qëndrim të kundërt me disa politikanë “vendimmarrës” në Prishtinë por dhe gjetkë.
E natyrshëm lindin disa pyetje:
– Si mund ti falim tokë Malit të Zi?
– Përse nuk dënohet agresori, por viktima?
– Përse Gjykata Speciale nuk merret me krimet e Serbisë dhe kriminelët e saj?
Përse nuk përmenden më tre pikat e Grupit të Kontaktit në bisedimet me Serbinë?
– A mund të pranohet “bashkimi” i Kosovës me Shqipërinë pa Mitrovicën e tre komunat me shumicë serbe?
– Përse politikanët tanë bëhen trima mes vedit, zihen, ofendohen, padisin njëri tjetrin, dhe me ndërkombëtarët sillen si servila dhe janë inferiorë?
Këto pyetje janë retorike dhe përgjigjen e kanë brenda. Politikanët të tregohen të përgjegjshëm, të marrin si model rilindësit e shquar dhe figurat e shquara të kombit gjatë lëvizjes për liri e pavarësi dhe të mos ndjekin rrugën e Esatit e Morinës e sorollopëve të tyre….
Po, “Minishengeni Ballkanik” pa Kosovën a na duhet? Natyrisht, prerë, jo. Na duhet Minishengeni i BE-së dhe “minishengeni” Kosovë -Shqipëri. Serbia nuk e njeh Kosovën dhe ndoshta nuk ka për ta njohur kurrë. Punë e madhe! Asgjë s’na banë. Asnjë lëshim Serbisë pa e njohur Kosovën. Haradinaj u tregua burrështetas me taksën, nuk e pranoj dhe u tërhoq. Veprimi qe në shërbim të Kosovës. Shpresojmë ta bëj dhe Albini.
Ndërsa ishim para Akademisë së Shkencave në Prishtinë në mendje më vjen ajo “marrëveshja historike” me Serbinë për linjën ajrore Prishtinë -Beograd. Më e çuditshme është se nuk u nënshkrua nga autoritetet kosovare. Shkak Rezoluta 1244. Kështu po kryeni shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Po shkoni te Autonomia e Zgjeruar gradualisht. Mos e “çbëni” shtetin. E kemi pritur prej 100 vjetësh dhe së fundmi e kemi. Turp për politikanët! Po akademikët ku janë? Shumica bëjnë idiferentin! Jo Sabilja dhe disa të tjerë.
Po kështu po ndodhë dhe me marrëveshjen për linjën hekurudhore. Dhe ajo qe në kohën e Jugosllavisë së Titos… Politikanët edhe 6 muaj nga zgjedhjet zihen për postet! Akoma pa qeveri! Vështirë Kurti të bëjë marrëveshje me “ujkun” e vjetër në politikë, Mustafën…. Kjo qe ajo “përhumbja”. Pas zhgënjimit, vjen shpresa. Unë ende kam shpresë! Por çfarë rëndësie ka shpresa ime?
Ndërkohë që ishim në librari, vizitës në Prishtinë po i vinte fundi. Destinacioni jonë do ishte Mitrovica dhe Prekazi. Gjatë kohës që po kërkonim për libra u drejtohem tre shokëve : “Më falni, se mbase nuk kam qenë shumë i vëmendshëm ndaj jush”. Si mësues historie, syrin dhe veshin e djathtë e kam pasur dhe e kam nga Kosova.
Në librari me gjithë çmimet e kripura, blemë disa libra. Libri që bleva, u bë dhe nxitje për ta përshpejtuar këtë shkrim që po “flinte” nën “sirtar”, qe ai i studiueses kosovare Sabile Keçmezi-Basha me titull: Kosova 1945-1990 (vështrim historiko-politik).

Që të jem i sinqertë me lexuesin unë këtë autore e kam njohur nëpërmjet disa shkrimeve të saj të publikuara nga gazeta Zemra Shqiptare. Nuk dija asgjë më shumë. Pasi mora librin dhe u njoha disi me të (kohë e shkurtër në dispozicion) më pëlqyen jashtë mase shkrimet e saj, tematika e përzgjedhur dhe trajtimi shkencor i tyre. Ky studim monografik i shkruar me shumë finesë e profesionalizëm nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha është me shumë vlerë dhe i veçantë në llojin e vet. Fiksimi periodik dhe në mënyrë kronologjike i ngjarjeve në Kosovë, Shqipëri, Diasporë por dhe në Serbi është shërbimi më i mirë, që mund ti bëhet kombit tonë. Sabile Basha nga viti 1986 deri në vitin 2016 ka botuar mbi 16 botime shkencore, që të gjitha në shërbim të Kosovës e çështjes kombëtare. Po kështu ajo ka botuar dhe mbi 12 poezi dhe Romanin: “Nata pa kornizë”. Ajo është shumë aktive dhe shpesh publikon në shtyp, por dhe boton veprat e saj. Me një krijimtari të tillë, ajo shërben si model, imponon respekt, përhap dije e kulturë, jep kontribut me punimet shkencore, tregon vlerat e saj si intelektuale, por dhe ato patriotike e atdhetare. Ajo dhe të tjerë, si ajo, të ngjallin shpresë. Albini, anon më shumë nga shpresa! Ajo vdes e fundit.

Tiranë më 26.01.2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura