GJOKË DABAJ: BOTA KA NEVOJË PËR PRIJËS, POR KU T’I GJEJË?!

Durrës, 1 maj 2018: (Një zë blete me rastin e 1 Majit)
SQARIM KONCEPTI:
Fjala prijës në gjuhën shqipe ka formë të njëjtë, si në njëjës, ashtu dhe në shumës. Këtu ka kuptimin shumës dhe nënkupton: prijës shpirtërorë dhe, prijës ekzekutivë; të dy llojet mund të jenë: prijës lokalë, prijës në shkallë kombi, prijës në shkallë shteti dhe prijës në shkallë botërore. Prijësit shpirtërorë janë më të rëndësishmit, por janë të rëndësishëm edhe prijësit ekzekutivë, sepse ata duhet të vënë praktikisht në jetë, si mbarëvajtjet e kombevet të vet, ashtu edhe mbarëvajtjen gjithnjerëzore.

Njerëzimi në çdo kohë duhet të aspirojë për të pasur prijës. Aspirata për të pasur prijës nuk është e lehtë të realizohet, por është domosdoshmeri.
GJENDJA:
Njerëzimi i sotëm, përsa i përket konceptit prijës dhe aspiratës për të pasur prijës, është në kaos të plotë. Prandaj, njerëzimi i sotëm, ose do të bëjë një reformë në këtë drejtim, në këtë kahje, ose do të bëhet pre e katastrofavet, pasojat e të cilavet do të jenë, ose tërësisht dhe përjetësisht të pariparueshme, ose të riparueshme në një farë mënyre, mbas dy apo tre shekujsh.
Prijësit e sotëm shpirtërorë janë në radhë të parë ata që ndodhen në krye të fevet: kryeklerikët budistë, hebrenj, të krishterë, myslimanë, si dhe të ndonjë besimi tjetër, më pak të përhapur.
Tipari kryesor i këtyre prijësve shpirtërorë është se secili e paraqet doktrinën e vet si më të vërtetën dhe secili bën përpjekje që besimi i tij, feja e tij, të bëhet gjithnjerëzore. Që të gjithë predikojnë besimin te 1 perendi, madje shumica te e njëjta perendi, te Jehovai i izraelitëvet, por asnjëri nuk thotë që varianti doktrinar i tjetrit është më i mirë se i tiji. Zaten, ç’kuptim do të kishte që udhëheqësi i njërit prej besimevet të pohonte se besimi i tij është më pak i besueshëm?! Ky është handikapi më parrugëdalës, në të cilin e kanë futur religjionet njerëzimin, e pakta qysh prej përhapjes së monoteizmit në shkallë botërore. Popujt që jetonin nën sundimin perandorak të Romës, edhe shpirtëror, edhe ekzekutiv, që do të thotë, nën sundimin e një morie Zotash dhe skllavopronarësh, morën hua, madje e rrëmbyen një Zot prej izraelitëvet. Kështu lindi krishtërimi, të cilit iu deshën tre shekuj për t’u përgjithësuar në Pellgun e Mesdheut dhe për t’u përhapur pastaj në krejt botën. Gjashtë shekuj më vonë, të njëjtin Zot ua morën izraelitëvet edhe arabët, duke e bërë të vetin, duke e predikuar në gjuhën e vet dhe duke e përhapur, besimin në atë Zot të izraelitëvet, ndër dhjetëra popuj të tjerë, me çmimin e arabizimit të tyre.
Tipar tjetër i monoteizmit është se, që në krye të herës, ai ka qenë i parcelizuar ndër sekte dhe prapë secili prej tyre është paraqitur si më i vërteti. Kjo ka ndodhur, sepse popujt, apo fragmente popujsh, kanë synuar të kenë secili “Zotin e vet”, të dallueshëm të paktën në gjuhën e të predikuarit. Zoti izraelit është paraqitur si “një dhe i vetëm”, “krijues i të gjithë botës”, “krijues dhe gjykues i të gjithë njerëzimit”. Madje, në një farë mënyre, është mbajtur sekret se ai, pra Jehovai, s’ish tjetër, veçse njëri prej dhjetëra Zotave të Antikitetit. Jehovai, Zoti izraelit, ish bile edhe “prind i një fëmije”, “prind i Jezusit”, ashtu siç ishin “prindër fëmijësh”, Kroni, Zeusi, Apolloni e shumë Zota të tjerë.
Si përfundim, karakteristikë kryesore e religjionit monotheist është, nga njëra anë decentralizimi i tij organizativ deri në shkapërderdhje, nga ana tjetër, përpjekja e secilës qendër religjioni, sekti apo fraksioni fetar, për të mbisunduar. Kjo ka qenë gangrena e monoteizmit qysh në zanafillën e tij dhe i ka kushtuar njerëzimit miliona jetë të këputura në mes.
Përveç doktrinës monoteiste, besimit në një Zot, besimit te një fuqi e mbinatyrshme, ka ekzistuar në të gjitha kohët edhe mohimi i një fuqie të atillë siç e paraqesin predikuesit e fevet, më saktë, mospranimi ose vënia në dyshim: Ka apo nuk ka Perendi?! Këta janë të quajturit ateistë ose gjysmëateistë. Në botë, në kohën tonë, ka aq shumë ateistë dhe gjysmëateistë, sa udhëheqësit e besimevet e, më shumë se ata, sundimtarët laikë të botës, janë vënë në alarm dhe nuk pushojnë së ndërtuari objekte kulti, duke u munduar ta mbajnë me zor më këmbë këtë lloj religjioni. Në anë tjetër, sado që në botë ka shumë njerërëz që e dinë ose dyshojnë se nuk ka askund një Perendi të atillë siç e paraqesin religjionet, ata nuk janë të organizuar. Janë shkruar libra. Ekziston një literaturë e tërë, e cila i hedh poshtë dogmat ekzistuese fetare, megjithatë, midis botës të quajtur afetare nuk ka deri më sot kurrfarë organizimi institucional.
Katolikët veprojnë institucionalisht, ortodoksët veprojnë institucionalisht, myslimanët veprojnë institucionalisht, i kanë ndërtesat ku mblidhen, i kanë uniformat karakteristike për klerikët, i kanë ritualet, ndërkaq, të quajturit ateistë gjallojnë për faqe të zezë! Ekzistojnë dhe nuk dinë ekzistojnë! Madje, pjesa më e madhe e ateistëvet, janë të regjistruar formalisht si myslimanë, si katolikë, si ortodoksë, si hebrenj e si budistë, dhe është krijuar ashtu në shoqërinë njerëzore një konfuzion e një çorientim i atillë, sa njerëzimi i sotëm i ngjan më shumë një turme tragjikisht të pavetëdijshme.
Në kategorinë e udhëheqësvet shpirtërorë bëjnë pjesë edhe artet, gazetari dhe në përgjithësi mediat. Një pjesë mirë e artevet kanë ndikuar shumë në fisnikërimin e shpirtit të njeriut. Njerëzimi, pjesa më e arrirë e tij, përkulet para kryvepravet botërore të letërsisë, të muzikës, të artevet figurative, të teatrit dhe të kinematografisë. Në fushën e mediavet ka gazetarë heronj, të cilët rrëzikojnë jetën në përpjekje për ta pasqyruar e dokumentuar të vërtetën. Por nuk duhet harruar që e gjithë kjo mrekulli e gjeniut njeri është vënë tani nën kërcënimin e dy rrëziqeve: nën rrëzikun e kalbëzimit nga brenda dhe nën rrëzikun e zhdukjes tërësore bashkë njeriun! Ç’po bën kjo kategori e udhëheqjes shpirtërore të njeriut për t’u shpëtuar këtyre dy rrëziqeve?! Them: Ç’po bën organizativisht?! Veçanërisht për t’i shpëtuar rrëzikut të dytëre! Po bën, aq sa mund të bëjë një pyll i madhërishëm, kur e sheh se po i afrohet zjarri!
Prijësit e konfesionevet të ndryshëm po mundohen të propagandojnë shkuarjen mirë midis njerëzvet me besime të ndryshëm, por kjo praktikisht nuk funksionon. I krishteri e sheh ndryshe myslimanin, myslimani e sheh ndryshe të krishterin. Kjo është aq shumë e pranishme, sa në çdo çast mund të plasë lufta midis tyre. Po i jetojmë përditë të tilla dukuri skajisht johumane!
E gjithë kjo që thashë, na dëshmon që udhëheqja shpirtërore, në shkallë gjithnjerëzore, në të kaluarën ka qenë aq keq, sa që ka shkaktuar lumenj gjaku, ndërsa sot është në krizë të atillë, sa njerëzimin po e kërcënon zhdukja e plotë ose pothuaj të plotë.

Po kështu edhe problemi i prijësvet legjislativë dhe ekzekutivë, në ditët e sotme është tepër shqetësues. Nuk gjen dot një udhëheqës shteti që ta adhurojnë shtetasit, në mos të gjithë, të paktën shumica. Mjafton të shohim vetëm shifrat e pjesëmarrësvet në zgjedhje. Dyzet për qind nuk shkojnë fare në zgjedhje. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë se dyzet për qind e shtetasvet nuk e pëlqejnë asnjërin prej kandidatëvet. Nga gjashtëdhjetë për qind që shkojnë në zgjedhje, mjafton gjysma e tyre të ketë votuar për njërin prej kandidatëvet, dhe ai vjen në pushtet. Por gjysma e gjashtëdhjetëpërqindëshit s’është veçse tridhjetë për qind e të gjithë elektoratit. A nuk rrëfen kjo që kryesuesit e shtetevet të sotëm nuk simpatizohen e pakta prej shtatëdhjetë për qind e shtetasvet të vet?! Çfarë prijësi është ai, të cilin nuk e duan shtatëdhjetë për qind e shtetasvet?! Ai s’është prijës! Ai është një diktator i vogël, i neveritshëm, i cili shitet si demokrat, por që, në të vërtetë, s’është veçse një hipokrit që shtatëdhjetë për qind e shtetasvet mezi e durojnë.
Organet e sotëm ligjvënës dhe ligjekontrollues, parlamentet e çdo niveli, janë të mbushur me njerëz të padenjë as si qytetarë të rëndomtë, le më si prijës. Puna ka arritur deri aty, sa atje hartohen më shumë ligje antinjerëzorë, se sa njerëzorë. Për shembull ligjet për industrinë e armatimevet a nuk janë antinjerëzorë?! Ata hartohen dhe votohen në emër të patriotizmit, por, a nuk po vriten me ato armë edhe fëmijë e gra, edhe pleq, edhe të plagosur, edhe të sëmurë, edhe lehona?! Amund të ketë patriotizëm aty ku nuk ka humanizëm?! Miratohen ligje për martesa brenda gjinisë. A i pohojnë, apo i mohojnë të këtillë ligje të drejtat e njeriut, aq shumë të trumbetuara në kohën tonë?! Dukuri qartësisht diskriminuese, ose kalohen në heshtje, ose shpallen “legjitime“. Ushqimet OMGJ prodhohen me të madhe, organizmat ligjvënës dhe ligjekontrollues as që bëjnë përpjekje për ta ndalur këtë lloj kërcënimi ndaj shëndetit të njerëzvet. Prostitucioni e poshtëron femrën në mënyrën më diskriminuese, parlamentarët, ose heshtin, ose e miratojnë, duke u shprehur madje në mënyrën më trashamane: „Ky është profesioni më i vjetër në botë.“ Në një pjesë të botës lakuriqësia e femrës „bën epokë“, në pjesën tjetër femra mbulohet si „molla e ndaluar“ e Adamit. Bankat paraqiten si dukuri pozitive. Nuk gjendet askund një personalitet botëror që të na e paraqesë rolin e bankavet ashtu siç është në të vërtetë. Të quajturat shoqëri sigurimesh sigurojnë në radhë të parë pasuri për vete. Për të „siguruarit“ japin vetëm aq sa të duket sikur atyre u digjet shpirti për botën nevojtare.
Faktor shkatërrues, sepse nuk është në rolin që duhet, është edhe sistemi arsimor. Më një anë, ky sistem arsimor po nxjerr armata qyqarësh, të cilëvet as që u hyn në punë të lexuarit e të shkruarit, përveç për titrat e ndonjë filmi, lexuar gjysma-gjysma, ose për të shkruar ndonjë mesazh 6-fjalësh në fejzbuk, me 6 gabime drejtshkrimorë. Më anë tjetër, një tufë mjeranësh të tjerë që quhen „elitë“ e që, përgjithësisht, janë ca egoistë që s’u bëhet vonë për fatin as të familjes, le më të atdheut apo të mbarë njerëzimit.
Për të ilustruar këtë pohim, mjafton të sjellim disa shembuj: Sa, nga kategoria e të parëvet, janë të papunë, sado që e kanë nga një diplomë?! Shumë! Aq sa papunësia është bërë gangrenë! Sa, nga këta të „elitës“ e kanë refuzuar publikisht punën në një uzinë të prodhimit të armëvet?! Sa prej kësaj „elite“ refuzojnë të punojnë në prodhimin e lëndëvet kimike të luftës apo të lëndëvet bakterike etj, të cilat prodhohen për të vrarë njerëz në masë?! Pak ose aspak.
Sa për qind e mjekëvet refuzojnë ta përdorin profesionin e tyre si mjet pasurimi?! Sa për qind e juristëvet refuzojnë ta përdorin profesionin e vet si mjet pasurimi?! Për të dy këta profesione mund të pyetet: Sa për qind e njerëzvet të shkolluar të këtyre dy profesioneve humanë i përdorin profesionet e vet në mënyrë johumane?!
PORTRETI I PRIJËSIT
Prijësi duhet të jetë në radhë të parë njeri i vetëformuar, i vetëmbrujtur me moralin pozitiv. Ç’do të thotë kjo, i vetëmbrujtur me moralin pozitiv?
I.Së pari, ai duhet të ndjekë ata parime, të cilët janë shkruar në librat më të hershëm që njeh njerëzimi dhe që, në ata libra, janë quajtur URDHËRAT E ZOTIT dhe të cilët në kohën tonë do të lexoheshin kështu:
1.Unë, MBARËVAJTJA MBI PLANETIN TOKË jam Zoti yt.
2.Mos ki tjetër Zot veç MBARËVAJTJES MBI PLANETIN TOKË!
3.Mos adhuro asgjë të keqe, as ndër njerëz, as ndër gjallesa të tjera.
4.Bëj që Zoti yt, MBARËVAJTJA MBI PLANETIN TOKË, të mos rrëzikohet nga askush! Ndëshkoji rreptë me ligje të fortë të gjithë ata që e rrëzikojnë MBARËVAJTJEN MBI PLANETIN TOKË!
5.Mos bëj propagandë kundër Zotit tënd, MBARËVAJTJES MBI PLANETIN TOKË!
6.Kushtoja ditën e shtunë vetedukimit dhe edukimit të të tjerëvet me frymën e MBARËVAJTJES MBI PLANETIN TOKË!
7.Dita e shtunë le të jetë ditë përkujtimore, se planeti Tokë ka pasur dhe ka mjerim dhe se çdo njeri duhet të punojë që të mos ketë mjerim mbi këtë planet.
8.Nderoji prindët e tu, kujdesu për ta sa janë gjallë, por edhe mbasi të kenë vdekur, kujdesu që emri dhe puna e tyre e mirë të mos harrohet! Ki gjithmonë parasysh se me fjalën prind nënkuptohen të gjithë paraardhësit e tu dhe, që të gjithë ata, ke detyrë t’i kujtosh dhe t’i nderosh me devocion, duke mos harruar edhe të mos miratosh çfarëdo veprimi të tyre jo të mirë!
9.Mos vra njerëz të pafajshëm, por, nëse dikush e cënon Zotin tënd, MBARËVAJTJEN MBI PLANERTIN TOKË, ai duhet të ndëshkohet simbas ligjevet dhe aty nuk duhet pasur asnjë mëshirë!
10.Mos bëj kurorëshkelje! Ky është urdhëri më i rëndësishëm për mbarëvajtjen në familje, që është gjithashtu pjesë e Zotit tënd.
11.Mos vidh! Mosvjedhja është një ndër virtytet vetjakë, i cili, po nuk u zbatua rreptësisht, e cënon në thelbin e vet Zotin tënd, MBARËVAJTJEN MBI PLANETIN TOKË.
12.Mos dëshmo rrejshëm kundër të afërmit tënd! Me shprehjen I AFËRM kupto çdo njeri që rron mbi Tokë!
13.Mos i lakmo pasurisë së tjetrit! Kjo, në gjuhën tonë të sotme, do të thotë: Njeri, mos i shfrytëzo njerëzit e tjerë! Mos u pasuro në kurriz të njerëzvet të tjerë! Mos bëj që lakmia jote pë pasuri e para të prishë MBARËVAJTJEN MBI PLANERTIN TOKË!
(Krahaso: Bibla, Ferizaj 1994, pjesa e parë, Dhjata e Vjetër, f.222-223 dhe Kur’ani shqip, f.330, ajetet 29, 31, 32, 33, 35.)
II.Prijësi duhet të jetë lexues i rregullt i të gjithë zhanrevet të literaturës. Të jesh lexues i rregullt do të thotë të kesh lexuar, prej moshës 15-vjeçe, çdo ditë (zakonisht çdo mbrëmje), e pakta 20 faqe libër prej letre. Kështu, nëse është 35-vjeç (apo 35-vjeçe, kur është grua), njeriu duhet të ketë kexuar 146 mijë faqe libra prej letre, jo shkel e shko, por duke „debatuar“ me autorët, me shkrim, qoftë edhe anash tekstevet. Kur është 50-vjeç (50-vjeçe), njeriu duhet të ketë lexuar mbi 180 mijë faqe libra prej letre. Përveç librit prej letre, njeriu që përgatitet për prijës, duhet të jetë ndjekës i rregullt i informacionevet onlain, e pakta 1 orë në ditë, por jo më shumë se 2 orë.
III.Prijësi, pra njeriu që përgatitet për prijës, nga mosha 13 vjeç duhet të ketë punuar 1 orë në ditë me vegla të thjeshta bujqësore: lopatë, bel, shat, kazëm, sfurk, krehër bari, gërshërë hardhishë. Po nga kjo moshë, prijësi i ardhshëm duhet të jetë marrë e pakta 30 minuta në ditë me pinca, me darë, me limë hekuri, me limë druri, me zdrukth, me disk sharre, me sëpatë, me sqepar, me kaçavidë, me çekiç, me daltë, me disk zmerili, me trapano, me turjelë, me mistri, me mallë, me fshesë, me hekurosje rrobash, me gjilpërë e pe, me makinë qepëse. Ndonjë skolastiku do t’i dhembë koka kur t’i lexojë të gjithë këta emra veglash. Kjo ndodh nga që ai do të mendojë sikur që të gjitha këto vegla njeriu u dashka t’i kalojë nëpër duar brenda 1 ore dhe në një ditë të vetme. Mos na lëntë Zoti ynë pa skolastikë!
Prijësi, por edhe përgjithësisht njeriu i së ardhshmes, duhet t’i zotërojë punët, të familjarizohet me to, që nga bërja e murit me gurë, me tulla e me llaç, deri te instalimi e mirëmbajtja e një rrjeti elektrik; që nga gdhendja e drurit, deri te punimi në torno i një buloni; që nga pastrimi me fshesë, i oborrit dhe i shtëpisë, deri te larja e enëvet, qepja e kopsavet dhe hekurosja e rrobavet.
Prijësi dhe përgjithësisht njeriu i së ardhshmes, prej nga dalin prijësit, duhet të dijë pratikisht të mjelë një dele, një dhi, një lopë, të therë një pulë, një derr, një qengj, të rrjepë një lepur, të merret me mishin, që nga copëtimi mbi një trup a tavolinë, deri te pjekja në hell ose në zgarë.
IV.Prijësi i ardhshëm, ai që përgatitet pë prijës, duhet të merret rregullisht të paktën me një lloj sporti: gjimnastikë, hendboll, volejboll, not, atletikë, ngritje peshash, futboll, basketboll, karate, hedhje disku. Me njërin prej këtyre sporteve duhet të merret doemos rregullisht, por ai duhet t’i zotërojë, si një njeri i shkathët dhe pasionant, thuajse të gjithë llojet e sportevet, pa lënë mbas dore as shahun, të quajturin “sporti i mendjes”.
V.Prijësi eventual (sepse jo të gjithë ata që përgatiten, bëhen prijës), duhet doemos të zotërojë përdorimin e armëvet konvencionale: Revole, pushkë gjahu, pushkë luftarake, automatik, dhe duhet të jetë i stërvitur ushtarakisht e pakta 1 vit kohë me regjim të veçantë kazerme. Njihet kjo praktikë, por me dështimin e komunizmit, përgatitja ushtarake e masës së rinisë u braktis dhe u kalua në mercenarizëm. Mercenari është ushtar i paguar e kjo do të thotë: Mercenari është vrasës i paguar. Paguhet njeriu për të vrarë njerëz, stërvitet njeriu për t’u bërë vrasës, jeton njeriu me zanatin e vrasjes. Ky nuk mund të jetë ideali i asnjë qenieje që quhet njeri. Ndërkaq, aftësimi për të përdorur dy-tri armë të thjeshta është krejt tjetër. Kjo do t’i shërbente individit për t’u mbrojtur nga keqbërësit, ndërsa kombevet do t’u shërbente për t’u mbrojtur nga agresorët.
VI.Nga fusha e muzikës, prijësi i ardhshëm duhet, është mirë, të zotërojë të paktën një vegël muzikore. Mandolinë, kitarë, violinë, piano, klarinet, dhe të dijë t’i përjetojë të gjithë zhanret, që nga këngët e meloditë e kombit të vet deri te operat dhe llojet e tjerë të muzikës profesionalisht të kultivuar.
VII.Një prijës i ardhshëm as që mund të përfytyrohet pa mjeshtrinë e të folurit. Njeriu,qysh fëmijë, duhet të stërvitet në të folur të rregullt dhe, në moshën 20-25-vjeçe, ai duhet ta zoëtërojë mirë artin e oratorisë. Një prijës, pa një praktikë solide oratorike, do të ishte si një i dashuruar që nuk di t’ia mbushë mendjen së dashurës, pse e do, ç’është ndjenja e tij, sa i sinqertë është dhe a është i qëndrueshëm në ndjenjën dhe në dashurinë e tij.
VIII.Një prijës i ardhshëm duhet të njohë mirë psikologjinë, pedagogjinë dhe didaktikën, kodet juridikë, dhe kjo arrihet vetëm kur ai të ketë zbatuar rigorozisht parimin e leximit të libravet prej letre, 20 faqe në ditë, 73 mijë faqe në dhjetë vjet. 30 minuta në çdo 24 orë, vetëm 2 për qind e kohës 24-orëshe!
IX.Një prijës i ardhshëm nuk do të mund të arrinte sukses pa zotërimin, krahas gjuhës amëtare, edhe të paktën të 2 gjuhëvet të huaja, dhe kjo arrihet, ose me kurse të regullt shumë seriozë, ose duke jetuar 2 apo 3 vjet jashtë atdheut, në vendet ku është në përdorim gjuha që dëshiron ta zotërojë. Por këtu objektivi duhet të jetë qartësisht i përcaktuar: Unë po shkoj atje për të mësuar gjuhën e atij kombi dhe për të njohur kulturën e historinë e atij kombi.

SI TË ZGJIDHET NGËRÇI?!
Ky është përgjithësisht portreti i një prijësi që i duhet njerëzimit, në kërkim të rrugëvet për t’iu shmangur katastrofavet.
Por ngërçi është ngërç. Unë kam shumë pak shpresë që të zgjidhet, veçse me metodën e Gordonit. S’e di ç’do të thoshte Makiaveli në këtë situatë. Nuk di, as Maltusi si do të prononcohej.
Ne shqiptarët e kemi një shkrimtar të madh, Migjenin, i cili në vitet 1930 pat bërë një poezi me titull „TË LINDET NJERIU“: „Të lindet një njeri/ nga gjini i dheut tonë të rim‘ me lot të vakët,/ nga thalb‘ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët…// Të lindet një njeri!/ Pa hyll në ball‘ – por që me fjalë të pushton,/ që të rrëmben qetsin‘ e ban gjaku të të vlojë/ rrkajë, e ban synin ligshtin‘ ta zhgjetojë…/ Të dali një njeri!/ Të mkambi një Kohë të Re!/ Të krijojë një Epope!“// (Migjeni, Vepra, Tiranë 1988, f.11-12)
Gjendja, jo vetëm në Kombin Shqiptar, por në mbarë botën, sot është aq e kalbëzuar, sa ka ardhur koha që thirrja e këtij poeti të vihet në krye të kryethirrjevet: „Të lindet një njeri!/ Të dali një njeri!/ Të mkambi një Kohë të Re!/ Të krijojë një Epokë të Re!“//
Që të arrihet deri te ky „lloj njeriu“, në shoqërinë njerëzore është e domosdoshme të ndodhin disa ndryshime. Ndryshimi i parë duhet të ndodhë në fushën botëkuptimore, pra, në teorinë sociale dhe në opinionin gjithënjerëzor. Ndryshimi i dytë duhet të ndodhë në sistemin arsimor. Sistemi i sotëm arsimor është i mbrapshtë, është rrëgjues, është asfiksues deri në paaftësimin e plotë të njeriut për të jetuar. Ndryshimi i tretë duhet të realizohet në krejt filozofinë dhe praktikën e organizimit të jetës gjithnjerëzore.
Qytetet mbi dymilionësh duhet t’i kalojnë historisë, pra duhet t’i takojnë së shkuarës, duke e quajtur gabim fatal krijimin e tyre. Si do të arrihet kjo, është temë që duhet të shtrohet sa më parë për diskutim në shkallë gjithnjerëzore. Natyrisht, nëse do të gjenden gjëkundi njerëz të kthjellët dhe të aftë për të trajtuar të këtilla tema jetike.
Edhe puna e bankavet duhet të rishikohet themelisht. Roli i tyre, o duhet t’i shërbejë gjithë njerëzimit si rregullator, jo si ent që krijon probleme, ose ato do t’i sjellin gjëmën njeriut si qenie shoqërore e rrjedhimisht, do t’i sjellin gjëmën krejt botës së gjallë të këtij planeti, duke e detyruar të rikrijohet edhe njëherë nga mikroorganizmat.
Sistemi i drejtësisë duhet të ndryshojë rrënjësisht, duke hequr dorë juristi njëherë e përgjithmonë nga çdo lloj fitimi, përveç një rroge, të justifikuar me rezultate pune. Për t’ia arritur këtij synimi, duhet të nxirren ligje shumë të rreptë kundër të gjithë atyre juristëve që e shkelin këtë rregull të shenjtë në fushën e drejtësisë. Je për të dhënë drejtësi, nuk je për të grumbulluar për vete para e pasuri! Je perendi, por perendia nuk jeton për të fryrë barkun e për të shtuar dhjamin! Duhet të gjenden mekanizma organizativë për ta realizuar këtë synim.
Në fushën e mjekësisë duhet të ndodhë e njëjta kirurgji morale e garantuar me ligje. Ideali i mjekut duhet të jetë shërimi i të sëmurëvet, jo mbushja e xhepavet. Mjeku, jo të jetë shkelës i Betimit të Hipokratit, por të jetojë me virtytet e humanistit. Nëse e shkel mjeku parimin e humanizmit, duke i marrë para familjes së të sëmurit, qoftë ajo edhe familje e pasur, njerëzimi duhet të ketë ligje saktësisht të përcaktuar për t’i ndëshkuar të tillë shkelës.
Mësimdhënësi e profesori nuk janë krijuar për ta shitur diturinë, siç e shet rritësi i derravet mishin e derrit. Profesori nuk duhet ta ulë veten që „prodhimi“ i tij të vihet në një kategori me lakrën, me specin, me çorapen a me gëlqeren!
Nëpunësit të cilësdo kategori nuk duhet t’i lejohet të shesë privatisht firma e vula. Nëpunësi i cilësdo kategori është i autorizuar të vendosë mbi shkresa vula dhe nënshkrime në emër të ligjevet të shtetit, jo për t’ua vështirësuar shtetasvet jetesën, por për t’ua bërë atyre jetën më të lehtë!
Nëpunësin, profesorin, mjekun, juristin, duhet t’i paguajë shoqëria njerëzore me rroga dinjitoze dhe t’i ruajë ata me rigorozitetin më të madh nga çdo rrëshqitje morale. Të marrë stomatologu në SHBA për një kruajtje të dhëmballës 500 dollarë, këtë nuk ka logjikë që mund ta gëlltisë!
Që të gjithë këta profesione duhet të konsiderohen profesione të shenjtë dhe të mos lejohet kurrsesi përdhosja e shenjtërisë së tyre.

PO NËSE JO, ATËHERË KU SHKON BOTA?!
Kjo që e parashtrova në faqet e derikëtushme, do të ishte rruga në të cilën do të duhej të ecte shoqëria njerëzore, e hospitaluar tashmë siç hospitalohet një i sëmurë rëndë nga TBC-ja në një sanatorium të specializuar kundër TBC-së. Nëse nuk mjekohet ky i sëmurë me këtë lloj medikamenti, atëherë mushkëritë e tija ka për t’i grirë bacili i TBC-së dhe i sëmuri do të vdesë tragjikisht. Mbas kësaj, ky planet do të shndërrohet në shkretëtirë.
Do të shndërrohet në shkretëtirë, sepse bota, nga njëra anë sundohet prej joprijësish të mirëfilltë, prej njerëzish të cekët, lakmitarë, servile ndaj kapitalit dhe përfundimisht shërbëtorë të krimit dhe kriminelë, siç ka ndodhur në shumicën e kohëvet të mëparshme. Nga ana tjetër, këta joprijës, por shërbëtorë të krimit dhe kriminelë edhe të popujvet të vet, sado që hiqen sikur çdo gjë po e bëjnë për popujt e vet, kanë në dorë, ndryshe nga cilado periudhë historike e mëparshme, armët më shfarosëse që kanë ekzistuar ndonjëherë.
Njerëzimit të dikurshëm, sunduar prej klasash, kastash dhe individësh johumanë, duke pasur për armë vetëm shpatat, shigjetat, heshtat e hobetë, mund t’i vriteshin disa mijëra njerëz, madje disa qindra mijë, por krejt njerëzimi dhe krejt bota e gjallë nuk mund të shfaroseshin. Njerëzimi i dikurshëm, qoftë edhe në një kohë jo të largët, pati në përdorim armë zjarri automatike, topa, tanke, avionë bombardues, helme kimikë, vrau miliona, por prapë nuk u zhdukën nga sipërfaqja e këtij planeti njeriu dhe bota e gjallë. Ndërsa sot, nëse vazhdon të jetojë me të njëjtën filozofi barbare, siç edhe po ndodh në të vërtetë, njerëzimi i ka të gjitha gjasat për të shkuar drejt një asgjësimi tërësor.
Kur të mos funksionojë më taktika e vatravet lokale të luftës, kur të mos mund të lokalizohet shfarosja në Irak e në Siri, kur as shkatërrimi i Turqisë apo i Gadishullit të dikushëm të Ilirisë, të mos i mjaftojë kapitalit të verbër e kriminal botëror, ç’do të bëhet atëherë?! Ta zëmë se zjarri i luftëravet “lokale” do të arrijë të transferohet psh në Amerikën Latine, në Afrikën e Mesme e të Jugut apo në Azinë Jugore e Jugperendimore (gjë që nuk e besoj të mund të ndodhë, sepse atje ndodhen Brazili e India, fuqi bërthamore). Ta zëmë se edhe Evropën Perendimore kapitali i verbër dhe kriminal botëror do të arrijë ta shndërrojë në një Siri e Irak (gjë që prapë nuk e besoj të mund të ndodhë, sepse këtu ndodhen Franca e Britania, fuqi bërthamore), ç’do të ndodhë mbas kësaj?!
Edhe sa vjet do të mund të shtyhet përballja me armë bërthamore, kimike e bakterike, midis SHBA-së nga njëra anë dhe Rusisë dhe Kinës nga ana tjetër?! Si do të mund të shmanget “qërimi i hesapevet” me armë bërthamore, kimke e bakterike, me këtë lloj sundimtarësh dhe me këtë sistem të shpërndarjes së pasurisë, që funksionon sot?!
Çdo njeri, me kuptimin çdo individ, është i thirrur të përpiqet ditë e natë ta konstruktojë e rikonstruktojë vetëveten me qëllimin sublim që t’i shërbejë Zotit të vet të ri, MBARËVAJTJES MBI PLANETIN TOKË, në mënyrën sa më të devotshme. Nëse nuk krijohen, një njeri i tillë dhe një institucion rreth të cilit të mblidhen njerëz të tillë, vetëkuptohet që shoqëria njerëzore nuk do të ketë njerëz të tillë në sasi të mjaftueshme. Rrjedhimisht, nëse shoqëria njerëzore nuk do të ketë njerëz të formatuar simbas këtij morali, të cilin njerëzimi e ka kodifikuar para shumë shekujsh dhe që e gjejmë te të gjithë shkrimet e shenjtë, por edhe te traktatet socialë të shekujvet XIX e XX, kjo shoqëri njerëzore nuk do të mund, nuk do të ketë ku t’i gjejë as prijësit e duhur.
Zëri im, në këtë botë të shurdhueshme, është si zëri i një blete. Por, le ta dëgjojnë këtë zë të paktën bletët, që janë më të pafajshmet, por edhe më të rrëzikuarat!
Gjokë Dabaj – Durrës, 25 prill – 1 maj 2018

Total
0
Shares
3 comments
  1. Hi! Do you know if they make any plugins to assist with Search Engine Optimization?
    I’m trying to get my blog to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good results.
    If you know of any please share. Kudos! You can read
    similar text here: Dobry sklep

  2. Hi there! Do you know if they make any plugins to assist with Search Engine Optimization? I’m trying
    to get my blog to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good success.
    If you know of any please share. Appreciate it! You can read similar art here: Ecommerce

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura