KIMETE BERISHA: ENVER HASANI – KY BUKUROSH BUKUROSHI!

Prishtinë, 13. 04. 2015 – Kur e kuptova se Enver Hasani do të bëhet Ambasador i Kosovës në Turqi, mendja (e parë) më shkoi te zanati i tij që të shajë serbisht, të “studiojë” turqisht, dhe prirja e tij që vetëm fjalës “mut” t’ia ruaj kuptimin në gjuhën amtare. Fjalën “mut”, Enver Hasani asnjëherë nuk e heq nga goja; me “mut” e fillon secilën bisedë, dhe sa i përket atij, fjala mashkullore “mut” është edhe parafjalë e të gjitha fjalëve në gjuhën shqipe, anipse kjo shprehje përdoret figurativisht vetëm për ta “personifikuar” njeriun e keq, njeriun e poshtër dhe njeriun e ndyrë. Menjëherë (në internet) e kërkova Ministrinë e Drejtësisë të Turqisë, dhe kur e gjeta web-faqen e tyre, mbeta “pa mend”.
Drejtësi në Turqi i thonë “Adaletit”.
Pra, në Turqi, Ministria e Drejtësisë quhet Ministria e Adaletit.
Si profesoreshë e gjuhës shqipe që jam, më së pari qesha me veten, që bash sot, pas një “shekull” vonesë e kuptova se fjala “adalet” nuk ka kuptim negativ në turqishte (siç e ka kuptimin më negativ në gjuhën tonë), përkundrazi e ka kuptimin suprem të së mirës, të drejtësisë më të madhe në këtë botë të egër.

– Enver Hasani dhe Hashim Thaçi – 

E mora telefonin, fola me shoqe e me shokë, me profesora e me njerëz të pashkollë, për të kuptuar në mos (kanë ecur njerëzit përpara me dije), dhe mos kam mbetur unë e vetmja mbrapa, dhe ende kujtoj se “adaleti” është diçka e fëlliqtë, e poshtër, e keqe, e rëndë, tragjike, etj.
U qetësova kur e kuptova se edhe shokët e mi profesorë, edhe njerëzit me shkollë fillore, edhe të gjitha kategoritë e njerëzve që njoh, mendojnë si unë. M’i rikujtuan ata shembujt e njohur të nëmëve dhe mallkimeve tradicionale shqiptare, që e nisin ose e bitisin me “adalet”.
Populli shqiptar kanë kujtuar se po e nëmin me thellësinë e shpirtit, me loçkën e zemrës dhe me fundin e barkut armikun në çastin kur ia kanë dëshiruar (armikut) një vdekje të tmerrshme nga largësia:
“I daltë shpirti me adalet”, është mënyra dëshirore e mallkimit, më e popullarizuara ndër shqiptarët.
Pra, ne e kemi uruar armikun, që të vdes me lehtësi, dhe me praninë e drejtësisë hyjnore, kur kemi dashur që atij t’i del shpirti me zor, me adalet, që edhe toka të çelet nga britmat e armikut tonë, aq heqtë derisa i daltë shpirti.
Unë personalisht nuk di të nëmë, por kam pasur rastin të takohem me mallkues virtuoz, që dinë të krijojnë dhe të thurin aty për aty nëma që të habisin e të çudisin.
Shumë prej tyre, ku me ditë pse, fillojnë me orën 3 të natës, për shembull: “Në ora 3 të natës, të daltë gjumi, e pastaj…..”. (tjera herë për mallkimet shqiptare)
Shprehja “adalet” përdorej dhe përdoret nga nuset e reja (i kam dëgjuar vetë), për ta ilustruar çastin kur beba e tyre është përmjerrë, dhe pamjen nga jashtëqitja në “pelena” e kanë quajtur “adalet”, pra: “u flliq, u ba adalet”. Ndryshe nga turqit, ne i kemi thënë dhe i themi “jashtëqitjes” adalet.
Me “adalet” shqiptarët e quajnë edhe njeriun e shëmtuar, besheretin, njeriun që duket aq keq, që është aq i çoroditur, sa që vetëm një fjalë e madhe, si fjala “adalet” mund ta përshkruaj gjendjen e tij të pashpresë.
Perandoria turke na kanë marrë n’qafë, sidomos në aspektin gjuhësor dhe kulturor, ku për shembull shumë shqiptarë pavetëdije mbajnë emra çadrash, ose për shembulli njeriu është mashkull dhe quhet Kamer, ndërsa, në Turqi e konsiderojnë femër (farë travestiti), sepse Kamer do të thotë Hënë.
Pesëqind vjet pa shkollë, pa kulturë, pa dije, veç me shprehje të huazuara apo të imponuara turke, të cilave kurrë nuk ua ditëm kuptimin.
Enver Hasani mund të duket për shqiptarët njeri i pagdhendur deri te dielli, ama turqit ta marrin për “bukurosh”, sepse kur e përkthen nga turqishtja, Enver Hasan do të thotë Bukurosh Bukuroshi.
Enver Hasani “studionte” në Turqi në kohën kur UÇK luftonte për çlirimin e Kosovës. Sa herë shkon Enveri në Turqi, Kosovës, i bie mirë, lufton për liri, dhe për çlirim.
Gjykatën Kushtetuese e mbajti si një OJQ të Hashim Thaçit, bëri çfarë deshi me të. Hashim Thaçi e ka zanat që kur i largon njerëzit, nuk i “rrëzon”, por i çon shumë larg syve, larg Kosovës, kjo është mënyra se si i përzë nga jeta e tij njerëzit që i shërbyen verbërisht.
Enver Hasani e ka vendin në një shtet ku Drejtësisë i thonë Adalet. Tash, është edhe më i lirë (se nuk e dëgjon kush) të vazhdoj me gjuhën e tij vetanake, e cila siç thashë në fillim të shkrimit, fillon dhe mbaron me “mut”.
Edhe kjo shprehje që është më e keqja në gjuhën tonë, gjen kuptim pozitiv, për shembull ndër afrikanët.
“Muti” është term për medicinën tradicionale në Afrikën e Jugut. Një shoqe afrikane më ka treguar se fjala “muti” rrjedh nga fjala e Zulluve për drurin shërues, e anglishtja jug-afrikane fjalën muti e përdor për medicinën në përgjithësi. Muti është edhe emër i një ilaçi që i shëron njerëzit e sëmurë psikikisht!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura