Pashtriku.org, 13. 01. 2015 – Ilir Demalia, organizator i shpërthimit të ambasadave, protagonist i lëvizjes për demokraci në vitin ’90 dhe aktor i shumë ngjarjeve gjatë ndryshimit të sistemit, deklaron se Ramiz Alia, Xhelil Gjoni & CO, kanë lëvizur çdo gurë për të shpëtuar kokat e tyre dhe gjakun e familjeve të tyre, duke infiltruar njerëz në rebelimin ndaj regjimit, ndërsa sot tregojnë përralla dhe gjysmë të vërteta. Gjatë një interviste për gazetën SOT, Demalia pohon se në vitin ’90 udhëheqja komuniste ka menduar vetëm si të shpëtojë lëkurën, ndërsa shton se një rol të rëndësishëm për shpëtimin e kupolës së regjimit ka luajtur edhe Sali Berisha si zbatues i Katovicës, bashkë me Arben Imamin, Neritan Cekën etj. Ai thekson se drejtuesit e shtetit shqiptar gjatë 102 viteve, janë katapultuar në pushtet nga interesat antishqiptare, në zbatim të platformave anti-kombëtare dhe të strategjive të qarqeve të errëta. Në këtë kuadër, Demalia pohon se edhe historia e Shqipërisë është falsifikuar dhe deformuar në interes të raporteve personale të shërbëtorëve me udhëheqësit.
SOT: Z. Demalia, një rrëfim i Xhelil Gjonit, ish-sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë për Tiranën dhe njeriu i rëndësishëm i udhëheqjes komuniste në prag të rrëzimit, ka lëkundur dhe rrëzuar disa të vërteta për Lëvizjen e Dhjetorit, duke krijuar një imazh tjetër, si një lëvizje e montuar në zyrat e udhëheqjes. Cili është komenti juaj?
ILIR DEMALIA: Më shumë se dëshmia e të vërtetës, rrëfimet e Xhelil Gjonit, janë një dëshirë e ligë e tij që të arrijë, para se të mbyllë sytë, t’i thotë popullit të vet: ja si iu a futëm o shqiptarë! Kjo është logjika e të ligut tipik ballkanas! Dhe këto Xhelo Gjoni po na i tregon menjëherë sapo i hodhi lopatat me dhe përmbi arkivolin e Ramiz Alisë, kryeskenaristit dhe kryeregjizorit të demokracisë së shpifur të shqiptarëve. Përpara se të flasim për Xhelil Gjonin, që me gjykimin tim as ka rrëzuar dhe as ka lëkundur gjë, duhet të sqarojmë në mënyrë të faktuar dhe të dokumentuar, a ka pasur një lëvizje të organizuar për rrëzimin e regjimit në Shqipëri gjatë vitit 1990? Në qoftë se po, atëherë duhet me fakte dhe dokumente, të provohet se, kush kanë qenë organizatorët, organizimi, platforma, strategjia, ideologjia, etj.
– Ilir Demalia –
Kjo nuk bëhet siç jemi mësuar ne ta bëjmë historinë tonë, jo vetëm këtë të afërt, të këtyre 25 vjetëve ku jemi vetë dëshmitarë dhe pjesëmarrës, por që nga themelimi i shtetit shqiptar, historia jonë është e falsifikuar, me mite të rreme dhe folklor, si shkak i mosaftësisë sonë dhe ngarkesave ideologjike jo kombëtare, sunduesve që historinë e bëjnë sipas marëdhënieve personale me shërbëtorët ose padronët në sundimet e shtetit shqiptar. Pra, të njëjtit njerëz herë dalin heronj herë tradhtarë, herë agjentë, kjo sepse sunduesit e shtetit shqiptar gjatë 102 vjetëve të formimit të shtetit kanë ardhur në fuqi, jo nga lufta dhe përpjekjet për të bërë shtet të së drejtës, shtet në shërbim të qytetarëve të vet, por kanë ardhur si sundimtar dhe kundër interesave të popullit që nga themeluesi i shtetit e më pas.
Elez Biberaj interviston Ilir Demalinë më 9 Dhjetor 1990 VOA
Kështu ka ardhur E. Hoxha nga jugosllavët dhe në zbatimin e një ideologjie antikombëtare dhe kriminale, kështu Sali Berisha, nga pushteti komunist për zbatimin e Katovicës, kështu Rama për zbatimin e rrënimin e Shqipërisë nga sorrat e Sorosit. Të gjithë kanë të njëjtën sjellje me bashkëpunëtorët e tyre, i ngrenë në qiell kur i përdorin si lakej, i groposin kur i prishen pazaret, i ngrenë prapë kur këta i lëpijnë përsëri këmbët, i varrosin, ç’varrosin, i shpërdorojnë si mos më keq. U zgjata pak sepse historia jonë është në këtë gjendje, pikërisht se ajo, nuk është trajtuar si shkencë ashtu siç është dhe duhet të jetë, por me frymë ideologjike, të sundimit të radhës e as pak në funksion të vërtetës historike kombëtare si themel trashëgimie për të ardhmen dhe brezat që vijnë. Historia nuk bëhet me…më the e të thashë…ishim ke shtëpia ime apo te bodrumi… Unë i pata thënë atij…, ai më pat thënë mua…
Pra, historia ka kohë, vend, ngjarje, protagonistë, akte publike, dokumente. Se ç’kanë pasur njerëzit në mend, e se çfarë kanë folur brenda në shtëpi apo me njëri-tjetrin, le t’ia tregojnë fëmijëve apo nipave e mbesave si përralla. Konkretisht në këtë rast, Xh. Gjoni duke treguar përralla me disa gjysëm të vërteta që dihen, mendon se bën të besueshme përrallën e tij, duke thënë se paska qenë kontributori dhe nxitësi për pluralizmin në Shqipëri dhe paska shpëtuar vendin nga një gjakderdhje! Xhelil Gjoni me Ramiz Alinë, e C/O luajtën të gjitha levat, mënyrat, njerëzit e tyre, për të shpëtuar kokat e tyre dhe gjakun e familjeve të tyre. Këtë e arritën, jo vetëm për faktin se ishin përgatitur për këtë duke përgatitur njerëzit e tyre, të infiltruar në situatat që do i dilnin jashtë kontrollit siç bënë me studentët dhe ngjarje të tjera më parë, që nga Janari 90-ës deri më dhjetor 1990-ës.
Gjoni dhe gjithë kasta e komunistëve me ndihmën e atyre që kanë përdorur në zbatimin e Katovicës, shpëtuan gjakun e tyre dhe morën fuqinë ekonomike dhe politike dhe sot, janë më të fuqishëm se dje, këtë e tregon dhe vet Xh. Gjoni ku i jepet tre ditë hapësirë në gazetën Panorama përrallave të Gjonit, a thua se ky është halli më i madh që ka zënë shqiptarët, për të na treguar se si ky krijoi pluralizmin me njerëzit e tij si Berisha, Pashko, Imami, Zogaj, Cekën. Kjo është një lojë banditësh kur prishen pazaret, ku tashmë, era i ka dalë me kohë, po ashtu edhe për të çoroditur njerëzit në këtë gjendje të çoroditur pa shpresë, të lodhur e zhgënjyer nga e gjithë klasa politike e këtyre 24 vjetëve të dalë nga xhepat e xhelat-xhelilëve të partisë.
Xhelil Gjoni, Arben Imami dhe Gramoz Pashko.
Sali Berisha, Eduard Selami dhe Gramoz Pashko.
Mendoj se ngjarja e Dhjetorit ‘90 ka qenë prelud i gjithë ngjarjeve që ndodhën që nga Janari ’90 në Kavajë, Shkodër, Tiranë, e që kulmuan me ngjarjen e ambasadave. Në asnjë mënyrë atë revoltë dhe rolin e disa studentëve në atë kohë, siç e tregon dhe vetë jeta e tyre më pas, megjithëse shumë pak fatkeqësisht, nuk mund t’i implikosh e t’i mohosh bindjet e guximin që kanë pasur qoftë dhe me rriskime për jetën, e ky grupim i vogël, është ai, që pas formimit PD u shkëput dhe krijoi një lëvizje deri në rrëzimin e monumentit me në krye Shenasi Ramën e të tjerë. Sot është kollaj të flasësh! Nuk është rastësi që ky grupim nuk përmendet, anashkalohet, mundohen t’i shumojnë deri në mosekzistencë, kur janë të fotografuar, filmuar si protagonistë në ato ngjarje. Më habit heshtja e tyre për të mbrojtur të vërtetën që lidhet me një moment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, përjashto Sh. Ramën.
SOT: Cili ishte sipas jush raporti i Lëvizjes së Dhjetorit me kupolën e regjimit komunist dhe çfarë nuk qëndron në deklaratat e Xhelil Gjonit?
ILIR DEMALIA: Mendoj se raporti i revoltave të dhjetorit me kupolën e regjimit janë të tilla: Studentët për vetë moshën, nuk ishin pjesë e strukturave të regjimit, as nuk kishin ndonjë qartësi ideologjike apo ndonjë strategji për një aksion politik, ku gjithmonë ka përjashtime në raste, kur krijohen situata të tilla që i japin drejtim turmave, kjo njihet në të gjithë historinë e revolucioneve. Në rastin konkret, rënia e njëpasnjëshme e regjimeve komuniste në Evropën Lindore, izolimi i Shqipërisë si ekonomik dhe politik, ku që pas rënies së regjimit të Çausheskut një vit para ngjarjes së studentëve në Tiranë, Shqipërisë i ishte prerë edhe tregu, megjithëse Shqipëria në atë kohë nuk prodhonte më asgjë. Në anën tjetër, edhe brenda Shqipërisë kishin ndodhur ngjarje që e kishin lëkundur sistemin, i cili mbas ngjarjeve të Çausheskut, lëshonte pe, jo për të lëshuar pushtetin, jo për t’i dhënë demokracinë shqiptarëve, jo se kishin ndonjë akt pendese për krimet e tyre, por e vetmja arsye ishte se i shfaqej për natë fantazma e çiftit Çaushesku.
Në këto situata njerëzit me intuitë, njerëzit më të guximshëm (se sot është bërë shumë kollaj me i ra gjoksit, por situatat në atë kohë kanë qenë të ngarkuara me risqe) filluan të godasin regjimin, në fillim në Shkodër me tentimin e heqjes së monumentit të Stalinit në fillim të Janarit ‘90, në Kavajë dhe me “demonstratën e heshtur”, në Tiranë në fund të janarit që kulmoi me ngjarjen e ambasadave që delegjitimoi sistemin komunist, tregoi pafuqinë e regjimit dhe impotencën e intelektualëve që një muaj pas largimit të njerëzve të futur në ambasada, në takimin me Ramiz Alinë, megjithëse ju kërkua nga Alia, se ç’mendonin për pluralizmin politik, asnjë prej tyre nuk e kërkoi këtë e jo vetëm kaq… Shumë prej tyre pas katër muajsh do të merrnin në dorë pluralizmin politik në zyrat e Komitetit Central dhe nga zyrat e Ministrisë së Brendshme për aktivizimin e bashkëpunëtorëve në “opozitën” shqiptare.
Shihni gjithë drejtuesit e opozitës dhe forumit për të drejtat e njeriut: PD-ja kishte Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Arben imamin, Eduard Selamin që më 20 Shtator 1990 mbrojtën doktoraturën me Mendimin Estetik të Sh. Enver, Preç Zogaj Çiftelia, Besnik Mustafaj etj. PSD, Skënder Gjinushi; Paskal Milo, Lisien Bashkurti PR; Sabri Godo; Vangjush Gambeta; Mingomata…. Forumi i të Drejtave të Njeriut kjo është për të qesh e për të qarë; Arben Puto, Kujtim Çashku etj. Mund të vazhdojmë pafund, në këtë rast Gjoni nuk thotë ndonjë gjë të papritur, pasi dihej që këto vinin nga strukturat e larta të regjimit dhe me lidhje krushqie farefisnie me kupolën e regjimit. Kështu që detajet pa detaje të Xhelil Gjonit nuk tronditin asgjë e as përmbysin asgjë, vetëm se tregojnë gjendjen ku jemi e ku jemi sjellë rreth 25 vjet, ku na bilbiron Xhelil Gjoni me të birin ambasador në Zvicër, tregon “përmbysjen” që i kemi bërë regjimit?!
Kjo gjë nuk mund të implikojë studentët, e sidomos ata protagonistë që kuptuan lojën me intelektualët dhe pedagogët e tyre me regjimin dhe u shkëputën për të ruajtur moralin dhe vlerën e asaj çfarë bënë, në pamundësinë e asaj që mund të bënin. Të bllokuar dhe normale, nga regjimi me njerëzit që futi në revoltën e studentëve me strukturat e një shteti, studentët në mendimin tim, aksionin politik e kanë pas shpalljes së “pluralizmit”, e kanë me grevën e urisë për rrëzimin e monumentit të E.H dhe realizimin më 20 Shkurt 1991, ku 8 Dhjetori e la aksionin politik për të zbatuar direktivat e marra në zyrat e Xhelat-Xhelilëve të Komitetit Qendror, ata që vazhduan aksionin politik e mbyllin me rrëzimin deligjimitizues të diktatorit si simbol dhe si objekt. Për t’ju përgjigjur pyetjes, lidhja e dhjetorit me kupolën, janë intelektualët e dërguar te studentët, pedagogët e studentëve, bashkëpunëtorët e sigurimit që u thirrën nën armë dhe ishin dhe midis studentëve dhe në krye…
Por aspak nuk mund të lidhësh gjithë studentët dhe gjithë qytetarët e Tiranës që mbështetnin studentët me kupolën në ato ditë. Mendoj se shteti me strukturat e tij me njerëzit e futur dhe terrenin e përgatitur, ndryshoi rrjedhën vendosjes së demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës. Sot, rezultati është që ne jemi shumë larg një demokracie të konsoliduar, shtetit ligjor të së drejtës, ndëshkimit të krimeve dje dhe sot, që na e tregon bilbirëzimi i Sh. Xhelil, që njëkohësisht tregon dhe gjëndjen e mjerë të medias që për ditë e më shumë faqet e gazetave mbushen me kriminelët e regjimit komunist, se me problemet që ballafaqohet vendi dhe shqiptarët.
FJALIMI I BERISHËS MË 1990: FALEMINDERIT SHOKU RAMIZ ALIA. 8 DHJETOR 2014
SOT:Megjithatë, Ramiz Alia, në 13 Dhjetor të vitit 1990, në mbledhjen e Byrosë Politike, pikërisht një ditë pas themelimit të Partisë Demokratike, zbulon se Sali Berisha ishte lejuar, për të mos thënë porositur, për të kritikuar regjimin. A nënkupton kjo se udhëheqja komuniste kontrollonte lëvizjen?
ILIR DEMALIA: Më duket se po vijmë rrotull dhe po zgjatemi me një gjë që tashmë është fare e qartë dhe e provuar dhe me gjëndjen në të cilën ndodhemi sot si shkak, pikërisht i sundimit të vazhdimësisë politike të regjimit me sundim autokratik “pluralist”. Thënë ndryshe të një karikature demo(n)kratike.
SOT:Cili është mendimi juaj sa i takon rrethanave dhe shkaqeve që prodhuan lëvizjen, e cila kulmoi me rrëzimin e regjimit komunist?
ILIR DEMALIA: Nuk mendoj se pati rrëzim të regjimit që vjen nga përmbysjet me revolucion. Në Shqipëri “ndryshimi” u bë me marrëveshje dhe pastaj marrëveshjet u shkelën e u prishën jo për parime, jo për vendosjen e demokracisë nga poshtë lart, jo për vendosjen dhe kthimin e pronës, jo për ndërtimin e shtetit të së drejtës, ku drejtësia është si gjobëvënësit në Shqipëri, jo për të pasur një media të lirë si pushtet i katërt, pasi media është sot vetë pushtet i krimit të pushtetit, jo e jo, e jo pafund. Jo, marrëveshjet e tyre u prishën për ndarjen e parasë së vjedhur kombëtare, aseteve kombëtare, mohimin e pronave, shpërblimin e të persekutuarve që i kanë përdorur e shpërdoruar aq keq, sa i kanë kthyer si lypsarë, njësoj si në kohën kur kërkonin mëshirë në sallat e gjyqit… E dhimbshme! E turpshme! Kriminale! Pra, për të dalë te pyetja, të gjithë shpërthimet, revoltat gjatë vitit ‘90 përfshi dhe dhjetorin me ngjarjen e studentëve, kanë ndodhur nga këto shkaqe:
1. Reaksioni zinxhir që kishte përmbysur botën komuniste me 25 Dhjetorin 1989 ku përfundon regjimi i Çausheskut, siç do të thoshte në analizën te V.O.A për këtë ngjarje Elez Biberaj në mbyllje, “Shqipëria ngelet guri i fundit i dominosë”. Gjë që lajmëronte se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër dhe do t’i nënshtrohet këtij ndryshimi o me rrugë të “butë” o me gjakderdhje, ku mund të përfundonin si Çaushesku. Pra, do të rritej presioni nga jashtë dhe izolimi ekonomik. Këto dhe vetë V.O.A, si stacioni më i dëgjuar në atë kohë, nxitën revoltat dhe mosbindjen e masave nga poshtë.
2. Kolapsi ekonomik që solli paralizimin e jetës në vend me një varfëri ekstreme. Pra u rrëzuan simbolet e regjimit, por jo regjimi. Fakti që në zgjedhjet e para “pluraliste” drejtonte shefi i shtetit komunist R. Alia, fakti që në parlamentin e parë “pluralist” kishte deputetë, ish-anëtarët e Byrosë Politike e figurat më të larta e më kriminale të shtetit komunist si Haxhi Lleshi e Xhelil Gjoni dhe fakti që në maxhorancë absolute, ai Parlament i mbushur me njerëz të strukturave të regjimit dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit, tregon se çfarë pluralizmi ishte.
SOT: Pse ndodhi kështu?
ILIR DEMALIA: Shqipëria, e dalë nga Porta e Lartë e fundit, me formimin e shtetit nga njerëz që kishin qenë në shërbim të Portës së Lartë dhe me krijimin e një gjysëm shteti shqiptar, më shumë si interesa të fuqive të mëdha se një luftë kombëtare për vendosjen e fateve të Shqipërisë, ka bërë që historia jonë të sillet më shumë rreth interesave të këtyre fuqive se rreth ndërtimit të një shteti kombëtar. Kështu ka ndodhur dhe më pas, e sidomos me PK e krijuar nga jugosllavët dhe me një ideologji Bolshevike-Staliniste si vrastare e interesave kombëtare, duke sjellë katastrofë ekonomike dhe njerëzore. Sa u vranë nga elita dhe kultura e Shqipërisë, u futën në burgje, u internuan, u vranë në kufi edhe gjatë vitit ‘90 ku Sh. Xhelil ka qenë në kupolën e këtij regjimi si funksionar dhe i lidhur me krushqi e farefisni me kupolën kriminale të regjimit? Në vend që Xhelil Gjoni e C/O së paku të heshtin për mosdhënien e llogarisë dhe mosndëshkimin e krimit që kanë në kurriz dhe si dobësi e një populli që nuk vendos drejtësi, del dhe bilbëron si njeri që ka shpëtuar gjakderdhjen.
Mosreagimi edhe ndaj kësaj interviste, ndaj ish kryeredaktorit të “Zërit të Popullit”, ndaj ish sekretarit të Komitetit të Partisë për inteligjencën dhe kulturën, pra për rekrutimin e zëdhënësve të regjimit, sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë në Krujë e Dibër dhe së fundi në Korrik 1990 ardhur si dorë e fortë nga Dibra si sekretar i Komitetit Qëndror të Partisë, flet shumë për dobësinë tonë që nuk reagojmë ndaj krimit dhe të keqes, ashtu si dhe ndaj pushtetarëve tranzicionalistë të këtyre 25 vjetëve të sjell nga xhelat-Xhelilët. Këta tashmë e dinë këtë dhe, nuk ndalen në rrugën e tyre të kthimit të Shqipërisë në pronë të tyre dhe të shqiptarëve në skllevër.
Intervistoi: Adriatik Doçi
– VIJON –
– PJESA E DYTË –
ILIR DEMALIA: NGJARJA E AMBASADAVE ISHTE NJË GODITJE FATALE PËR REGJIMIN KOMUNIST (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=3473
………………………………………………………….
……………………………………………………………………………………….
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org)