DR SULEJMAN ABAZI: TË FUTESH ME DASHJE BRENDA ‘TREKËNDËSHIT TË BERMUDES’

Tiranë, 11 maj 2018: Sistemi politik në Shqipëri përfaqëson sot një monizëm në kushte të reja. Përballë tij vazhdon të shfaqet qëndrim megalloman i partive politike, që kanë drejtuar shtetin shqiptar në këto 28 vite. Këtij sistemi i ka ardhur koha të ndryshojë ose të shpërbëhet, drejt një modeli të ri. Njerëzit duhet të pozicionohen majtas e djathtas, jo si deri tani, por sipas kauzave dhe bindjeve politike të qëndrueshme që aspirojnë, të cilat duhet të garantojnë mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare dhe jo interesat e ngushta partiake. Sistemi politik në Shqipëri e ka të domosdoshme të kthehet gradualisht sipas modelit perëndimor. Kemi nevojë për daljen në skenë të konkurencës së ndershme politike, e cila duhet t’i japë natyrë tjetër konfliktit politik, ta kthejë në gjenerator të ideve të zhvillimit kombëtar. Si domosdoshmëri shtrohet nevoja e varjantit të ri politik dhe modelit, sipas situatave të reja, të cilat po asfiksojnë jetën shqiptare, duke çuar vendin në kolaps politko social dhe ekonomik.
Sot jeta politike në Shqipëri shfaqet pa opozitë të vërtetë. Zënkat politike midis partive dhe individëve, po bëhen për pushtet dhe mundësi pasurimi. Situata ka mbetur sipas skemës së servirur nga Ramiz Alia, që në fillimet e pluralizmit në Shqipëri. Situata sinoptike në politikë shfaqet qartë:
Politika shqiptare po ecën në qorrsokak në politikën e saj të jashtëme. Ajo me ose pa dashje, është futur brenda “trekëndëshit të Bermudës”, duke e vënë veten përballë SHBA-ve, Gjermanisë dhe Turqisë, pa vlerësuar realisht kontradiktat që ekzistojnë midis tyre dhe opinionin që dominon sot në popullsinë shqiptare.
Çfarë kërkon të marrë Shqipëria brenda kësaj hapësire “shkatërruese” sipas kryeministrit të saj? Nëse punët nuk i ka mirë me Depatramentin e Shtetit, pse duhet të sakrifikojë interesat e vendit diku tjetër për karrierën e tij politike, apo për interesa që nuk i dimë? Ku e çon ky lloj servilizmi politikën shqiptare? Lëizjet e Kryeministrit po dëshmojnë pëtrplasjen që atij po i bëhet në fytyrë për shkak të paaftësis ose të marrëzisë së tij në një rrugë të rrezikëshme. Këto qëndrime janë pasoja të një rruge pa krye, ose për motive të tjera, i detyruar të shkelë në rrugë të tilla. Po a janë shqiptarët në një mendje me kryeministrin e tyre? Politika shqiptare aktualisht mbetet e paorientuar, përveç deklaratave standarde të Ministrit të Jashtëm për, “aleatë dhe partner strategjik dhe për antarësim në BE”. Këto janë pasojat e klimës së bredëshme të pasigurtë në Shqipëri prej drejtimit korruptiv të shtetit nga politikanët oligarkë të të dy grupimeve të mëdha politike.

Sinoptika politike, e parë në kompleks, nuk është aq dashamirëse siç ka dëshirë ta paraqesë sot qeveria shqiptare. Në fillim të mandatit të dytë të pushtetit në Shqipëri, Partia Socialiste ka pësuar dështime në planin ekonomik dhe “miti i Ramës” si njeriu shpresdhënës, tashmë ka rënë. Po kështu, Partia Demokratike, më shumë se sa përballë pushtetit të Partisë Socialiste, është vënë faktikisht përballë vetëvetes. Ajo po vetëshkatërrohet. Ajo nuk është në gjendje të përfaqësojë opozitën konstruktive, të gatëshme të marrë pushtetin në Shqipëri. Përballë dy partive të mëdha shfaqet Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është kthyer në parti interesash, për të administruar lojën politike të partive të mëdha përballë faktorit ndërkombëtar.
Këto gjykime dalin nga studimi analitik i pasojave që ka përjetuar politika dhe vendi në dy raundet e fundit zgjedhore. Në Shqipëri ka dalë hapur dhe sheshit loja politike e tre partive kryesore, përballë qëndrimit dhe objektivave amerikane dhe europiane. Kjo lojë e ka futur politikën e vendit të shqiponjave brenda “trekëndëshit” vrasës të Bermudës. Prej vetingut ata kanë filluar të tremben dhe kjo i detyron të bëjnë akoma gabime edhe më të mëdha. Ata e dinë mirë që, të pranohesh në BE, do të thotë të dorëzosh “statusin” e të korruptuarit dhe të hajdutit, të mos kesh më “imunitet” të paprekshëm, pra t’i dorëzohesh drejtësisë.
Kjo situatë i ka bërë dinakë dhe të pabesë, të veprojnë me koalicione dhe marrëveshje politike, që rezultojnë si “këmisha mbrojtëse” për individë dhe klane të caktuara me interesa oligarkie. Krahas tyre është rreshtuar media shqiptare, e cila bën sikur është e pavarur, apo sikur investigon terrenin e korrupsionit të thellë, në fakt po krijon situatën e lodhjes së opinionit. Ajo po i shërben përpunimit mental depresiv të shqiptarëve, duke e detyruar opinionin qytetar të kapitullojë, të humbasin besimin dhe të braktisin vendin. Kjo tashmë ka ndodhur. Mediat në Shqipëri, në shërbim të politikës së tre partive kryesore, kanë vënë në shënjestër për t’i diskretituar dy ambasadorët në Tiranë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Në cilin vend demokratik ndodh një agresivitet i tillë? Si mund të trajtohen në këtë formë dy diplomatët kryesor dhe në krahun tjetër të pretendohet se, “SHBA-të janë aleati ynë strategjik dhe Shqipëria aspiron të futet në BE”?! Diplomatët duhet të shfaqin qëndrimin e tyre të palëkundura kundër zvarritjeve të qëllimëshme që po u bëhen reformave në Shqipëri dhe të jenë absolutisht të distancuar nga njerëzit e korruptuar dhe të kriminalizuar të jetës politike shqiptare. Zvarritjet e reformave janë kundëvënia e hapur e tre partive politike shqiptare kundër kërkesave të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar. PS, PD dhe LSI, me dinakëri dhe në sinkron, janë duke vënë së bashku në heshtje në skenën politike psudoarmiqësitë e tyre. Kjo është një lojë politike me shpërndarje të roleve. Dhe këtë Rama, Berisha, Basha, Kryemadhi e Meta po e realizojnë mjaft mire këtë, në emër të imunitetit që kanë.
Atëherë të shpjegojnë, pse nuk ecin reformat në Shqipëri? Kush i pengon, Amerika dhe BE-ja, apo vet faktori shqiptar? Në këtë çështje delikate, përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri të heqin dorë nga politikat selektive mbi qëndrimin ndaj politikës dhe politikanëve shqiptarë. Politika e tipit mafioz që zhvillohet në institucionet shqiptare është bërë tejet e bezdisëshme për qytetarët. Ata janë në krizë besimi. Metodat e akuzave dhe zvarritjeve, arrestime të bujëshme dhe marrja e “pafajësive” me vulë gjykatash të politizuara dhe të korruptuara, “imunitetet” e paprekëshme, duhet të marrin fund.
O ndihmojeni Shqipërinë dhe shqiptarët për atë që bëjnë dhe ofrojnë, ose bëhuni përgjegjësive politike dhe pasojave, që po godasin rënde jetën tonë dhe lereni këtë vend pa shpresë të gllabërohet nga “bermudet”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura