ILJASA SALIHU: XHUNGLA E GJERË E MENDIMEVE TË NGUSHTA

Kumanovë, 20. 01. 2016: Mundësitë e mëdha për t’u shprehur, hodhën shumëçka në pah, shumë fytyra të shfytyruara dhe përgjithësisht rravguan ngjyrat e diturisë me zhurmat shurdhuese të paditurisë. Për shkak se shoqërisë sonë dukshëm i mungojnë gazetarët me fakultet të gazetarisë dhe për shkak të papunësisë së lartë, shumëkush mori detyrën e gazetarit, paçka se fakulteti i kryer as për së afërmi nuk përkon me profesionin dhe misionin e gazetarit. Fjala vjen, gazetari me fakultet të bujqësisë merret me bërjen e lajmeve të politikave ndërkombëtare. Pikërish kjo shpurë gazetarësh, analistë i quajti edhe ata që në jetën e tyre kishin shkruar vetëm dy shkrime; njërin në përkrahje të partisë që ia kishte dhuruar pak misër pulave të tij dhe shkrimi tjetër lidhej me shprehjen e dashurisë ndaj figurave historike, që sa herë kishte ndërruar regjimi, ato figura pandeheshin si kolosë të tharmit të tyre ideologjik.

Mjaftojnë dy fjalë të mësuara përmendsh sa për ta hedhur inçizimin në youtube. Dy fjalët e bukura sakaq mbaruan, mirëpo jo edhe injoranca e tyre se pas atyre dy fjalëve radhën e kishin broçkullat, përçudnimet dhe dërdëllitjet e tyre. Aq shumë njeriu has në ligjërata dhe këshilla në youtube, saqë vështirë është bërë ta gjesh ndonjë të duhur që përkon me rregullat pedagogjike dhe gjuhësore të ligjërimit. Kryesorja të thonë diçka, kurse se si thuhet ajo dhe çka synohet me atë, besoj se as vetë ata nuk e dinë një gjë të tillë. Nuk arrijnë ta kuptojnë se tregu medial është i gjerë sa një botë, kurse ata përgatiten vetëm për një shtresë a grupim të ngushtë, mirëpo harrojnë se publikimi i atyre ligjërata në youtube apo në ndonjë program televiziv, ndërfutë shtresa të ndryshme, ndërsa edhe vetë ata e pranojnë se metodologjia dhe përgatitja e tyre nuk mund t’i përballojë shtresat e ndryshme në shoqërisë dhe shoqëritë e ndryshme në botë. Megjithatë, nuk këndellën se shumë më mirë do të ishte që fillimisht ta lartësojnë shkallën e njohurive dhe të diturive të veta, po ashtu edhe të pranishmëve që gjenden para tij, të cilët posaçërisht kanë ardhur t’i dëgjojnë ata, njëherësh duke mos i përdorur fare kamerat.

Rrjedhimisht, ia shmangën blerjes dhe furnizimit, duke u dhënë tërësisht pas shitjes dhe pritjes së lavdërimeve. Me rëndësi të shes apo të shpërndaj dituri, pak punë nëse në depon time edhe grimcat e diturisë kanë filluar të mos shihen. Nuk lexojnë, tërë ditën qëndrojnë rrugëve dhe nëpër kafene, duke dëgjuar gjithfarë bisedash dhe pastaj të njëjtat biseda pa asnjë skuqje të fytyrës i shesin si analiza autonome dhe të duhura për ta kuptuar gjendjen në të cilën gjendet vendi ynë. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi në bashkëbisedim të drejtpërdrejtë edhe me shoqërinë e shtresave të ndryshme, por jo ky qëndrim të jetë burim i vetëm i informacioneve, aq më tepër të jetë mbështetje e vetme për gjërat që kërkojnë mendime dhe analiza të thella. Kështu që, doli puna që të gjithë u bëm analistë, gazetarë, por jo edhe lexues të dinjitetshëm dhe të vendosur, jo edhe publicistë të cilët para se të sheshojnë diçka, lexojnë dhe analizojnë shumëçka. Për pasojë, nuk arritëm ta njoftojmë lexuesin e paktë si duhet, kurse vetëdijen e shoqërisë në vend se ta lartësojmë në gurin më të lartë, trishtueshëm atë e gurëzuam me gurët më të rëndë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura