GJEKË GJONLEKAJ: GJYKATA SPECIALE E KOSOVËS DO TË ISHTE TRIBUNALI I TURPIT (KANGAROO COURT)

New York, 02. 07. 2015 – Amendamenti 5 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkura thotë “askush nuk mund të detyrohet të jetë dëshmitar kundër vetvetes në asnjë çështje penale”. Akuzat dhe shpifjet monstruoze të Dick Marty-t e sollën Kosovën para një vendimi tepër të vështirë. Ky Vlladan i dytë Gjeorgjiviq në bashkëpunim me serbo-rusë dhe disa amerikanë spiunë të Sllobodan Millosheviqit hartuan akuzën më të ndyrë kundër popullit shqiptar dhe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fatkeqësisht në përgatitjen e kësaj akuze morën pjesë shumë shqiptarë të Kosovës bile edhe disa shqiptaro-amerikanë armiq të UÇK-së dhe Hashim Thaçit. Këta shqiptaro-amerikanë megalomanë të etur për pasuri e krye të vendit janë armiq të përbetuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa vjet më parë ata kërkonin me çdo kusht dërgimin e Hashim Thaçit në Gjykatën e Hagës, ngase atje gjëndej një mik i tyre i cili pas luftës kishte bërë shumë për pasurimin e tyre në Kosovë. Në fillim të fushatës anti-shqiptare të Dick Marty-t botuam komente në shtypin shqiptar, bile bëmë edhe një demonstratë para Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Nuk e kishim menduar kurrë se një ditë rrenat e Dick Marty-t do të shiteshin aq shtrenjtë në tregjet e drejtësisë euro-amerikane. Gënjeshtrën që Dick Marty e kishte lëshuar në fund të pazarit, tani po e beson ai vetë në krye të pazarit.
Dy vitet e fundit të shekullit të kaluar Kosova ishte rajoni më i shqetësuar i globit. Masakrat dhe gjenocidi serb ishin tmerri më i madh që kishte parë Europa pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë atyre dy vjetëve u vra një përqindje e dukshme e popullsisë, ndërsa gjysma e popullit të Kosovës u dëbua me dhunë nga vendi. Makineria monstruoze luftarake e Sërbisë rrënoi dhe dogji një të tretën e shtëpive të Kosovës. Shekulli më tragjik i historisë së njerëzimit po merrte fund me tragjedinë e Kosovës. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe e padiskutueshme. Masakrat dhe gjenocidi serb u panë çdo ditë në ekranet më serioze televizive të botës. Për çmenduritë e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë janë botuar dhjetëra mijëra artikuj e fotografi në shtypin më serioz të botës. Gazeta “The New York Times” ka botuar gjatë asaj periudhe më shumë se 600 artikuj dhe qindra fotografi trishtuese. Tragjedia e Kosovës e trazoi ndërgjegjen njerëzore. Papa Gjon Pali i Dytë në meshën e madhe të Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit në prill të vitit 1999 i bëri thirrje njerëzimit për shpëtimin e popullit shqiptar, duke pohuar se Kosova po kalon javën e kryqëzimit. Asnjë person në botë me mëndje të shëndoshë nuk e vuri në dyshim çmendurinë serbe kundër popullit shqiptar. U pranua botërisht gjenocidi serb në Kosovë. Ky ishte një sunam i vërtetë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u nderua në atë kohë për trimërinë e saj si asnjë ushtri çlirimtare në botë. Të gjitha autoritetet perëndimore thanë fjalë të mira për UÇK-në, bile edhe Presidenti i Shtetve te Bashkuara, Bill Clinton në një kryeartikull botuar në “The New York Times” në prill të vitit 1999 foli mirë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë përfaqësuesit e UÇK-së ishin njerëz të edukuar dhe të arsimuar, njerëz që kishin vuatjur nëpër burgjet jugosllave dekada të tëra. Zëdhënësi i UÇK-së, Adem Demaçi ishte njëri prej disidentëve më të njohur në botë, intelektual dhe humanist me përmasa ndërkombëtare, njeriu që kishte fituar shumë nderime, bile edhe Çmimin Ndërkombëtar Saharov. Adem Demaçi nuk do të kishte pranuar kurrë përgjegjësinë e zëdhënësit të një ushtrie kriminale. Natyrisht, gjatë konflikteve të ndryshme ndodhin krime individuale ose të ndonjë grupimi të mbrapshtë, por kjo nuk ishte karakteristika e përgjithshme e një ushtrie serioze siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këto të vërteta për UÇK-në i mësova në kohën kur isha zëdhënës i kësaj ushtrie. Gjatë kësaj periudhe kam marrë qindra letra nga zyra të ndryshme amerikane. Në ato letra bëhej thirrje për respektimin e Konventës së Gjenevës të 12 Gushtit 1949. Gjatë viteve të luftës në Kosovë nuk u tha asnjë fjalë e keqe në shtypin amerikan ose në mjetet elektronike të informacionit. Nuk u tha asgjë për shkeljen e Konventës së Gjenevës nga Ushtria Ҫlrimtare e Kosovës. Në asnje mbledhje ndërkombëtare, bile as në Rambuje nuk është diskutuar për krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gjatë vizitës së parë të Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 kisha biseduar me ta shoqërisht në lidhje me këtë çështje. Mbaj mend shumë mirë pergjigjjen e Fatmir Limajt. Ai tha: ”Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Unë personalisht kemi zbatuar me përkushtimin më të madh urdhërat amerikane të luftës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në marrëdhënie të shkëlqyeshme me Aleancën e NATO-s dhe gjatë luftës nuk bënë gabime për të cilat llomotit sot Dick Marty dhe armiqtë e Kosovës. Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës luftonte për ekzistencën, nderin dhe dinjitetin e popullit shqiptar dhe për këtë meriton shumë. UÇK-ja ishte symbol i shpëtimit i lirisë dhe i pavarësisë, ishte si një trinom i shenjtë për Kosovën. Ata ishin kalorës të lirisë. Winston Churchill ka thënë: “Hyrja në luftë është si hyrja në dhomë të errët”. Në luftë ndodhin shumë të papritura. Aty veprohet për jetë e vdekje. Në luftë tradhëtia dënohet pa gjyq, sepse nuk ka kohë për gjykime. Kjo ka ndodhur në të gjitha luftërat e botës e pse mos të ketë ndodhur në Kosovë. Qindra ushtarë të UÇK-së janë vrarë si pasojë e atyre “judëve iskariotë” të Kosovës. Ligjet e mbijetesës në luftë janë të ashpra dhe të pamëshirshme. Shpifjet serbo-ruse të hartuara nga Dick Marty janë çnjerëzore, janë edhe më denigruse se ato të Vlladan Gjorgjeviqit. Ky monstrum flet se gjoja udhëheqësit e UÇK-së kishin bërë tregëti me organet e njerëzve të vdekur. Ky tigër zviceran lëshon lot krokodili kundër rracës arbërore. Sipas Dick Marty-t populli shqiptar është popull barbar, është komb që gjoja bën tregëti me organet e njerëzve të vdekur. Para se të bënte deklarata të tilla pse nuk u këshillua me intelektualët evropianë për të kaluarën e shqiptarëve. Pse nuk lexoi bisedën e Ismail Kadaresë me intelektualin e madh evropian Alain Bosquet në lidhje me Kodin Shqiptar të Mortit. Vallë Dick Marty nuk paska dëgjuar se populli shqiptar është populli i Shën Jeronimit, i Skenderbeut dhe i Nënës Terezë. Edhe sikur një shqiptar i çmendur të ketë bërë një veprim të tillë, kjo çmenduri nuk është fenomen shqiptar. Këtu në Shtetet e Bashkuara dëgjojmë për ditë çmenduri individuale përtej imagjinatës njerëzore, por ato në mënyrë absolute nuk janë fenomene amerikane. Udhëheqësit e UÇK-së ishin pasardhës të familjeve më të mira të Kosovës. Një pjesë e madhe e tyre dhanë jetën në frontin e luftës. Numri i atyre që u vranë në fushëbeteja për lirinë e Kosovës është i madh dhe është turp e mëkat para Zotit të përdhoset emri i tyre. Një nga revistat më prestigjioze të Amerikës siç është “Newsweek” botoi gjatë Luftës shkrime të shkëlqyeshme për UÇK-në.
Këto ditë po flitet për themelimin e Tribunalit të Kosovës. Asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk ështe themeluar gjykatë ndërkombëtare për ushtritë çlirimtare. Ky është një rast i veçantë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u pranua si e tillë nga Aleanca e NATO-s. UÇK-ja i plotësonte të gjitha kushtet e bashkëpunimit me Aleancën e vendeve më demokratike të botës. Udhëheqësit e UÇK-së kishin lidhje të përditshme me komandatët e NATO-s dhe me zyrtarët më të lartë të diplomacisë amerikane dhe evropiane. UÇK-ja nuk e tradhëtoi NATO-n në asnjë moment. Pranoi të gjitha kushtet e kësaj Aleance. Pranoi Marrëveshjen e Kumanovës, pranoi çarmatimin e UÇK-së dhe shumë e shumë të tjera. UÇK-ja dhe populli i Kosovës nuk ka bërë asnjë gabim dhe që sot të themelohet ky gjyq qesharak është turp për të gjithë ato vende që e ndihmuan Kosovën në luftë për liri. Për lirinë e Kosovës u vranë mijëra luftëtarë të UÇK-së, por nuk u vra asnjë ushtar i NATO-s. Në fund të fundit populli shqiptar në ish Jugosllavi, kryesisht Kosova e shpëtoi NATO-n nga një çarje e madhe që mund të ndodhte në atë kohë rreth shpërthimit të një lufte në krejt Ballkanin. Këtë e tha Presidenti Bill Clinton gjatë fjalimit një natë para se të fillonin bombardimet e NATO-s kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Tragjedia e Kosovës përforcoi Aleancën e NATO-s, e cila sot gjëndet përpara kërcnimeve të mëdha nga Rusia e Putinit.
Gjykatat serioze themelohen atje ku është bërë krimi e jo në qytete të huaja. Gjykata e Nurenbergut u themelua në Gjermani sepse atje ishte bërë krimi. Për krimet e Luftës në Kosovë, Gjykata e Hagës nuk ishte e mjaftueshme ishte tepër e vogël. E kam parë me sytë e mi këtë Gjykatë në kohën kur Fatmir Limaj ishte në burgun e Hagës. Bëhet pyetja pse pas Luftës nuk u themelua Gjykata në Kosovë, ashtu siç ishte themeluar ajo e Nurenbergut? Kjo mund të bëhej me ndihmën e ndërkombëtareve, ashtu siç ishte bërë edhe lufta. Për mijëra serbë kriminelë të Luftës në Kosovë, Gjykata e Hagës ishte larg dhe kushtonte shumë për financat jo edhe aq të mira të Kombeve të Bashkuara. Disa deputetë të Parlamentit të Kosovës e vunë në dukje këtë problem, bile ishin dakord që edhe shqiptarët e akuzuar për krime lufte kundër serbëve mund të dënohen në Gjykatën e Kosovës. Pra ata bënë thirrje që kjo Gjykatë të themelohet në Kosovë. Ekspertët thonë se Gjykata Speciale Kosovës do të kushtojë 500 milionë dollarë. Bëhet pyetja kush do t’i paguajë këto shpenzime? Natyrisht që këto do t’i paguajë Kosova, që do të thotë populli shqiptar nga taksat ose nga pasuritë e veta natyrore. Ky popull i varfër do të paguajë për lodrat politike dhe juridike të disa evropianëve dhe amerikanëve zhvatës dhe të pashpirt. Për ndërkombëtarët kjo do të ishte një investim i madh dhe kjo ndihmon pasurimin e tyre. Drejtësia sot është njëra ndër industritë më të mëdha dhe më të korruptuara në botë. Ata do të luajnë harushën me Kosovën për një kohë të gjatë. Në këtë Tribunal, ka për t’u dënuar qëngji sepse ia paska turbulluar ujkut ujin. Në Kosovë gjatë Luftës janë përdhunar seksualisht 20.000 gra e vajza. Në disa shtete amerikane përdhunimet e tilla dënohen me vdekje, atëherë pse të mos dënohet asnjë përdhunim në Kosovë. Vetëm për dy vjetët e Luftës janë vrarë 13.000 shqiptarë, pse të mos dënohen vrasësit e tyre? Dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur dhe nga ato plagë vuajnë sot e kësaj dite. 1.600 e sa të tjerëve nuk u dihet as varri, pse nuk përgjigjet Sërbia ose Drejtësia Ndërkombetare për humbjen e tyre. Edhe rrënimi e kallja e 125 mijë shtëpive shqiptare në Kosovë duhet të dënohet. Gjatë Luftës në Kosovë një milion shqiptarë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre. Pse nuk flet Drejtësia europiane dhe amerikane për këto çështje. Në vend që të kërcënojnë Serbinë për ato krime, ndërkombëtarët po kërcënojnë Kosovën. Kështu kishin vepruar sovjetikët pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe ata i kërcënonin popujt e Europës Lindore duke thënë: ”ja te osllobodill ja te je…all”. Ndërkombëtarët po i thonë Kosovës: ”Hyp se të vrava, zdryp se të vrava”. Në qoftë se themelohet kjo Gjykatë ka për të dënuar çlirimtarët e gjallë e të vdekur. Ponc Pilatët e asaj Gjykate, do t’i lajnë duart, përpara se ta kryqëzojnë Kosovën.
Opozita në Parlament ishte të premten e kaluar shumë serioze. Qëndresa bile disa herë emocionale e disa grave deputete do të mbahet mend. Deputetët burra dhe gra, disa edhe të pozitës e mbrojtën atë ditë nderin dhe dinjitetin e poppullit shqiptar. U habita për mbështetjen e disa deputetëve për këtë Tribunal, është fjala për disa trima e trimëresha të Luftës. Pse nuk u dëgjua atë ditë zëri i Flora Brovinës? Ku ishin deputetët e luftës nga Partia Demokratike? George Washingtoni ka thënë: “Është më vështirë me qënë hero në paqe se në luftë”. Në qoftë se themelohet Gjykata Speciale e Kosovës do të jetë gjykata më qesharake në botë. Kosova duhet të thirret në nenin 5 të Kushtetutës amerikane.
P.S. Dje në Emisionin Televiziv “Ditari”, të Zërit të Amerikës u transmetua një kronikë e gjatë për vizitën e kongresmenit Elliot Engel në Kosovë. Ai bënte thirrje për themelimin Gjykatës Speciale të Kosovës, bile së bashku me disa zyrtarë amerikanë deklaruan se kjo Gjykatë do të heqë retë e zeza mbi Kosovën. Të gjithë e dimë se Kosova për më shumë se një shekull ka kaluar shumë mjegulla e re të zeza, por kurrë nuk është thënë një fjali kaq e kombshme. Retë e zeza, faqet e zeza dhe veprat e zeza janë të Sërbisë dhe jo të Kosovës. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare disa vjet më parë i kishte thënë një gazetari të njohur serb gjatë një interviste në Paris: “Si mund të arsyetohet Serbia për vrasjen e 800 fëmijëve shqiptarë në Kosovë gjatë luftës”. Zoti Engel ju jeni me origjinë hebreje, si do të ishit ndjerë sikur në Germaninë e pas Luftës së Dytë të ishte themeluar nga ndërkombetarët një Tribunal kundër hebrejve gjermanë. Zotëri i nderuar, politika si profesion nuk shkon mirë me të vertetën. Shqiptarët i nderojnë te huajt, bile për këtë poeti ynë Gjergj Fishta na ka lënë një porosi:
“Të huajëve bukën para tua shtroni
Si në Shqipni ci e ken zakoni
Me fjalë mos i poshtnoni
Por me u besua mos u besoni”.
Në këtë kohë mjerimi moral e material Kosova ka më shumë nevojë për mbështje të sinqertë se për paralajmërimet e kërcënimeve ruse. Kërcënimet ruse nuk janë diçka e re, sidomos në këtë kohë. Putini po kërcënon këto ditë jo vetëm Kosovën por edhe botën perëndimore e në veçanti Aleancën e NATO-s. Shqiptarët janë mësuar me kërcënimet sërbo-ruse ashtu siç janë mësuar edhe izraelitetët me kërcënimet arabe. Themelimi i atij Tribunali nga Parlamenti i Kosovës do të ishte turp e tradhëti kombëtare.
Kosovë mos u korit! Ke kaluar sfida edhe më të mëdha se këtë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura