ING. AGIM BREGU: GJEOLOGJIA MUND TA ZHDUK VARFËRINË EKONOMIKE NË SHQIPËRI. TA SHPËTOJMË NAFTËN NGA KTHETRAT E GRABITQARËVE!

Tiranë, 25. 03. 2016: / Thekse të veçanta / – Pse tek ne nafta dhe gazi nuk bëhen pasuri shtetrore? Sepse, po të bëhen pasuri shtetrore, nafta dhe gazi nuk mund të grabiten nëpërmjet korrupsionit, dhe kjo nuk u intereson aspak pushtetarëve tanë grabitqarë, dhe as të huajve. Kjo është arsyeja e vërtetë, kurse të tjerat janë mashtrime…/ Çfarë ndodhi me gjeologjinë shqiptare, pas vitit 1990? U mbyllën, grabitën dhe shkatërruan të gjitha Ndërmarrjet Gjeologjike nëpër rrethe. U zhduk një numër i madh sondash shpimi. U mbyllën dhe u shkatërruan institutet shkencore dhe laboratoret shkencore. Punonjësit shkencorë, dhe shumë punëtorë, u hodhen në rrugë të madhe. Minierat dhe fushat e naftës u dhanë me konçesione skllavëruese tek kompanitë e huaja. Kështu u realizua bashkëpunimi i pushtetarve vendas me të huajtë, për të grabitur bashkërisht, nëpërmjet korrupsionit, pasuritë kombëtare… / Pse nuk janë dënuar deri tani këto veprime kriminale dhe këta hajdutër qeveritarë? Sepse qeveria e sotme, po t’i dënojë këto veprime të qeveritarëve të mëparshëm, nuk duhet të grabisë vet pasurinë e popullit, por ajo grabitjen e ka qëllim kryesor, prandaj nuk i dënon as grabitjet e bëra nga kompanitë spekulante dhe as hajdutët e qeverisë së mëparëshme…/ Nafta dhe gazi nuk janë pronë e asnjë qeverie. Ato janë pronë vetëm e popullit shqiptar, dhe prandaj duhet të jenë pasuri shtetërore, pasuri kombëtare, në shërbim të mirëqënies së të gjithë popullit, sikurse i përdor Norvegjia…./ Pikërisht gjeologjisë, që mund ta zhduk varfërinë ekonomike të popullit tonë, qeveritë e njëpasnjëshme antipopullore të Shqipërisë, të djathta dhe të majta, nuk i japin asnjë financim. A ka gjynah më të madh? …/ Të shpëtojmë naftën nga kthetrat e grabitqarëve…!!
***
Në botë ka popuj të varfër dhe popuj të pasur ekonomikisht. Kjo nuk varet vetëm nga pasuritë sipërfaqësore të tokës së tyre. Katari, për shembull, është shkretëtirë në sipërfaqe, por nën tokë ka shumë naftë dhe gaz, dhe prandaj populli i tij është i pasur. Popuj të tjerë kanë organizimin shtetror të përsosur, prandaj janë të pasur. Këtu përfshihet edhe Zvicra, e cila pothuajse nuk ka pasuri nëntoksore, dhe është terren malor, por ka organizimin shtetror të përsosur, prandaj populli zviceran është i pasur. Pra, ka shumë faktorë, të cilët bëjnë që një popull të jetë i varfër ose i pasur ekonomikisht. Një ndër këta faktorë, që mund ta bëjë popullin të pasur ekonomikisht, është edhe gjeologjia. Ajo është shkenca, që merret me studimin e tokës dhe të mineraleve, naftës, ujit etj. Në botë, pothuajse asnjë shkencë tjetër nuk mund ta bëjë atë, që mund ta bëjë gjeologjia, domethënë ta zhduk varfërinë ekonomike të një populli dhe ta bëjë atë të pasur. Pikërisht këtë shkencë tek ne, pas vitit 1990, qeveritë e njëpasnjëshme e kanë goditur për vdekje, dhe kjo goditje nuk është bërë rastësisht. Nuk kam aspak mall për regjimin e kaluar diktatorial komunist, por le të marrim disa të mira të asaj kohe, dhe të flakim poshtë të këqiat e shumta, që kishte ai regjim.
Gjatë regjimit komunist në Shqipëri “lulëzonin” studimet gjeologjike. Gjeologjia kishte rëndësi të madhe për ekonominë, për industrializimin e vëndit, për hapjen e fronteve të reja dhe të përherëshme të punës etj. Kishte shumë Ndërmarrje Gjeologjike në qytete të ndryshme të vëndit, dhe institute shkencore, laboratore shkencorë etj. Çdo grup gjeologjik, për punime në terren, kishte në organikë:
2 inxhinjerë gjeologë,
2 teknikë gjeologë,
1 shofer,
1 kuzhinjer,
1 ekonomat,
1 makinë tip xhip për terren malor, çadra, krevate, enë kuzhine, dieta, punëtorë….
Në këto kushte të domosdoshme, aspak luksoze, grupet kryenin normalisht detyrat e tyre. Nga organizimi i mirë i punëve të gjeologjisë u zbuluan shumë fusha nafte dhe gazi dhe u hapën shumë miniera. Shumë njerëz u sistemuan në punë të përherëshme. Buxheti i shtetit pati të ardhura të mëdha. Këto suksese u arritën nëpërmjet studimeve gjeologjike.
Le të shohim më tej: Çfarë rezultatesh kanë sjellë studimet gjeologjike në botë?
Po japim disa shëmbuj:
– Vëndet e Gjirit Persik (Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe etj.) u bënë të pasura vetëm nga nafta dhe gazi, por këto i zbuloi gjeologjia.
– Rusia, fill pas vitit 1990, ishte e varfër ekonomikisht, por ajo u lidh me Europën dhe i shet asaj gaz dhe naftë. Nga këto shitje ajo ka të ardhura të mëdha financiare, por këtë gaz dhe naftë e zbuloi gjeologjia. Pra, me zbulimet e gjeologjisë e mori veten ekonomikisht Rusia.
– Norvegjia zbuloi shumë naftë dhe gaz në Detin e Veriut, por këto zbulime i bëri gjeologjia. Ajo eksporton shumë gaz dhe naftë. Norvegjezët sot janë populli me mirëqënien më të lartë në botë. Vëndet e lartëpërmendura naftën e kanë pasuri shtetrore.
Ministri ynë i energjitikës ishte për vizitë zyrtare në Norvegji. Pyeti ai atje, si e administron Norvegjia naftën dhe gazin? Ajo i ka pasuri shtetrore, në sherbim të mirëqënies së të gjithë popullit, por pushtetarve tanë, dhe të huajve, nuk u intereson aspak që nafta dhe gazi i Shqipërisë të jenë pasuri shtetrore. Qeveritarët tanë, për justifikim, thonë se tek ne nafta dhe gazi nuk mund të jenë pasuri shtetrore, sepse gjoja vendburimet e pazbuluara deri tani ndodhen shumë thellë nën tokë, dhe se për këtë arsye duhen shpime të thella dhe shpenzime të mëdha, por shteti ynë gjoja nuk i ka këto mundësi. Në fakt, kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse tek ne ka struktura të pazbuluara naftëgazmbajtëse, të cilat ndodhen në thellësi të vogla, në thellësi mesatare dhe në thellësi të mëdha. Këtë e dinë mirë qeveritë shqiptare.
Kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe të gazit, fillimisht në strukturat e cekta, me shpenzime relativisht të vogla, shteti ynë, sado i varfër ekonomikisht, mund ta përballoj pa vështirësi të mëdha. Me të ardhurat ekzistuese, dhe ato që do të përfitohen nga zbulimet e reja të naftës, po qe nevoja edhe me kredi bankare, apo pare hua nga populli, mund të rindërtohet sektori shtetror i naftës shqiptare, i cili do të rriste punësimin dhe mirëqënien e të gjithë popullit.
Atëhere, pse tek ne nafta dhe gazi nuk bëhen pasuri shtetrore?
Sepse, po të bëhen pasuri shtetrore, nafta dhe gazi nuk mund të grabiten nëpërmjet korrupsionit, dhe kjo nuk u intereson aspak pushtetarëve tanë grabitqarë, dhe as të huajve. Kjo është arsyeja e vërtetë, kurse të tjerat janë mashtrime. Shtetet e ndryshme të botës lidhin marrëveshje konçesionare me kompanitë e huaja të naftës, por me përfitime reciproke, kurse qeveritë tona primitive (qeveri hajdutësh) lidhin marrëveshje krejtësisht në dëm të popullit tonë. Këtë e tregojnë marrëveshjet e deritanishme konçesionare. Kompania Bankers Petroleum deklaron se ka investuar shumë, por nuk ka fatura për këto investime. Ajo gjoja del pa fitim gjatë 12 vjetve, prandaj nuk na jep gjysmën e prodhimit, sikurse e ka me ligj e gjithë bota.
Pse qeveria shqiptare nuk e prish marrëveshjen dhe nuk e hedh në gjyq, kur kompania është fajtore?
Nuk do, sepse është edhe vet pjesëmarrëse në grabitje. Kompania Bankers Petroleum, dhe ajo Stream Oil, jo vetëm e grabisin haptas naftën tonë, por të papërpunuar e nxjerrin atë jashtë Shqipërisë, kurse uzina jonë e përpunimit të naftës në Ballsh, që duhet ta përpunonte këtë naftë, u “privatizua” (u shit, grabit) dhe rri pothuajse gjatë gjithë vitit pa punë. Punëtorët e kësaj uzine rrinë pa punë dhe bëjnë sehir! Kaq hapur këtë sabotim të madh mund ta bënte vetëm Milosheviçi. Berisha, që e bëri këtë sabotim, është shumë fajtor, por edhe Rama, që nuk e zhbën këtë sabotim, nuk është pa faj.
Çfarë ndodhi me gjeologjinë shqiptare, pas vitit 1990?
U mbyllën, grabitën dhe shkatërruan të gjitha Ndërmarrjet Gjeologjike nëpër rrethe. U zhduk një numër i madh sondash shpimi. U mbyllën dhe u shkatërruan institutet shkencore dhe laboratoret shkencore. Punonjësit shkencorë, dhe shumë punëtorë, u hodhen në rrugë të madhe. Minierat dhe fushat e naftës u dhanë me konçesione skllavëruese tek kompanitë e huaja. Kështu u realizua bashkëpunimi i pushtetarve vendas me të huajtë, për të grabitur bashkërisht, nëpërmjet korrupsionit, pasuritë kombëtare. Edhe në këto raste, punonjësit tekniko-shkencorë dhe shumë punëtorë dhe minatorë u flakën në rrugë të madhe. Kështu u rrit në kulm papunësia dhe varfëria e popullit tonë. Shqiptarët po braktisin vendin. Ata po ikin nëpër botë, po ikin nga sytë këmbët, sepse kërkojnë punë, kërkojnë jetë. Kjo nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.
Ja çfarë deklaroi kryeministri Rama, para gazetarve, më 4 janar 2015: “Më shpejt duhet të ecnim edhe me eksplorimin dinjitoz nga kompani serioze ndërkombëtare, jo me fantazma spekulantësh, siç ka ndodhur në të shkuarën, që kanë marrë fushat e naftës dhe i kanë shfrytëzuar shumë më zi sesa pushtuesit….., këta spekulantë grabitqarë dhe të pangopur, që kanë marrë licencën e pushtetit të kaluar dhe kanë ndarë me pushtetin e kaluar llokmat e një pasurie kombëtare…”. Kryeministri ka deklaruar sikur kjo grabitje ka ndodhur në të kaluarën, por në të vërtet kjo grabitje e madhe ka vazhduar dhe vazhdon edhe gjatë qeverisjes së tij mbi dy vjeçare. Bëhet fjalë për grabitjen e mbi 1 milion tonë naftë në vit! Ai këtë grabitje të madhe, gjatë qeverisjes së tij, e di shumë mirë, por nuk e thotë. Pra, ai mbron grabitqarët. Qeveritarët tanë të djeshëm, hajdutër të mëdhenj dhe të faktuar, që i dhanë këto licenca antishqiptare, janë të paprekur nga qeveria “Rama”.
Pse nuk janë dënuar deri tani këto veprime kriminale dhe këta hajdutër qeveritarë?
Sepse qeveria e sotme, po t’i dënojë këto veprime të qeveritarëve të mëparshëm, nuk duhet të grabisë vet pasurinë e popullit, por ajo grabitjen e ka qëllim kryesor, prandaj nuk i dënon as grabitjet e bëra nga kompanitë spekulante dhe as hajdutët e qeverisë së mëparëshme.
Qeveritarët tanë të sotëm, gjatë fushatës zgjedhore, premtuan hapjen e shumë vendeve të reja të punës. Tani, për të realizuar sado pak këtë premtim, po u luten me servilizëm të huajve, që të vijnë dhe të ngrenë në Shqipëri industrinë fasone. Kjo industri hap fronte pune skllavëruese dhe të përkohëshme, domethënë punë rraskapitëse me paga qesharake. Këto punë skllavëruese dhe të përkohëshme na ofrojnë qeveritarët tanë, në vënd të punëve dinjitoze dhe të përherëshme, që na siguronte dikur gjeologjia dhe industria jonë. Tani shteti nuk ka pothuajse asnjë prodhim. Prodhimet e kompanive të huaja grabitqare në Shqipëri, për qëllime propagandistike, reklamohen si prodhime shqiptare. Në fakt, ato nuk janë prodhimet tona, por të kompanive të huaja. Ekonomistat tanë “i bien fyellit vetëm në një vrimë”. Ata, në përputhje me qeveritarët tanë, merren vetëm me taksat e ndryshme dhe tatimet: Taksa e vlerës së shtuar (TVSH), taksat doganore, tatimet, qiratë, pakot fiskale etj. Ata nuk merren me probleme prodhimi. Ata nuk tregojnë rrugët për zhvillimin e ekonomisë, por rrinë dhe bëjnë sehir! Ekonomista janë këta? Pa prodhime, por vetëm me anë të taksave dhe tatimeve do të zhvillohet ky vënd? Kjo është një çmenduri. Qeveria merr hua nga bankat e huaja, por nuk mendon, si do të shlyhen këto borxhe nesër? Vëndi po zhytet thellë e më thellë në borxhe. Dikur ishte gjeologjia ajo, që siguroi të ardhura të mëdha për ekonominë tonë, dhe hapi masivisht fronte të reja dhe të përherëshme pune, në naftë, në miniera etj.
***
Në konferencën e nivelit të lartë në Tiranë, për naftën, gazin dhe energjinë (17-18 mars 2015) nga qeveria u deklarua para kompanive të huaja të naftës vendimi për dhënien e gjithë Shqipërisë me konçesione për kërkime, më pas edhe shfrytëzime, të naftës dhe të gazit. Po aty u deklarua privatizimi (shitja) e Albpetrolit, domethënë shitja 100% e fushave ekzistuese të naftës dhe të gazit. Qëllimi i organizimit të kësaj konference ishte thirrja të huajve, për bashkëpunim me qeverinë shqiptare, për grabitjen e naftës. Këto gabime fatale, të kësaj qeverie të përkohëshme dhe antishqiptare, do të kenë pasoja tepër të hidhura dhe të përherëshme, sepse këto privatizime dhe konçesione do t’i paguaj shumë shtrenjtë jo vetëm brezi ynë, por edhe brezat e ardhshëm. Le të provojë qeveria e sotme të anulojë marrëveshjet konçesionare skllavëruese, ekzistuese në naftë! Askush nuk guxon, sepse gjobat nga arbitrazhi janë shumë të larta. Shqipëria do të jepet me konçesione, pa bërë më parë transparencën e plotë mbi marrëveshjet konçesionare ekzistuese, nga të cilat ne dalim me humbje kolosale!

Shqipëria “nxjerr” në treg zonat e naftës – Top Channel Albania
Shqipëria me 13 blloqe për kërkim nafte!

Mos harroni! Sapo nënshkruhen marrëveshjet konçesionare, mbi gjysmën e rezervave të pasurive nëntoksore të Shqipërisë e marrin të huajtë. Meqënëse aktualisht shteti gjoja nuk paska mundësi të investojë për kërkime nafte dhe gazi, më mirë këto pasuri të ruhen nën tokë, për brezat e ardhshëm, sesa t’u falen tani të huajve. Por kjo nuk u intereson aspak qeveritarve tanë, të cilët pikërisht sot duan të grabisin gjithçka. Pa dyshim, vendimi i qeverisë për shitjen e Albpetrolit, dhe dhënien e të gjithë Shqipërisë me konçesione, do të miratohet nga parlamenti, sepse deputetët e korruptuar të parlamentit shqiptar nuk përfaqësojnë popullin. Ata janë deputetë të listave partiake. Ata janë përfaqësues të kryetarëve (pronarëve) të partive. Ky miratim do të përbëjë një akt tradhëtie të lartë ndaj popullit dhe atdheut. Përgjegjësinë, për këtë vendim antishqiptar, do ta mbajë qeveria dhe parlamenti. Vetëm dhoma e senatit, në përbërje të parlamentit, mund t’i hidhte poshtë këto vendime antikombëtare, sepse senatorët do të zgjidheshin direkt nga populli (jo me lista partiake) dhe do t’i shërbenin popullit. Përbërja e parlamentit nga dy dhoma është një detyrë e domosdoshme, që duhet zgjidhur sa më parë. Po shiten dhe grabiten jo vetëm pasuritë mbitoksore, por edhe të gjitha rezervat nëntoksore, që u përkasin edhe brezave të ardhshëm, dhe ky ëshë një krim i shëmtuar dhe i pandreqshëm.
Ndërkohë, qeveria e Rilindjes flet për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Ky është një mashtrim i paskrupullt. Jo vetëm brezit të sotëm, por edhe brezave të ardhshëm po u hiqet perspektiva. Nga të gjitha marrëveshjet konçesionare korruptuese, Shqipëria do të mbledhë vetëm thërrimet, që do të na hedhin të huajtë (taksat dhe rentat, siç po ndodh deri sot). Nafta dhe gazi nuk janë pronë e asnjë qeverie. Ato janë pronë vetëm e popullit shqiptar, dhe prandaj duhet të jenë pasuri shtetërore, pasuri kombëtare, në shërbim të mirëqënies së të gjithë popullit, sikurse i përdor Norvegjia. Sot gjeologjinë në Shqipëri shteti e ka mbyllur plotësisht. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka në organikë gjithsej 133 punonjës. Këta, dhe Instituti i Gjeoshkencave, ekzistojnë vetëm formalisht, sepse gjatë 25 vjetve të fundit gjeologët e këtyre institucioneve rrinë nëpër zyra, pa punime terreni. Ata nuk kanë asnjë konditë për punime gjeologjike, as makina, as dieta, çadra, laboratore, asgjë. Pa këto kushte minimale nuk mund të bëhen studime gjeologjike. Pra, shteti qellimisht i detyron gjeologët tanë që të mosë punojnë. Ata paguhen nga shteti që të rrinë pa punë, dhe këtë e dinë shumë mirë të gjitha qeveritë e njëpasnjëshme, të djathta dhe të majta.
Po përse i mbajnë qeveritë këto institucione?
Ato i mbajnë formalisht, sa për t’u dukur, që t’i tregojnë popullit shqiptar dhe botës se gjoja edhe Shqipëria ka shërbim gjeologjik, se gjoja gjeologjinë shteti nuk e ka mbyllur, sepse ai nuk bënë krime të tilla! Këto institucione shërbejnë edhe për sistemimin e përkohshëm të kuadrove gjeologë të lidhur me politikën, gjatë ndërrimit të pushtetit nga njëra parti tek tjetra. Qeveria nuk jep asnjë financim për studime gjeologjike. Pas vitit 1990, të gjitha qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare, studimin gjeologjik të Shqipërisë ua kanë lënë të huajve, atyre që gjatë 25 vjetve të fundit nuk kanë zbuluar pothuajse asnjë vendburim të ri nafte apo minerali. Prandaj, tani nuk është më i nevojshëm as Fakulteti Gjeologji-Miniera.
Pa dyshim, qeveria mendon kështu:
– “Ç’na duhen gjeologët shqiptarë, kur gjeologjinë e Shqipërisë do e studjojnë të huajtë?”
Pikërisht tek ky mendim e ka burimin edhe vendimi i qeverisë, për transferimin e këtij fakulteti në një godinë tjetër. Ky transferim është vetëm fillimi i shkatërrimit të plotë të këtij fakulteti.
Shtrohet pyetja:
– Kujt do t’i jepet godina e bukur dhe e lakmuar e Fakultetit Gjeologji-Miniera?
Qeveria ka vendosur t’i jepet Gjykatës së Lartë, e cila, me punët e saj të pista, që ka bërë dhe po bënë, meriton vetëm lokalin e një nevojtore. Studentët dhe pedagogët e Fakultetit Gjeologji-Miniera bënë një demonstratë para godinës së qeverisë. Ata kërkuan vetëm të mos u merrej godina, por nuk kërkuan mbrojtjen e gjeologjisë shqiptare, mbrojtjen e naftës nga grabitja, prishjen e marrëveshjeve skllavëruese në naftë, kundër nxjerrjes së gjithë Shqipërisë në ankand etj. Po ta bënin këtë, qeveria do t’i thërriste mëndjes, dhe fakulteti do të shpëtonte. Pikërisht gjeologjisë, që mund ta zhduk varfërinë ekonomike të popullit tonë, qeveritë e njëpasnjëshme antipopullore të Shqipërisë, të djathta dhe të majta, nuk i japin asnjë financim.
A ka gjynah më të madh?
Thonë se shteti nuk ka mundësi financiare, por fonde ka boll për partitë e stërshumta politike, që janë krejt pa vlerë, dhe që merren vetëm me lodra llafesh. Fonde ka boll për pagat e larta të deputetve të korruptuar dhe të qeveritarëve, por jo për gjeologjinë. Gjeologjinë qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare e urrejnë, sepse ajo i shërben mirëqënies së popullit. Ajo forcon ekonominë kombëtare, forcon pavarësinë ekonomike të vëndit. Prandaj, gjeologjia në Shqipëri nuk duhet mbyllur. Ajo kërkon nga qeveritë e njëpasnjëshme vëmendje të veçantë, me mundësitë që kemi. Ajo duhet të jetë një nga prioritetet e çdo qeverie.
***
Fatkeqësisht, tek ne çdo gjë po “privatizohet” (domethënë po shitet, grabitet, plaçkitet), ose po jepet me konçesione korruptuese afatgjata, kurse shtetet evropiane i kanë të dy format e pronësisë, edhe pronën shtetrore, edhe pronën private. Pa dyshim, këto privatizime dhe konçesione do ta çojnë Shqipërinë drejt greminës. Ato pasurojnë vetëm pushtetarët, nëpërmjet korrupsionit, kurse popullin e varfërojnë tej mase. Ato rrisin në kulm papunësinë, nëpërmjet zbatimit të “reformës”. Këto pasoja tepër negative, të privatizimit dhe të konçesioneve në naftë dhe në miniera, i kemi parë vet me sytë tanë. Prandaj, privatizimet në naftë, si edhe konçesionet, që janë një formë tjetër e privatizimit, tek ne duhen ndërprerë sa më parë. Nuk ka marrëveshje konçesionare të rregullta në një shtet si Shqipëria, ku nuk sundon ligji. Nuk na duhen investimet e huaja, që na sjellin vetëm grabitje dhe varfëri. Të prishen marrëveshjet konçesionare skllavëruese ekzistuese. Nafta jo vetëm e mban vet veten, por jep edhe fitime të mëdha. Pushtetarët tanë, të djeshëm dhe të sotëm, janë të faktuar si antishqiptarë.
Pas vitit 2004, në të gjithë botën privatizimet janë pakësuar shumë, sepse janë vërtetuar shumë anë negative të privatizimit, sikurse u përmendën më sipër, kurse qeveritë tona të njëpasnjëshme po bëjnë të kundërtën. Ato po privatizojnë (grabisin) gjithçka. Ka mbetur vetëm ajri pa u privatizuar. Tek ne, të gjitha qeveritë e pas vitit 1990, të djathta dhe të majta, që janë të njëllojta (janë banda hajdutësh), mendojnë vetëm dhe vetëm si të grabisin pasuritë nëntoksore, të zbuluara dje, por jo për zbulime të reja. Do të “privatizohet” (shitet, grabitet) kompania e vetme shtetërore e naftës, Albpetrol, kurse shtetet e botës kompanitë e naftës i kanë shtetërore. Norvegjia naftën e ka pasuri shtetërore. Me anë të naftës ajo ka rritur shumë mirëqënien e popullit. Kompania shtetrore Albpetrol, me ato pak fusha nafte të degraduara, që i ka lënë qeveria në dispozicion, gjatë vitit 2014 e ka rritur prodhimin e naftës rreth 40%, ka shlyer borxhet (të shkaktuara nga grabitja e qeverisë së mëparëshme) dhe i ka dhënë arkës së shtetit mbi 30 milionë dollarë. Me gjithë këto të mira, kryeministri Rama kompanin Albpetrol e konsideron “gangrenë”, dhe premton se do ta zgjidhë shpejt këtë gangrenë, me një operacion radikal (nënkuptohet, me anë të “privatizimit”, domethënë shitjes dhe grabitjes në bashkëpunim me të huajtë!). Pra, do të shitet dhe grabitet nga qeveritarët tanë nafta dhe gazi, në bashkëpunim me të huajtë, kurse populli, dhe veçanërisht naftëtarët tanë, rrinë dhe bëjnë sehir! Ata sillen si të vdekur për së gjalli. Populli ynë vuan nga varfëria, por ai këtë vuajtje e ka hallall, sepse edhe ndaj veprimeve kriminale të qeverisë, ai rri dhe bënë sehir! Populli le të veprojë në rrugë paqësore, me demonstrata antiqeveritare dhe protesta të fuqishme, po të jetë nevoja edhe me forcë, kundër “privatizimit” të Albpetrolit, kundër konçesioneve skllavëruese në naftë. Nuk ka marrëveshje të rregullta me qeveri hajdutësh! Kjo duhet bërë sa nuk është vonë. Populli le të bllokojë grykën e naftësjellësit në Vlorë. Të shpëtojmë naftën nga kthetrat e grabitqarëve. Asnjë pikë nafte të mos dalë jashtë Shqipërisë. Ajo naftë është e popullit shqiptar dhe duhet t’i shërbejë vetëm mirëqënies së tij. Mos harroni! Po u nënshkruan marrëveshjet, ato pastaj nuk mund të anulohen.
Pas vitit 1990, domethënë gjatë viteve të pseudodemokracisë, kështu e kanë katandisur gjeologjinë e Shqipërisë qeveritë antishqiptare, të djathta dhe të majta. Shtrohet pyetja:
– Sikur gjatë këtyre 25 vjetve të fundit, të kishte qënë Milosheviçi në krye të Shqipërisë, do t’i kishte bërë ai të gjitha këto shkatërrime? Jo, kurrë, as Hitleri nuk do t’i bënte. Kush e mban përgjegjësinë për të gjitha këto shkatërrime, dhe kur?

ING.AHMET ÇOLLAKU: MINISTRI GJIKNURI NUK I NJEH PROBLEMET QË LIDHEN ME NAFTËN SHQIPTARE!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5165

============================================
/ Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b /

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura