JORDAN DACI: DEKRIMINALIZIMI SI IDEOLOGJI

Tiranë, 4. 6. 2016: Dekriminalizimi i të zgjedhurve dhe i administratës publike në tërësi, është një nga ndryshimet më domethënëse të ndodhura në këto 25 vite tranzicion, që duket sikur nuk do të ketë fund asnjëherë për vendin tonë. Pa dyshim që, dekriminalizimi (termi u fut në gjuhë me një kuptim të gabuar etimologjik) ose me saktë pastrimi nga njerëzit me të shkuar kriminale i strukturave të shtetit shqiptar, erdhi si nevojë e diktuar nga një politikë, nga më të mbrapshtat që ka njohur bota moderne, që lidershipi ynë zbatoi në vendin tonë. Në dallim nga vendet e tjera ish-komuniste, në Shqipëri tranzicioni demokratik ishte i butë dhe kjo i lejojë ish-nomenklaturës komuniste që të mos shkatërrohej, por të ritransformohej dhe të ishte pjesë thelbësore e vendimmarrjeve, që pasuan. Kjo, në fakt, bëri që ish-nomenklatura komuniste, tashmë, me ngjyrë dhe fytyrë të re, të rehabilitohej dhe së bashkë me klasën e re komuniste të lindur si pasuese e denjë e ish oligarkëve të ishin faktorë vendimtar dhe, de fakto, të qeverisnin vendin.
Pikërisht, këtu qëndron edhe problemi kryesor i tranzicionit të pafund shqiptar. Shqipëria nuk u çlirua asnjëherë nga elita kriminale komuniste dhe as nga ideologjia e pështirë që ai sistem mbolli në vendin tonë. Në këto vite tranzicioni, klasa politike ka arritur të ruaj dominimin absolut, midis të tjerash, nëpërmjet largimit masiv të intelektualëve, përdorimit të ligjit dhe pushtetit shtetëror në tërësi si mjete të kontrollit shoqëror në funksion të qeverisjes së tyre etj. Pa dyshim që, ky sistem pluralist, i cili bazohej në shumicën e rasteve mbi antivlera dhe interesa tërësisht personale të oligarkisë së re qeverisëse, solli si fenomen edhe mbushjen e strukturave shtetërore me njerëz që mbartnin në kurrizin e tyre vepra penale të bujshme, monstruoze, mafioze dhe deri edhe perverse. Këto njerëz do të ishin jo vetëm të fortit e klasës politike me të cilët ato do të shantazhonin në 25 vite çdo shqiptar që u zinte rrugën, por ishin edhe mbështetësit kryesor financiar për të ngritur perandoritë e tyre politike e financiare. Kësisoj, këto njerëz, tashmë, nëpërmjet pushtetit të parasë, pushtetit të të paprekshmit që ruhej nga politika etj., u bënë pjesë aktive e politikës dhe e shndërruan këtë të fundit në një aktivitet fitimprurës dhe mjet mbrojtje për aktivitetet e tyre mafioze. Tashmë, në Shqipëri politika nuk kishte vend për intelektualin dhe as për meritokracinë, por u “privatizua” tërësisht nga kjo klasë shoqërore, e cila u bë njësh me institucionet shtetërore. Pra, kriminalizimi i shtetit shqiptar u kthye në një ideologji të klasës politike, e cila, rast pas rasti dhe,sidomos, kohëve të fundit ishte tërësisht e paaftë të kontrollonte me futjen e këtyre njerëzve në politikë, sikurse kishte bërë me sukses për shumë vite. Tashmë, në këtë kohë mund të thuhet që klasa politike dhe të inkriminuarit u bënë një dhe nuk kishte, thuajse, asnjë dallim midis tyre. Në këto kushte, pastrimi i shtetit shqiptar dhe i politikës shqiptare nga kjo kategori njerëzit u kthye në një domosdoshmëri kombëtare për ruajtjen e demokracisë në këtë vend. Kjo kauzë kombëtare, në fakt, u servir për shqiptarët nga vendi mik më i madh e i vërtetë i shqiptarëve dhe aleati ynë kryesor në luftën për liri dhe demokraci, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një meritë dhe fat i madh që të gjithë ambasadorët, si ai paraardhës Aleksandër Arvizu etj., si dhe vetë ambasadori aktual Donald Lu, janë angazhuar për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri dhe janë kthyer në simbole të përpjekjeve të shqiptarëve të ndershëm për ta bërë Shqipërinë si Amerika, sikurse ishte edhe slogani që përmbysi sistemin komunist.

Në të njëjtën kohë, duhet përshëndetur dhe mund të thuhet lehtësisht që opozita aktuale ka një meritë të pazëvendësueshme, që e ktheu këtë pastrim në kauzën e saj politike dhe që,padyshim,çoi edhe në miratimin e ligjit, i cili,tashmë,ka dhënë rezultatet e para. Sigurisht, ky ligj, shumë i debatuar dhe shpesh herë i kritikuar, jo vetëm që ishte i domosdoshëm, por ishte shansi i fundit që në këtë vend të kishte shpresë për ndërtimin e një sistemi politik në shërbim të njerëzve.
Megjithatë,ky ligj është një mjet, por nuk është zgjidhja përfundimtare e problemit që ka demokracia jonë, pasi vendi ynë, përtej këtij ligji, duhet ta shndërrojë këtë synim në një ideologji mbi të cilën duhet të ndërtohen të gjithë sistemet qeverisëse të vendit. Kjo ideologji duhet të jetë pjesë thelbësore e programeve të çdo partie politike, të cilat duhet të jo vetëm të pastrohen nga elementët e inkriminuar, por do duhet edhe të mbajnë përgjegjësi për mbajtjen e tyre në të ardhmen dhe për futjen e të rinjve të tjerë në gjirin e tyre. Partitë politike dhe lidershipi i tyre, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për situatën aktuale, tashmë, edhe si një detyrim ligjor, kanë përgjegjësinë partiake dhe individuale që në listat e ardhshme zgjedhore këto elementë të mos gjejnë më vend. Nga ana tjetër, ky detyrim nuk mbaron këtu, pasi ky lidership duhet të pastrojë administratën, e cila është aktualisht e tejmbushur nga këto njerëz dhe duhet t’i mbylli derën çdo njeriu të kësaj kategorie etj. Ndërkohë, pastrimi nga njerëzit e inkriminuar duhet të shtrihet në gjithë shoqërinë tonë dhe jo vetëm në administratën publike. Kjo nënkupton edhe strukturat e tjera shoqërore, si profesionet e lira të rregulluara dhe çdo strukturë tjetër të rëndësishme shoqërore. Kjo nënkupton edhe pastrimin e anëtarësisë së partive politike dhe nevojën për hapjen e garës së vërtet në sistemin zgjedhor, i cili sot është një sistem i mbyllur ndaj vlerave konkurruese, që vijnë nga apo jashtë partive politike.
Ideologjia e re, tashmë, duhet nga njëra anë të largojë të inkriminuarit, por nga ana tjetër duhet të sigurojë kurimin e vazhdueshëm të shoqërisë tonë nëpërmjet rivendosjes dhe rifuqizimit të meritokracisë.
Pa meritokraci ne nuk do të jemi asnjëherë në gjendje të ndërtojmë një demokraci funksionale as kurrsesi s’do mund ta bëjmë kurrë Shqipërinë si Amerika.
Zoti i ndihmoftë shqiptarët në këtë përpjekje shekullore për të ndërtuar një shtet në shërbim të tyre dhe jo në shërbim të vetvetes dhe Malavitës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura