GJOKË DABAJ: PSE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË NUK KA NJË UDHËHEQËS SI ALBIN KURTI?!

Durrës, 1 Nëntor 2019: Është për të ardhur keq, por e vërteta është kjo: sot në Republikën e Shqipërisë nuk ka një lëvizje kombëtare si ajo e Vetëvendosjes në Republikën e Kosovës.
Pse Republika e Kosovës mundi të krijojë një lëvizje të tillë dhe të nxjerrë një prijës të atillë si Albin Kurti e pse Republika e Shqipërisë nuk e ka dhe nuk mund ta ketë sot për sot një subjekt kaq të rëndësishëm kombëtar?
Duhet thënë që në fillim dhe pa kurrfarë ekuivoku, se as në këtë pjesë të Shqipërisë, që zyrtarisht quhet Republika e Shqipërisë, nuk mungojnë atdhetarët. Edhe këtu, si kudo ndër shqiptarë, ka plot njerëz që e duan Atdheun dhe që janë gati të japin çdo gjë për mbarëvajtjen e Kombit tonë dhe Atdheut tonë. Kjo nuk mund të vihet kurrsesi në dyshim. Por janë rrethanat të atilla, rrethana vendimtare, të cilat këtu nuk i kanë favoruzuar lëvizjet mirëfilli kombëtare.
Në tokat e pushtuara prej Jugosllavisë ka pasur prej kohësh lëvizje atdhetare, përpjekje për t’u çliruar prej sundimit të sllavëvet. Në të gjitha familjet ishte e pranishme vetëdija që shqiptarët e atyre viseve, filluar prej Manastirit e deri në Ulqin, nuk e kishin shtetin e vet. Ishte e pranishme vetëdija dhe bëhej ndeshje e madhe midis atyre që nuk e pranonin një të tillë gjendje dhe atyre që i nënshtroheshin asaj gjendjeje për një varg arsyesh: interes personal, frikë, pamjaftueshmeri mendore, morale, arsimore etj. Ajo ndeshje ish aq e fuqishme, sa askush nuk mund të rrinte jashtë saj.

Po marr vetëm një pjesë të kësaj lëvizjeje. Që nga vitet 1944-1945 e këndej, pjesa që aktivisht nuk e pranoi qëndrimin nën Jugosllavi, u persekutua me të gjithë llojet e format, me të cilat persekutohet një komb i robëruar. Megjithkëtë, lëvizja lirikërkuese nuk reshti asnjëherë. Përkundrazi, ajo u trashëgua nga gjenerata në gjeneratë dhe erdhi gjithnjë duke u forcuar. E gjithë kjo sigurisht duhet të trajtohet dhe do të trajtohet në historiografi thellësisht edhe gjërësisht.
Por për ne, në këtë shkrim të sotmin, kjo që thashë është e mjaftueshme sa për t’iu përgjigjur pyetjes: Nga doli Albin Kurti? Madje është më e saktë të pyesim: Nga dolën Albin Kurtët? Sepse atje Albini nuk është vetëm. Albin Kurtët, pra, dolën nga shpirti i pashueshëm, nga shpirti i paasgjësueshëm i Kombit tonë, i cili, jo në dekada, por në shekuj ka kërkuar të vendosë vetë për fatin e vet, qoftë edhe me sakrificat shpeshherë të papërfytyrueshme. Mund ta pyesim vetë Albinin: A ka pasur ndonjë ditë apo ndonjë natë në familjen tënde, që të mos jetë folur për problemet e Kombit Shqiptar?
Ndërkaq, në Republikën e Shqipërisë nuk ndodhi ashtu si në ato pjesë të Shqipërisë që historia i kish lënë jashtë kufijvet. Nuk ndodhi, sepse këtu, nga vitet 1980 e këndej, në vend të progresit u shënua regresi. Dhe dihet që, në rrethana regresi, me gjithë përpjekjet, të cilat janë përherë të pranishme në çdo popull, nuk ka si dalin në sipërfaqe lëvizje progresiste gjithpërfshirëse. Ato pritet të dalin në sipërfaqe mbasi regresi ta ketë kryer ciklin e vet të mbrapshtë.
Për ta përforcuar këtë që thashë, po sjell këtu vetëm disa nga mbrapshtitë e kësaj kohe, krejt të dukshme, por që shumëkush ende vazhdon t’i quajë rregullsi e jo mbrapshti.
Në Republikën e Shqipërisë nuk pati lëvizje, për shembull,për të shpëtuar nga shkatërrimi industrinë e këtij vendi, mundin 40-vjeçar të këtij populli. Dhjetëra objekte industrialë iu nënshtruan rrënimit, nën pretekstin se ishin “vepra të komunizmit” dhe nuk u bë asnjë përpjekje racionale, atdhedashëse, për t’ia përshtatur këta objekte industrialë kapitalizmit dhe për të vazhduar zhvillimin e industrisë në rrethana të reja kapitaliste.
Në Republikën e Shqipërisë nuk pati asnjë lëvizje racionale, atdhedashëse, për të gjetur mënyra si të kalonte bujqësia nga rendi socialist në rendin kapitalist, pa u rrënuar. Përkundrazi, u kërkuan dhe u zbatuan forma për ta asgjësuar atë bujqësi, në mënyrë që të hynin këtu prodhime të huaj pa kurrfarë konkurence, deri edhe gjenetikisht të modifikuar dhe të helmuar në gjithfarë formash.
Në Republikën e Shqipërisë u goditën sistemi arsimor dhe mjekësia, u vunë në rrugën e korruptimit të papërmbajtshëm administrate dhe sistemi gjyqësor, dhe, në mungesë të jë lëvizjeje patriotike, erdhi puna deri aty sa tani duhet të ndërhyjnë të huajt për të na rregulluar.
U quajt “komuniste” ekonomia shqiptare, përafërsisht sikur ekonomia franceze të quhej ekonomi katolike e jo ekonomi franceze. Në vazhdim, Republika e Shqipërisë, meqë nuk mund të quhej më një vend “komunist”, u quajt vend “mysliman”, njëlloj sikur Spanja të quhej një vend katolik, duke harruar që spanjollët janë në radhë të parë spanjollë e pastaj mund të jenë katolikë apo diç tjetër, ateistë e kështu me radhë.
Në Republikën e Shqipërisë u kërkua me të madhe që t’u kthehen pronat të gjithë ish-pronarëvet, pa bërë kurrfarë sqarimi se si ishin fituar ato prona. Kështu, ish-feudalët, të cilët ishin bërë pronarë tokash, duke u shërbyer pushtuesvet osmanë dhe për të cilët vetë Ahmet Zogu pat nxjerrë ligje shpronësimi, nëpërmjet të quajturës reformë agrare, u trajtuan njësoj si ata ish-pronarë që pronat e tyre i patën fituar me mund e me djersë. Jo vetëm kaq, por pushteti i dështuar i Ramiz Alisë sajoi edhe njëfarë “ligji” për ndarjen e tokavet “simbas frymëvet”. Kulmi i injorancës! Sikur toka të ishte thes me fasule apo thes me miell! Ndodhi kështu dhe nuk pati asnjë lëvizje të organizuar për të kundërshtuar “ligje” kaq të pamend.
Me “ligje të posaçëm” u përcaktua që ish-të burgosurit e kohës së komunizmit të quheshin “të burgosur politikë” dhe të dëmshpërbleheshin. Diversantët që ishin hedhur këtu nga ish-Jugosllavia dhe nga Greqia, u quajtën patriot dhe u barazuan , për nga patriotizmi, me ish-të burgosurit shqiptarë në mish-Jugosllavi. Me këtë rast, popullit, i cili asnjëherë nuk kish qenë as komunist, as jokomunist, iu vu barra të jepte para pa fund për ata bashkështetas që dikush tjetër i kish çuar në burg. As këtu nuk pati dhe nuk mund të kishte kurrfarë lëvizjeje kundërshtuese. Askush nuk tha: Po ne, që punuam me rroga fare të ulëta, një jetë të tërë, në industri, në bujqësi, në mjekësi, në arsim, në administratë e që në vitet 1990 na i shkatërroi dikush që të gjitha, kush do të na dëmshpërblejë?!
Në Republikën e Shqipërisë, në vitet 1990 e këndej, ndodhi eksodi i madh, një largim nga Atdheu me nxitje thjesht ekonomike dhe aspak patriotike. Them aspak patriotike, sepse, kur je i pakënaqur nga qeveria e vendit tënd, ti do të duhej të qëndroje aty e jo të ikje, duke e lënë vendin në mëshirën e shpërdoruesvet. Për më tepër, në këta vite të rëndë nuk doli askush që t’u thotë shqiptarëvet: Rrini, more, këtu! Regullojeni, more, vendin tuaj, mos e lini të shkatërrohet! S’kish si thuheshin të këtilla fjalë, sepse ish regresi ai që e sundonte këtë pjesë të Atdheut tonë.
Epidemia e regresit kombndrydhës u pasqyrua si një ekzemë lëkure edhe në mediat e shumta që u krijuan në Tiranë e gjithandej nëpë Republikën e Shqipërisë. Se sa kombëtarë janë eksponentët e sotëm mediatikë në Republikën e Shqipërisë, mund të kuptohet fare lehtë nga përqindja që zënë në gazetat e Tiranës artikujt me temë kombëtare. Sa për qind e shkrimevet në gazetat e Tiranës flasin për Republikën e Kosovës, për pjesët e Shqipërisë që i ka Greqia, për pjesët e Shqipërisë që i kanë Sërbia, Mali i Zi apo Maqedonia Veriore. Sa për qind e shtypit të Tiranës zënë problemet e shqiptarëvet të mërguar në Turqi, në Evropën Perendimore dhe në SHBA? A është shtypi i Tiranës një shtyp lokal apo një shtyp kombëtar? U përpoq Dritan Hoxha të bëjë diçka, por iu mbyll jeta para kohe.
Krijimi i klasës kapitaliste në Republikën e Shqipërisë, ose më mirë të themi, rikrijimi i shtresës së të pasurvet, nuk u mbështet në ndonjë program përparimtar, me synimin që Atdheun ta bëjmë më të begatë e më të pëlqyeshëm për të jetuar këtu. Përkundrazi, klasa e të pasurvet ukrijua këtu me anë të grabitjevet. Çdo gjë që u gjet nëpër magazina, u rrëmbye. Çdo gjë që mund të përdorej për t’u pasuruar, u përvetësua. Edhe pushteti u përdor jo për t’u pasuruar Atdheu, por për t’u pasuruar ai që kish në dorë pushtetin, që nga krerët e qeverisë deri te nëpunësi më i vockël.
Atëherë, si mund të dilte prej të gjithë kësaj që u tha deri këtu, një shtresë e organizuar atdhedashësish?
Nuk shkoi askush në burg me akuzën se u përpoq të shpëtonte industrinë e vendit të vet nga rrënimi. Nuk shkoi askush në burg me akuzën se u përpoq të shpëtonte bujqësinë nga degradimi. Nuk shkoi askush në burg me akuzën se u përpoq të shpëtonte një shkollë a një bibliotekë. Nuk shkoi në burg, sepse askush në këta vite të vështirë, nuk u përpoq ta shpëtonte Atdheun tonë nga shkatërrimi tërësor. Dolën disa komunistë që e kundërshtuan rrënimin, por ata nuk mund ta udhëhiqnin popullin në rrugën e kthimit në kapitalizëm. Do të ish absurde. Në këto rrethana, shqiptarët e Republikës së Shqipërisë ikën prej Atdheut të vet, sikur ky Atdhe të ish vetë kolera. Tragjedi më shpirtsfilitëse nuk mund të ketë!
Rrjedhimish, në këto rrethana, këtu në Republikën e Shqipërisë kurrsesi nuk mund të krijohej një shtresë prijësish atdhetarë, si ajo që u krijua në Republikën e Kosovës dhe që nxori në krye një Albin Kurt apo edhe një Vjosë Osmani.
Një shtresë prijësish si ajo rreth Albin Kurtit dhe rreth Vjosë Osmanit, në Republikën e Shqipërisë, në rrethanat e 40 vitevet të fundit, vërtet nuk ka mundur të krijohet, por në të ardhshmen, duke u ndërgjegjësuar, tashmë krejt Kombi Shqiptar e jo pjesë-pjesë, do të lindin, do të rriten e do ta udhëheqin këtë vend vajza e djem pikërisht të atillë siç janë sot Albin Kurti dhe Vjosë Osmani.
Përfundimisht, unë kam besim të plotë, jo vetëm te Albini, por edhe te Vjosa, vajzë të cilën nuk e njoh nga afër si Albinin, por që e kuptoj të paktën nga dy shenja: nga sytë e saj që i ka aq të sinqertë dhe nga emri i saj, aq i bukur dhe aq kuptimplotë. E kuptoj që edhe ajo, krahas Albinit, do të jetë një shtyllë e fortë për t’i çuar përpara, jo vetëm Republikën e Kosovës, por krejt Shqipërinë.
Gjokë Dabaj, Durrës 30 tetor 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura