ING.AGIM BREGU: KUR BOTA PO E SHTETËZON NAFTËN, SHQIPËRIA PO E PRIVATIZON ATË!

 Tiranë, 5. 11. 2016: Udhëheqësit e shteteve të ndryshme të botës e shtetëzojnë industrinë e naftës për të rritur në maksimum të ardhurat e shtetit…, kurse udhëheqësit shqiptarë e privatizojnë, ose e japin me konçesione korruptuese industrinë e naftës, për të rritur në maksimum të ardhurat e xhepit të tyre, dhe jo të shtetit/Qëllimi i shtetëzimit është që të merren më shumë të ardhura nga nafta për qeveritë e vendeve prodhuese. Ky proces përfaqëson një pikë të rëndësishme kthese në zhvillimin e politikave të naftës / Kompania shtetërore e naftës shqiptare, Albpetrol, do të “privatizohet”, domethënë se fushat e naftës të Albpetrolit do të shiten dhe grabiten, në bashkëpunim me të huajtë. Ky “privatizim” është vendim i qeverisë “Rama”/ Bota e ka shtetëzuar dhe po e shtetëzon naftën, kurse Shqipëria bënë të kundërtën, po e “privatizon”. Pas vitit 1990, kompanitë e huaja të naftës, dhe ato të minierave, në bashkëpunim me qeveritarët tanë, po e grabisin Shqipërinë më shumë se ish kolonitë e Afrikës/ Investitorët e huaj tashmë e kanë humbur plotësisht besimin e popullit tonë, se ata do ta zhvillojnë naftën në interesin tonë kombëtar. Nacionalizimi është proçesi i transformimit të pasurisë private në pasuri publike (shtetërore)…./ Që nga viti 2012, 73 deri 95% të rezervave botrore të naftës janë të kontrolluara nga kompanitë shtetërore të naftës. Pa dyshim, edhe nafta shqiptare do të shtetëzohet, por këtë shtetëzim do ta paguajmë shumë shtrenjtë, nëpërmjet gjobave. Jo vetëm nafta, por edhe pasuritë e tjera strategjike, si për shembull rezervat e plumb-zinkut dhe ato të qymyreve në Kosovë, duhet të jenë vetëm pasuri shtetërore (publike), në shërbim të mirëqënies së të gjithë popullit.

***
Për shtetëzimin ose nacionalizimin e naftës ka shumë publikime në internet. Intelektualët shqiptarë nuk botojnë të dhëna nga bota, mbi privatizimet, konçesionet dhe nacionalizimet (shtetëzimet) e naftës dhe të mineraleve. Ky është një indiferentizëm i theksuar nga ana e tyre, dhe kjo ndodh pikërisht në kohën kur qeveritë tona të korruptuara po luajnë rrezikshëm me pasuritë kombëtare dhe me fatet e kombit tonë. Janë shumë të rëndësishme librat, që shkruan Kadare, Qose etj., por kur popullit i hiqet buka e gojës, ai nuk ka më nevojë për librat e tyre. Privatizimi i gjithçkaje, dhe dhënia e gjithë Shqipërisë me konçesione korruptuese të huajve, pa dyshim do ta çojnë Shqipërinë drejt falimentimit. Intelektualët tanë bëjnë sehir këtë politikë thellësisht antishqiptare! Për këtë përgjegjësi kanë edhe miqtë tanë, SHBA dhe BE. Ata nuk e këshillojnë qeverinë shqiptare, që të jetë e kujdesëshme. Përkundrazi, ish’ambasadori Arvizu thotë: “Mos harroni kompanitë amerikane!”. Sot shteti shqiptar mbahet vetëm me taksa, tatime, dogana dhe hua nga bankat e huaja. Ai nuk ka asnjë të ardhur tjetër, nuk ka prodhim dhe eksport. Në këto kushte, qeveria kërkon shpëtim tek legalizimi i kanabisit, legalizimi i prostitucionit, sjellja e plehrave nga jashtë për “riciklim”dhe të tjera prapsira si këto.
Në këtë shkrim po japim disa të dhëna mbi shtetëzimin e naftës në botë.
Këto të dhëna tregojnë qartë ecurinë e kontratave të ndryshme të naftës në botë. Kuptohet qartë, me shembuj konkretë, pse janë bërë shtetëzimet e naftës, sidomos gjatë viteve 1970. Pa dyshim, ky fat e pret edhe naftën shqiptare. E kishim naftën tonë, por qeveritarët tanë, pa pikë mëshire për popullin, ua dhanë të huajve, nëpërmjet marrëveshjeve konçesionare korruptuese. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve ishte arritja e bashkëpunimit të qeveritarve tanë me të huajtë, për të grabitur sëbashku naftën shqiptare. Pa dyshim, do ta bëjmë prap naftën tonë pasuri kombëtare, shtetërore, por këtë do ta paguajmë shumë shtrenjtë, nëpërmjet gjobave, për shkak të prishjes së njëanëshme të këtyre kontratave antishqiptare. Do ta paguajmë shumë shtrenjtë kthimin prap të naftës tonë në pasuri shtetërore, të cilën qeveria ua fali dje të huajve! Për këtë fajin e kemi vet, sepse kur qeveria bënë këto marrëveshje skllavëruese prapa shpine, pa kurrfarë transparence, populli rri dhe bënë sehir! Ai nuk kërkon transparencë të plotë për marrëveshjet konçesionare të naftës dhe të minierave, nuk kërkon mbrojtjen e tyre nga grabitja. Udhëheqësit e shteteve të ndryshme të botës e shtetëzojnë industrinë e naftës për të rritur në maksimum të ardhurat e shtetit, duke zvogëluar sa më shumë kostot, kurse udhëheqësit shqiptarë e privatizojnë ose e japin me konçesione korruptuese industrinë e naftës për të rritur në maksimum të ardhurat e xhepit të tyre, dhe jo të shtetit. Bota e ka shtetëzuar dhe po e shtetëzon naftën, kurse Shqipëria bënë të kundërtën, po e “privatizon”. Pas vitit 1990, kompanitë e huaja të naftës dhe të minierave, në bashkëpunim me qeveritarët tanë, po e grabisin Shqipërinë më shumë se ish kolonitë e Afrikës. Jo vetëm nafta, por edhe pasuritë e tjera strategjike, si për shembull rezervat e plumb-zinkut dhe të qymyreve në Kosovë, duhet të jenë vetëm pasuri shtetërore (publike), në sherbim të mirëqënies së të gjithë popullit.
DISA TË DHËNA MBI SHTETËZIMIN E NAFTËS NË BOTË
Burimi: Teksti i mëposhtëm është marrë kryesisht nga studimi me titull: Nationalization of oil supplies, që ndodhet në enciklopedinë amerikane, Wikipedia.
“Nacionalizimi është proçesi i transformimit të pasurisë private në pasuri publike, duke i sjellë ato në pasuri publike të qeverisë kombëtare apo shtetit. Nacionalizimi i naftës realizohet nëpërmjet procesit të konfiskimit të operacioneve të prodhimit të naftës dhe të pronës private”.
Qellimi i nacionalizimit (shtetëzimit) ëshë që të merren më shumë të ardhura nga nafta për qeveritë e vendeve prodhuese të naftës. Ky proces përfaqëson një pikë të rëndësishme kthese në zhvillimin e politikave të naftës. Nacionalizimi eliminon operacionet private të biznesit, me të cilat kompanitë ndërkombëtare private kontrollojnë burimet e naftës brenda vendeve prodhuese të naftës. Nacionalizimi i naftës i lejon vendet prodhuese të sajë për të fituar kontrollin e pronës private. Burimet e naftës konfiskohen në kundërshtim me ligjin e kontratës. Pas nacionalizimit, vendet bëhen pronare të vetme të këtyre burimeve, dhe vendosin si të maksimalizojnë vlerën neto të rezervave të njohura të naftës. Sipas firmës konsulente PFC Energy, vetëm 7% e rezervave botrore të naftës dhe të gazit ndodhen në vendet, që u lejojnë hapsirë të lirë kompanive private ndërkombëtare. Plotësisht 65% të rezervave botrore të naftës dhe të gazit janë në duart e kompanive në pronësi të shtetit. Pjesa tjetër e rezervave ndodhet në vendet e tilla si Rusia dhe Venezuela, ku hyrja e kompanive perëndimore është e vështirë. Nacionalizimi është kthimi mbrapsht i të drejtave të furnizimeve të naftës të privatizuara më parë në disa vende. Ai është një proçes gradual. Para se të zbulohej nafta, disa vende të Lindjes së Afërme (Arabia Saudite, Iraku, Kuvaiti) ishin të varfëra dhe të pazhvilluara. Ato ishin mbretëri shkretëtirash, që kishin pak burime natyrore dhe ishin pa burime financiare të mjaftueshme për të mbajtur shtetin. Kur u zbulua për herë të parë nafta në Persi (Iran) më 1908, këto shtete nuk kishin njohuri të mjaftueshme mbi industrinë e naftës, që ta përdornin naftën e zbuluar. Këto vende nuk ishin të afta për ta shfrytëzuar dhe tregtuar naftën. Kompanitë e mëdha të naftës e panë këtë si një rast për fitim, dhe ato negocuan (biseduan) marrëveshje konçesionare me vendet në zhvillim. Kompanive iu dhanë të drejta të veçanta (ekskluzive) për të kërkuar dhe zhvilluar prodhimin e naftës brenda vendit. Marrëveshjet konçesionare, bërë ndërmjet vendit naftë-prodhues dhe kompanisë së naftës, specifikuan një zonë të kufizuar për përdorim të kompanisë, një kohëzgjatje të kufizuar, dhe kërkuan që kompania të merrte përsipër riskun (rrezikun) financiar dhe tregtar, dhe të paguanin taksat e sipërfaqes, taksat e prodhimit dhe të drejtat e licenses (renta ose taksa minerare).
Pra, nafta e botës ishte kryesisht në duart e korporatave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Europës. Kontratat, e vendosura ndërmjet kompanive të naftës dhe kombeve me rezerva nafte, u dhanë kompanive të naftës një pozicion të favorshëm ndaj ligjit. Pra, mosmarrëveshjet mbi detajet e kontratës do të zgjidheshin nga një palë e tretë, në vend që ta bënte këtë vendi naftëmbajtës. Prandaj, mënyra e vetme për vendet pritëse (naftëmbajtëse), për të ndryshuar kontratat e tyre, ishte nëpërmjet shtetëzimit. Edhe pse vendet e pazhvilluara fillimisht i përshëndetën marrëveshjet konçesionare, disa nacionalistë filluan të argumentojnë se kompanitë e naftës janë duke i shfrytëzuar ato. Vendet naftë-prodhuese kuptuan se ato mund të kontrollojnë çmimin e naftës duke kufizuar eksportin. Vendet u bashkuan në OPEC dhe gradualisht qeveritë morën kontrollin e furnizimeve (eksporteve) të naftës. Nacionalizimi i naftës vazhdoi me sukses në botë. Industria e burimeve natyrore lëvizi të bëhej e nacionalizuar (shtetëzuar), për të mbrojtur veten nga kërkesa në shkallë botrore.
Më parë, deri në vitin 1970, ishin 10 vende, që nacionalizuan (shtetëzuan) prodhimin e naftës: Bashkimi Sovjetik në vitin 1918, Bolivia më 1937 dhe 1939, Meksika më 1938, Irani më 1951, Iraku më 1961, Birmania dhe Egjypti më 1962, Argjentina më 1963, Indonezia më 1963 dhe Peruja më 1968. Qeveria e Brazilit e nacionalizoi industrinë e naftës më 1953, duke krijuar kompaninë shtetërore të naftës, Petrobras.
Arsyet për nacionalizimin (shtetëzimin) e naftës janë të shumta. Këtu përfshihet në rradhë të parë çështjet që vijojnë:
1. SHFRYTËZIMI I VENDEVE NAFTËPRODHUESE NGA KOMPANITË E HUAJA TË NAFTËS
Mbështetësit e nacionalizimit (shtetëzimit) mbrojtën pikëpamjen se kontratat origjinale, mbajtur ndërmjet një vendi prodhues nafte dhe një kompanie nafte, ishin të padrejta ndaj vendit prodhues. Kontratat, të cilat nuk mund të ndryshoheshin ose të përfundonin përpara fundit të datës së vërtet, mbulonin një sipërfaqe të madhe toke, dhe për një kohë të gjatë. Vendet prodhuese të naftës filluan të kuptonin se kompanitë e naftës ishin duke i shfrytëzuar ato. Shumë herë këto vende bile nuk paguheshin nga kompanitë, ose paguheshin vetëm formalisht. Vendi i parë, që veproi, ishte Venezuela, e cila kishte shumë marrëveshje konçesionare të favorshme. Në vitin 1943 Venezuela rriti rentën (qiranë) e përgjithëshme minerare dhe pagesën e taksës nga kompanitë për 50% të fitimit të tyre të përgjithshëm. Megjithatë, ndarja vërtet e barabartë e fitimit nuk u realizua, deri në vitin 1948. Meqënëse kompanitë e naftës ishin të afta të ulnin taksën nga taksa e tyre mbi të ardhurat, fitimet e kompanive të naftës nuk ndryshuan shumë dhe, si rezultat, kompanitë e naftës nuk patën ndonjë problem me ndryshimin e imponuar nga Venezuela. Edhe me rritjen e çmimeve të naftës, kompanitë akoma mbajtën një pozicion mbizotrues mbi Venezuelën.
2. NDRYSHIMI I ÇMIMEVE TË NAFTËS
Çmimi i postuar (i njoftuar) i naftës ishte fillimisht faktor përcaktues i taksave, që kompanitë e naftës kishin për të paguar. Ky koncept ishte i dobishëm për kompanitë e naftës, sepse kompanitë ishin ato, që kontrollonin çmimet e postuara (njoftuara). Kompanitë mund ta rritnin çmimin aktual të naftës pa ndryshuar çmimin e postuar, domethënë duke shmangur një rritje në taksat e paguara tek vendi prodhues i naftës. Vendet prodhuese të naftës nuk e kuptonin se kompanitë ishin duke rregulluar çmimet e naftës, deri sa kostoja e naftës ra në fund të viteve 1950, dhe kompanitë filluan duke reduktuar shumë shpesh çmimet e postuara. Arsyeja kryesore për uljen e çmimit të naftës ka qenë ndryshimi i situatës energjetike në botë, pas vitit 1957, që çoi në konkurencën ndërmjet burimeve të energjisë. Vendet prodhuese u acaruan, kur kompanitë do të reduktonin çmimet pa paralajmërim. Rritjet e çmimeve të naftës, nga ana tjetër, rritën fuqinë negociuese (të pazarllëkut) të vendeve prodhuese të naftës. Si rezultat, disa thonë se vendet kanë më shumë gjasa për të shtetëzuar furnizimet e tyre të naftës, gjatë kohëve të çmimeve të larta të naftës. Megjithatë, shtetëzimi mund të vijë me kosto të ndryshme, dhe kjo shpesh është në pyetje, pse një qeveri do t’i përgjigjet rritjes së çmimit të naftës me shtetëzim më mirë se duke vendosur taksa më të larta. Teoria e kontratës ofron arsyetim kundër shtetëzimit.
3. NRYSHIMI STRUKTUROR I VENDEVE PRODHUESE TË NAFTËS
Rritja e nacionalizimit (shtetëzimit), dhe shfaqja e vetëdijes së përbashkët në grup në mesin e vendeve në zhvillim, shoqëruan fundin e ish marrëdhënieve koloniale në vitet 1950 dhe 1960. Vetëdija e grupeve të ndara, ndërmjet vendeve eksportuese të naftës, u shpreh nëpërmjet formimit të OPEC, kontaktit të rritur dhe komunikimit ndërmjet vendeve dhe përpjekjen e veprimit të përbashkët ndërmjet vendeve, gjatë viteve 1960.
Struktura e industrisë, e cila çoi në rritjen e mentalitetit nacionalist, u ndikua nga ndryshimet e rëndësishme të mëposhtme:
a. Kontrolli strategjik
Fillimisht vendet prodhuese të naftës ishin të varfra, dhe kishin nevojën e kompanive të naftës për t’i ndihmuar ato të prodhonin naftë dhe të administronin rezervat e naftës, që gjendeshin brenda vendit. Megjithatë, kur vendet filluan të zhvilloheshin, kërkesat e tyre për të ardhurat u rritën. Industria u integrua në një ekonomi lokale, që kërkoi kontroll strategjik nga ana e vendit prodhues, mbi çmimin dhe shkallën e prodhimit. Gradualisht, investitorët e huaj humbën besimin e vendeve prodhuese të naftës për të zhvilluar burimet në interesin kombëtar. Vendet prodhuese të naftës kërkuan pjesëmarrje në kontrollin e naftës brenda vendit të tyre.
b. Rritja e aftësive
Për më tepër, risitë teknologjike dhe ekspertiza administruese u rritën në mënyrë dramatike pas Luftës së Dytë Botrore, të cilat rritën fuqinë negociuese (të pazarllëkut) të vendeve prodhuese. Rritja e fuqisë negociuese lejoi kompanitë për të ndryshuar mënyrën e tyre të operimit.
c. Zgjerimi i industrisë së naftës
Gjatë periudhës midis dy luftrave, dhe gjatë viteve 1950, nafta ndërkombëtare ishte një oligopol shumë i ngushtë, i dominuar nga 7 kompanitë e mëdha ndërkombëtare të naftës. Megjithatë, ndërmjet 1953 dhe 1972, më shumë se 300 firma private dhe 50 firma shtetërore hynë në industri, të tërhequra nga shpërthimi në konsumin e naftës. Kompanitë e reja dhe të pavarura prishën ekuilibrin ndërmjet kompanive të mëdha dhe vendeve prodhuese. Vendet u bënë të vetdijëshme për mundësitë e tyre, kur këto kompani ofruan kushte më të mira të marrëveshjes.
d. Ndryshimi në furnizim (ofertë) dhe kërkesë
Mangësia e naftës në vitet 1970 e rriti vlerën e naftës nga dekadat e mëparëshme. U rrit fuqia negociuse e vendeve prodhuese me kompanitë e naftës.
e. Shpërhapja e ideve ndërmjet vendeve prodhuese të naftës.
Kur ndryshoi struktura e industrisë së naftës, vendet prodhuese ishin më të prira që të kishin sukses në shtetëzimin e furnizimeve të tyre të naftës. Zhvillimi i OPEC ofroi mjedis në të cilin vendet e prodhimit mund të komunikojnë dhe përhapja ndodh shpejt. Vendi i parë për të shtetëzuar me sukses, pas ndryshimit të strukturës së industrisë, ishte Algjeria, e cila shtetëzoi 51% të kompanive franceze më 1971, dhe më vonë ishte e aftë për të nacionalizuar 100% të kompanive të tyre. Shtetëzimi i naftës algjeriane influencoi Libinë të shtetëzonte British Petroleum në vitin 1971, dhe pjesën tjetër të kompanive të sajë të huaja në vitin 1974. Një efekt vale ndodhi shpejt, duke u përhapur së pari tek prodhuesit më militantë të naftës, si Iraku, dhe pastaj u pasua nga prodhues më konservatorë të naftës, si Arabia Saudite. Duke filluar nga viti 1976, pothuajse çdo prodhues i madh në Lindjen e Mesme, Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine kanë pasuar duke nacionalizuar të paktën disa nga prodhuesit e naftës për të fituar ose një pjesë të pjesëmarrjes, ose për të marrë përsipër gjithë industrinë dhe të punësonin kompanitë ndërkombëtare mbi një bazë kontrate.
PSE UDHËHEQËSIT E SHTETËZOJNË INDUSTRINË E NAFTËS?
POLITIKA E SHPRONËSIMIT TË BURIMEVE

Burimi: Paasha Mahdavi, 5 gusht 2014. Universiteti i Kalifornisë, Los Angeles, SHBA. Titulli origjinal: Why do leaders nationalize the oil industry?
Që nga viti 2012, ndërmjet 73 dhe 95% të rezervave globale të naftës janë të kontrolluara nga kompanitë kombëtare (shtetërore) të naftës. Shumica e këtyre kompanive kombëtare u krijuan nëpërmjet nacionalizimit, në vitet 1970. Udhëheqësit e shtetëzojnë industrinë e naftës për të rritur në maksimum të ardhurat e shtetit, duke zvogëluar sa më shumë kostot. Shtetet kanë më shumë gjasa, për të krijuar kompanitë kombëtare të naftës, në rrethanat e mëposhtme:
1. Në periudhat e çmimeve të larta të naftës, kur rreziqet e shpronësimit janë të përballueshme nga përfitimet financiare.
2. Në sistemet jo-demokratike, ku detyrimet (shtrëngimet) janë të kufizuara.
3. Në “valët”, domethënë pasi vende të tjera kanë shtetëzuar.
4. Në mjedise politike të shënuara nga nacionalizimi (shtetëzimi) i burimeve natyrore.
MARRËVESHJET E KONCESIONIT DHE NACIONALIZIMI
Burimi: Concession Agreements and Nationalization. By Kenneth S. Carlston, Univ. of Illinois College of Law, USA.
“Nacionalizimi është transferimi tek shteti, me akt legjislativ dhe në interes të publikut, i pronës ose të drejtave private të një karakteri të caktuar, me qellim të shfrytëzimit të tyre ose kontrollit nga shteti, ose për drejtimin e tyre në një objektiv të ri nga ana e shtetit. Shtetëzimi mund të thuhet se përfshin masat për transferimin ose kontrollin nga shteti, për ushtrimin e një qëllimi publik, të një kategorie të caktuar të pronës. Marrëveshjet e konçesionit janë jetike për funksionimin e ekonomisë ndërkombëtare, sikurse janë jetike edhe për funksionimin e ekonomisë kombëtare. Ligji ndërkombëtar e ka njohur këtë fakt me rregulla, të cilat harmonizojnë interest e arsyeshme të sovranit kombëtar me ato të shoqërisë ndërkombëtare. Marrëveshjet e konçesionit janë të mbrojtura, të paprekëshme për ushtrimin e njëanshëm të pushtetit të sovranit, duke shkatërruar strukturën e të drejtave publike dhe private. Një marrëveshje konçesionare pasqyron një aspekt të proçesit të investimeve të huaja. Ai është një instrument i koordinimit, përmes të cilit një shtet dhe një investitor i huaj vendosin një sistem plotësues të marrëdhënieve në kryerjen e një sipërmarrje, për një periudhë të caktuar kohe. Ai përfshin lejen nga shteti të privilegjit për konçesionarin, për të hyrë në sistemin e marrëdhënieve ekonomike të përcaktuara nga instrumenti. Megjithatë, karakteri i tij thelbësor është ai i koordinimit, dhe dhënia e privilegjit nga shteti është vetëm një incident i aktivitetit të koordinuar, i parashikuar nga marrëveshja. Ajo më saktë mund të quhet një kontratë ndërkombëtare e zhvillimit ekonomik. Ajo është gjetur karakteristike të jetë një mënyrë për zhvillimin e sherbimeve publike dhe në fushat e tjera ekonomike. Është thënë se një konçesion, domethënë dhënie, lejim, dorëzim, gjithmonë përfshin një sistem pak a shumë të komplikuar të të drejtave dhe detyrave ndërmjet konçesionarit, nga njëra anë, dhe shtetit nga ana tjetër. Kjo marrëdhënie është një nga ligjet e përziera publike dhe private. Fakti i thjeshtë, se një marrëveshje konçesioni ka krijuar një sistem të detyrimeve reciproke, ishte një bazë e mjaftueshme për një gjykatë ndërkombëtare, për të kallzuar përgjegjësinë për një mbarim të njëanshëm nga shteti, jo në ushtrimin e një të drejte kontraktuale të pretenduar. Karakteri reciprok i instrumentit është konsideruar të merret si e paligjëshme ndërprerja e kontratës, në zgjedhjen e njerës palë. Sigurisht, ne kemi të bëjmë këtu me një shpresë themelore të njeriut, domethënë me shpresën se një premtim serioz i tjetrit do të mbahet. Kjo është një shpresë që çdo sistem ligjor duhet ta mbrojë. Mbrojtja e saj është në të vërtetë një parim i përgjithshëm i së drejtës, e njohur botërisht nga shtetet e civilizuara. Çdo shkelje e një parashikimi kontraktual është e paligjëshme. Bëhet e qartë se rrethanat janë kritike, kur një shtet e përfundon kontratën me një të huaj”.
***
ING.AGIM BREGU: NAFTA DHE GAZI NË SHQIPËRI, PRONË SHTETËRORE APO PRONË PRIVATE?!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5228

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura