ING.AHMET ÇOLLAKU: MINISTRI GJIKNURI NUK I NJEH PROBLEMET QË LIDHEN ME NAFTËN SHQIPTARE!

Tiranë, 25. 03. 2016: (“E drejta për të operuar me naftë, përbën dhe do të përbëjë në vitet që do të vijnë ndryshimin midis mbijetesës dhe varfërisë të bashkësive njerëzore. Sepse në shoqëritë industriale që ne jetojmë, nafta është në qënderë të gjithҫkaje.” – Sipas një eksperti të OPEK-ut.) 
Më 5 mars 2015, ministri Damian Gjiknuri dha një intervistë për problemet e naftës. Ai përsëriti çfarë ka thënë deri më sot aty këtu nëpër korridoret e Rilindjes, për tu paraqitur në publik, koherente dhe nepotike. Nuk dihet kush ka qënë nismëtar i kësaj interviste, kush ka ngritur i pari celularin, zoti Gjiknuri apo gazetarja e Vizionit Plus (Ola Xama – sh.b). Gjëja më e lehtë në Shqipëri është ustallëku i gazetarëve patiak, se, së pari mjafton të anëtarsohesh në ndonjë parti, pastaj derën e gazetës e ke të hapur natë ditë. Zoti Gjiknuri çoku është dukur ndonjëherë andej nga Marinza për të mashtruar banorët e zonës me ca sizmografë “përgjues” dhe disa bidona qumështi, por dyshoj që kjo gazetare të ketë parë ndonjë pusë nafte atje në Marinzën e asfiksuar që kërkon bombula oksigjeni.

Kontratat hidrokarbure, Gjiknuri: modeli i ri do rrisë të ardhurat
http://energjia.al/2016/03/05/kontratat-hidrokarbure-gjiknuri-modeli-i-ri-do-rrise-te-ardhurat/

***

Kontratat në sektorin e naftës – News, Lajme – Vizion Plus

***
Intervistat për naftën zakonisht tundin jo ministra por qeveri. Ja çfarë thotë për naftën Karl Solberg, në librin e tij “Fuqia e naftës”: “Që të flasësh për naftën, duhet të kesh hundën e një detektivi, veshët e një gjykatësi, sytë e një llogaritari, stomakun e një statisticieni, dhe një punë titanike”. Sikur kjo intervistë për naftën, të ishte bërë në Amerikë, Shtëpia e Bardhë do të ishte shembur brenda një ore.. Në rastin tonë, ministri ynë vihet në thyesë me një gazetare që nuk e njeh fare naftën. Përse ministri për të tilla intervista apo biseda nuk fton specialistë të mirëfilltë të naftës, specialist të çdo moshe, me mjekër apo pa mjekër, nga Prof. Dr. Ramadan Perhati, Prof. Dr. Fatmir Shehu, gjeologu i persekutuar Kadri Rama, gjeologu i sertë Dhimitër Gjenerali, Prof. Dr. Alfred Frashëri, Prof. Dr. Maksim Shuli, Prof. Dr. Telo Velaj… e deri tek ata opinionistë anonim të shëmtuar që llapin nëpër opinone, a facebooke? Ministri ynë nuk do të dëgjojë zërin e specialistëve të mirëfilltë. Lakmia për tu pasuruar brenda një dite është virusi i të gjithë qeveritarëve shqiptarë, gjoja demokratë-socialistë. Përsëri pyesim, përse minstri nuk thërret në një takim të gjerë specialistët e naftës shqiptare, jo sekserë partiak?
E doni përgjigjen?!
Sepse ai ka frikë të ndodhet përballë me specialistët e naftës. Qeveritarët tanë mendojnë vetëm si ta grabisin naftën tonë, të majmen sa më shumë. Shikoni si i ndrit fytyra ministrave tonë!
Çfarë nuk ndodh në Shqipërinë tonë, them me vehte! Sidomos në naftë. Siç duket, z. Gjiknuri e kishte vënë në plan ministrije të jepte një “intervistë”, dhe ta përcillte si fontanë të Rilindjes në të katër anët e Shqipërisë. Nëse burgjet shqiptare janë mbushur plotë me vjedhës dhish, apo tregëtarë kanabis, për naftën tonë, që vidhet, nëpërmjet stacioneve metropolitan si Albpetrol, AKBN, apo nga qeveritarë, jo me kova, por me cisterna, me miliona tonë nafte, për besë deri më sot nuk është prangosur asnjë. Të gjithë e dinë mirë se nafta i sjell dhe i mban në pushtet këta njerëz të pa skrupulltë, se nafta nuk ka vetëm fuqi motorrike, por edhe fuqi legjislative. Konkretisht, në Shqipëri votimet janë të lidhur me paret e naftës. Dikur kam shkruar një shkrim.
***
Në intervistën e ministrit, duket qartë se ai nuk e njeh naftën dhe problemet që lidhen me ‘të. Nafta shqiptare është pengmarrja më e madhe dhe më e dhimbëshme, pas shëmbjes së sistemit monist. Qeveritarët tanë gjejnë ca frengji dhe gjuajnë. Zakonisht, intervista të tilla profesonale, në vendet perëndimore bëhen nga gazetarë specaialistë të kësaj fushe, që nuk njohin “fletoret zyrtare” të qeverive, por naftën, formulën e saj, fuqinë e saj të tmerrshme, përqindjen e karbonit lidhur me hidrogjenin, përqindjen e squfurit, së bashku me elementet e tjerë, biznesin e nxehtë, që lëviz botën tonë të vogël.
Ne kemi bërë disa intervista me disa specialistë nafte me eksperiencë të gjatë në punë, personalitete të njohur dhe të dhimbshëm. Nuk i kemi bërë ato të dukemi të bukur. Këto intervista zënë volumin e një libri. Në ‘to janë shtjelluar të gjitha problemet, që ministi i radhës i përsërit si papagall për të disatën herë.
E pyesni ministrin:
A ka lexuar ndonjë prej atyre? Në ato intervista profesionale nuk ka kërkesa për anëtarë partie, për deputetë.
Unë nuk e njoh këtë ministër, prandaj, për të njohur shkollimin e tij, klikova në Google dhe gjeta këto të dhëna: Zotnia Damian Gjiknuri është Ministër i Energjisë dhe Industrisë. Ai është i diplomuar në Drejtësi në vitin 1994, në Universitetin e Tiranës, dhe zotëron gradën Master në Politikat Publike dhe Ligj të lëshuar nga “NPS School” të Monterey, Kaliforni, SHBA (2004) dhe Kolegji i Ligjit Londër, Britani e Madhe (1996). Ai ka kryer edhe disa studime pasuniversitare në Qëndrën për Politikat e Sigurisë në Gjenevë (2000) dhe të Drejtë Ndërkombëtare në Universitetin e Leidenit, Holandë (1994). Gjatë aktivitetit profesional ka kryer dhe kurse të ndryshme profesionale në institucione të ndryshme arsimore dhe profesionale në SHBA dhe BE, në fushat e sigurisë, mjetet speciale të hetimit, hetimi penal, kontratat publike, koncesionet, politika publike, ligjet zgjedhore etj. Zoti Gjiknuri është anëtar i Partisë Socialiste, dhe gjithë kohën me disa funksione në disa komisione shumë të rendësishme partije dhe shtetërore, të brendëshme dhe të jashtme, si USAID, GTZ, KE, SHISH, etj. etj…
***
Këto të dhëna më lanë pa mend. Ministër në një moshë kaq të re, me gjithë ata tituj… Ne të kohës Para Krishtit, jemi shumë të varfër në tituj dhe shkollime, po ama ne zbuluam naftë, ne na djeg shpirti për popullin dhe vendin tonë. A nuk kemi të drejtë të dimë, kush e ka sponsorizuar Minstrin tonë, me këto para tranzicioni shqiptarë, (transgresioni i zi shqiptar), të ulet në gjithë ato super shkollat të Europës dhe Amerikës? Këto kualifikime nuk i ka pasur fat as Albert Ajnshtajni. Atëhere, përse të mos jemi të lumtur me këtë llojë ministri, ndërkohë që edhe z. Rama, thotë se punët po na ecin mirë e më mirë!?
Po përse 200 mijë shqiptarë i kanë sytë tek dyertë e Ambasadës Amerikane, dhe mijëra të tjerë bëhen gati të nisen rrugëve të Europer?
Shkak i varfërisë së madhe është keq qeverisja dhe grabitja e pasurive kombëtare nga pushtetarët tanë në bashkëpunim me të huajtë, nëpërmjet korrupsionit. Nëse ndonjë do të faktojë korrupsionin në Shqipëri, i rekomandojmë të verifikojë marrëveshjet konçesionare në naftë. Ҫfarë nuk bëhet për të përvetesuar këtë pasuri të pa rinovueshme!
Por le të kthehemi tek intervista e ministrit.
Gazetarja e pyet: Çfarë janë këto kontrata nafte, ҫfarë është blloku i Dumresë dhe ai nr. 4? Dhe më tej, nëse ai ka garanci për investimet që do të bëhen brenda këtij viti, për mosmarrëveshjen mes shtetit shqiptar dhe kompanisë Bankers Petroleum, ku na qenka rënë dakord që kompania të tërhiqet nga arbitrazhi(!) dhe të angazhohet një ekspert, i cili do të japë vlerësimin se kush ka patur të drejtë për auditimin e shpenzimeve të vitit 2011(tani jemi ne vitin 2016-shënimi im). Nëse çështja del në favor të Bankers, kompanisë do t’i kthehen mbrapsht paratë!
Gjatë 12 vjetëve kompania Bankers Petroleum deklaron çdo fund viti se, gjoja ka bërë investime mbi një miliard dollarë dhe del pa fitim, por për këtë i mungojnë faturat e blerjes së gazoilit në vendet arabe. Po ta hedhë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, shteti shqiptar me siguri do ta fitonte gjyqin dhe do të merrte të gjitha të ardhurat e grabitura gjatë 12 vjetve që janë miliarda dollarë. Pse qeveria nuk e benë këtë? Sepse, me sa duket, ka pjesën e vet në grabitje…
Dhe ministri nis të dërdëllisë:
“Ne e kemi thënë se këto janë kompani serioze. SHELL-i është tashmë në Shqipëri dhe madje për shkak të interesit më të madh për territorin shqiptar ka zgjeruar aktivitetin, duke blerë Petromanasin. Ata po investojnë para të tjera dhe në qershor do të mbërrijë një platformë e rëndësishme për kërkimin e naftës, që do të hapë një nga puset më të thella në Shqipëri… Mjafton tu them se shpimi i një pusi në atë zonë shkon në 70-100 milionë USD vlerë investimi, dhe është një vlerë, e cila do të disbursohet (derdhet) në ekonominë shqiptare”, -vazhdon ministri.
Unë po bëj një parantezë, po i them ministrit le t’u japë gjeologëve shqiptarë, jo 100 milionë dollarë, sa paska në plan SHELL-i, por vetëm 30 milionë dollar. Pastaj le të shikojë cili vërtetë do të ketë më shumë sukses, SHELL-i apo këta tanët?.
Por loja më e madhe e ministrit është kur flet për kompaninë Bankers Petroleum: “Edhe në kontratat e reja, që negociuam dhe jemi duke i përfunduar, synuam terma më të mira financiare… Kjo është një risi, që ne duam ta aplikojmë në çdo kontratë, aty ku kemi mundësinë të veprojmë. Kuptohet se fusha e Patos Marinzës është fusha kryesore e prodhimit të naftës në Shqipëri. Kemi rënë dakord me kompaninë Bankers Petroleum që të rinegociojmë disa terma. Nuk mund të flas para kohe se cilat do të jenë këto terma, por është me rëndësi që edhe vet Bankers e ka kuptuar, se ka ardhur momenti të rishikohen disa terma financiare. Kjo është arritur falë punës tonë, kërkimit të llogarisë, auditeve dhe në fund të fundit gjetjes së një mirëkuptimi me investitorin kanadez… Është për tu parë se si do të dalë raporti. Kompania vazhdon të paguajë një pjesë të parave. Kemi edhe raportin e vitit 2012 për shpenzimet që pritet të dalë. Është një proces që do të trajtohet në mënyrë komplekse edhe me rinegocimin e marrëveshjes, bashkë me vlerësimin që ka bërë AKBN-ja. Është një çështje që do të trajtohet në vazhdim”.
Intervista e ministrit bëhet shumë qesharake tani së fundi kur lexojmë lajmin që thotë: se Bankers Petroleum Ltd. ka hyrë në një marrëveshje definitive me Alberta Ltd. (blerësi) dhe Charter Power Investment Limited për blerjen e të gjitha aksioneve të Bankers (“Bankers Shares”) me një çmim cash prej 2.20 për aksion (Bankers Share), se Blerësi dhe Charter Power janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë. Marrëveshja e vlerëson Bankers në rreth 575 milionë dollarë kanadezë (C$) përpara vlerësimit të borxheve të papaguara të Bankers.
Me pas nuk vonojnë edhe deklarimet e përfaqësuesit te Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, që thotë: se kushtet e kontratës nuk ndryshojnë dhe kjo shitje nuk përbën problem për qeverinë shqiptare. Shitja e aksioneve të Bankers Petroleum nëpërmjet bursës tek kompania kineze, Geo-Jade Petroleum Corporation nuk do të ndryshojë asnjë detaj me kontratën koncensionare që kompania Bankers ka me qeverinë shqiptare. Më tej Derëvishi i AKBN, thotë se: ne do të monitorojmë kontratën pikë për pikeë, detyrimet aktuale që rrjedhin nga marrëveshja koncesionare me Bankers pavarësisht blerësit, se nëse kontrata nuk zbatohet sipas përcaktimeve ligjore qeveria shqiptare dhe përkatësisht AKBN propozon heqjen e licencës”.
Për cilësinë e kësaj interviste, dhe perspektivën e saj, pyeta disa shokë dhe kolegë nafte me tituj shkencorë. Ata e dinë mirë, ҫfarë bëhet me Bankersin, me pazaret e saj, sa perqind Carbon shkon ne ajër, ku janë këta blloqe, çfarë bëhet brenda dhe jashtë Dumresë, brenda këtij thesari tani për tani tepër misterioz, rrethuar me naftë nga të gjithë anët.
I pari: Kompanitë e huaja duhet të paguajnë detyrimet e papaguara, dhe pastaj ato të përditëshmet, sepse ata nuk kanë realizuar asnjë pikë të kontratave dhe është shumë e lehtë që këto kontrata të prishen, dhe të shpëtojë kjo pasuri nga hajdutët. Prishja e tyre është shumë e mirëpritur në masën e specialistve dhe të popullit. Po ashtu, me këtë veprim do të këputen edhe marrëdheniet midis mafies ish qeveritare dhe kompanive koncesionare. Si ka mundësi që këto kompani paskan punuar me humbje në këto vendburime? Këto janë mashtrime dhe vjedhje e hapur nëpërmjet bashkëpunimit të ish qeveritarëve me kompanitë e huaja. Mafija e koncesioneve të naftës duhet zhdukur sa më parë. Kompanitë private nuk punojnë asnjë minutë, nëqoftëse ato nuk kanë fitime, sidomos në sektorin e naftës.
Si paskan punuar këto kompani, të paktën 8 vjet me humbje, dhe nuk paskan falimentuar?
Mos u ka ardhur keq për Shqipërinë?
Mos kanë punuar për të harxhuar parat e tyre?
Jo, zoti ministër. Ata kanë vjedhur gjithë atë prodhim…
Kam lexuar se do të ngrihet edhe një si biçim Instituti i Naftës. Ky mender Institut do të merret me përgatitjen e rrjetit të gazsjellësit TAP. Ky nuk është aspak Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit, siç reklamohet. Por ministri, për mashtrim, e konsideron të njëjtë. Ai gjoja institut nuk do të merret fare me kërkime nafte dhe gazi. Këtu do të jenë edhe disa specialistë vendburimesh nafte, gjoja ekspertë, të cilët do të vrojtojnë se si i shfrytëzojnë kompanitë e huaja, Bankers etj., vendburimet tona. Ky i duhet qeverisë që t’i tregojë popullit se gjoja kjo qeveri nuk është si qeveria “Berisha”, sepse kjo ka kontrolle të rrepta. Ja, kemi edhe Institutin për kontrolle… Nga ana tjetër, u mbyllet goja edhe atyre, që kërkojnë të rihapet Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit.
Ministri deklaron se “fatkeqësisht, gjatë këtyre 9 viteve të mbylljes, ky Institut ka humbur shumë nga kapacitetet….”. Pse nuk i dënoni rreptësisht ata që e mbyllën? Kjo është punë maskarenjësh, punë hajdutësh….Këtej e tutje, për kombet dhe popujtë, një pikë nafte ka vlerën e një pike gjaku,-thotë George Clemanso.
I dyti: (njohës i saktë i objektit të Dumresë). Ministri është një person, që aksidentalisht është vënë në krye të Ministrisë. Ai është mësues i anglishtes, kurse Rama e ve ministër të naftës. Ai nuk di fare se çfarë bëhet me naftën, sepse nuk është kompetent. Së dyti, ai flet për kërkimet e naftës duke mos qenë në gjendje të bëjë një analizë dhe të tregojë se ku janë problemet e kërkimeve dhe të shfrytëzimit të nafës. Ai flet për Dumrenë dhe nuk thotë se cilat janë termat e kontratës, nëse ato janë në favor të vendit tonë apo jo, se ne kemi bërë harxhime kolosale për përgatitjen e këtij objekti, dhe konkretisht Dumreja sot është e përgatitur në një shkallë të lartë. Kështu, pala shqiptare duhet të investojë pak dhe të marrë shumë. Së treti, ai fletë pa përgjegjësi për problemin e Bankersit, që ka qysh nga viti 2005 dhe deri më sot që po vjedh naftën shqiptare. Bankersi duhet të rrëfejë me përpikmëri për të gjithë periudhën që ka punuar në Patos-Marinëz, dhe të thotë sa naftë ka marrë dhe sa duhet t’i paguaj popullit shqiptar. Situata nuk është e shkëlqyer, sikurse thotë ky papagall ministër.
I treti: Kjo është një intervistë shumë mashtruese. Kompanitë e huaja të naftës në Shqipëri i dimë. Nuk ka asgjë të re për kërkimet. Nuk thuhet sa % të prodhimit të naftës do të marrë Shqipëria, në rast zbulimi dhe prodhimi. Pra, marrëveshjet janë jo transparente për popullin. Ja, do bëhen edhe punime sizmike, por kjo, sipas Ramës do kohë, sepse ai konkretisht thotë se rezultatet e reformave të qeverisë Rilindja duan kohë të ndihen… Për Bankersin po bëjmë negociata, por kjo kërkon kohë (grabitja gjigante vazhdon!). Po bisedojmë, që me fuçinë e parë të naftës kompania të fillojë të paguajë fitimin (sa % nuk e thotë).
Zoti ministër!
Po bëhet një shekull që bota i ka caktuar kushtet e marrëveshjeve konçesionare në naftë. Kompanitë duhet të paguajnë jo më pak se gjysmën e prodhimit të naftës, përveç taksave. Pse nuk i dënoni ju ata persona, që kanë firmosur marrëveshjen antishqiptare me Bankers? Ministri Gjiknuri ishte në Norvegji, e cila naftën dhe gazin i ka pronë shtetërore, në shërbim të mirëqënies të gjithë popullit, dhe jo të disa personave të korruptuar. Populli norvegjez ka mirëqënien më të lartë në botë, dhe kjo është arritur nëpërmjet naftës. Në fillim Norvegjia kërkoi ndihmën financiare të popullit, për të zhvilluar naftën. Pse nuk e bënë këtë edhe qeveria shqiptare, por ua jep naftën të huajve dhe justifikohet me mungesën e fondeve? Qeveria kërkon bashkëpunim me të huajtë, për ta grabitur së bashku naftën tonë. Norvegjia ka programin “Nafta për zhvillim”, ku përfshihet eksperienca e saj në naftë. Zbatimi i këtij programi në naftë zhduk korrupsionin, hap shumë vende pune dhe nafta i shërben vetëm mirëqënies së popullit. Norvegjia këtë program ua ofron të gjitha vendeve, që kanë naftë. E kërkoi ministri Gjiknuri këtë program?
I katërti – Kryesorja është nëse ministri do ti zbatojë këto që thotë. Unë di që për kontratat e reja vazhdojnë negociatat, por kush po negocion? Sepse këto lloje negocionesh janë bërë edhe më parë. Për kontratën e Bankers unë e kam bërë të qartë se, ku duhet të veprojnë për të negocuar për ndryshim termash, se është e vështirë të mbyllësh një kontratë të bërë nga njerëz të poshtër, që e kanë kaluar edhe në parlament. Le të shohim se si do të negocijojnë. Janë tre terma ku Bankers duhet të tolerojë, sepse na vjedh, dhe nëse nuk e bënë, atëhere qeveria e largon.
________________
– Nafta dhe gazi nuk janë pronë e asnjë qeverie –
ING. AGIM BREGU: GJEOLOGJIA MUND TA ZHDUK VARFËRINË EKONOMIKE NË SHQIPËRI. TA SHPËTOJMË NAFTËN NGA KTHETRAT E GRABITQARËVE!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5164
***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura