ING.AHMET ҪOLLAKU: NË VIGJILJE TË 100 VJETORIT TË NAFTËS SHQIPTARE – PROF.DR.FATMIR SH, NË NJË MINIATURË DHE INTERVISTË

Tiranë, 15 korrik 2017: Fatmir Shehun e kam njohur shumë vite me parë, në fillim në Teknikumin e Naftës Kuçovë, më pas në koridoret e bukura shtruar me mermer të Fakultetit Gjeologji-Miniera të Tiranës. Ne s’kishim të bënim, ku Rrajca ime dhe ku Mallakastra e tij, po diçka e vogël na tërhiqte… Ne asnjëherë nuk u afruam, sado që unë kohët e fundit kisha shumë arsye të isha afër me të. Kështu në këtë heshtje të gjatë, në këtë kufi si midis shteteve, gjithçka ngeli hermetike, sepse secili pështjellohej në karakterin e vetë, pa shkelur piramidat personale.
Fatmir Shehu në rini mbahet mend si xixëllojë kurse tani si Akademik. Kur ishte i ri, ai ndriste, tani ai është lartë, qëndron vetë në memorje, pa kartë memorje. Ai dijti ta mbrojë e zhvillojë karakterin e tij personal, herë herë të leshojë shkëndija që ndezën edhe të mëdhenjtë, ndërsa herë herë të lëshohet but si një myzeqar. Jeta e njeriut është një libër me kopertinë dhe pas koprtinës, po ai qëndron njësoj si në faqen e parë dhe në faqen e fundit.
Të dy jemi naftëtarë po ai që në fillim dijti të punojë me veten e tij, të vetë karikohet me valenca shkence dhe pushteti që e ngjitën deri lart. Njihemi prej vitesh, por për kafe u ulëm vetëm këto dy vitet e fundit në një lokal të bukur pranë RTSH-së, aty ku pemët e gjelbëra bëjnë hije dhe takat e sandalleve të vajzave testojnë pulsin e njerëzve.
Vlera e tij personale bënë zili këdo. Ai qëllohet, po ai di të mbrohet. I lindur me një intuitë ekstra dhe tepër inteligjent dijti të shmangë rrugët zig-zage, sepse studjoi, krijoi dhe… buzëqeshi. Buzëqeshja dhe kurajua çarmatosin këdo, edhe vetë Perëndin. Disa nuk e kuptojnë këtë shfaqeje të tij prandaj e marrin ironik, mendjemadh apo egoist. Pas rromuzeve që i mbaron shpejtë, ai bije në trishtim, po këtë llojë trishtimi e kuron vetë ai. Njeriu është qenie komplekse. Mos ua verë veshin atyre gjërave pas të cilave njerzit vrapojnë me njëmijë mënyra-thotë Seneka.
Specialisti Fatmir Shehu duhet parë në dy aspekte, si njeri dhe specialist. Si specialist ne i kemi të hapura të gjithë fondet dhe arshivatë, tuajat, të miat, të Fatmirit. Këto të Fatmirit zënë rafte të tëra. Nuk duhet ti çmosh njerzit nga mjeshtëria, por nga vlerat e tyre vetiake, thotë dikush.

– Prof.Dr.Fatmir Shehu –

Studimet dhe aplikimet e ngjitën Prof. Fatmirin drejtë piramidës së shkencës. I imët dhe xixëllues, me një humor që zgjohet dhe bije përsëri në dremitje, ai mbahet mend si një njëri dhe specialist ekstra, që di të lëviz dhe të ecë me shpejtësi përpara, me projekte, kollona, preventiva, solucione, thelllësi…
Prof.Fatmir Shehu e ka ndier me kohë revoltën time kundër degradimit të industrisë së naftës, ne kemi këmbyer me dhjetëra e-maile, kemi bërë disa intervista. Këto e-maile janë pasuria ime më e madhe. Ai e ka parë naftën nga poshtë dhe nga lartë. Prof. Dr. Fatmir Shehu është në krye të elitës së naftës shqiptare, i pa zevëndesueshëm në llojin e tij sepse ka shumë studime apliktivitete në shpimet shqiptare të naftës, me puset e cekët deri në ato thellësi që konkurojnë në botë. Mos harroni, ai projekton edhe puse horizontal. Ai lexon, shkruan, në shkrimet e tij gërshetohen shumë shkenca, nafta, fillozofija, praktiçizmi, revolta dhe thirrja për një moral kombëtar. I keni të gjitha të botuara.
Këtu poshtë po jap një e-mail, që bënë fjalë për Rrajcen, vend lindjen time. Është një intermexo e shkurtër freskuar me ujin e fshatit tim që u drejtohet gjithë shqiptarëve. Ja e-maili tij:
Para disa ditesh isha ne Korce dhe rruges per ne Qafe Thane pashe Rajcen. Po te ishe atje bashke do kalonim kufirin dhe do zbrisnim ne Struge dhe me tej ne Ohr. Kemi vende te bukura Ahmet i shtrenjte, kemi perla te verteta, nuk e di se c’ke aty por jame i bindur se si keto tonat nuk gjene ne bote sepse jane nderthurur aq bukur sa qe veshtire se mund ti gjesh gjekundi. Disa here i kame bere pyetje vehtes: A mund te gjesh ne rruzullin e tokes nje siperfaqe prej rreth 28 mije km2 sac eshte Shqiperia jone qe te kete nje kompleksitet te tille gjerash. Merre nga folklori, nga zakonet nga melosi, nga veshja e mbathja, nga dialektet, nga intuita, nga skalitja e gurit, nga punimi i tokes, nga druret qe kane pyjet, nga flora dhe fauna, nga klima e mbrerkullusheme mesdhetare, nga kullatat e bagetive qe prodhojne bulmetra te ndrysheme, nga mikepritja, nga deshira per te patur miq e shok te mire, nga krenarija kur thone nje mendim te mire e bejne nje gje te mire dhe nga hidherimi kur thone apo bejne nje gje qe nuk shkone, nga dashurija dhe nga urrejtja, nga dasmat dhe vakit, nga detet, liqenet dhe biosi i tyre, malet e larta kreshnike dhe fushat pjellore, lumenjte pse jo dhe perrenjte e rrekezat me plot energji hidrike, nga ujvarat, nga ujrat e pijsheme te bollsheme, bora e maleve etj, etj… Po nenetoka a nuk eshte diverse: e mbarsur me nafte e gaz, me krom, bakerr dhe flori bashke, hekur nikel, me dolomite, bitum, rera bituminoze me rezerva kolosale, kripe guri pa mase e kripe deti, lende te pare per cimento, gipse dhe albaster, argjila te shume llojsheme e deri tek argjila me cilsore bentonite ne kembet e Rajces tende, gur gelqeror me rezerva kolosale, e kush e di se c’ka te tjera qe s’jane zbuluar akoma. Une nuk e di pse do kerkuar keto gjera gjekundi ndersa jane ne kete vend te mbrekullueshem. Prandaj them Ahmet, qente e afert ajo dite qe edhe ti e shume shqiptar qe kane ikur te kethehen ketu e ta duan Shqiperine sic eshte e ta bejne sic e duan se jane te plota mundesit.
INTERVISTA NUMËR 1
“Mesa duket, bota moderne ka zbuluar tek nafta lëndën magjike, me të cilën mund të realizojë të gjitha dëshirat dhe të shuajë të gjitha orekset, me një kosto prodhimi qesharake, që gjeneron fitime kolosale dhe është faktor i fuqishëm zhvillimi”.
Sipas një analisti të huaj
Profesor Fatmiri, ju faleminderit që pranuat të zhvillojmë këtë bisedë për naftën shqiptare, për dhimbjen tonë të përbashkët. Së pari doja tu pyesja: Ku i keni kryer studimet e larta, si dhe ato pas universitare?
Në radhë të parë ju falnderoj, për përpjekjet që po bëni, që Industria e Naftës Shqiptare të njihet sa më shumë e sa më mirë, sepse shpesh lexojmë nëpër gazeta nga shkrues inkompetent se nëpër Shqipëri kaluaka një lumë nëntoksor nafte, që vjen nga Rumania dhe përfundon në Itali, dhe nuk e dinë se sa e vështirë është ta gjesh e ta vesh në përdorim naftën. Studimet e larta dhe ato pas Universitare i kam kryer në Universitetin e Tiranës. D.m.th jam 100% i përgatitur në nivelin shqiptar të akademizmit dhe shkencës e të teknologjisë. Por dua të them se leksionet, që kam marrë në Universitet, m’i kanë dhënë pedagogët, që kishin marrë diploma në Universitetet e shquara të Europës, si në ato franceze (Qazim Turdiu, Ismail Topçiu), rusë, çekë, rumunë etj. Kishte shumë pak edhe nga ata që kishin mbaruar këtu, por ishin më të shkëlqyerit. Kështu, edhe për studimet pas universitare mund të them së lëndët e nevojshëme i kemi dhënë provim në prani të komisionerëve të përbërë nga profesoriati më i shquar përkatës, ndërsa doktoraturën e përgatita nën udhëheqjen e profesorit të talentuar Viron Kola dhe Inxhinierit me shumë eksperiencë Rikard Shllaku.
Këtu, nuk dua të lë pa përmendur se doktoraturën unë e përgatita, jo vetëm duke lexuar librat, por i mbështetur në punën time intensive individuale laboratorike, kërkimore shkencore dhe aplikative në më shumë se dy dekada.
Punën time e kam të pasqyruar në qindra studime dhe projekte, që janë në fondin e Institutit të Naftës, po aq dhe botime në revistat më në zë të kohës të vendit dhe në ato të vendeve të tjera, në seminaret dhe materialet që kam prezantuar me ato pak mundësi që na jepte koha, në aktivitetet ndërkombtare, si në Kongresin e 10-të botëror të Naftës në Bukuresht etj., në monografi dhe tekste akademike etj. Studimet e mia kishin lidhje të padiskutueshme me zgjidhjen e problemeve të shumta të teknologjisë së shpimit, si dhe me zgjedhjen e tipit dhe parametrave fiziko-kimikë të lëngjeve larëse, me parandalimin e shëmbjeve të formacioneve, humbjeve të qarkullimit, bllokimeve të instrumentit, prishjes së ekuilibrit shtresë-pus, hapjen e shtresave produktive etj.
Një arritje e madhe, që është siguruar nëpërmjet studimeve që kam bërë, është ajo e rritjes së sigurisë në procesin teknologjik, për realizimin e projekteve të puseve nëpërmjet futjes në praktikën kantjerale të shpimit të metodave të vlerësimit “metër pas metri” të gradientëve të presionit të shtresës dhe çarjes së formacionit, që është themra e Akilit të projektimit dhe e sigurimit të projekt-thellësisë së puseve të thellë e shumë të thellë, siç ishte dhe ai i Ardencës-18, Frakulla-55 etj., si dhe qindra puseve të shpuar në Divjakë, Panaja, Kryevidh, Ardenicë, Povelçë, Seman, Durrës etj. Po ashtu kam pasur lidhje direkte me realizimin e shpimit të shumë puseve të vendit, sidomos puseve më të thellë si Ardenica-18, me thellësinë më të madhe të arritur (6700 m), dhe puseve mbi 5000 m të thellë si Frakulla-55, Sqepuri -6, Dumreja-7 etj., për të cilët kam qenë autor i zgjidhjes së shumë problemeve të komplikuara teknologjike, që shërbyen si bazë e projektit dhe realizimit të projektit teknologjik të tyre.
Çfarë shpërblimesh keni marrë për gjithë këto arritje?
E vërteta është se brezi ynë u edukua më shumë me frymën e detyrës se atë të së drejtës. Nuk irritoheshim për trajtimin “legal”, sepse rrogën mujore më të lartë gjatë punës time unë e kam pasur rreth 100 dollarë. Sigurisht që arsimin, strehimin, shërbimet komplekse shëndetësore etj., i merrnim pothuaj gratis. Unë kam marrë dy herë çmime Republike dhe një herë Urdhërin e punës të Klasit të parë, dhe këto pa u shoqëruar më ndonjë shpërblim. Edhe botimet që bënim, kishin një shpërblim minimal. Kemi marrë dhe “shpërblime të tjera” duke u ndjekur këmba këmbës nga sigurimi i shtetit, me dyshime dhe akuza direkte për “veprimtari të heshtur” armiqësore, gjë që patën pasoja shumë të mëdha në jetën time familjare dhe në shëndetin tim. Këto gjëra nuk është vendi të thuhen këtu. Por edhe sot marr një pension rreth 100 dollar, siç duket kaq e paskemi vlerën!
Profesioni, që ju zgjodhët, u përputh më aftësitë dhe dëshirat tuaja, apo qe thjesht planifikim socialist?
Të them të drejtën unë pasionin për të njohur nënëtokën e kam nga një grup specialistësh gjeologë sovjetikë, që në atë kohë bënin rilevime gjeologjike në fshatin tim. Unë, si fëmijë kureshtar, i ndiqja nga pas dhe u dashurova me punën që bënin ata. Kur mbarova shtatë vjeçaren, më thanë që të shkoja në mjekësi, por unë me këmbëngulje kërkova të shkoja në Teknikumin e Naftës në Kuçovë, që ishte një shkollë mjaft e organizuar dhe me një personel mësimdhënës shumë të kualifikuar, për të cilët ruaj një respet të veçantë. Unë mësoja me shumë pasion dhe e mbarova Teknikumin me rezultatë të shkëlqyera.
Në atë vit, jo vetëm që nuk dolën bursa për jashtë, por edhe ata që ishin jashtë u kthyen në Shqipëri, sepse u prishën marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik. Me gjithë përpjekjet e gjyshit tim, me të cilin u rrita (sepse nëna më vdiq kur ishja pesë vjeç), i cili arriti të më siguronte një të drejtë studimi në Kinë për Inxhinieri tekstile, si i apasionuar për industrinë e naftës, i thash gjyshit që do të shkojë në Universitetin e Tiranës, në degën e Naftës. Në këtë pikëpamje nuk mund të them se më ka detyruar diçka planifikuese në zgjidhjen time. Kësisoj edhe për studimet universitare, unë respektova pasionin tim, i cili nuk ishte vështirë ta realizoje, sepse në degën e naftës shumë studentë bënin luftë të paparë që të mos shkonin, ndërsa unë kamë shkuar më qejfin tim. Edhe në Universitet mësova dhe mbarova me rezultate mjaft të mira.
Ju jeni një specialist i veçantë në degën tuaj, gati unik, me grada shkencore, të cilat qëndrojnë në unitet më punën aplikative dhe me kulturën tuaj. Konkretisht?
U falenderoj për veçimin që më bëni, por i thonë një fjale “trimi i mirë më shokë shumë”. E vërteta është se unë kam punuar me pasion dhe jam nisur me parimin që “bëjë një gjë, që nuk e kanë bërë të tjerët”. Edhe bashkëpunëtorët jam përpjekur që t’i zgjedh. Dua të them se brezi ynë u fut në jetën praktike kur ikën specialistët sovjetikë, d.m.th gjithë barra na ra përnjëherësh mbi supe dhe kuptohet, që u detyruam të sforcoheshim. Unë punova pak kohë me specialistët sovjetikë, fill pasi mbarova të mesmen. Për ‘ta kam respekt, se të them të drejtën, punonin shumë dhe ishin njerëz të mirë, por nuk kishin kohë që të na jepnin teknologji. Kështu, ata u larguan pa na lënë teknologji. Ata lanë vetëm teknikën dhe disa zanate si kryesondist, motorrist, pontist etj. Unë qysh në fillim të punës si inxhinier vura re se teknologjia jonë e shpimit vuante nga një sërë problemesh, që lidheshin kryesisht me teknologjinë e ulët të njërit nga elementët deçiziv të teknologjisë, që është lëngu larës, që më të drejtë konsiderohet “gjaku i teknologjisë së shpimit”, por kishte edhe mjaft probleme të tjera, të cilat mund të zgjidheshin duke e konceptuar më me realitet punën shkencore dhe organizimin e saj në industrinë e shpimeve.
Më krijimin e Institutit të Naftës në vitin 1965, që m’u duk si një dhuratë për ëndrrën time për t’u marrë me punë shkencore, mua më emëruan të parin specialist universitar të fushës sime, i ndihmuar nga anglishtja, që e mësova gjatë periudhës universitare, dhe nga rusishtja, që e mësova mirë që në shkollë të mesme, sa shpesh pedagogët rus, që na jepnin mësim, më merrnin si përkthyes. Iu futa konsultimit intesiv me literaturën e specialitetit me moton “të mësojmë dhe më tej të aplikojmë” ato që kishte bërë bota në lidhje me zgjidhjen e problemeve, që kishim në fushën e shpimeve të thella për naftë dhe gaz. Madje krijova dhe korrespondencë teknike me specialistë të shquar amerikanë.
Duke qenë të vetëm, dhe duke e kuptuar se problematika e shpimeve ishte mjaft e gjerë, së bashku me mikun e respektuar dhe një nga specialistët më të përgatitur Inxh. Bekim Sinojmeri, ndërmorëm një punë të gjithëanëshme, në drejtim të fuqizimit me specialistët e nevojshëm, si dhe të paisjes së laboratorëve me aparaturat më të mira të kohës.
Përsa i përket aparaturave, mund të themi se arritëm të sigurojmë ato më modernet, nga firmat më të specializuara të kohës si Baroid, Pan Amerikan etj., gjë për të cilën kemi përdorur guximin, por edhe forcën argumentuese tek udhëheqja e kohës, të cilën e bindëm se pa këto aparatura shkencore nuk mund të realizoheshin detyrat në fushën e shpimit të pusevë të thellë e shumë të thellë.
Problematika ekzistente kërkonte angazhimin në punë studiuese dhe projektuese të mjaft specialistëve, por nuk ishte kollaj të kaloheshin barrierat e ndryshme. Kështu p.sh., ish- nëndrejtori i institutit në atë kohë Petraq Xhaçka kundërshtonte këtë nevojë, duke u përpjekur të argumentontë, pa asnjë kompetencë, se shpimi është zanat dhe s’ka nevojë për studime shkencore dhe ende “s’është gjë tjetër
Pa u zgjatur shumë, se duhen volume të tëra për përpjekjet e panumërta, që janë bërë në këto drejtime, aq sa u arrit të shpohet me sukses mbi 6000 m në kushte shumë të komplikuara gjeologo-teknike. Mund të themi se shërbimi shkencor i industrisë së shpimit u rrit nga kabineti në sektor të vaçantë me disa kabinete të specializuara, në byro teknologjike, në laboratore pusesh dhe më vonë në krijimin e Institutit Teknologjik të Naftës, që ishte kulmi i arritjes së organizimit shkencor në fushën e teknologjisë në përgjithësi dhe në fushën e teknologjisë së shpimeve në veçanti.
Profesor Fatmiri, me sa kemi dëgjuar, keni qenë pothuajse i vetmi, që keni argumentuar shkencërisht dhe teknikisht para udhëheqësit të asaj kohe ngritjen e këtij Instituti. Vërtet kështu?
Është e vërtetë. Madje për këtë arsye, mua më emëruan dhe Drejtorin e parë të këtij Instituti. Kam menduar vazhdimisht, se pa teknologji s’ka gjeologji, por teknologjia s’mund të zhvillohej në kuadrin e Institutit të vetëm që ishte në naftë, ku proioriteti me të drejtë i jepej fushës së gjeologjisë. As që mund të bëhet fjalë që të realizosh një projekt gjeologjik pa zgjidhur problemet teknologjike të shpimit. Nuk mund të zgjidhen problemet e përpunimit të vendburimeve të zbuluara pa zgjidhur problemet e inxhinierisë së shfrytëzimit të hidrokarbureve me metodat e para, të dyta e të treta etj., apo edhe në fushën e trasportit dhe të grumbullimit, në fushën e rafinimit etj., që në kuadrin e Institutit të vetëm, atij të Naftës ishin lënë si të njerkës.
Por sigurisht ato ishin idera, që kishin të bënin me sistemin e kohës, sepse tani çdo gjë në këtë drejtim është lënë pas dore. Tani e kanë radhën Institutet Privatë dhe, po të ketë inisiativa të tilla, kam bindjen së do të jenë të sukseshëme, sepse këto Institute mund e duhet të trashëgojnë pasurinë intelektuale, që u bë për rreth pësëdhjet vjet punë, pasuri kjo që është nga më të mëdhatë, nëse përceptohet siç duhet.
Me sa dimë, ju jeni dalluar për interaksionin e shkencave bazë në teknologjinë e shpimit. Është interesante të na thoni diçka për këtë gjë.
Ju falnderoj për pyetjen shumë interesante. Këtij problemi i kam kushtuar një vëmendje të vaçantë, sepse, si në çdo drejtim, edhe në fushën e teknologjisë së shpimit ka rëndësi kuptimi i paradigmës së ndërvartësisë. Unë e shikoja konkretisht, se as që mund të bëhej fjalë për zgjidhje adekuate teknologjike, nëse nuk njiheshin problemet gjeologjike të projektit. Për këtë unë kam pasur marrëdhënie të ngushta me shumë gjeologë, por fillimisht me Milto Gjikopullin, Koço Plakun dhe më vonë me Vlash Janopullin, me të cilët bëja diskutime shumë specifike për problemet e ndërtimit gjeologjik të strukturës ku do shpohej një pus, i prerjeve litollogo-stratigrafike, gradienteve të presionit të shtresës dhe ato të temperaturës, origjinës së presioneve anormale apo të hallotektonikës.
Po kështu kam bashkëpunuar me specialistë të sizmikës dhe të gjeofizikës kantjerale, për të përpunuar metodika të përshtatshme, për dedektimin e shtresave me presion anormal, si dhe për vlerësimin e presionit të shtresës. Një rëndësi të madhe i kam dhënë bashkëpunimit me specialistë të shkencave fundamentale, si matematikë, fizikë, kimi, informatikë etj. Pikërisht duke reflektuar këtë koncept në kundërshtim me mendimin se “shpimin e bëjnë vetëm inxhinerat e shpimit”, realizova marrjen e specialistëve përkatës në sektorin e shpimit dhe, më vonë, në Institutin Teknologjik, gjë që bëri një hop të madh cilësor në cilsinë e studimeve, projektimeve dhe aplikimeve.
Mund të përmendni ndonjë koleg më të cilin keni punuar së bashku?
Janë të shumtë, por kam bashkëpunuar në mënyrë të përhershëme më specialistët më në zë të këtyre fushave, si me Gudar Beqirin, Viron Kolën, Fatos Klosin, Vasillaq Kedhin, Ilo Melën, Niko Thomën etj.
Profesor Fatmiri, a vazhdoni të bëni ndonjë punë?
Unë nuk rri dot pa punuar, sigurisht duke u mbështetur në njohuritë dhe në eksperiencën disa dekadëshe. Fushat, që i lëvrova me shumë pasion në drejtim të shpimevë të thella për naftë dhe gaz, aktualisht nuk kanë treg në Shqipëri. Kam kohë që në përputhje me kërkesat e tregut, duke shfrytëzuar njohuritë që kam pasur, si dhe ato të reja, që unë i kërkoj në rrugë të ndryshme, sidomos në internet merrem me shpimet gjeoinxhinerike (si pilota), me materialet e ndërtimit, që është një nga variantet që kanë ngjashmëri më të ashtuquajturat ” baltat e shpimit” si llaçrat, kollën e pllakave, stukon e patinimit, bojërat për lyerje muresh. Po ashtu merrem me zgjidhjen e problemeve të ndryshme, që ekspozon tregu jonë për gëlqeren, çimenton, allçinë, argjilat etj. Në këtë fushë kam rreth 15 vjet, që punoj dhe e ndjej veten të sigurt.
Sigurisht që edhe për industrinë e naftës nuk përtoj të punojë, për zgjidhjen e problemeve që më kërkohen. Kam shkruar edhe artikuj të ndryshëm, që kanë lidhje me eksperiencat e mëparshme edhe të vonëshmet. Kohët e fundit botova një artikull në Revistën e Institutit amerikan të Fizikës, ku kam botuar në periodikun shqiptar dhe të huaj. Po shkruaj edhe materiale të tjera, një prej të cilëve është “Historiku i zhvillimit të teknologjisë së shpimit në Shqipëri”. Po ashtu po shkruaj një monografi për teknologjinё e lëngjeve jonjutonianë, si dhe një monografi për materialet bazë të ndërtimit: gëlqeren, allçinë, çimenton dhe argjilën. Shpesh them që: vetëm puna nuk do më lërë të vdes!
A keni pasur mundësi të punësohëshit jashtë shtetit?
Mundësinë nuk e kam kërkuar, veç disa ftesave, që nuk u jam vardisur për arsye të ndryshme, që më kanë ardhur nga kompanitë e huaja, meqënëse unë kam qenë anëtar i SPE-së dhe CV time e njohin nga botimet e shumta, dhe sidomos shtytje më dha botimi i një artikulli, së bashku me një ekspert të njohur amerikan Daniel Johnston, në revistën prestigjoze amerikane: “Oil and GAS Journal” në fillimet e viteve 1990. Unë kam konsultuar me nivele të kënaqëshme, për aq sa kanë pasur nevojë kompanitë e ndryshme që kanë ardhur në vendin tonë si OMW, OXY, INA – Naftaplin, Premier Oil (madje në kuadrin e kësaj kompanie punova gjatë shpimit të njërit nga puset më të thellë të vendit, Dumreja-7 me thellësi të arritur 6119m.) etj.
A ka elitë të naftës Shqiptare?
As që mund të diskutohet, që një vend me një histori kaq të gjatë në industrinë e naftës të mos ketë elitë. Periudha e viteve 1960 dhe deri në vitet 1990 e kristalizoi elitën e specialistëve të naftës në Shqipëri. Këtë e tregojnë mjaft arritje, në të gjitha fushat e kësaj industrie. Nuk mund të nënvlerësohet arritja e nivelit të prodhimit të naftës deri në 2.4 milionë tonë në vit (që tregon arritjet në fushat komplekse të gjeologjisë si: në sizmikë, gravimetri, elektrometri, gjeokimi, mineralogji, gjeofizikë kantjeralë etj.), apo arritja e thellësisë së shpimit deri në 6700 m, apo në fushën e nxjerrjes së naftës, ku u aplikuan metoda bashkëkohore të shfrytëzimit të vendburimeve tona karbonatike apo edhe ranore me naftë të trashë, aplikimi i metodave të ndryshme, si ato të injektimit të avullit, gazit karbonik, të djegies së nëntokës, të ujit, të punimeve intesifikuese me acid, hollues etj., të prodhimit të paisjeve teknologjike si daltave me rulo, karotjerëve, reducioneve, stabilizatorëve, pompave të thellësisë, lëkundësave etj. Por ajo, që ka rëndësi të madhe, ka vazhdueshmëria, të cilën po e humbasim. Ajo fatkeqsisht po shuhet. Kjo është për të zënë kokën me dorë sepse, të huajt, kur vijnë si konçesionarë në Shqipëri, marrin pjesën e luanit në këtë pasuri të madhe të vendit dhe, pas disa vjetësh elita jonë e naftës, e krijuar me thonj e me dhé, do të shuhet. Kjo është e palejueshme. Duhet që vetë shqiptarët, që kanё një farë kapitali, të drejtojnë vëmendjen në industrinë e naftës në disa drejtime, si në fushën e organizimit shkencor (duke ngritur grupe shkencore studimi dhe projektimi – mikro institute), në fushën e shërbimeve, në fushën e trasportit, të rafinimit etj. Universiteti Kristal (që ka një degë në Fier), mund dhe duhet të përgatisë kuadro për industrinë e naftës. Këta mund të punësohen në vend, pse jo edhe në planin më të gjerë.
Nuk dua të lë pa përmendur, që në punën time e kam pasur në qendër të vëmendjes krijimin e shkollës shqiptare të naftës në përgjithësi, dhe të shpimit në veçanti. Për këtë kam dhënë mjaft leksione për formimin universitar, por sidomos pas universitar të specialistëve të shpimit. Kam udhëhequr diploma dhe doktoratura, si dhe kam botuar literaturë të bollshme tekniko-shkencore.
Si e mendoni të ardhmen e naftës Shqiptare?
Vendi ynë deri tani ka shfrytëzuar disa dhjetra milionë tonë naftë (rreth 50 milionë), dhe aktualisht ka akoma edhe mjaft rezerva të gjetura e të pashfrytëzuara, të cilat, siç dihet, nuk janë pak. Duke folur vetëm për industrinë e shpimit, mund të themi se nga viti 1926 dhe deri në vitin 1995 në Shqipëri është shpuar një metrazh prej 2,032,680 metër në fushën e shpim-kërkimeve për naftë dhe gaz, dhe 5,166,807 m për qëllime shpim-shfrytëzimi të naftës dhe të gazit. Në industrinë e shpimeve kanë punuar 7.792 teknikë të mesëm, të cilët kishin rolin e përgjegjësit të puseve, teknikut të lëngut larës, dhe të kryesondistit, dhe 219 inxhinierë shpimi të diplomuar, më të shumtit në Shqipëri, por edhe në vende të tjera si në Rumani, B.R.S.S. A nuk kemi të bëjmë këtu me fakte konkrete për potencialin naftë-mbajtës, që kemi zbuluar, si dhe për eksperiencën e pa diskutueshme, që ka Shqipëria në këtë fushë? Pa dyshim!
Por duke qenë së unë kam punuar edhe në nivele drejtuese (si Drejtor i Përgjithshëm i Naftës, Drejtor i Institutit Teknologjik të Naftës, zv/ministri i Ministrisë së Energjitikës, që mbuloja Industrinë e Naftës) dhe e di mirë mendimin gjeologjik të specialistëve tanë. Vendi ynë është një trevë me shumë perspektivë në aspektin naftëgazmbajtës. Për këtë flasin edhe të huajt. Nuk duhet lënë pa përmendur që Shqipëria nuk është shumë larg nivelit të prodhimit të vendeve fqinje, dhe ka mundësi të plota që edhe t’ua kalojë. Në këtë kuadër del një problem shumë pikant: Teksa vendet fqinje kanë më pak prodhim, ata kanë kapacitete disa herë më të larta përpunuese. Kështu p.sh., Greqia ka kapacitet përpunues deri në 18 milionë tonë në vit, ndërsa Italia mbi 100 milionë tonë në vit, ndërkohë që nivelet e prodhimit të naftës në ato vёnde nuk janë shumë larg nivelit tonë. Mungesa e kapaciteteve përpunuëse (rafinuese) në Shqipëri ka detyruar kohët e fundit eksportin e naftës bruto, që prodhohet në vend, gjë që është një krim ekonomik me pasoja të rënda për ekonominë, ndaj duhen marrë masa urgjente, që diçka e tillë të mos zgjasë më tej.
Meqë jemi këtu, ç’mendim keni për zonën e vijës ndarëse detare Shqipëri-Greqi në lidhje me naftëgazmbajtjen?
Unë nuk jam gjeolog, por kam qenë i azhornuar me kërkimet gjeologjike, që kemi bërë në këtë zonë ( sigurisht në tokë). Në këtë trevë kemi bërë kërkime të shumta si në Krane, Delvinë, Bogaz, Sasaj, Vrinë etj. Kemi gjetur rezerva industriale nafte dhe gazi, por jo në sasi të mëdha. Megjithëse Delvina fatkeqësiht u zbulua para 20 vjetëve dhe ende nuk ka mbaruar faza e zbulim-konturimit. Mendimi gjeologjik është shumë pozitiv. Edhe në këtë zonë kemi të bëjmë me hallotektonikën, që ka lidhje të rëndësishëme me formimin e strukturave naftëgazmbajtëse. Madje dua të vë në dukje se gjatë kohës, që ne shponim në Sasaj, në veri të Korfuzit – në zonën greke, në det shpohej një pus. Në atë kohë kemi organizuar një vrojtim me mjete optike për së largu, për të marrë ndonjë informacion.
Ju e dini, se pas pak vitesh do të jetë 100 vjetori i naftës Shqiptare. Çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar për ta shenjtëruar këtë ditë?
Më pëlqen, që përdorët fjalën shenjtërim, sepse pikërisht kjo shprehje i përshtatet industrisë së naftës. Unë do thoja, që Shqipëria e ka më të herëshme industrinë e naftës. Të paktën duhet ta fillonim kur filloi të shfrytëzohet bitumi i Selenicës, që nuk është gjë tjetër veçse një naftë e oksiduar (bitumizuar). Kjo ka rëndësi historike në vendin, që duhet të renditemi në fillimin e aktivitetit tonë në këtë industri, që i dha botës një zhvillim kolosal. Të dhënat për naftën tonë vijnë që nga periudha e Aristotelit, Strabonit e deri tek Pukevili. Është interesante të thuhet se populli ynë, naftën, që në pikëpamje etimologjike ka origjinë persiane, e ka quajtur “gjaku i dragoit”. A ka përcaktim më parashikues sesa ky gjak, që i dha forcën e dragoit ekonomisë botërore? Popull me intuitë të jashtëzakonshme! Shteti duhet të dijë detyrat e tij, duke tërhequr edhe mendimin e specialistëve që ka, dhe, me sa di unë, nuk di se ku ndodhen, dhe as që interesohet, sepse shteti ynë merret me shpjegimin e demokracisë dhe ende jo me vendosjen e saj në Shqipëri. Kuptohet që shpjegimi është rrugë që nuk do shumë energji, trasformimi i vendit dhe implementimi i Demokracisë kërkojnë sakrifica të panumërta dhe dinjitet historik. Unë, me një grup kolegësh, që kemi të drejtë ta quajmë veten naftëtarë, mund të propozojmë një program sesi mund të organizohet një ceremonial i një ditëlindje të një industrie, e cila i ka dhënë, po i jep dhe do t’i japë Shqipërisë vlera shumë të mëdha, por ama nëse do na pyesin, se po na trajtuan si deri më sot, nuk kemi se ç’themi, se edhe po të themi ndonjë gjë pa pyetur, nuk do të na dëgjojnë.
FALEMINDERIT

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura