MIMOZA DEMIRI: 45 VJETORI I ILIR PASHËS ME 600 HAJDUTË!

 Pashtriku.org, 27. 03. 2014 – Sa mbaruam me Tortën e 100 vjetorit të pavarësisë, na erdhi ajo e Metës! Sot, si i thonë, u vu QERSHIA MBI TORTË – me ditëlindjen e Ilir Pashait. Sot – përfundimisht u fashit çdo iluzion se ne kemi shoqëri civile, dhe shqetësohemi për të ardhmen e fëmijëve tanë, se në ç’vend dhe me ç’moral do rriten ata. Në mbrëmjen e 24 marsit, “Intelektualët” dhe politikanët tanë, (të ftuarit e Lilkut) me makina luksoze nxituan të zënë vendet nën OMBRELLËN e Tendës te Gjiri i Lalzit, për të ngrënë karkaleca e ngjala, e të gjitha llojet e djathrave të shtrenjta, ndërkohë që populli i gjorë, ëndërronë të ketë vetëm atë të Gjirokastrës – prodhim vendi, (por që nuk e shohin me sy, ose rrallë herë e shijojnë)… Dhe kjo darkë përfunon me puro COIBA kubaneze!!! Sot u vërtetua përfundimisht se institucionet e shtetit shqiptar janë kapur nga bandat që quhen parti, të cilat mbahen me elektorat cubash, drogashësh, kontrabandistësh, vrasësish profesionistë me C4…. O me falni, se në kryetavolinën e bandës bashkë me shefin, Edin (kryeministrin e Shqipërisë), ishte edhe ministri i brendshëm S.Tahiri, i cili na jep statistika për uljen e krimit, dhe për vrasjet e përditshme nga tritoli…! Ishin ftuar shumë analistë, gazetarë, publicistë, dhe Ҫingiet e Ahengut për t’a dëfryer Bandën e Ilir Pashës me 600 hajdutë!! …. madje ishin thirrur në këtë event edhe nga banda opozitare si ato familjet mafioze, por Don Corleone (Sala) nuk kishte ardhur, por ama peshqeshin e kishte dërguar me Selamken e Librazhdit dhe Majlindën (Bregun) që mbante peshqeshin në çantën Lois Vuitton të myllur në zarf nga Sala…. Ishte dhe Fevzo (Blendi), sa nga qefi i madh, filluan t’i dalin kaçurrelat për emisionin e ardhshëm që do ta pregatiste me “Lirin tat” në OPINION!


 Mund të vazhdohet pa fund, por nuk do të jetë e fundit, do kemi sërish Torta në kurrizë të skllavit POPULL, i cili ha bukë me qepë! Sadomasohizmi dhe nënshtrimi ka shkuar deri në kufijtë e të pakufishmes, dinjiteti dhe integriteti i këtij populli është bërë si RRAQET e Gabit, që shiten në trotuare, dhe ky soj politikanësh…, e dinë këtë fakt dhe sillen si Agallarë, jo vetëm të tokës që quhet Shqipëri, por edhe të një populli të nënshtruar deri në pakufi, i cili duron një karshillëk të tillë KARKALECASH, VERËRASH FRANCEZE, E COIBASH KUBANE! Këtë shënim, po e mbylli me fjalët e Churchil: Ҫdo popull ka qeverinë (bandën) që meriton. Në mbyllje me nga një COHIBA, aman…jo të Skraparit…. por CUBANE!!!
Edhe diçka!!
Për “Ballon me Maska” të Met Pashait, asnjë gazete nuk ja ka mbajtur “daullja” të shkruaj, pasi ishin të gjithë të ftuar që t’i mbyllet goja. Qerrata i madh Li’rka, po i bënë të gjithë budallenjë dhe po i rrotullon siç ia don qefi. Eeee ky Met’ka po që e meriton atë çmim që marrin edhe qentë e rrugëve – “Nderi i Kombit”, ndërkohë që ata të cilët janë me të vërtetë, janë kthyer në “Depresion të kombit”, pasi nuk kanë asnjë shans ta luftojnë këtë Fashizëm të stilizuar dhe të hijeshuar me “LIRI”. Eh sa më ka marrë malli për parullën V.F.L.P.

********************
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
AHENGU I ILIR PASHAIT TE GJIRI I LALZIT!

Në mbrëmjen e të hënës (24 mars 2014) Gjiri i Lalzit ka përjetuar një nga eventet më të mëdha, që kur mori famën si zonë turistike për pushuesit special, siç janë: politikanët, biznesmenët dhe gazetarët e oborrit pushtetor. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë – Ilir Rexhep Meta i lindur më 24 mars 1969 në Çorovodë, ka zgjedhur këtë vend (në një tendë gjigande), për të festuar 45 vjetorin e lindjes së tij, me praninë e rreth 600 të ftuarëve: politikanë, deputetë e ministra (pozitë e opozitë), biznesmenë e njerëz të medias!

Shikoni pamjet eksklutive nga ky event!

Në tavolinën kryesore mësohet se kanë qëndruar ulur “ylli i mbrëmjes” – 45 vjeçari Ilir Meta, i rrethuar nga kryeministri Edi Rama, zv’kryeministri i Kosovës – Behgjet Pacolli dhe Gramoz Ruçi. Ndërkaq nga radhët e opozitës, mësohet se kanë marrë pjesë, Majlinda Bregu, Eduard Selami, Genc Ruli dhe deputeti republikan Agron Duka, së bashku me vëllain e tij Armando Duka President i FSHF-së.
Në këtë darkë festive thuhet se, ka pasur gatime jotradicionale shqiptare. Pjata e parë përbëhej nga antipasta me prodhime deti e disa lloje djathrash francezë, ndërsa në tryezë ishin të pranishme të dyja llojet e verës, e kuqe dhe e bardhë. Pjata e dytë ishte kadaif me pana dhe karkaleca deti, të cilat duket se kanë dëshmuar afinitetin e detit!
Për t’i argëtuar mysafirët e Ilirit, janë interesuar këngëtarët: vëllezërit Korçarë, Endri dhe Stefi, pastaj Sidrit Bejleri dhe Juliana Pasha, të cilët kënduan këngë të ndryshme, nga napoloni deri tek muzika rok. Nga kërcimtarët e mbrëmjes kanë shkëlqyer ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli – bashkë me drejtuesin e emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakuli. Ndërsa shumë aktiv janë treguar, edhe moderatori i emisionit opinion Blendi Fevziu bashkë me analistin Artan Hoxha!….
Pas dasmës së Fatos Nanos (në vitin 2002) dhe asaj të Edi Ramës në ambientet e Xibrakut, 45 vjetori i Ilir Metë Pashait, duket se ka shënuar ngjarjen e tretë më kulmore, në familjen e të “majtës” super të pasur!!
* * *
Derisa politikanët festojnë me ahengje milionshme edhe ditëlindjet e tyre, populli jeton në varfëri e skamje të skajshme!

Për më tepër lexoni:
KUR POLITIKANËT MILIONERË-NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVËN

PASUROHEN NË KURRIZ TË POPULLIT TË VARFËR !?
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2459

——————————

(Shtojcën dhe ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

===========================

Një plotësim!

SHQIPËRIA DIGJET, POLITIKA KRIHET. JA DITËLINDJA E ILIR METËS

Detajet e ditëlindjes së Metës, u porositën 400 shishe verë,”Deshants” 300 euroshe dhe u ofruan puro kubaneze “cohito” Menuja e darkës së Ilir Metës ka qenë përtej çdo parashikimi. Vetëm vera fraceze e porositur ka arritur shumën e 120 mijë eurove. Organizatorët kanë zgjedhur markën e verës Deschants (Saint-Joseph). Kjo ka qenë një preferencë e vetë Ilir Metës. Numri i madh i të ftuarve që ka qenë mbi 600, ka kushtëzuar edhe numrin e lartë të porosive të shisheve të verës të kësaj marke. Fillimisht janë porositur 400 shishe të tilla. Meta ka preferuar që të gostisë miqtë e tij, jo me një verë dosido, por me një verë të cilësisë së lartë dhe të vjetëruar. Një shishe verë Deschants (Saint-Joseph) e vjetëruar kushton 300 euro. Ishte e natyrshme që për pozitën e miqve të ftuar, Meta të mos kursente tek vera. Ai nuk mund të ofronte verën Riesling të ministrit të tij nga Durrësi. Ndaj ai ka përzgjedhur me kujdes një verë të cilësisë më të mirë. Fatura e porosisë së kësaj vere ka qenë mjaft e kushtueshme. Për 400 shishe verë Deschants (Saint-Joseph), ku vetëm një prej tyre kushton 300 euro, janë shpenzuar nga familja Meta 120 mijë euro. Epo një herë bën Kryetari i Parlamentit 45 vjeç.
Shumë e kushtueshme fatura për verën po të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një parti që natë e ditë përbetohet në Parlament sikur lufton për shtresat në nevojë dhe nuk e zë gjumi për problemet sociale të shqiptarëve.

 Por jo vetëm fatura e verës ka qenë shumë e lartë. Përpara se të arrijmë tek vera, një tjetër shifër e çmendur është shpenzuar për një tjetër porosi që i është ofruar të ftuarve si veçantia e darkës. Meta u ka bërë miqve një surprizë që në fillim. U ka ofruar pirësve të duhanit nga një puro kubaneze të firmës “Cohiba”. Kjo është një nga purot më të shtrenjta që përdoret kryesisht nga miliarderë, bosë të drogës, eksponentë të mafies. Janë të shumtë edhe filmat ku personazhet që vijnë nga kjo botë pijnë e preferojnë pikërisht puron kubaneze, “Cohiba”. Vetëm një puro e tillë, e një cilësie të mirë shitet për 168 euro. Por, kjo lloj puroje ofrohet edhe me paketa. Sipas trashësisë dhe numrit që porositen purot në paketë varion edhe çmimi. Një paketë me çmim mesatar të 10 purove të tilla shitet për 400 euro. Nëse do të duhet të llogarisim se sa ka shpenzuar Meta vetëm për blerjen e purove është pak e vështirë. Vërtet të ftuar kanë qenë mbi 600, por jo të gjithë kanë qenë pirës purosh. Shifra që është shpenzuar edhe në këtë rast, është jashtë çdo parashikimi për një eveniment të tillë në një vend normal. Krahasuar me verën, shuma që familja ka nxjerrë nga portofoli për të kënaqur të ftuarit me puron “Cohiba” ka qenë më e vogël, pra nuk janë shpenzuar më pak se 30 mijë euro vetëm për puron.
Pjata e parë që ka shoqëruar verën ka qenë një miks djathrash francezë të shoqëruar me asortimente të shumta të prodhimeve të detit. Edhe kjo pjatë ka pasur veçantësinë e saj. Djathrat e servirur kanë qenë të llojeve të ndryshme por të gjitha të prodhuara në mënyrë artizanale. Këto janë edhe nga djathrat më të shtrenjtë. Franca njihet për traditën e prodhimit të djathrave dhe shumëllojshmërinë e tyre.
Ajo që ka rënë në sy të të ftuarve ka qenë ëmbëlsira, e cila është servirur në fund të darkës. Të ftuarve u është servirur një ëmbëlsirë e veçantë, kadaif me pana dhe karkaleca.
Kjo menu nuk ka qenë shpenzimi i vetëm i Metës në ditëlindjen e tij të 45-të për miqtë e ftuar. Janë edhe shumë shpenzime të tjera marramendëse që e bëjnë Metën të mos konsiderohet më si një prerje e politikës shqiptare, as asaj rajonale, evropiane apo botërore, por të ngjashëm vetëm me faraonët.
Familja Meta ka qenë mjaft e ndjeshme për të mos lejuar që rreth tendës së ditëlindjes së Kryetarit të Parlamentit të afrohen mediat.
Menuja e darkës është vetëm një pjesë e shpenzimeve marramendëse që janë bërë nga familja Meta. Por, ato nuk janë të vetmet. Janë edhe shpenzime të tjera kolosale, të cilat do t’i zbardhim gjatë ditëve të ardhshme.
Shqiptarët po konsiderohen sot si skllevër, ndërsa drejtuesit e mazhorancës po sillen si faraonë. Është e tepërt të bëhen krahasime mes kësaj ditëlindjeje të Metës dhe një ditëlindjeje të thjeshtë të një të riu shqiptar, i cili nuk ngopet as me ushqim, por vetëm me moralin që u vjen nga të tillë faraonë që po e përdorin pushtetin për të jetuar në një realitet krejt të ndryshëm nga ai i shqiptarve sot.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura