ISMAIL ARSLLANI: SKENARI KOMUNIST PËR EKZEKUTIMIN E SHKASH ‘XHELADIN ZEQIRI’

Tetovë, 13 tetor 2019: Një dokument i pabotuar deri më tash, nga një mbledhje e mbyllur të një grupi punues të ngarkuar nga LKM e LSPP të Tetovës, për atakim dhe shkatërrim të SHKASH “Xheladin Zeqiri” të Tetovës, pas kthimit të saj nga një turn në Shqipëri, në korrik të vitit 1980, menjëherë pas vdekjes së Titos. Kryesia e atëhershme e kësaj SHKA-je, gjatë mbrojtjes nga sulmet komuniste, në një proces të diferencimit ideopolitik në dhjetor të vitit 1987, nxori në dyshim nëse këtë udhëtim për në Shqipëri e kishin organizuar vetë organet e sigurisë së shtetit, për të nxjerr shkas dhe pretekst sulmi dhe asgjësimi të kësaj shoqërie
***
Vetëm disa muaj pas demonstratave në mars-prill të vitit 1981 në Kosovë, komunistët e Tetovës kishin “halë në sy” SHKA “Xheladin Zeqiri”, si ambasadore e kulturës në Tetovë dhe si vatër kulturore-arsimore e emancipuese të shqiptarëve këtu e më gjerë, prandaj ndërmorën veprime urgjente për ta shpartalluar këtë shoqëri shqiptare, avangardë e rinisë tetovare, duke e njollosur gjoja se paskësh “veprime armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, që ishte një trillim i pa precedentë në kokat e këtyre komunistëve, të cilët shihnin armiq te ata veprimtarë të kulturës vetëm që donin kombin e vet dhe këtë e shprehnin në mënyrën më të civilizuar të mundshme, me mjete kulturore, me muzikë, këngë e valle, veshje tradicionale autoktone, me traditë, doke dhe zakone shqiptare. Dhe, siç do të shihet nga lufta që i shpallet kësaj shoqërie për pezullimin e saj, rezultatet janë shkatërrimtare: bie aktiviteti për disa vjet dhe pakësohet dukshëm numri i anëtarëve nëpër grupet ekzistuese.

Cili ishte preteksti? Një udhëtim i shoqërisë kulturore-artistike shqiptare “Xheladin Zeqiri” nga Tetova për një turn nëpër qytetet e Shqipërisë, në korrik të vitit 1980, kur ishte shumë vështirë që të udhëtohej në këtë vend, sidomos pas vdekjes së Titos, ka qenë pretekst për gjashtë vjet rresht (prej vitit 1981 e deri më 1987 e më vonë), shkas sulmesh dhe diferencimesh më të egra ideopolitike të anëtarëve të saj, të cilët morën këtë rrugë, por edhe të anëtarëve të tjerë që nuk kishin shkuar. Ky ishte “pushkatimi” i dytë i Xheladin Zeqirit, emrin e të cilit mori kjo shoqëri pas themelimit, në prill të vitit 1949, nga respekti që kishte stafi i atëhershëm ndaj këtij luftëtari tetovar, i cili ishte nisur në betejat përfundimtare të Sremit dhe ishte vrarë me idealin e tij rinor se pas çlirimit nga fashizmi, këto troje do t’i bashkoheshin Shqipërisë.
Për rrjedhën e një procesi të këtillë të diferencimit ideopolitik të shqiptarëve, që udhëhiqej nga maqedonasit dhe nga disa shqiptarë të “ndershëm”, për të treguar se kush janë “armiq” të pushtetit, në mënyrë që të justifikohej trysnia e vazhdueshme mbi ta dhe që të mos mund të merrnin “frymë” lirshëm, për të kërkuar diçka më shumë se kjo që u merrej, mund të shihet qartë nga një “dokument-procesverbal”, që për herë të parë publikohet me këtë rast…
Atmosfera në sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në Tetovë, atë buzëmbrëmje të 15 dhjetorit të vitit 1987, ku ishin tubuar anëtarët e Kryesisë të SHKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës, të ulur në “bankën e zezë”, para përfaqësuesve të strukturave të atëhershme politike-shoqërore, të cilët kërkonin “viktimën kolektive”, vërtet ka qenë e zymtë. Duhej të shqyrtohej raporti i grupit të punës, që ishte përbërë nga anëtarë të brendshëm e të jashtëm të kësaj SHKA-je, lidhur me vazhdimin e procesit të diferencimit ideopolitik të anëtarëve të saj, të cilët gjoja kishin “gabuar” në planin ideopolitik, për çka kërkohej “koka” e tyre, me dorëheqje.
Në këtë staf që kërkonte “viktima” printe Vlado Bishkovski, sekretar atëhershëm i KK i LSPP të Tetovës, i cili, zaten, ishte njëri nga promotorët e procesit të diferencimit ideopolitik në nivel komunal. Kanë qenë të pranishëm edhe Mirko Kërstevski, Dragolub Angjelkoviq, Velimir Leshnikovski, Toma Ristovski, si dhe disa përfaqësues të tjerë shqiptarë të organizatave shoqërore-politike. Pas kryetarit të atëhershëm të SHKA “Xheladin Zeqiri”, i pari mori fjalën Delço Tasevski, anëtar i grupit të punës, i cili kërkoi që të sigurohet dokumentacion relevant nga arkivi i kësaj SHKA-je, sepse është debatuar vetëm në bazë të procesverbaleve, të cilët, në të shumtën e rasteve, kanë qenë në gjuhën shqipe.
“Në këto procesverbale, që kanë të bëjnë me udhëtimin e kësaj SHKA-je për në Shqipëri, nuk mund të konstatohet se kush i caktoi anëtarët e udhëheqjes dhe as nuk ka dokument se kush e ka organizuar këtë udhëtim, si dhe nuk ka ndonjë analizë për qëndrim atje, pos një informate të Daut Ibrahimit nga LSPP, i cili, njëherësh, ka qenë edhe njëri nga udhëheqësit e udhëtimit. Nuk ka pasqyrë të qartë edhe për programin e shfaqur atje”, ishte konstatuar në mbledhje, duke shtuar se ka pasur devijime nga ajo që është paraparë, ndërsa para shkuarjes në Shqipëri, kjo shoqëri kishte shtuar në mënyrë enorme anëtarësinë, kurse më vonë kishte mbetur vetëm me 20 anëtarë. Toma Ristovski, ish-përfaqësues i Bashkësisë Kulturore-Arsimore, ka kërkuar që në pjesën e informatës, ku flitet për shënimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, të futet emri i kryetarit të asaj kohe të KK të LSPP, Xheladin Palloshi. Duke folur për procesverbalet që janë shkruar në gjuhën shqipe, ka treguar një ftesë të kësaj SHKA-je të shkruar në gjuhën shqipe dhe të nënshkruar nga kryetari Rijan Zejnullahu.
Në atë mbledhje, Vlado Bishkovski thotë se “armiku” ka shfrytëzuar mos vigjilencën e tyre, duke i përmendur personalitetet si Burhan Muhedini, dr. Jusuf Rexhepi, Hasip Krasniqi, Memetriza Gega, Habil Bexheti, Rauf Izeti etj., të cilët qenkan “eksponuar” që më herët. Pos Miftar Zyberit, ka përmendur edhe Rijan Zejnullahun dhe Kasam Murselin, të cilët me ngulm kanë kërkuar që referatet gjatë shënimit të përvjetorëve të lexohen në gjuhën shqipe.
Pas disa “sulmeve” që kishte pasur Toma Ristovski nga anëtarët e Kryesisë së SHKA-së, për atë se “ku ka qenë deri më tash” të diskutojë për këto çështje, ai ka pranuar se menjëherë pas kthimit nga turni në Shqipëri ka dhënë deklaratë prej 12 faqesh në SPB të Tetovës, për udhëtimin e SHKA “Xheladin Zeqiri” në Shqipëri. Nga deklarata e tij është parë qartë prapavija e udhëtimit të këtij funksionari komunal bashkë me SHKA “Xheladin Zeqiri” në Shqipëri dhe se cila ka qenë detyra e tij e vërtetë, që nuk përjashton dyshimin se ka qenë me “detyrë speciale”, për përcjelljen e anëtarëve të shoqërisë dhe raportimin e hollësishëm nga ky udhëtim në SPB të Tetovës, të cilën gjë në mënyrë të tërthortë edhe vetë e pranon.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura