GJOKË DABAJ: PA 7 MARSIN E VITIT 1887, AS PAVARËSIA E SHQIPËRISË NUK DO TË ISHTE SHPALLUR NË VITIN 1912 (I)

Durrës, 21. 03. 2014 – (1.KU JEMI ME NAIMIN?!) – “O vëllezër shqipëtarë, /Gëzohi që erdh kjo ditë!” Pat thënë Naim Frashëri në kohën kur qe hapur në Korçë, me leje shtetërore, shkolla e parë shqipe. “Kjo është ditë e rezë, /Që bie vëllazërinë /E dëbon jetën e zezë /Dhe ndarjen e marrëzinë.” Mirë e kish Naimi. Madje mund të themi me saktësi të pakundërshtueshme, që, po të mos ish Ajo Ditë, 7 Marsi i vitit 1887, as Pavarësia e Shqipërisë nuk do të ishte shpallur në vitin 1912, as ai çerek shteti që u krijua pas vitit 1912, nuk do të mund të krijohej, dhe sot ne nuk do të kishim, jo 2, por as edhe 1 shtet shqiptarësh. Nuk do të kishim, pra, asnjë shtet! Do të ishim shkrirë midis shtetevet fqinjë dhe do të ishim asgjësuar si komb e si etni.
Mirëpo, këtë herë, unë nuk po e shoh të arsyeshme ta shikoj kështu këtë punë, sepse, 127 vjet mbas asaj ngjarjeje, ne pasardhësvet e Naimit, as euforia, as romantizmi, nuk do të na sillnin kurrfarë dobie. Unë po e shoh të arsyeshme të shikoj tash PIKAT, ku NUK i kemi realizuar ashtu siç dëshironte dhe parashikonte Naimi.

( “O vëllezër shqipëtarë, /Gëzohi që erdh kjo ditë!” – Naim Frashëri )

 Naimi pat thënë: “Që bie vëllazërinë”. Sa dhe në ç’masë shkollimi i Kombit tonë NUK ia ka arritur që ne të vëllazërohemi? Dmth në ç’masë shkollimi i shqiptarëvet NUK është bërë faktor i unitetit tonë kombëtar?
Naimi pat thënë: “Kjo ditë… e dëbon jetën e zezë”. Në ç’masë NUK ka ndikuar e NUK po ndikon sistemi ynë arsimor në përmirësimin e jetës së shqiptarëvet?
Naimi pat thënë: “Kjo ditë…” (dita kur Kombi ynë filloi të arsimohej në gjuhën e vet) “e dëbon… marrëzinë.” Në ç’masë NUK ka arritur ta dëbojë arsimimi i shqiptarëvet marrëzinë?
MËSUESI (duke nënkuptuar me këtë fjalë tërësinë e mësimdhënësvet të të gjitha shkollave tona), është faktori kryesor, i cili e realizon apo NUK e realizon qëllimin e një sistemi arsimor. Prandaj unë, në pjesët e mëposhtme të këtij shkrimi, do të merrem pikërisht me këtë faktor, pra me MËSUESIN.
(Kuptohet që, psh, pyetjes: Sa miliona fëmijë shqiptarë mbeten sot pa arsimim shqip?, nuk mund t’i përgjigjet mësuesi. Prandaj, këtë çështje, që është gjithkështu shumë shqetësuese, nuk po e trajtoj këtu, veç kësaj, edhe për shkak të hapësirës që lejon një artikull.)
2. KU JEMI, NE MËSUESIT, ME NXËNËSIT TANË?
Po e lëmë mënjanë, nuk po e harrojmë, por po e abstragojmë për një moment, kërkesën që, secili mësues shqiptar, duhet që gjithë jetën të merret seriozisht me përsosjen e profesionit të vet, dhe po shtrojmë një tjetër kërkesë në formë pyetejsh.
Mësuesit shqiptarë, a e përcjellin jetën e ish-nxënësvet të vet, për të parë e për të ditur, cila është cilësia e “mallit” që ka dalë prej duarvet të tyre? A kanë dhe a ruajnë mjësuesit shqiptarë, në arkivat e vet personalë, lista emërore të ish-nxënësvet të vet ndër vite? Rrjedhimisht, a janë në gjendje mësuesit tanë të përcjellin jetën e fëmijëvet që ata kanë edukuar dhe të bëjnë bilancet përkatës të paktën 1 herë në vit, në Ditën e Madhe të 7 Marsit? Të dijë mësuesi (sepse është thënë e thuhet që MËSUESI ËSHTË PRINDI I DYTË I FËMIJËS, madje, deri sa është i specializuar për edukim, ai ka vlerë për jetën e njerëzvet më shumë edhe se vetë prindi biologjik).

Pra, të dijë mësuesi ynë, të paktën 1 herë në vit, në Ditën e 7 Marsit: Cilët nga ish-nxënësit e tij NUK janë mirë në jetë? Sa prej ish-nxënësvet të tij janë konfrontuar me ligjet shtetërorë dhe janë dënuar me burgje? Sa prej ish-nxënësvet të tij janë kthyer në viktima të drogës? Sa prej ish-nxënësvet të tij kanë ndjekur “karrierën” e bastexhinjvet e të kumarxhinjvet? Sa prej ish-nxënësevet të tija janë shndërruar në prostituta dhe shesin veten nëpër Evropë? Cilët prej ish-nxënësvet të tij janë bërë trafikantë gjithfarë profilesh, droge, klandestinësh, femrash, foshnjash, organesh transplanti. Sa janë bërë “profesionistë” falsifikimesh? Mësuesi, si prind i dytë i fëmijës, madje si prind i kualifikuar, duhet të dijë, me STATISTIKA, psh edhe cilët dhe sa prej ish-nxënësvet të tij janë shndërruar në zyrtarë ryshfetçinj. Sa mjekë, ish-nxënës të tij, shikojnë më parë xhepin e të afërmvet të pacientit e pastaj, o merren, o s’merren fare me sëmundjen? Sa juristë, ish-nxënës të tij, marrin para e japin padrejtësi? Sa prej ish-nxënësvet të tij çohen në parlament për të bërë ligje dhe nuk dinë të bëjnë ligje? Sa prej ish-nxënësvet të tij vdesin rrugëvet (vriten) pikërisht për shkak të educates së mangët që u ka dhënë mësuesi? Sa prej ish-nxënësvet të tij vriten njëri me tjetrin duke u sjellë mjerim mijëra familjeve tona? Sa ish-nxënës të tij i rrahin bashkëshortet e veta më keq se të ishn lopë? Sa prej nxënësevet të tija bëhen gra që në bankat e shkollës dhe shndërrohen në vejusha para se të mbarojnë 9-vjeçaren?
Sa?! Sa?! Sa?! Të gjitha këto llogari, në mos i bëftë fill e për pe secili mësues, shoqëria njerëzore, në rastin tonë, shoqëria shqiptare, duhet t’i bëjë. Duhet t’i bëjë dhe të pyesë veten: Përse po i shpenzoj gjithë këto para për të edukuar veten, kur veten nuk po e edukoj dot?!
Nëse nuk kemi rezultate të kënaqshëm, nëse puna e mësuesit rezulton me minus, atëherë, o duhet të merren masat EFIKASE, jo kozmetike, jo pedikyr e manikyr, për ta pëmirësuar këtë punë, o i gjithë populli duhet të bërtasë ne zë shumë të lartë: Përse shpenzohen gjithë këto para për arsimin?! Pse na ua merrni fëmijëvet pjesën më të bukur të jetës, kur nuk jeni në gjendje, me punën tuaj, të na bëni të lumtur?!
Ndërkaq, në ditën e 7 Marsit, mësuesit tanë, lulet që marrin prej nxënësvet, le t’i çojnë në varreza, te varret e ish-nxënësvet të vet, vrarë e vdekur para kohe! Një pjesë të atyre luleve apo dhuratat që u jepen, shpeshherë edhe me njëfarë detyrimi, mësuesit tanë le t’ua çojnë ish-nxënësvet të vet… nëpër burgje, anembanë Shqipërisë dhe anembanë Evropës!
Do të mbetesha i pasaktë, nëse nuk do të ndalesha këtu për të bërë, megjithkëtë, disa dallime.
Mësuesit e Kosovës, sot Republika e Kosovës, në gjysmën e dytë të sh XX, punuan si heronj, prandaj ata sot, në Ditën e 7 Marsit, do të çojnë lule në varre heronjsh dhe në varre dëshmorësh, ish-nxënës të tyre. Kjo nuk mund të ngjyroset ndryshe.
Mësuesit e Republikës së Shqipërisë, filluar sidomos pas vitit 1912 e deri në vitin 1990, shumica e tyre, punuan si atdhetarë të përkushtuar dhe prandaj sot e kemi një armatë shqiptarësh të mirë, këtu brenda Atdheut, po edhe nëpër Botë. Kudo që sheh shqiptarë të suksesshëm, dije se në arkitekturën e tyre kanë pjesën e vet edhe mësuesit. Mirëpo, pas vitit 1990, shqiptarët e kësaj pjese të Shqipërisë, e çuan mendjen jashtë Atdheut dhe i lanë pas dore, si gjuhën shqipe, ashtu edhe dashurinë ndaj këtij vendi dhe dëshirën për të marrë dituri këtu e jo diku tjetër.
Në Çamëri dhe në pjesët e tjera të Shqipërisë, që gjenden në Republikën Greke, mësuesit shqiptarë, për fat të keq, nuk kanë me çfarë të mburren për kohën mbas vitit 1913 e sidomos për vitet mbas 1944-s. Shqiptarëvet të atjeshëm nuk iu lejua gjuha shqipe, por iu ofrua për gjuhë mëme një tjetër gjuhë dhe për Atdhe një tjetër atdhe. Mësuesit e Çamërisë dhe të pjesëvet të tjera të Shqipërisë, që u gjendën në Republikën e Greqisë, nuk qenë në gjendje as alfabetin shqip t’ua mësonin nxënësvet të vet shqiptarë. As kësaj nuk mund t’I vëmë ngjyrë tjetër.
Po kështu, duhet të themi, jemi të detyruar të pohojmë me hidhërim, që edhe për një numër të madh mësuesish shqiptarë që jetojnë në Republikën e Turqisë, ndonëse jetuan në të njëjtin shtet ku ka jetuar NAIM FARASHËRI, nuk e ndoqën dot rrugën e NAIMIT. Republika e Turqisë, vërtet ish një atdhe tjetër për shqiptaret e atjeshëm, por gjuha shqipe nuk kish arsye të mos mësohej nëpër shkolla. Për të gjitha këto ka vend për të studiuar e shkruar, por këtu nuk është rasti për t’u zgjatur edhe më shumë.
Por pyetja, sidoqoftë, duhet të përsëritet, të thërritet dhe të bërtitet, më e ashpër se kurrë: Sa për qind e shqiptarëvet, që jetojnë sot nëpër Botë, nuk mund ta festojnë Ditën e 7 Marsit, sepse nuk kanë 7 Mars?!
3. KU JEMI ME DITURINË E MËSUESVET?
Po përfytyrojmë tani një inspektim nëpër shtëpitë e banesat e mësuesvet dhe po nxjerrim një konkluzion. Titulli i inspektimit është ky: Ç’literaturë pedagogjike kanë mësuesit në bibliotekat e veta personale dhe sa e si i shfrytëzojnë ata ato biblioteka?
Nuk vijnë në konsideratë njohuritë që mund të jenë marrë nga interneti, sepse, njëri apo tjetri mësues, mund të të thotë se merr njohuri andej, pa e hapur ndonjëherë internetin në faqet e pedagogjisë. Veç kësaj, informacionet që merren nga interneti, janë si filmat: Hyjnë në mendje, kalojnë nëpër mendje dhe dalin në krahum tjetër të mendjes. Quhen literaturë profesionale vetëm LIBRAT, pra, ata që printohen, materialet që janë hedhur në letër, qoftë edhe prej internetit. Quhen literaturë profesionale funksionale vetëm ata materiale që, jo vetëm lexohen, por edhe nënvizohen, konspektohen dhe skedohen.

Kërkesat tona konkrte do të jenë këto:
1. A gjendet në bibliotekën e mësuesit tone Konfuci, filozofi dhe profeti i madh kinez, mbreti i të gjithë mësuesvet kinezë?
Konfuci, midis morisë së punëvet të tjera, këtu e 2500 vjet më parë, ka bërë ndarjen e shoqërisë në shtresa, mbështetur pikërisht në diturinë e tyre: Vendi i parë u takon atyre që lindin të ditur (pra, gjenivet dhe talentevet, Gj.D.), pas tyre janë ata që duhet të mësojnë për ta përvetësuar diturinë, pastaj vijnë ata që arrijnë të bëhen të ditur me mund të madh, ndërkaq, ata që nuk kanë prirje as vullnet për të mësuar, janë të fundit ndër njerëz.
Kjo është ndarja, e cila do të mbetet në jetë të jetëvet e parrëzueshme, por të cilën, si përqindje, ka për detyrë pa përmirësojë sistemi arsimor, dmth MËSUESI.
Konfuci ka thënë: “Askush nuk mund të krahasohet me mësuesin.” Por ai ka thënë edhe kështu: “Njeriu, i cili e kapërcen atë që tashmë e ka mësuar, dhe nga ajo nxjerr ndonjë njohuri të re, meriton të jetë mësues.” (Hpb.I, f.58-59)
(Vo! Për të gjithë ç’do të thuhet më poshtë, krahaso: Prof.Dr.Hajrullah Koliqi, Historia e pedagogjisë botërore, shkurt: Hpb, I apo II, dhe faqja përkatëse)
2. A gjendet në bibliotekën e mësuesit tonë jetëshkrimi i mësuesit endacack që quhet Protagora, i cili thoshte: “Për zotat nuk mund të dimë a ekzistojnë apo jo”, dhe të cilit iu dogj publikisht libri me titull Mbi zotat, i pari libër në historinë e njerëzimit, i djegur publikisht? (Hpb,I, f.76)
3. A i ka mësuesi ynë librat që flasin për Sokratin, mësuesin e madh të të rinjvet dhe të rriturvet, krijuesin dhe zbatuesin e pakundshoq të praktikës së mësimdhënies me anë të bashkëbisedimit, që do të thotë, të pajisurit e nxënësvet me njohuri në mënyrë induktive, nëpërmjet pyetjevet që kërkojnë prej nxënësit ta vrasë mendjen?
Sokrati, pedagogu që e përdori edhe ironinë si armën më të mirë për ta detyruar nxënësin të shkundet nga plogështia? Sokrati, krijuesi dhe zbatuesi i metodës së quajtur majeutike, mënyrë e mësimdhënies sipas shembullit të mamisë. Mamia nuk e krijon foshnjën, por e ndihmon nënën që ta lindë atë. As mësuesi nuk e krijon diturinë në kokën e nxënësit, por e ndihmon atë për të zbuluar diturinë që e ka në kokë.
Sokrati, filozofi, që u ka drejtuar të gjithë të pasurvet dhe jo të pasurvet të Botës, thirrjen më domethënëse të të gjitha kohëve: “Për ku jeni nisur, o njerëz, o ju që s’lini mënyrë pa përdorur për t’u pasuruar, kurse për bijtë tuaj, të cilëvet do t’ua lini atë pasuri, nuk kujdeseni fare?!” (Hpb,I, f.79-81) Kuptimi i kësaj thirrjeje doemos do kuptuar jo së prapthi, por për së mbari: Ju, o njerëz, mund edhe të shpenzoni qimet e kokës për “mirëqenien” e fëmijëvet tuaj, por cili është rezultati?!
4. A i kanë mësuesit tanë, në bibliotekat e tyre, veprat e Platonit, themeluesit të shkollës filozofike, të njohur me emrin Akademia e Platonit, projektuesit të një shoqërie njerëzore ideale?!
Në hyrje të asaj Akademie, Platoni pat shkruar: “Askush të mos hyjë këtu, nëse nuk di gjeometri!” A e dinë mësuesit tanë që ajo Akademi ka funksionuar 916 vjet pa ndërprerje dhe se kjo do të thotë që, jo vetëm Platoni ka ëndërruar një shoqëri ideale?! (Hpb,I, f.82-88)
5. Aristoteli, gjeniu më i madh intelektual i Botës Antike Perendimore, është thrakas. Ka qenë edhe mësuesi i Aleksandrit të Madh. Ka themeluar në Athinë shkollën me emrin LIKEION.
A i kanë mësuesit tanë librat e Aristotelit, në çfarëdo gjuhe qoftë? A e dinë mësuesit tanë që fjala AKADEMI vjen nga emri i një pylli, në mes të të cilit zuri fill Akademia e Platonit, ndërsa emri LICE, me kuptimin e sotëm shkollë e mesme, vjen nga emri i një tjetër pylli në afërsi të Athinës, Likeioni i Aristotelit? Duhen ditur këto, se, përndryshe, mësuesi del injorant para nxënësvet. (Hpb,I, f.89-99)
6. A i kanë mësuesit tanë librat që flasin për Mark Fab Kuintilianin, pedagogun më të madh romak dhe ndër pedagogët më të shquar të Botës Antike? A e kanë ata veprën madhore të Mark Fab Kuintilianit “Edukimi i oratorit”, libër që duhet ta ketë mbi tavolinë çdo mësues i Botës?
Mark Fab Kuintiliani është mësuesi i parë, në historinë e pedagogjisë botërore, me rrogë shteti, dhe është ndoshta i pari që ka thënë se mësuesi duhet të jetë “i këndshëm dhe tërheqës për nxënësin”. (Hpb,I, f.113-115)
7. A e dinë mësuesit tanë që D.J.J.Juvenali është autori i thënies “Mens sana in corpore sano”, “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”, me kuptimin: 2 gjëra janë të rëndësishme për njeriun, shëndeti i mendjes dhe shëndeti i trupit. Dikush mund të thotë: E çë, nëse nuk e dimë? Vërtet, mund të thotë dikush edhe kështu, por jo mësuesi. (Hpb,I, f.113)
8. A i kanë mësuesit tanë veprat e Hieronim Eusebit, njerit prej personalitetevet më të dëgjuar të Ilirisë në fushën e kulturës sonë antike? Shën Hieronimi ose Shën Jeronimi, është autori i famshëm i së famshmes Vulgatë, përkthim i Biblës nga hebraishtja e greqishtja në latinisht. Dhe, a e dinë mësuesit tanë që “në Kohën e Mesjetës secila presje në versionin Vulgata të Shën Hieronimit ishte aq e paprekshme dhe aq e shenjtë, sa, qoftë edhe për 1 të tillë presje të lënë pa shkruar, shkruesit i pritej koka”? Do të mjaftonte vetëm kjo, që mësuesi ynë ta kuptojë sa e rëndësishme është puna me drejtshkrimin. (Hpb,I, f.103)
9. A e njohin mësuesit tanë Vitorino da Feltren, pedagogun Italian, të cilësuar si babai i të gjithë humanistëvet? Shkolla e krijuar prej tij u quajt Shtëpia e Gëzimit. A janë shtëpi gëzimi shkollat tona, në të cilat mund të ndodhë që edhe të vriten fëmijët njëri me tjetrin? (Hpb,I, f.158-159)
10.A e kanë mësuesit tanë në bibliotekën e tyre veprën e Fransua Rabëlesë “Gargantua e Pantagruel”? E them këtë, sepse në shkollat tona po ndodh pothuaj rëndom që të kemi mësues si Holoferni, ku nxënësvet nuk u mjaftojnë 5 vjet për ta mësuar alfabetin. Nxënësit Gargantua, në duart e mësuesit Holofern, iu deshën 5 vjet për të mësuar alfabetin dhe pas 10 vjetësh të tjerë, ai rezultoi krejtësisht budalla, hutaq dhe injorant. (Hpb,I, f.164-166)
11. A e kanë mësuesit tanë në bibliotekën e tyre veprën e Mishel Montenjit, kundërshtarit të rreptë të skolastikës, ku, siç thoshte ai, nxënësit shndërrohen në gomerë të ngarkuar me libra? Mishel Montenji ishte kundër shkollavet, ku nxënësit i urrjnë shkuarjen në shkollë, diturinë dhe mësimet. Mishel Montenji ishte ithtar i parimit: “Jo shumë dituri, por dituri të dobishme”. Mishel Montenji kërkoi që gjuha amtare të mësohet para çdo gjuhe tjetër. (Hpb,I, f.166-167)
12. A e kanë dhe a e lexojnë mësuesit tanë Erazmo Roterdamin, eruditin e madh, pedagogun humanist dhe satirikun e famshëm? Erazmo Roterdami pat thënë: “Duke ta dhënë djalin, natyra të ka dhënë materjen e papërpunuar dhe varet nga ti, a do të bësh nga ajo materje një njeri të dëgjueshëm e të mirë apo një bishë.” Erazmo Roterdami kërkon prej mësuesit që të jetë i arsimuar, me kulturë gjuhësore dhe i moralshëm, jo xhelat, siç e kish pasur ai mësuesin e vet. (Hpb,I, f.170-171)
13. A e kanë mësuesit tanë në bibliotekën e vet veprën e Tomas Morit, të paktën ato pjesë të sajat që lidhen me pedagogjinë? Tomas Mori, në librin e tij Utopia, u tha anglezëvet: “Duke i edukuar fëmijët keq,… ju vetë i krijoni kriminelët dhe i pastaj i dënoni.” A nuk po bëjmë edhe ne shqiptarët kështu, 500 vjet pasi Tomas Mori ua ka thënë këto fjalë kaq të rënda anglezëvet?! (Hpb,I, f.172-174)
14. A i kanë mësuesit tanë mbi tavolinën e vet 2 librat e Marin Barletit tonë, doktor i shkencavet teologjike dhe profesor universiteti? Marin Barleti ishte adhurues i njerëzvet të edukuar mirë, siç ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu: i mençur, i zgjuar, i gjindshëm, gjykimshëndoshë, i mirë, i butë, zemërgjërë, i drejtë, i ndershëm, burrëror, me karakter të fortë, krenar për kombin e vet, i guximshë, trim. Ç’cilësi të tjera do të synonin mësuesit anë, nëse nuk synojnë pikërisht këto cilësi te nxënësit e tyre dhe a mund t’i synojnë këto cilësi pa e njohur mirë, midis tjerash, edhe veprën e M.Barletit?! (Hpb,I, f.175-176).
15. A e njohin, a kanë literaturë mësuesit tanë për Nikollë (Leonik) Tomeun, rektor e profesor universiteti, shef i katedrës së filozofisë në Universitetin e Padovës? Rrjedhimisht, a dinë mësuesit tanë që Nikollë (Leonik) Tomeu ka qenë njëri ndër propaganduesit e Renesansës dhe Humanizmit ndër studentët e vet dhe se, midis atyre studentëve gjendej edhe Nikollë Koperniku? (Hpb,I, f.177) Prapë do të mund të thoshte dikush: “Ç’rëndësi ka kjo?” Si s’paska rëndësi!?
16. Prifti që protestoi nëpërmjet 95 tezavet të tija mbi induligjencat, mbi dogmat fetare dhe mbi kishën katolike, prifti që protestën e vet e vari në derën e kishës ku shërbente, ishte Martin Luteri. Prifti që, tashmë i shkishëruar, bënte thirrje: “Të lahen duart me gjakun e papëvet, kardinalëvet, arqipeshkvijvet dhe të gjithë gjarpërinjvet të tjerë të Sodomës romake!”, ka qenë prapë M. Luteri, njeriu që e përktheu Biblën nga latinishtja në gjermanisht dhe që kërkoi të hapen shkolla fillore për të gjithë fëmijët.
A i dinë këto gjëra mësuesit tanë? A e kanë biografinë e M. Luterit në raftet e vet të libravet? Nëse jo, atëherë, a nuk ekziston rrëziku që mësuesit tanë, profesorët, dekanët dhe rektorët, t’i krahasojmë me arqipeshvijtë, kardinalët dhe papët e kohës së M. Luterrit? (Hpb,I, f.179-182)
17. A e kanë mësuesit tanë në bibliotekën e vet Valentin Trocendorfin, krijuesin e së quajturës Republika Shkollore? V. Trocendorfi është pedagogu që praktikoi vetadministrimin e nxënësvet në shkolla e në konvikte. Mbajtjen e rendit e të disiplinës, bartjen e ushqimit, mbikqyrjen e dhomavet të fjetjes, ndëshkimin e fajtorëvet, ushtrimet e të mësuarit përmendësh, të gjitha këto V.Trocendorfi ua la nxënësvet për t’i kryer. (Hpb,I, f.182-183)
18. Filip Melanktoni ka qenë një profesor shumë i talentuar dhe me kulturë enciklopedike, i mbiquajtur Mësuesi i Gjermanisë. Është autori i veprës “Mbi përmirësimin e mësimit të adoleshentëvet”. A e kanë mësuesit tanë veprën e këtij pedagogu të madh në bibliotekat e veta? (Hpb,I, f.184-185)
19. Tomazo Kampanela, ishte njeriu që luftoi për ringjalljen e shpirtit njerëzor dhe, për këtë, bëri 27 vjet burg, i torturuar në mënyrën më çnjerëzore nga Inkuizicioni. A e njohin këtë njeri mësuesit tanë dhe a e kanë jetëshkrimin e tij midis libravet të tyre, sidomos veprën e tij “Qyteti I Diellit”, ku projektohet edhe një sistem shkollor krejt i përsosur, sipas tij? Apo s’kanë fare bibliotekë dhe, si pasojë, s’kanë si ta kenë dhe s’kanë si ta njohin as T.Kampanelën? (Hpb,I, f.160)
20. A e kanë mësuesit tanë Jan Amos Komenskin në sirtarët e tyre plot me libra? Jan Amos Komenski është njëri ndër pedagogët më të shquar botërorë, është Mësuesi i Botës. Nuk mjafton të pyesim: “A e kanë veprën e tij në bibliotekë?”, por: “Sa herë e kanë lexuar?” Jan Amos Komenski është autori i “Didaktikës së Madhe” dhe i dhjetëra veprave e projekteve të fushës së arsimit. Në qendër të mendimit të vet pedagogjik ai ka postulatin: “OMNIS, OMNIA, OMNIO”, çdokujt, çdo gjë, plotësisht. (Hpb,I, f.211-225)
21. Po Rëne Dekartin, filozofin, racionalistin, të emërtuarin Babai i Filozofisë së Kohës së Re, njeriun, të cilit ia dogjën krejt librat, a e kanë mësuesit tanë midis libravet të vet? (Sepse, sado që ia dogjën krejt librat, prapë, vepra e tij mbeti e përjetshme.) “Të gjithë njerëzit duhet të kenë të drejtë për t’u arsimuar, gjuhë mësimi duhet të jetë gjuha amtare.” Ky është njëri prej parimevet të R.Dekartit në fushën e pedagogjisë. (Hpb,I, f.207-210)
22. A e kanë mësuesit tanë Xhon Lokun ndër librat e tyre? Ja çfarë thotë Xhon Loku lidhur me rëndësinë e edukatës: “Midis dhjetë njerëzve, që i hasim në rrugë, nëntë prej tyre janë bërë të mirë ose të këqinj, të dobishëm ose të dëmshëm, vetëm nëpërmjet edukatës.” Xhon Loku është ndër filozofët që u kërkon edhe xhentëlmenëvet të edukohen me anë të PUNËS. “Biri i një familjeje afariste duhet të zotërojë edhe mjeshëtri të ndryshme, si kopshtarinë ose bujqësinë, zdrukthtarinë, gurëgdhendjen.” Mirëpo, nëse nuk e di mësuesi çfarë ka thënë Xhon Loku për xhentëlmenët, si do t’ua mbushë mendjen ai pasanikëvet tanë që t’i edukojnë fëmijët edhe me PUNË KRAHU? Xhon Loku e sqaron këtë ide edhe më tej: “Nëse njeriu kohën e lirë nuk e përdor për këta lloje punësh, ai do ta përdorë atë për diçka të keqe.” (Hpb,I, f.225-231)
23. Zhan Zhak Rusoi është ndoshta i vetmi prej pedagogëvet botërorë, i cili edhe mund të gjendet diku midis libravet të ndonjë mësuesi shqiptar. Edhe ai, me një “Emil” tepër të shkurtuar. Por, për një Zh. Zh. Ruso të plotë ndër ne as që mund të bëhet fjalë. Është cilësuar si njëri ndër pedagogët më të mëdhenj botërorë, themelues i teorisë së edukatës së lirë. Pedagog i madh, por edhe i çuditshëm me një varg qëndrimesh, pas të cilëvet do të dalldiset më vonë edhe Ljev Tolstoji i Rusisë. “Zhvillimi i kulturës dhe i civilizimit”, thotë Zh.Zh.Rusoi, “e prishin moralin.” “Shkencat e drejtësisë i shërbejnë padrejtësisë.” “Historia u shërben tiranisë dhe luftëravet.” Prandaj edhe bënte thirrje: “Të kthehemi në natyrë!” “Ejani në pyll, të bëhemi njerëz!” Pastaj shtonte midis tjerash: “Kush s’është në gjendje t’i plotësojë detyrimet ndaj babait, nuk ka të drejtë të bëhet baba.” Dhe, në fund, porosia për ne mësuesit: “Ai që vendos të merret me edukimin e njeriut, së pari duhet të bëhet vetë njeri.” (Hpb,I, f.238-246)
24. A e kanë mësuesit tanë veprën e Deni Didëroit në bibliotekën e vet? D.Didëroi ishte filozof materialist dhe iluminist. Ai, midis tjerash, ka thënë: ”Edukata nuk mund t’i japë fëmijës atë që nuk ia ka dhënë natyra, por ajo ia zhvillon, ia rrit, ia përsos atij dispozitat natyrore.” Në lidhje me moralin ka thënë: “Njeriu, në radhë të parë, duhet të jetë i ndershëm.” Duke e vështruar njeriun si qenie sociale, D.Didëroi thoshte: “Më shumë njerëz të talentuar dalin nga kasollet se sa nga pallatet.” (Hpb,I, f.235-237)

25. Vjen pas D. Didëroit, sipas vitevet të lindjes, Klod Andrian Helveci. A e kanë mësuesit tanë K. A. Helvecin në bibliotekat e tyre? K.A.Helveci ishte materialist dhe illuminist i shquar. Unë veçova këtu vetëm 2 nga thëniet e tija: “Përvoja u tregon popujvet evropianë se: gjenitë, arsimi dhe dija, janë burime të fuqisë, mirëqenies dhe virtytit të tyre.” “Njeriu të merret me punë intelektuale nga 7-8 orë në ditë, ndërsa me edukim fizik nga 4-5 orë në ditë.” Sa nga mësuesit tanë i kanë lexuar këto 2 thënie të K.A.Helvecit dhe sa nga mësuesit tanë e zbatojnë këtë thënien e dytë të tijën?” (Hpb,I, f.233-234)
26. A e kanë mësuesit tanë Emanuel Kantin në bibliotekat e veta? Jo të gjitha veprat e tija, por të paktën ato pjesë ku flitet për arsimin. E.Kanti është themeluesi i filozofisë klasike gjermane. Ai thoshte: “Iluminizmi është dalja e njeriut prej papjekurisë së vet të vetëfshehur. Papjekuria është paaftësia që të shërbehemi me arsyen tonë pa udhëheqjen e një arsyeje tjetër.” “Qëllimi i edukatës është njeriu i përkryer, qytetari universal, i cili është aktiv dhe vepron vetëm sipas vullnetit të lirë.” “Pedagogjia”, thotë E.Kanti, “ka detyrë edukimin e njeriut, përmirësimin e llojit njerëzor.” “Njeriu të DISIPLINOHET, në mënyrë që natyra shtazore të mos mbizotërojë mbi atë njerëzoren, të KULTIVOHET, të QYTETËROHET dhe të MORALIZOHET.” (Fjalët me shkr.të mëdha, Gj.D.) “Moralizimi është detyra më e rëndësishme e edukatës, por asaj i kushtohet pak kujdes.” (Hpb,II, f.15-19) Vetëm kaq sa lexuam këtu, do të na mjaftonin që t’i kushtohemi detyrës së mësuesit për gjithë jetën.
27. A e kanë mësuesit tanë Johan Henrik Pestalocin në bibliotekat e veta? J.H.Pestaloci është ndër pedagogët më të shquar në botë. Është quajtur, madje, Edukatori i Njerëzimit. Ka qenë altruist i përkushtuar dhe një atdhetar i madh. “Për të shpëtuar atdheun”, ka thënë ai, “nuk ka mjet tjetër përveç edukimit të njerëzvet.” J.H.Pestaloci ka përdorur aso metodash edukative, që i përdorin nënat për edukimin e fëmijëvet të vet. E gjithë jeta e J.H.Pestalocit përmblidhet në një fjali: “Çdo gjë për të tjerët, asgjë për vete.” (Hpb,II, f.24-37)
28. A i kanë mësuesit tanë veprat e Sen Simonit në raftet e vet të libravet? Të paktën ato vepra ku ai ka folur për problemet e arsimit. “Vend parësor”, thshte ai, “në arsimin fillor duhet të ketë edukimi moral i nxënësit.” “Shoqërinë e re, shoqërinë pozitive, duhet ta drejtojnë shtresat prodhuese, punëtorët, fshatarët, zejtarët, kapitalistët.” Sen Simoni është promovuesi dhe propaganduesi më pasionant i arsimit profesional.” (Hpb,II, f.63-64)
29. A i kanë mësuesit tanë në bibliotekat e veta jetëshkrimin dhe veprën e Johan Gotlib Fihtes? Midis shumë së tjerrash, J.G.Fihte ka thënë: “Punoj, prandaj jam.” A nuk do të meritonte kjo fjali e shkurtër e tija të shkruhej nëpër ambientet e shkollavet tona? “Jo dituria e thjeshtë, por VEPRIMI sipas asaj diturie është përcaktimi yt.” J.G.Fihte ka qenë një patriot i madh. Këtë e vërteton edhe ky titull i njërës prej veprave të tija: “Fjalime kombit gjerman”, i cili është cilësuar si Plani i Fihtes për Edukimin Kombëtar. J.G.Fihte kërkoi nga mësuesit që t’i edukojnë fëmijët në frymën kombëtare. (Hpb,II, f.19-21)
30. Georg Vilhelm Fridtrih Hegeli, edhe për vizionin e tij pedagogjik, do të ish e domosdoshme të jetë i pranishëm në bibliotekën e çdo mësuesi. Thënia e tij “Njeriu me sy, por i paditur, sheh aq sa i verbri ditën”, do të duhej ta kish çdo mësues te pasqyra e tualetit, që ta peshojë veten, sa i ditur është ai për vete, që të mund t’ua japë atë dituri nxënësvet të vet. “Qëllimi i edukatës”, thotë G.V.F.Hegeli, “është përkryerja morale e njeriut.” Por ai thotë edhe këtë: “Së pari individi edukohet në familje, pastaj në atdheun e vet.” Kjo është për të kuptuar rëndësinë që ka familja, kurse, kur thotë: “Vetëm atëherë kur diçka shprehet në gjuhën time amtare, ajo bëhet e imja”, G.V.F.Hegeli na del një i atillë patriot, të cilin do të duhej ta imitonin që të gjithë. (Hpb,II, f.21-23)
31. Robert Oueni ka thënë: “Shoqërinë e qeveris arsyeja e njeriut. Mjafton që, permes edukatës, të ngrihet niveli intelektual, moral e kulturor i njeriut.” Ky ishte mendimi i R.Ouenit, por kur arsimi nuk e kryen detyrën si duhet, çdo gjë mund të kthehet në të kundërtën. Ajo që, jo vetëm ai, por shumë të tjerë e kanë thënë se “Shërbimi i mësimdhënësit është shërbimi më i rëndësishëm në shtet”, nëse ai shërbim nuk kryhet si duhet, mund të kthehet në bumerang të pakorrigjueshëm. (Hpb,II, f.67-69)
32. Mësuesi që dëshiron të jetë zot i profesionit të vet, ka nevojë për t’i pasur parasysh të gjitha pikëpamjet. Sharl Furje ka thënë: “Puna prodhuese është mjeti më i rëndësishëm i edukimit.” “Puna shkollore duhet të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me punën në punëtori dhe në fushë.” Mos vallë lënia pas dore pikërisht e këtij parimi, është njëri nga shkaqet e rezultatevet shumë të dobët në përvetësimin e mësimevet? Ja pse i duhet mësuesit e gjithë literatura pedagogjike botërore, ta ketë mbi tavolinë sa herë i dalin probleme, që do të thotë: Ta ketë mbi tavolinë çdo orë e çdo ditë! (Hpb,II, f.64-66)
33. A i kanë mësuesit tanë, të rreshtuara ndër raftet e bibliotekavet të veta, veprat pedagogjike të Johan Fridrih Herbartit? Nëse nuk i kanë dhe nëse mjaftohen vetëm me 5 fjalë që u janë thënë nëpër auditore, si do të mund t’i zgjidhin ata problemet e përditshëm e të përminutshëm? Në asnjë profesion nuk mund të sigurohet suksesi pa erudicionin e domosdoshëm, por në profesionin e mësuesit erudicioni është më i nevojshëm se kudo gjetkë. “Pedagogjia është shkencë dhe art i edukimit”, thotë J.F.Herbarti. “Ajo ka për detyrë që, permes të vërtetavet të SPROVUARA, t’i ndihmojë drejtpërdrejt punës praktike edukative.” J.F.Herbarti nuk kërkon që, jo nxënësi, por as mësuesi, t’i ZBULOJË të vërtetat. Ai ia jep fëmijës të vërtetat të gatshme. Fëmija i mëson ato, njihet me to dhe vetëm pasi të jetë pajisur me njohuri të vërtetuara qysh më parë prej të tjerëvet, i jepet mundësia edhe atij për të gjurmuar më tutje. “Mjeti i parë i edukatës është QEVERIMI, i cili i rregullon sjelljet e fëmijës.” “Urdhëri që jep edukatori, nuk tërhiqet.” J.F.Herbarti është kritikuar pikërisht për të këtillë qëndrime. Mirëpo, kur shihen gjërat më kthjellët dhe pa i shtrembëruar, mund të dalë që duhen kritikuar, jo J.F.Herbarti, por ata që i kuptojnë gabim parimet e J.F.Herbartit. (Hpb,II, f.38-51)
34. A e kanë mësuesit tanë Fridrih Vilhelm August Frebelin midis libravet që duhet t’i kenë përditë nëpër duar? F.V.A.Frebeli është themeluesi i arsimimit parashkollor. Postulati i tij i patjetërsueshëm është: “Ne jetojmë për fëmijët tanë.” Por, a mund të mburren se jetojnë për fëmijët, ata mësues, nxënësit e të cilëvet drogohen qoshevet? “Mendja dhe shpirti zhvillohen permes aktivitetit trupor”… “permes punës së fëmijëvet në parcela të vogla të tokës.” Pra, edhe F.V.A.Frebeli, si shumica e pedagogëvet me famë botërore, e ka lidhur suksesin e të mësuarit, suksesin e zhvillimit intelektual të njeriut, me veprimtaritë e tija fizike. Po nuk lëvizi trupi, nuk lëviz as truri. Një trup obez nuk mund ta zhvillojë intelektin e dëshiruar, ashtu si nuk mund të arrijë atje ku duhet as anemiku. (Hpb,II, f.51-56)
35. Ja, edhe disa thënie të Etjen Kabesë: “Edukata është problemi themelor i shoqërisë.” “Femra është po aq inteligjente, sa edhe mashkulli.” “Themeli i ndërtimit të moralit është puna.” “Edukimi qytetar fillon në fëmijëri dhe zgjat tërë jetën.” “Puna prodhuese (e mirëfillta, Gj.D.) duhet të fillojë në moshën 17(18)-vjeçare.” I ka thënë këto E.Kabeja, por a i kanë mësuesit tanë veprat e E.Kabesë në bibliotekat e tyre? (Hpb,II, f.69-73)
36. A i kanë mësuesit tanë biografinë dhe veprën pedagogjike të Fridrih Adolf Vilhelm Distervegut, cilësuar si mësuesi i mësuesvet gjermanë? Njëra ndër veprat e tija të shumta është: “Udhërrëfyes për mësuesit dhe për ata që duan të bëhen mësues”. Midis tjerash, ky mësues i madh i mësuesvet, ka thënë: “Dashuria ndaj njerëzimit dhe dashuria ndaj atdheut duhet të shkojnë krahas.” “Nxënësit të shkollës fillore nuk i nevojitet sasi e madhe diturrishë.” “Ngarkimi i tepërt i nxënësvet me mësim e mbyt çdo vullnet e kënaqësi.” “Metodë e mirë është ajo që te nxënësi nxit vetëveprimin .” “Mësuesi popullor duhet të zotërojë të gjitha lëndët mësimore të shkollës fillore.” (Hpb,II, f.57-61)

( VIJON … )

=========================

PJESA E DYTË
GJOKË DABAJ: PA 7 MARSIN E VITIT 1887,

AS PAVARËSIA E SHQIPËRISË NUK DO TË ISHTE SHPALLUR NË VITIN 1912 (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2564

************************************************************************

MATERIALE E KOLEKSIONE TË RRALLA GJATË RUGËTIMIT TË SHKOLLËS SHQIPE

*******************************
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura