ISMAIL GASHI-SLLOVIA: 7 MARSI – DITA E MËSUESIT

(Lypjan, 07. 03. 2013) – 7 Marsi, është Dita e Mësuesit Shqiptarë, gjegjësisht dita e shkollës kombëtare shqiptare. Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe, për arsye e rrethana të njohura, shumë vjet nuk është festua në gjithë hapësirat shqiptare, apo është festuar ndaras. Sepse në trevat e okupuara etnike shqiptare ka qenë e ndaluar dhe e denuar të festohet. Në shtetin zyrtar në Shqipërinë londineze, Dita e Mësuesit festohet e kremtohet vetëm nga 1960, ndërsa pas vitit 1968 kjo festë kombëtare, ilegalisht, pjesërisht ose gjysmë zyrtarisht u lejua, kremtohej e festohej edhe në Kosovë e treva tjera etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë e atëhershme. Ndërsa tash, pas 17 shkurtit 2008, Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 7 Marsi, Dita e Mësuesit e shkollës shqipe, është vetmja festë e përbashkët kombëtare për të gjitha trevat etnike shqiptare.
Dita e Mësuesit, është festë e mësuesit, nxënësit dhe gjithë punëtorëve arsimor, të çdo mjedisi e niveli të shkollës shqipe. Andaj, kjo festë, si edhe festat e ngjarjet të tjera arsimore, historike e kombëtare, si ajo e Alfabetit të Gjuhës Shqipes, Njësimi i Gjuhës Letrare Kombëtare Shqipe, në një të ardhme të afërt Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovë, por edhe Ministria e Arsimit e Maqedinisë, doemos për hirë të integrimit të shkollës kombëtare shqiptare, duhet të kordinojnë njësimin e planprogrameve, Kurikulave mësimore të të gjitha niveleve, klasave e lëndëve të shkollës shqipe, si dhe teksteve e mjeteve mësimore e çdo të mbërrirë tjetër shpirtërore, materiale arsimore e kombëtare, dhe Diata e Mesuesit të njësohet, festohet e kremtohet për datë e festë e gjithëkombëtare shqiptare. Kështu duhet të jetë e integruar edhe shkolla dhe sistemi i reformuar shkollor kombëtar shqiptar. Shkolla shqipe, pavarësisht gjendjes dhe pozitës aktuale politike e shtetërore, tash e ndarë në njësi shtetërore të ndryshme, paralelisht me reformën arsimore të kryen edhe integrimin kombëtar të shkollë shqipe, dhe pastaj, si një e vetme dhe e pandarë të integrohet në sistemin e reformave arsimore demokratike ndërkombëtare. Sepse shkolla e sistemi arsimor përgjithësisht është veprimtari praktike shoqërore që fisnikëron njeriun në aspektin shpirtëror, njerëzor e kombëtar. Andaj, si kurdoherë, e si kudo, e në çfardo niveli e mjedisi, është nderë të jesh e të jetosh mësues, të mësosh dhe edukosh të tjerët, e të jetosh jetën e nxënësve.

Dita e Mësuesit shqiptar, 7 Marsi 1887, shenon ditë kur u hap mesojtorja e parë e shkollës laike shqipe në Korçë, Kjo ishte rrjedh e natyrshme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte fryt i vullnetit, përpjekjes e punës së rilindëseve tanë të mëdhenj. Kjo ditë e madhe e gjuhës shqipe, alfabetit, librit e shkollës shqipe, ishte kurorë e përpjekjeve e shqiptarëve të shkolluar jashtë atdheut. Këtë vit u hap Shkolla e parë laike e Korçës, dhe pse historiku i shkollës shqipe daton shumë shekuj më herët, që nga Apolonia e Durrësi para lindjes se Krishtit. Shkolla e mëvonshme laike në hapësirën shqiptare ndër të tjera më shumë njihen Shkolla e Stubllës 1584, shkolla e Janjevës 1665 Akademia e Re e Voskopojës 1750 e shumë të tjera, para e mbas tyre. Mësojtorja shqipe e Korçës dhe të tjerat pas saj, mësimin e shqipës e filluan dhe e zhvillun mësuesit patriotë të mëdhenj shqiptar. Në shkollën e Korçës mësuesit e saj zhvillonin këto lëndë mësimore: Shkrim, Këndim, Gjuhë shqipe, Gramatikë Shqipe, Histori e Shqipërisë, Gjeografi, Aritmetikë, Muzikë, Këngë etj. Nxënësit e saj ishin nga gjitha besimet fetare dhe mjediset e nivelet shqiptare. Mësuesit e saj ishin atdhetarët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri që ishte edhe drejtori i parë i saj, njëherit mësimdhënësi i parë i gjuhës shqipe në ketë shkollë, Sotiri ishte mësues i popullit, nxënës i Koto Hoxhit, i vrarë në Stamboll nga armiqtë e çështjes shqiptare. Koto Hoxhi veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, mësues në shkollën greke, që fshehurazi jepte edhe mësimet e shqipës në shkollën e Gjirokastrës. Mësimdhënësit tjerë në shkollën e Korçës ishin edhe, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçe, Thoma Avrami, Balil Tahiri etj. Petor Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, publicist dhe pegadog, Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe në krahinën e Kolonjës. Shkolla e Korçës punoi e veproi 15 vjet. Kjo shkollë në fillim të shek. 20. kishte 6 klasë, kur Turqia e mbylli më 1902 dhe u rihap më 1908. Këtë shkollë, që kur u hap më 1887, si edhe shkollat të tjera në vazhdimësi, i ndihmonin veprimtarët atdhetarë, shoqatat dhe shoqëritë atdhetare shqiptare dhe kishin ndikim në organizim të procesit mësimor, në sigurimin e mësuesve, teksteve mësimore dhe mjete materiale. Një nga nisimtarët për hapjen e shkollës shqipe është edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare e veprimtare e shquar e cila punoi në arsimin e gruas shqiptare. Ajo ka botuar librin e saj “Abetare për shkollat e para” dhe ka vend meritor në historikun e shkollës shqipe, është e para grua mësuese dhe autore e teksteve shkollore. Për ndihme ne hapjen, mbajtjen dhe shkrimin e teksteve mësimore veçohen vëllezërit Naim e Samiu Frashëri, Vreto, Kristoforidhi e të tjerë nga Shoqëria Shqiptare e Stambollit. Këta arsimdashës shkollës së Korçës i ndihmuan edhe me mjete financiare. Në krah të kësaj veprimtarie arsimore u angazhuan edhe atdhetarët e shoqërive tjera shqiptare, si ajo e Manastirit, Bukureshtit dhe Korçës. Korçarët janë të njohur për ndihmën materiale që i dhënë shkollës se tyre, Diamandi Terpo lëshoi shtëpinë për shkollën, i cili pas vdekjes kësaj shkolle i dhuroi gjithë pasurinë e fituar në Bukuresht. Pas shkollës së Korçës u hapen shkolla edhe në Pogradec 1887, Elbasan, Treskë, Leskovik, Kolonjë, Ohër 1887, Prizren 1889 etj. Ne fund shekullin 19-të, në Korçë më 1891 për herë të parë u hap edhe shkolla e vajzave. Më 1892 u hap shkolla në Luaras, Selenicë e katër të tjera në Gostivishtë, Rahovë, Vodicë dhe Treskë. Më 1900 u hap shkolla në Zadrimë, Durrës, Tirane, Vlorë e të tjera. Që nga fillimi i shekulli 20 shkolla shqipe u hapen edhe në Kosovë, si në Prizren, Pejë, Gjilan, Stubëll, Gjakovë, Pozhoran, Mitrovicë, Zym e vende të tjera. Shumë nga mësuesit patriot në kohëra e rrethana të ndryshme ranë dëshmorë nga armiqtë e shqiptarëve dhe shkollës shqipe, të cilët mësuesit dhe gjuhën shqipe e kishin halë në sy. Vrasjet prapa shpine martirizuan mësuesit tanë kombëtar Petro Nini Luarasin. Pandeli Sotirin, Papa Kristo Negovanin, Naum Veqilhaxhit, At Shtjefen Gjeçovin, e në vazhdimësi të kohës deri në ditët tona, kur okupuesi serb vrau mësuesin Halit Gecit 26 nëntor 1998 në Llaushë dhe më 28 nëntor 1998, ditën e shënuar të varrimit te mësuesit Halit Geci, nga motivohet përshtatshmëria e paraqitjes më të arsyeshme publike e UÇK-së. Në vazhdimësi të rezistencës ushtarake për shkollën shqipe e liri të Kosovës, ranë dëshmorë e u martirizuan shumë mësues, student e nxënës të shkollës shqipe. Këto vrasje serbe synonin që te shqiptarët ta vrisnin ndjenjën e dashurisë ndaj popullit e atdheut. Ta vrisnin dashurinë shqiptare për shkollën, gjuhën dhe librin shqip. Përkundrazi, në vazhdimësi të rrjedhave të kohës e ngjarjeve, veprimet e tilla shqiptare, këtë ndjenjë vetëm sa e rrisnin, e forconin dhe e zgjeronin kah mëvetësia e shkollës, ndarja fizike e shpirtërore e shqiptare, nga dhuna administrative shtetërore serbe. Kjo aspiratë kulmoi Më 17 shkurt 2008, tash një vit, erdhi dita e deshiruar, kur definitivisht Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e cila shpejt u njoh nga shtetet të tjera. Republika e Kosovës ka krijuar identitetin e shtetësisë së saj, që në vazhdimësi po ngritet në nivelin dhe kombëtar dhe në asociacionet ndërkombëtare.
– Autori është veteran i arsimit. Kontakti: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura