ISMAIL SYLA: ELIFE LUZHA – POETE E DHEMBJES SË ESTETIZUAR

Prishtinë, 9 mars 2017: (Elife Luzha “Mos ma vrisni lotin”, poezi, 2017) – Libri me poezi “Mos ma vrisni lotin” i Elife Luzhës edhe njëherë dëshmon për një krijuese me shpirt të vërtetë lirik. Ky lirizëm bazohet sa në ndjeshmërinë shpirtërore aq edhe në kujdesin stilistik për ta përcjellë atë ndjeshmëri ndjenjash.


1.
Që në titullin e librit, që del nga cikli i parë i poezive, kërkesa e saj për të mos ia vrarë lotin është kushti jetësor i saj. Loti, lëng i dhembjes, që rrjedh nga syri, por e prodhon ndjenja në thellësinë e zemrës, është dëshmi e ekzistencës. Sipas teoricienit Cvetan Todorov, rrëfimi i Sheherzades tek përrallat “1001 net” është jetë. Nëse ajo nuk ka një rrëfim, përrallë për mbretin, ajo vritet. Që në fillim të librit Elifja paralajmëron kushtin e saj ekzistencial:
Gjithë thellësinë e shpirtit e kam aty
Njerëz mos ma vrisni lotin
Se më vrisni përgjithnjë
(Mos ma vrisni lotin)

Ndjenja e dhembjes shtrihet përgjatë ciklit, duke kulmuar me “Dhembjen e lulëkuqeve”, një metaforë për gratë shqiptare të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, si një nga përjetimet më tragjike dhe më të ndjeshme. Gruaja e tillë është “lulëkuqe në dhembje e plandosur, përballë së cilës nuk ka indiferencë, përkundrazi, ka një qortim të ndërgjegjes:
Shkaras jo nuk i kalohet vuajtjes sate
(Dhembja e lulëkuqeve)

– Elife Luzha –

2.
Derisa cikli i parë përshkohet kryekëput me ndjenjën e dhembjes, te cikli i dytë “Qiell dhe frymë” gërshetohen lirizmi dhe përjetimi intim fillimisht me një dozë optimizmi, gëzimi të kursyer për të përfunduar dalëngadalë në ujëra të një bote nostalgjike.
Autorja ka një mekanizëm të vetëmbrojtjes qoftë përmes përjetimit të natyrës, e cila si e tillë ka bukurinë e pakontestueshme, që jepet përmes gjerësisë së qiellit, nga njëra anë, por edhe reagimin e qëllimshëm optimist si për t’ia bërë të ditur botës së ligë se njeriu me shpirt të ndjeshëm dhe të zhvilluar ka një lëvozhgë e cila nuk mund të lëndohet lehtë.
Këtë raport ndjenjash, poetja arrin ta shtrijë përgjatë tërë ciklit. Por ajo nuk arrin ta maskojë deri në fund solidarizimin me natyrën, sepse nuk mund të jetohet shkëputur nga bota njerëzore, e cila si e tillë ka mjaft helm dhe goditje lënduese, kujtime të njelmëta e lot mbi buzë, siç thotë ajo (poezia Melankoli).
3.
Cikli i tretë “Nëpër kohë” përmban lirika në të cilat ironizohet aktualiteti jetësor dhe social, qortohet e kaluara e cila ka plot paradokse. Poetja ka qëndrim cinik ndaj botës shqiptare, rikujton të kaluarën, ringjall poetikisht të vdekurit për të biseduar me ta, shpreh ndjenja të miqësisë, rikthehet në botën e artit, si e vetmja republikë dhe si e vetmja parajsë që të mbron nga ferri.
Si kompensim përballë botës së trishtë është kthimi në botën e artit (pikturë – muzikë), siç thotë poetja në poezinë “Përmbysje”
Marr si të gjallë një luledielli nga pikturë e Van Gogut
Për ta ngrohur shpirtin me Valpurgitë e Vagnerit

4.
Elife Luzha si krijuese ka një kujdes të veçantë për përdorimin e leksikut poetik. Janë për lakmi disa shprehje të cilat krijojnë efekt estetik dhe bartin mundësi të ndjeshme shprehjeje. Nuk mund të kalohet pa marrë efektin estetik te sintagma: “zëri i atdhenjtë” (që mbytet nga shtiracakët, harbutët dhe ligavecët, te poezia Thëllimë fjala e përngjitur me shije si “fushënata” (Përplasje), “thepmaja” (Ndjekësi) “shikimi i hinktë” (Turbullirë) ose definicioni poetik “Dhembja ime e përlotur / Atdhe (poezia Atdhe).
Elife Luzha përfundimisht është poete e dhembjes së estetizuar.
Prishtinë, 26 shkurt 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura