Pashtriku, 5 prill 2021: Intervistë me ish refugjatin nga Prishtina, i strehuar në Korçë, Ismet Myftar Berishën, dhe të shoqen e tij, Nailen. Intervista është kryer në familjen e tyre, te Lagja e Trimave në Prishtinë në dhjetor 2001 nga Koloneli gjirokastrit, Dilaver Goxhai – i cili ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, mars – qershor 1999.
Dilaveri: Kur dhe si u larguat nga Kosova?
Ismeti: Jemi larguar nga shtëpia, Prishtina e Kosova rreth nji javë pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja. Na nxorri policia nga shtëpitë, ashtu, me çka ishim veshur. Vetëm paret munda me marrë. Morrëm fëmijët dhe na detyruan të shkonim në stacion të trenit në Prishtinë. Atja ishte e gjithë Prishtina. Nuk dinte askush se ku po na çonin. Treni që ndaloi erdhi pas 2-3 orësh pritje.
Nailja (ndërhyn): Më fal Ismet! Nëse të kujtohet mirë, treni i parë që erdhi pas 2-3 orësh ishte për Nish. Nuk guxuam me hyp në të. Në orën 2 të mesnatës erdhi treni tjetër që hypëm, apo jo? Asaj kohe ishim nën zhurmat e krismave të kundrajrorëve si dhe zhurmave e goditjeve të avionave. Në tren kish mizëri njerëzish.
Ismaili (vazhdon): Po, sakt. Atje ku zbritëm mësuam se quhej Bllacë. Nuk kisha qenë ndonjëherë. Ndejtëm atje rreth një javë. Ishim si mos më keq. Erdhën do persona e na thanë se do të na dërgonin diku gjetkë për më mirë. Na hypën në autobuza. Gjithçka e drejtonte milicia maqedone. Edhe ata nuk na thanë se ku do të na çonin. Ishim gjithë frikë. Askush nuk fliste. U nisëm aty nga mbrëmja. Aty nga mesnata mbritëm në një vend që na thanë se është doganë. Pasi kaluam kufirin maqedon dhe ndaluam përsëri në një doganë tjetër, aty mësuam se ishim në Qaf-Thanë. Gjithçka flitej shqip. E kuptuam se po na çonin në Shqipëri. Me të thanë të drejtën, Bacë, u frikësova edhe më keq, por nuk i tregova Nailes. E din pse? Nuk dëshiroja me shku në Shqipëri. Nailia pyeti një gru se për ku shkojshim, dhe më tha gjithë kënaqësi: “Ismail, jena tuj shku në Shqipni!” Dhe une i thashë: “Më mirë do të ishte të na çonin në Beograd se sa në Shqipni”. Kjo më pa gjithë habi, por nuk foli.
Dilaveri: Pse kjo dëshirë a frikë, si me e qujt?
Ismeti: Me thënë të drejtën për Shqipërinë, ato vitet e fundit kishim dëgjuar shumë gjana të këqija. Pata lexuar në gazetat tona në Prishtinë se Shqipërija ka veçse rebela. Madje në njërën prej tyre kisha lexuar se, do hajduta prej Tropoje patën shkuar në një familje të një fshati të Gjakovës dhe i kishin lyp 25 mijë DojçMark, ndryshe, i patën thanë të zotit të shpisë, do të të vrasim djalin dhe ashtu patën ba. Kështu shkrunte gazeta. Po ka rrejt ajo, po të rrej dhe unë. Qashtu, besa. Jo vetëm unë, por të gjithë çka unë pata biseduar për Shqipërinë, ashtu mendonin.
Dilaveri: Si vazhdojë odiseja e juaj më vonë?
Ismeti: Udhëtum goxha gjatë, gati tri orë. Kur zbritëm nga autobuzët ishte mëngjes, rreth orës pesë a gjashtë. Qashtu. Unë me fëmijët e mi zbrita i pari dhe isha i pari, që hyra në një sallë sporti, për ku na drejtuan. Nuk dijshim ku ishim.
Dilaveri: Sa fëmijë kishit me vehte?
Ismeti: Të tre i kishim, dy djemtë dhe vajzën, 11, 9 dhe 6 vite.
Dilaveri: Po…?
Ismeti: Sa hyra brenda pashë bukë të rumbullakta e të mëdhaja, të cilat nxirnin avull. Ndjeva një farë ngrohtësije. Disa nuse të reja na dolën përpara. Fjalët ngrohëse të tyre ishin fjalët e para që ndigjoja prej gojës së shqiptareve të Shqipnisë. M’u duk sikur më flisnin nana dhe motrat e mia. Nuk kisha dëgjuar kurrë zëra aq të ngrohtë e aq shqipe të pastër. Një pritje e ngrohtë që s’di si me ta tregu. Ato momente besova se edhe për ne shqiptarët paska Parajsë. Ndoshta edhe nga që kishim një javë që as hanim, as pinim e as flinim. Nuk e di. Qysh aty fillova të mallkoja vehten pse e pata aq jashtë zemre vajtjen në Shqipëri. Sa të gënjyer ishim, bre burrë!
Nailia (ndërhyn): Kur pamë atë mikpritje na iku frika që na kish shoqëruar ato ditë. Dhe hera herës shikojsha nga Ismaili për më i thanë: Ja që nuk asht ashtu si më the, por ky meazalla se shihte prej meje, dhe merrej me fëmijët.
Ismeti: E shifsha me bisht të synit por nuk dojsha me u kthy prej saj se e kuptova se çfarë dejshe me më thanë… Na sistemun, duke na dhënë bukë të ngrohtë dhe djath. Nga e folmia e tyre kuptova se ishin toskë, me nje lloj të folme krejt ndryshe prej nesh, por që e kuptojsha shkëlqyshëm çdo fjalë. Pas pak e mësuam se ishim në Korçë. Pasi na lanë 2–3 orë me u shlodh, erdhi policia dhe na morri me 5 a 6 komba, por ata sikur ishin ma të mirë se kombat e merrshin ma shumë njerëz.
Dilaveri: Duhet të kenë qenë mikrobuza.
Ismeti: Po besa. Na zbritën në afërsi të një shkolle fshati. Ora ish aty rreth tre pas dite. Na thanë se ishim në fshatin Vranisht. Nuk kishim zbritur ende prej kombeve, kur u mblodhën shumë fshatarë. Më shumë gra se burra. Ata na rrethun dhe nuk po flisnin, veçse na shifnin, tuj i pasë sytë plot me lotë. Kjo na bëri edhe më shumë përshtypje. Shikojshim njani-tjetrin ne kosovarët dhe po habitshim me ndjenjat që shprehnin sytë e vendasve. Këtë gjë nuk kam për ta harruar kurrëm e kurrës. Thashë me vete: Gjaku qan për gjakun. U kujtova çfarë i pata thanë grus në doganë, dhe më vinte përsëri turp prej vetes, që iu pata shprehë gruas në atë mënyrë, “se do të ish më mirë me shku në Beograd”.
Më dukej sikur më patën dëgjuar deri këtu në Korçë. Dikush prej fshatarëve mundohej me na buzëqeshë, por e shihja se e kishin të pamundur. Ne prej Kosove shikonim njani-tjetrin dhe nuk të rrej, habiteshim. Por kjo zgjati shumë pak. Heshtjen e thyejti një grua, e cila ishte mësuese. U afrua drejt meje dhe pasi më përshëndeti, më pyti:
“Sa fëmijë keni?”
“Tri, i thashë, si dhe unë e gruja”.
“A dëshironi me ardhë e me u strehu te familia ime?”, më pyti.
“Falmnerës!”, i thashë…
Nailia (ndërhyn): Pastaj ajo gruja m’u drejtua mua, duke më thënë se ishte mësuese dhe: “Nxënësit e mi kanë dëshirë me taku moshatarët e tyre prej Kosove. A mund të më prisni dhjetë minuta me i marrë e me i çu fëmijët në klasë”.
Dhe nuk priti as përgjigjen, por mori për dore dy djemtë dhe iku me ta shpejtë drejt hyrjes së shkollës. Ne po prisnim në kambë. Nuk u vonua shumë dhe u kthyen të tre.
Dilaveri: Sa familje ishit gjithsej që shkuat në Vranisht?
Ismeti: Ishim rreth njëzetë familje. Përveç meje ish Hakifi nga Millosheva e Obiliqit (Kastriot) me dhjetë familje të fisit të tij; një mësues prej Vuçiterne, Destan e quanin, së bashku me familjet e tre djemve të tij; Ismet Kutlleshi prej Podujeve (Besjana) me tre familje, kushrinj të tij; ishin dy familje nga Bregu i Diellit të Prishtinës dhe tre familje prej Mitrovice.
Dilaveri: Ku u strehuat përfundimisht dhe sa qëndruat atje?
Ismeti: Mësuesja na mori e na çojti në shpinë e saj. I shoqi i saj pat qenë kryetar i kooperativës në kohën e Enverit. Ai quhej Gëzim Kavolli, ndërsa të shoqen e thërrsnin Fiqo, mësuese. Kur shkuam në shtëpi, Gëzimi nuk ndodhej atje. Fiqua nuk na la me heq as këpucët, por na shtyni me zor mbrena me gjith këpucë. Na qerasi me plot të mirat, pastaj na tregoi se ku do të flinim. Na liroi dhomën ma të mirë, atë ku ata flijshin qysh kur ishin martu. U lajtëm në dush dhe ramë e fjetëm si të vdekun. Kur erdhi i shoqi në mbrëmje, na foli gjithë buzëqeshje dhe na tha: “Ma hudhi gruaja. Do të kisha dëshirë që unë me u marrë, por ja që ajo u tregua më e shkathët se unë. Do të rrini te unë, na tha, jo një muaj e dy, por me vite të tëra, deri sa të bëhet mirë me u kthy në Kosovë. Mos kini dert, do të hamë së bashku e do të jetojmë së bashku. Ju nuk duhet të merakoseni për asgja, se gjithçka do ta përballoj unë me familien teme. Unë do të ngrej edhe një shtëpi me dy dhoma dhe ajo do të jetë e jueja tërë jetën, nëse dëshironi. Edhe kur të shkosh për Kosovë edhe mund ta shesësh, nuk ka problem, ajo do të jetë e juaja. Ju u kanë përzënë nga vatani, por mos u sikletosni, çdo gjë do ta kalojmë së bashku, të mirat dhe të këqijat. Jemi vëllazër. Pastaj, atje kemi një ushtri të tanë që lufton dhe kushedi sa djem e burra të tjerë do t’u bashkangjiten”. Nuk po u besoja veshëve për çka dëgjoja. Edhe deri këtu paskan dëgjuar për UÇK-në, thash me vehte dhe, po e them për herë të parë, në atë moment më erdhi turp prej vedit që nuk isha dhe unë në UÇK.
Dilaveri: Dhe a ta ndërtoi shtëpinë?
Ismeti: Si jo, madje për pakë ditë, me materiale pothuajse të gatshme.
Dilaveri: Si ja kaluat në Vranisht?
Ismeti: Në Vranisht ndejtëm gati 4 muaj. Javën e parë pothujse e kalum nat e ditë me gjumë. Ishim shumë të lodhun nga udhëtimi, por më shumë nga qëndrimi në Bllacë, ku pothujse nuk patëm fjetë as një natë, pasi binte shi gjatë tërë kohës dhe ishim jashtë. Ngroheshim në zjarre, ku tymi na pat qitë edhe sytë prej vendi. Të nesërmen e ditës së parë në Vranisht u zgjujta rreth orës 10 dhe shkova në shitore, për të blerë cigare, pasi nuk e pashë që Gëzimi më pat lënë në dhomë një stekë me cigare. Kur dola prej shitores, fshatari i parë që më takoi në rrugë, më pyeti se a e pata njohur më parë Gëzim Kavollin. Jo, i thashë, po pse më pyt? Sepse ke ardhë te njeriu ma i mirë e më i nderuar i fshatit tonë. Eh, sa m’u bë qejfi!
Dilaveri: Po me fshatarët e tjerë a pate mundësi të takoheshe e të bisedoje?
Ismeti: Çfarë të të them. Nuk guxojshe me dalë në rrugë se, porsa na takojshin neve prej Kosove na kthenin me zor nga shtëpija. “Ktheu për nji kafe”, na thonin dhe nuk na lëshojshin pa u shkuar në shtëpi. Mund të them pa droje se gati në gjysmën e shtëpive të Vranishtit kemi qenë mysafirë. Porsa fillonte muhabeti, dilte kafeja bashkë me rakinë. Atje mësova edhe rakinë dhe, të them të drejtën atje u shëndosha se kam qenë shumë shëndetlig. Kur nuk kalonin as disa minuta, fët e fët shtronin diçka për me ngrënë. Ishin interesant! Po ç’pastërti, more vëlla! Kur largoheshim na jepnin qumësht për fëmijët, fruta, perime, mirëpo ku t’i çojsha, pasi ato nuk na mungojshin te Gëzim Kavolli dhe më dukej sikur e ofendoja qëllimisht.
Dilaveri: Po në qytetin e Korçës a mundët të shkonit?
Ismeti: Po more. Më ka shëtit Gëzimi, duke më marrë me tanë familjen, çdo javë. Madje kam shku disa herë edhe vetëm me familjen, kur mësova nga me shku e si me shku. Më ka bërë përshtypje se në të shumtën e rasteve, kur ulsha me grun a vetëm, me pi kafe a diçka freskuese nëpër klubet e Korçës, porsa më dallojshin nga e folmia se isha prej Kosove nuk pranonin me m’i marrë paret.
Dilaveri: Ç’farë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë qëndrimit në Korçë dhe Vranisht?
Ismeti: Pastërtia dhe regullsia e qytetit, sjelliet e kulturuara të të gjithë njerëzve. Nuk di si ta them, por mbi të gjitha më ka bërë përshtypje jo veç zgjuarsija e atyne njerëzve, por edhe mënyra se si të mbushnin mëndjen more vëlla! More, qoftë edhe me një puntor të regullimit të rrugëve, po të ulshe e të bisedojshe me të, të kthjellte më mirë ai, se çdo politikan i Kosovës. Në daçë për politikën në përgjithësi, në daçë për UÇK-në. Thojsha me vedi: “Si ka mundësi që këta kanë kaq besim te UCK-ja?”, dhe druhesha se mos më pysnin se pse nuk pata shku në luftë. Por shyqyr që nuk ma bani kush atë pyetje. U jam shumë mirënjohës që nuk më vuni kush në asnjë rast në pozitë të vështirë me atë pyetje. Sa të kujdeshëm që ishin!
Dilaveri: Kur u kthyet në Kosovë?
Ismeti: Jena kthy në Korrik të atij viti. Na kanë sjellë tre autobusë me na marrë. Doli i gjithë fshati me na përcjellë. Shumica nga ne pore dhe prej tyne qanim. Sa njerëz të dashur! Na çuan në Korçë, ku ndejtëm gati një javë, sa ardhën e na muarrën helikopterat e na sollën në Kukës. Atë javë na vinin nga Vranishti familjarët ku kishim qenë, na vizitonin e na sillnin bostana.
Nailia (ndërhyn): Kur do të iknim desha me i lanë një kujtim Fiqiretit dhe hoqa njanën prej unazave të mia dhe i thashë ta mbante kujtim. Ajo më shihte në fytyrë dhe qante, duke më thënë se ju nuk dihet se si do ta gjeni shtëpinë në Kosovë prandaj mos len kurgja këtu. Me zor ia lash atë kujtim.
Dilaveri: A u kërkoi kush prej fshatarëve në Vranisht të paguanit qëndrimin gjatë atyre katër muajve?
Ismeti: E ke me gjithë mend, a ban hajgare? As unë dhe as një familje shqiptarësh prej Kosove, që ishim në Vranisht, nuk u kemi paguar as edhe pesë cent atyne fshatarëve. Gjithçka është përballuar prej familieve që na kanë mbajt. Asnjë fjalë nuk po shtoj, pasha Allahun!
Dilaveri: A mbani lidhje me familien e Gëzimit?
Ismeti: Po. I marr shpesh në telefon. Madje në një rast ka ardh edhe djali i tij në Kosovë dhe ka ndejt një natë. Kam bërë në jetë me shku këtë verë, me i vizitu.
Dilaveri: Ju faleminderit për intervistën.
Ismeti: Ju faleminderit juve që më mundësuat me shpreh mirënjohjen për ata njerëz aq të mirë, që pashë, jetova e njoha në Korçë. Çdo e keqe e paska nji të mirë. Po mos pat ndodh ajo luftë, kurrën e kurrës nuk do ta besojsha se shqiptarët e Shqipnisë janë aq të mirë.
***
Intervistoi: Dilaver Goxhaj, Prishtinë, 20 dhjetor 2001
Ilustrimet © Pashtriku.org