GJOKË DABAJ: KLASA KAPITALISTE SHQIPTARE, A ËSHTË E ZONJA T’I MBROJË VLERAT E KOMBIT TË VET?

(Durrës, 12 korrik 2012) – U vodhën 30 piktura në Korçë. Janë vjedhur më parë, disa herë, piktura me vlera të pazëvendësueshme edhe në Voskopojë. Ekziston në organet e policisë, jo vetëm të policisë shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare, një listë e gjatë me vepra arti të kohëve më të vona dhe me objekte të Antikitetit tonë, të humbura, dhe me pak shpresa për t’u gjetur.
Pikturat e Vangjush Mios janë një pjesë e shpirtit të Kombit tonë. Por nuk është vetëm shpirti. Janë, edhe trupi, edhe shpirti, që po i vidhen, shtrydhen, shtypen, copëtohen e shkërmoqen këtij Kombi, dita ditë e më tragjikisht. Është industria, është pasuria e nëntokës, është toka, bujqësore e jobujqësore, janë pyjet, janë ujërat, plazhet, rëra e detit, lagunat, shpendët, kafshët e egra, bimët endogjene, termoelektranat (KEK-et), hidrocentralet (HEC-et), postëtelekomet, aeroportet, vetë njerëzit e këtij vendi, të cilët po shndërrohen në gjysmanjerëz! Droga po na i “vjedh” djemtë edhe vajzat. 40 mijë, që drogohen, ka vetëm në Rep. e Shqipërisë. Meshkujt e pandershëm dhe çunat e çorientuar moralisht, po na shpërdorojnë aq shumë vajza adoleshente, sa djemtë e ndershëm nuk po kanë më me kë të martohen. Po na mbeten të pamartuar dhjetëra mijë vajza e dhjetëra mijë djem. Krejt çfarë ka Shqipëria, edhe trupi, edhe shpirti, janë në zgrip të mbijetesës.

…………………………………………..

Zhdukja e pikturave të Vangjush Mios!

……………………………….

……………………………………….

Alarmi është i kotë. Shqetësimi është krejt pa efekt. Përpjekja për të bërë diçka, nuk ka fund tjetër, përveç zhgënjimit.
Tash ne po thërrasim, me zërin tonë, thuajse të asfiksuar, por gjithsesi pa e humbur arsyen: A mund t’i ruajë pikturat e Korçës ai që i bie gajdes te monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut? Po ai katundari i Mirditës apo i Kolonjës, të cilit s’i shkon drita për 2 vjet ose qoftë edhe për 2 javë, a mund të kujdeset për pikturat e Korçës, që të mos i vjedhë dikush? Fundja, as organizma mediatikë TË SHKËLQYER, siç janë “Fiks fare”, “Xhungël”, apo “Shqipëria tjetër” dhe të ngjashmet me to, në Shkup ose në Prishtinë, nuk mund t’i ruajnë, as pikturat tona, as zhavorrin e Erzenit, as pyjet e Lurës, as kristalet e Trepçës, as shkritoret e Zveçanit, as vajzat adoleshente, në Ferizaj, në Berat apo në Burrel.
Këta subjekte që i përmendëm, gajdexhiu i “Skënderbeut”, katundari i Mirditës (apo i Klinës), emisioni “Fiks fare”, nuk mund t’i ruajnë, nuk i ruajnë dot, as pikturat e Korçës, as Medvegjën nga shpopullimi, as Shestanin nga asgjësimi, as gratë e një fshati të Shkupit nga arrestimi, me akuzën se janë “bartëse të terrorizmit islamik” në vendet e Ballkanit.
Këto punë duhet dikush tjetër t’i bëjë! Këto punë duhet t’i kryejnë pasanikët e Shqipërisë! PASANIKËT E SHQIPËRISË, të cilët kanë në dorë organet e shtetevet, ku ne shqiptarët bëjmë pjesë! Ata kanë paranë, ata kanë në dorë parlamentet, qeveritë, policitë, prokuroritë, gjykatat. Ata kanë në dorë shërbimet e fshehtë, diplomacitë, lidhjet me shtetet e tjerë.

…………………………………………

Manastiret dhe Kishat, një histori e harruar!

……………………………………

U përpoqën t’i dalin zot Shqipërisë, në gjysmën e dytë të sh XX, fshatarët dhe punëtorët, por nuk ia dolën dot. Dështuan. Tash i kanë marrë frenat e pushtetit të pasurit e këtij kombi. Le t’i dalin, pra, zot kombit të vet! Le t’i dalin zot Atdheut tonë TË PASURIT SHQIPTARË! Kjo është kërkesa më e ngutshme e Kombit Shqiptar në dhjetëvjetëshin e tretë të restaurimit të kapitalizmit në Shqipëri. Të këtij lloj restaurimi rrokopujë!
Ne të tjerët, katundarët e Mirditës, të Klinës, të Saraçinës, të Mqellarës, të Lekdushit, apo edhe qytetarët e Prizrenit, Tiranës, Tetovës e Vlorës, jemi me gjithë shpirt të gatshëm për ta ruajtur e mbrojtur çdo vlerë të Kombit tonë, por duam që KLASA, E CILA KA PUSHTETIN, të jetë po kaq e prtedispozuar dhe po kaq atdheekombdashëse. A është e zonja klasa jonë kapitaliste TË ORGANIZOHET në atë mënyrë e në atë shhkallë, që vlerat tona kombëtare të mos shkapërderdhen?! Ne s’na mbetet tjetër, veçse të dëshprohemi (apo të gëzohemi). Në kësi rastesh, vetëm të dëshprohemi… dhe të flasim me vete, siç bëjnë të marrët. Një kombi që s’ka kujt t’ia qajë hallin as për një pikturë të vjedhur, s’i mbetet tjetër, veçse të flasë me vete, duke lëvizur buzët dhe duke bërë gjeste me vetulla e me gishta.

_______________________________

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
STOP: RRËNIMIT TË TRASHËGIMISË KULTURORE

DHE NDËRTIMIT TË MOTELEVE NË KALANË E LEZHËS!

Bashkia e Lezhës ka vazhduar të japë leje për ndërtimin e banesave apo lokaleve në zonën historike të kështjellës së qytetit. Jo vetëm arkeologët por edhe një pjesë e opinionit publik është i shqetësuar për rrënimin e trashëgimisë kulturore nga këto ndërtime që me shumë gjasa kanë në themel korrupsionin.

Shikoni video’materialin:

*  *  *

“Jo moteleve në kalanë e Lezhës”, me këtë moto ka protestuar në kalanë mesjetare forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Studiues, arkeologe dhe akademikë u shprehën edhe njëherë kundër nismës së qeverisë për ndërtimin e hoteleve, restoranteve apo objekteve të tjera në monumentet e kulturës. Studiuesi Artan Lame shpjegon dëmet që sjell miratimi i këtij drafti. Edhe specialistë të tjerë të fushës theksuan se në këtë mënyrë po rrënohet trashëgimia kulturore….

……………………………

Në vijim shikoni edhe emisionin “Shqipëria tjetër” lidhur me këtë temë:
Plani që “shemb” Kalanë e Lezhës!

___________________________

(PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.OR)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura