Pashtriku.org, 11. 12. 2016: Eksperti i Telekomunikacionit Ismet Hamiti, i ka shkruar një letër të hapur Kryeprokurorit të Kosovës lidhur me negociatat e Kosovës me Serbinë dhe marrëveshjen për telekomunikacion të cilën ai e ka paraqitur si krim për të cilin kërkon hetime. Në shkresën që eksperti Hamiti e ka quajtur “Letër pa zarf”, ai ka thënë se me marrëveshjen për Telekomin, Kosova ia ka falur Serbisë 1.202.929.500 euro. Hamiti thekson se “PTT” e Kosovës ka qenë e pavarur juridikisht dhe ekonomikisht që nga viti 1960 ndërsa e ka paraqitur edhe historikun e saj që nga ajo periudhë.
Në letër Ismet Hamiti, ka shkruar:
“I nderuar Kryeprokuror,
Ju shkruaj për të paraqitur një krim. Përfaqësuesit e Kosovës në negociata me Serbinë, me nënshkrimin e tyre në Marrëveshjen për telekomunikacionin, i falin Telekomit të Serbisë borxhin prej 1.202.929.500 euro që, kjo kompani i detyrohet kompanisë publike, Postë Telekomit të Kosovës. Duke qenë se ky veprim është kryer pa asnjë autorizim, ai konsiderohet i kundërligjshëm. Me 1 janar të vitit 1960 është formuar Ndërmarrja e komunikacionit “PTT” e Kosovës me pavarësi të plotë ekonomike dhe juridike, sipas rregullave që sistemi i atëhershëm iu mundësonte ndërmarrjeve të tilla.
Në nivel federal, ndërmarrja e Kosovës ishte anëtare e Bashkësisë së PTT-ve të Jugosllavisë dhe kishte delegatët e vet në Kuvendin dhe Këshillin e saj drejtues, ku vendimet merreshin me konsensus. Pa pëlqimin e delegatëve të Kosovës, nuk mund të merrej asnjë vendim as në nivelin federal. Serbia nuk ka pasur asnjë autoritet mbi Ndërmarrjen e Komunikacionit PTT të Kosovës. Hamëz Mehmeti ka qenë drejtori i parë i PTT-së së Kosovës e edhe në një periudhë të mëvonshme në vitet e 70-ta. Ai është dëshmitar i gjallë dhe mund t’i vërtetojë më në hollësi të gjitha këto dhe më shumë.
Me 12 shator 1990, Telekomi i Serbisë, pra kompania serbe, aneksoi në mënyrë të paligjshme PTT-në e Kosovës duke përjashtuar nga puna 1408 punëtorë dhe duke vënë nën kontroll tërë pasurinë e PTT-së. Ky aneksim i paligjshëm, arbitrar dhe nën masat e dhunshme zgjati për gati 9 vjet, deri me 12 qershor 1999. Dëmet që kjo kompani i ka shkaktuar PTT-së së Kosovës gjatë kësaj periudhe kapin shumën prej 1.202.929.500 DM, që me kalkulimet e sotme e njëjta shumë del edhe në Euro.
Kjo shifër nuk është zgjedhur përmendësh, por në bazë të analizave dhe llogarive të hollësishme të kryera nga një ekip i tërë i drejtuar nga, tani i ndjeri, Ahmed Lllapashtica. Z. Llapashtica ishte autoritet i njohur dhe i pranuar i ekonomisë së PTT-së, jo vetëm në Kosovë por edhe në nivel të ish federatës. Ishte ekspert me integritet të lartë personal e profesional dhe Elaborati i ekipit që drejtoi ai, është po ashtu i besueshëm. Z. Llapashtica ua ka dorëzuar elaboratin e vet autoriteteve të Kosovës në vitin 2002. Unë e kam një kopje të elaboratit dhe, nëse nuk gjendet në arkivat qeveritare, mund t’ua vë në dispozicion.
Të kuptohem drejt, këtu nuk flitet për dëmin që shteti serb i ka shkaktuar Kosovës, por për BORXHIN që një kompani serbe, në këtë rast Telekomi i Serbisë, i ka një kompanie publike të Kosovës, në këtë rast PTK-së. Në marrëveshjet, planet dhe aranzhimet që Qeveria e Kosovës ka bërë në Bruksel dhe me autoritetet e Serbisë kësaj kompanie shtetërore serbe i lejohet kthimi në Kosovë, por nuk zihet fare në gojë ky borxh. Kjo do të thotë se me nënshkrimin e vet në marrëveshjen për Telekomunikacionin, përfaqësuesit e Kosovës në negociata, heshtazi dhe me vetëdije e falin borxhin që kompania Telekomi i Serbisë i detyrohet kompanisë publike PTK-së.
Në asnjë ligj të Republikës së Kosovës, apo në ndonjë dekret, rezolutë apo vendim të plotfuqishëm të Kuvendit, Gjykatave, Qeverive, Presidencës nuk jepen autorizime për asnjë institucion, përfaqësues politik, zyrtar publik që të falen borxhet që palët e treta i kanë kompanive të Kosovës.
Përfaqësuesit në negociata pra nuk kanë autorizim për të falur borxhe dhe duke tejkaluar autorizimet e veta, kanë shkelur ligje të shumta të këtij vendi. Prandaj, në cilësinë e qytetarit të Republikës së Kosovës, kërkoj me respekt, që të ndërmerrni krejt çka është e nevojshme për të penguar krimin dhe për t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë” – shkruan Eksperti i Telekomunikacionit, Ismet Hamiti.
Postime të Lidhura
ASGJË E RE NË KËTË PËRGJIM!
ASGJË E RE NË KËTË PËRGJIM! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 11 shtator 2023 Ky përgjim është vetëm një…
ARTUR ZHEJI: ‘PLANI SEKRET’ QË DËSHTOI NË BERLIN DHE DINAKËRIA E RAMËS!
Tiranë, 14 maj 2019: Sëpari karriera politike dhe jo vetëm e kryeministrit të sotëm është e pabesueshme, për…
VANGJEL SAKO: LUFTA E VLORËS, 1920 – NË HISTORINË KOMBËTARE DHE NË KËNGËN E POPULLIT
Vlorë, 14 qershor 2018: Një këndvështrim i ri për epopenë e Njëzetës (29 maj-3 shator 1920) “Lufta e…
SHERADIN BERISHA: MOS U SHANI SE, PAS 11 QERSHORIT DO TË HANI NË NJË KAZAN (NGA BUXHETI I KOSOVËS)!
Pashtriku.org, 24 maj 2017: Më rrëzimin e qeverisë, të gjitha partitë politike (edhe Lëvizja VV) nxituan në formimin…