XHEVAT BISLIMI: FJALIM I MBAJRTU NË KUVENDIN E KOSOVËS (2007) – KËRCËNIM PËR LIRINË DHE SIGURINË E KOSOVËS PËRBËN SERBIA!

Pashtriku.org, 17. 01. 2016: – (Pikë e rendit të ditës: siguria në vend) – Faleminderit z.kryesues, Z. kryeministër, ju ministra, Unë, nuk jam specialist i kësaj fushe, por si anëtar i Komisionit për Siguri, po mundohem të jap kontributin tim për këtë debat, për këtë çështje themeltare për një vend dhe kam veçuar 2-3 çështje që mendoj se janë më të ndjeshme. Si qytetar, por edhe si deputet, më bëri përshtypje fakti që theksi i rrezikshmërisë, i kërcënimit vendoset te SHIK-u! Të gjithë shqiptarët e dinë rolin e tij për organizimin e luftës, për mbarëvajtjen e luftës dhe fitoren e luftës. Pastaj për disa organizata të tjera, që nuk e di a janë të rëndësishme apo të parëndësishme por, pothuajse kalimthi kalohet veprimtaria shumë e organizuar, shumë e fuqishme e MUP-it dhe e shërbimeve të tjera sekrete serbe në Kosovë!
Zotërinj të nderuar z. ministër,

Nuk po them ndonjë gjë të re, por kërcënim për lirinë dhe sigurinë e Kosovës përbën Serbia dhe askush tjetër. Pakica serbe në Kosovë, absolutisht nuk paraqet ndonjë kërcënim, kërcënimi është Serbia, e cila e ka instrumentalizuar pakicën serbe në Kosovë, të cilën po e armatos dhe po e organizon për hesapet e veta që i dimë të gjithë. Nuk është folur fare për administratën, për veprimin e administratës serbe në Kosovë, por është veçuar çështja e armëve te shqiptarët në Kosovë! Unë, z. minister, mendoj që Qeveria, partitë politike dhe institucionet e Kosovës janë të thirrura, janë të ndërtuara që të luftojnë shkaqet e jo të merren vetëm me pasojat, sepse armët te shqiptarët nuk mbahen për pikën e qejfit, vetëm pse i paska shkrepë dikujt që ta mbajë armën. Mbajtja e armës nga shqiptari është një tregues se edhe 8 vjet pas lufte shqiptari nuk ndihet i lirë në vendin e tij! Shqiptari nuk ndihet i sigurtë në vendin e tij dhe kjo gjendje është shumë reale. Derisa Serbia kërcënon për çdo ditë me invazion dhe pjesërisht është futur edhe brenda Kosovës, derisa Serbia ndërhyn për çdo ditë në çështjet e brendshme të Kosovës, derisa Serbia organizon organizata të ndryshme të armatosura, formacione, shërbime sekrete, unë nuk mund të kuptoj se si dikush e sheh rrezikun te arma e shqiptarit! Shqiptari do të çarmatoset vetëm atëherë kur këto institucione do të krijojnë formacione të rregullta, të armatosura që do t’i dalin zot Kosovës, kufijve të saj, jetës së qytetarit, familjes shqiptare kudo në Kosovë, përndryshe ne rrahim ujë në havan zotërinj.

Prandaj, mendoj që Qeveria, të gjitha institucionet, politika e Kosovës, duhet të marrin kompetenca, jo të presin kompetenca. Të marrin kompetenca se ne vdiqëm me këto budallallëqe: qe 7-8 vjet kërkojmë kompetenca! Merrni zotëri kompetencat, votën për këtë punë e keni marrë që t’i garantoni liri qytetarit të Kosovës, pa dallim përkatësie kombëtare, por veçmas popullatës shqiptare, e cila me të drejtë ndjehet e kërcënuar, sepse i ka provuar në lëkurën e saj, në jetën e saj: mungesën e armëve në Kosovë e ka paguar me qindra mija viktima. Derisa Serbisë nuk i është marrë asnjë pushkë gjuetie, por është tërhequr edhe me pushkë të gjuetisë nga Kosova, armatoset për çdo ditë me armë modern dhe koncentron armatim në kufijtë e Kosovës për çdo ditë, ne merremi me disa armë të ndryshkura që paskan mbetur prej luftës. (Ato ditë ishin kapur dy-tre shqiptarë me ca armë nga policia, sqarim imi i sotëm.).
Po ndalem pak te religjioni.

Unë jam shumë dakord me ata që thanë se religjioni kur keqpërdoret për qëllime të tjera politike–ideologjike vërtet përbën një kërcënim për sigurinë e vendit tonë dhe të çdo vendi tjetër, por është mirë, z. ministër, që fetë në Kosovë ta kenë të njëjtin trajtim e jo për dikë nënë e për dikë njerkë: fesë ortodokse serbe t’i garantohen të gjitha kushtet, hapësirat e mundshme, që të propagandojë dhe luftojë edhe kundër interesave të Kosovës, ta shfrytëzojë kishën për interesa të pastra politike dhe shoviniste, mund të them, kurse në anën tjetër, të vihet theksi vetëm te feja islame, për të cilën edhe unë mendoj se duhet të vendoset brenda kornizës ligjore, të veprojë si çdo veprimtari politike, kulturore, ekonomike, shpirtërore brenda kornizës ligjore, qoftë edhe feja islame, ortodokse, katolike dhe mundësisht, si çdo veprimtari tjetër, edhe feja islame, që është kryesisht e shqiptarëve, ta marrë fytyrën e këtij vendi dhe të këtyre njerëzve.
Një pengesë tjetër, që nuk po lejon të ndërtojmë siguri, rend dhe rregull, unë e shoh edhe te sistemi i ndërtuar kryesisht mbi bazën e korrupsionit, të mitos, nepotizmit dhe shantazhit. Pra, edhe ky sistem është bërë pengesë që të ndërtohet rendi politik institucional, ekonomik, ligjor etj. Ju faleminderit dhe suksese më të mira në të ardhmen! /Xhevat BISLIMI/
P.S.
Ky fjalim është mbajtur në verën e vitit 2007, në Kuvendin e Kosovës. Fjalimi nuk ka qenë i shkruar, por është nxjerr nga transkriptet e Kuvendit. Kur e lexova pas gati dhjetë vitesh m’u duk shumë aktual dhe thash ta shpërndaj, ta bëj publik…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura