(Prizren, 14. 07. 2012) – Jemi në të njëmbëdhjetin vit të eventit më popullor të Kosovës i cili për kaq pak vjet jetë ka arritur të sjellë me dhjetëra regjisorë të huaj, të njohur e të panjohur në Dokufest dhe çfarë kanë bërë qytetarët e Prizrenit, shoqëria civile, qeverisja lokale apo dhe ajo qendrore për këtë festival? Përgjigja vjen e menjëhershme. Lesh.
Rrugët janë të mbushura me njerëz. Të krekosur më shumë se vitin e kaluar. Si vjet dhe sivjet kafet buzë Lumbardhit janë të stërmbushura me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme. Kanë ardhur të konkurrojnë në festivalin e dokumentarëve dhe të filmit të shkurtër i njohur me emrin Dokufest. Nuk i përfill njeri.
Bri tyre kalojnë të rinj të lakuriqosur pa i vënë re. Pleq kodosh me njëqind e një galjet e tyre. Makina të markave të fundit me targa të huaja që i bien burive si të tërbuar, pasi aty pari pret rrugën një i huaj që i ka rënë dielli në kokë dhe nuk dallon dot vijat e bardha të cilat s’duken gjëkundi.
………………………………..
Prizren, DokuFest 2012 – Doku Ti!
……………………………….
Me të kaluar urën e gurit i huaji i trulluar nga vapa dhe sjellja e vrazhdë e shoferit të makinës me targa të huaj ulet te lokali i parë që i del para. Takohet me kolegë që poashtu drekonin bri urës së gurit. Porositë ujë me gaz. Kullon i tëri djersë. I rrëfen miqve se një i ri desh e përbiu vetëm pse e preu rrugën pak metra nga vendi i duhur.
Djali i të tridhjetave po dilte nga kinemaja e qytetit të Prizrenit për tek kafja. Për të nuk e rruante njeri. Ai kishte ardhur nga larg për të konkurruar në Dokufest. Ai dhe plotë regjisorë të tjerë i kanë bërë nder qytetit tonë Prizrenit duke marrë pjesë me filmat dhe dokumetarët e tyre.
Jemi në të njëmbëdhjetin vit të eventit më popullor të Kosovës i cili për kaq pak vjet jetë ka arritur të sjellë me dhjetëra regjisorë të huaj, të njohur e të panjohur në Dokufest dhe çfarë kanë bërë qytetarët e Prizrenit, shoqëria civile, qeverisja lokale apo dhe ajo qendrore për këtë festival? Përgjigja vjen e menjëhershme. Lesh.
Njëzëri turremi duke e ngritur në qiell duke e mburrur dhe kaq. Kështu fillon dhe mbaron analiza që i bëjnë qytetarët, fshatarët, artistët, gazetarët, kritikët e kushdo tjetër, këtij festivali. Në parim duket se janë të vetëdijshëm qytetarët e Kosovës për rëndësinë e këtij eventi artistik. Por, a e di kush se në Prizren mbahet festivali i organizuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Pse nuk e thotë kush se skenat e ngritura të këtij festivali janë me skele të vjetra të falura dhe që vetëm pritet të bien. Dhe imagjinoni se çfarë mund të ndodhte në skenën e ngritur në lumë nëse ajo do të binte.
Nuk e kam ndërmend që gishtin ta drejtojë nga organizatorët edhe pse ata kanë një pjesë të fajit, por tek të zgjedhurit tanë të cilat ka shumë gjasa që të kenë ikur në këtë vapë të madhe të korrikut në pushime dhe nuk duan t’ja dinë për Dokufest. A e meriton që një regjisor i ardhur nga ana e anës të rropatet 7 ditë rrugëve të qytetit të bukur të Prizrenit kuturu i pa shoqëruar nga asnjë cicëron. A nuk e meritoka një regjisor i huaj i cili na ka nderuar me ardhjen e tij në Prizren të pritet nga paria e qytetit të Prizrenit dhe të respektohet miku siç e kemi pasur zakon. Ky sebep i madh që sjell çdo vit njerëz të mëdhenj duhet kuruar. Duhet përkujdesur. Nuk duhet lëshuar nga dora emrin që ka krijuar Doku.
Të kujtojmë se gati në çdo qytet ka pasur përpjekje për të bërë festival të ngjajshme por ja që vetëm Prizrenit i “dhezi”. Përveç emrit të mirë, disa filmave dhe shumë pak dokumentarëve, ky festival të cilin e kam ndjekur edhe në edicionin e parë ka ngelur në vend numëro. Këtu pothuajse çdo gjë ta shpif. Njerëzit të cilët pretendojnë se janë kritikë të filmit. Njohës të dokumentarëve. Shija e hidhur të shoqëron edhe në ekranet se si i mbulojnë këtë festival.
Me gjithë dëshirën e mirë të Klan Kosovës me të ftuarit live do të thosha që më mirë të mos kishte mbuluar fare. Komentantorë me pak kulturë që dërdëllisin për filmin pa e parë. Ose e kanë parë por nuk e kanë kuptuar. Jashtë kësaj tabloje të zymtë, Dokufesti i ka sjell Prizrenit në këto ditë përvëluese vëmendje. Ka arritur të sjell më shumë njerëz, dhe kjo përkthehet në më shumë para. Ndërsa nëse flasim për të tjerat; gjallërin, sharmin, netët me shumë njerëz… apo elementët e tjerë që nuk i gjen gjetiu nuk janë meritë e Dokufestit. Ato i ka Prizreni si para dhe pas Dokufestit. Janë të tijët. Nuk kemi pse të ekzagjërojmë duke thënë se Dokufesti e ka bërë Prizrenin ky që është sot. Të gjallë.
Respekt për Dokufestin për ato që ka bërë, por dhe për Prizrenin se është Prizreni pa është Dokufesti. Tani më lejoni të iki nga Prizreni me dëshirën që vitin tjetër në Dokufest të mos jetë shtuar vetëm numri i filmave dhe dokumentarë që marrin pjesë, por dhe të jetë bërë një hap më shumë nga të gjithë ne. Nga kamarieri që shërben kafen deri te i pari i vendit. Dokufesti nuk është vetëm i atyre që e kanë themeluar atë. Është i të gjithëve. Është i qytetarit që nuk ndan 30 minuta nga 365 ditët e vitit për të parë një film të shkurtër ose një dokumentar. Është i shoqërisë civile që nuk propagandon tek institucionet për të përmirësuar infrastrukturën për Dokufestin. Është i elitave që na drejtojnë dhe që nuk investojnë për Dokufestin. Vitin tjetër, Doku Prizren, mos rri.