SADRI RAMABAJA: GJUNJËZOHEN SOCIALDEMOKRATËT GJERMAN

Prishtinë, 24. 09. 2013 – Koalicioni i gjerë produkt i interesave të industrisë dhe bankave gjermane. Socialdemokratët pritet të jenë partia junior në koalicionin qeverisës. Largimi nga parlamenti i liberalëve rezulton të jetë produkt i politikave gjermane për shpëtimin e euros. Kapricioziteti i zgjdhësve gjerman më 22 shtator u dëshmua si diçka i pritshëm. Por nuk ishte e pritshme pjesëmarrja masive e zgjedhësve në këtë format zgjedhjesh. Nëse në zgjedhjet e fundit në vitin 2009 kjo pjesëmarrje ishte diku tek 70%, në këto të 22 shtatorit, trendi shkoi në rritje – në 73%.
Në zgjedhjet e 22 shtatorit elektorati gjerman i dha fitoren kancelares historike, Angela Merkel. Por vet konfiguracioni që prodhuan këto zgjedhje ia pamundëson asaj të ketë komoditetin që kishte deri tashti. Ajo po shtrëngohet që të marrë në konsideratë koalicionin e gjerë. Pas mbledhjes që kishte forumi më i lartë i Demokristianëve, Merkel bëri publik arsyen pse do të fillojë bisedimet për formimin e koalicionit pikërisht me partinë më të madhe opozitare. „Gjermania ka nevojë për një qeveri stabile‘, ishte e prerë ajo.Por kush qëndron realisht prapa këtij vullneti politik për formimin e koalicionit të gjerë në Gjermani? Nëse analizojmë më me vëmendje rrethanat politike në Gjermani dhe gjendjen nëpër të cilën po kalon Unioni Evropian, duke u përballur tutje pjesa dërmuese e antarëve të tij me krizën financiare dhe për rrjedhojë edhe krizën ekonomike, rezulton se koalicioni i gjerë të jetë i natyrës strategjike dhe me interes nacional. Janë pikërisht përfaqësuesit e industrisë gjermane në ekspansion dhe ata të bankave që janë angazhuar për një krijim të shpejtë të koalicionit të gjerë mes demokristianëve dhe unionit socialkristian në njërën anë dhe socialdemokratëve në anën tjetër (CDU/CSU dhe SPD).

Angela Merkel (CDU) dhe Peer Steinbrück (SPD).

Kryesuesi i Lidhjes Fderale të Industrisë Gjermane (BDI), Ulrih Grillo ndërkohë ka bërë publik qëndrimin e industrialistëve edhe për programin qeverisës të koalicionit të gjerë. „Tri çështje do të duhej t` i shtronte për zgjidhje ky program qeverisës: reformën në lëmin e energjetikës, shtytjen progresive në lëmin e investimeve dhe thellimin e bashkimit monetar“, u shpreh ai sikur të ishte në krye të qeverisë.
Në këtë konstelacion forcash dhe interesash, duket se socialdemokratët, meqë nuk denjojnë të hyjnë në koalicion me Të Majtët (Die Linken), ndërkaq vetëm me Të Gjelbërtit nuk e bëjnë dot koalicionin, do të jenë humbësit më të mëdhenjë. Shih për këtë, konventa e paralajmruar për të premten, flet në dobi të idesë për përmbylljen e këtij procesi në afat sa më të shkurtër të mundshëm. Por në këtë koalicion socialdemokratëve ju rezervohet vendi i partisë juniore që ka çmim të lartë politik. Pavarësisht një ngritjeje të lehtë që dëshmoi në këto zgjedhje, kjo force politike që ka një histori mbi njëshekullore, më sakt 150 vjet jetë, mbetet nën 30%, duke u dëshmuar se terreni politik mbetet tutje i rrëshqitshëm.
Për sa kohë që socialdemokratët vazhdojnë të heshtin përballë çmendisë së tregut, duket se tatpjeta e socialdemokracisë klasike vete tutje në proporcion me “çmendinë e privatizimit”, që po prek fundin. Shih për këtë, për ideologët socialdemokratë rishikimi i programit politik dhe strategjisë për rikëndellje mbetet çështje urgjente. Dështimi i politikave bashkë me degradimin gradual të shtetit social është produkt i këshilltarëve nga sfera e shkencës ekonomike dhe dorëzimi përballë presionit ideologjik neoliberal. Prandaj përplasja mes kapitalizmit dhe demokracisë, siç shprehet Habermasi, mbetet permanent, meqë tregu dhe politika mbesin tutje në parim në pozita kunrthënëse.
Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit gjerman njëra prej partive që ishte formuar disa muaj më parë, Alternativa Gjermane, pothuajse për pak arriti ta kalojë pragun zgjedhuor prej 5%. Ndërkaq largimi nga parlamenti i liberalëve rezulton të jetë më shumë produkt i politikave gjermane për shpëtimin e euros.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura