JUSUF GËRVALLA, KADRI ZEKA DHE BARDHOSH GËRVALLA, ZËDHENËSIT E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË KOSOVË

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, zëdhënësit e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Nga Lulëzim ETEMAJ

Për t’i shpëtuar fushatës së përndjekjes dhe arrestimeve që kishte ndërmarrë UDB-ja jugosllave kundër drejtuesve dhe anëtarëve të shumtë të organizatave politike që vepronin fshehtë në Kosovë, Kadri Zeka në prill të vitit 1978 ishte detyruar të arratisej në Zvicër. Qyteti Sant Gallen u bë vendi i tij i parë i ndalesës. Një vjet e disa muaj më vonë, më 14 dhjetor 1979, të njëjtin veprim ishte detyruar ta merrte edhe Jusuf Gërvalla. Nga Jesenica e Sllovenisë, aty ku ishte vendosur fillimisht, pas një jave ai përmes Austrisë kalon në Gjermani. Në Ludwigsburg e priste i vëllai, Bardhosh Gërvalla. (Në fakt Bardhosh Gërvalla ka shkuar në kufirin Austri – Slloveni për ta marrë Jusufin, dhe së bashku kanë shkuar në Ludwigsburg, ku banonte e punonte Bardhoshi – shën.i pashtrikut) .

Jusuf Gërvalla, para se të arratisej, ishte një nga prijësit më të dalluar të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), e themeluar më 1977. Ajo strukturë drejtuese e kishte Komitetin Qendror, i cili përbëhej prej pesë anëtarësh, si dhe komitetet e rretheve, si strukturë organizative. Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Sabri Novosella, Shefqet Jashari dhe Ramadan Pllana ishin pesë anëtarët e Komitetit Qendror.

Kadri Zeka që nga viti 1973 ishte bashkëngjitur në radhët e Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK), ndërsa nga viti 1976 ishte bërë anëtar i Komitetit Drejtues. Ai përbëhej nga katër anëtarë. Gani Sylaj, Hydajet Hyseni dhe Mehmet Hajrizi ishin tre anëtarët e tjerë të tij.

Shpërthimi i demonstratave studentore të vitit 1981, duke filluar nga ajo e 11 marsit në Prishtinë, i gjen jashtë Kosovës Jusuf Gërvallën dhe Kadri Zekën, po ashtu edhe Bardhosh Gërvallën. Në shtetet ku ata ishin vendosur ishte koncentruar një numër i madh i mërgimtarëve shqiptarë të Kosovës; të përndjekur politikë si dhe punëtorë që ishin detyruar të merrnin rrugët e kurbetit për të siguruar mbijetesën fizike të familjeve të tyre.

Pavarësisht prej vështirësive të shumta që sjellin rrethanat e reja në vende të huaja, përfshirë edhe propagandën dhe intrigat e UDB-së, të përhapura nga shtrofullat e saj; ambasadat jugosllave dhe të ashtuquajturat klube të punëtorëve, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla nuk u hamendën e as nuk u ndalën për asnjë çast. Ata e kishin të qartë detyrën e tyre në raport me Kosovën, të ardhmen e saj të lirë dhe përgjithësisht kombin.

Duke e njohur si detyrë të Lëvizjes dëshmimin para opinionit vendor dhe ndërkombëtar si dhe te mërgimtarët, atë të padrejtësisë dhe dhunës që po bëhej në kurriz të Kosovës që nga Traktati i Londrës, Jusuf Gërvalla në gusht të vitit 1980 fillon botimin e gazetës “Lajmëtari i lirisë”. Afër dy muaj më vonë, në tetor 1980, “Lajmëtarit të lirisë” i bëhet krah në misionin e tij gazeta “Liria”, e cila fillon të botohet në Zvicër nga Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni, i cili këtë vit kishte dalë jashtë Kosovës për disa muaj.

Në shkrimin e titulluar “Dy fjalë për numrin e parë” të “Lajmëtarit të lirisë”, të botuar në emër të redaksisë, rreth qëllimit të botimit të tij, thuhet: “Shpresojmë se, nëpërmjet këtij organi, t’ia dalim me sukses të bëhemi zëdhënës të aspiratave revolucionare të djalërisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk e ndal dot luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për bashkim me vendin amë, Shqipërinë. Kështu shpresojmë të plotësojmë edhe një detyrë, një dimension të luftës sonë të përgjithshme: të demaskojmë botërisht armikun tonë shekullor, qeverinë shoviniste të Beogradit, dhe t’u bëjmë jehonë ideve dhe veprimeve të lëvizjes së përgjithshme nacionalçlirimtare në pjesën e robëruar të atdheut tonë, në tokat shqiptare të robëruara nga Jugosllavia ”.

Këto dy gazeta si dhe botimi po këtë vit i përmbledhjes poetike me krijime të karakterit atdhetar të bashkëveprimtarëve, “Këngët e lirisë”, për mbledhjen dhe botimin e të cilave Kadri Zeka ishte angazhuar me dashuri dhe pasion, bënë jehonë të madhe në mesin e bashkatdhetarëve në mërgim. Leximi i tyre, ani pse bëhej fshehtas, dorë pas dore, në prag të demonstratave të vitit 1981 kishte zgjuar entuziazëm të madh te rinia studentore në Kosovë.

  • Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla

Shtypjes me egërsi përmes makinerisë policore dhe ushtarake që i bëri qeveria shoviniste e Beogradit, në bashkëpunim të ngushtë edhe me krerët shqiptarë udhëheqës komunistë të Kosovës, demonstratave të mars-prillit 1981 si dhe kërkesave të shqiptarëve për të drejta kombëtare, sociale dhe demokratike, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla i kushtojnë vëmendje të veçantë. Pa humbur kohë i hyjnë analizës së thelluar të rrjedhës së demonstratave. Së bashku me bashkëveprimtarë të tjerë shkëmbejnë pikëpamje dhe ide të ndryshme rreth planeve për veprim të mëtejmë në mesin e mërgimtarëve. Kujdes të theksuar ata u kushtojnë edhe qarqeve të opinionit ndërkombëtar, në mënyrë që te ta të depërtonte sa më fuqishëm zëri i Kosovës. Ata i fillojnë menjëherë kontaktet e gjera, fjalimet dhe sqarimet para mërgimtarëve, të cilët i kishte ngritur në këmbë dhe po i brente shqetësimi në kulminacion për fatin e Kosovës dhe familjeve të tyre.

Në demonstratat e 2 dhe 3 prillit 1981 forcat policore dhe ushtarake jugosllave vranë me armë zjarri në Prishtinë, Ferizaj dhe Vushtrri tetë dhe plagosen rreth një mijë demonstrues paqësorë.

Vetëm pak ditë pas këtyre ditëve të përgjakshme të prillit të Kosovës, në mbështetje të demonstratave dhe kërkesave të shtruara në to, në marrëveshje dhe bashkëpunim me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla , u organizua një demonstratë në Bern të Zvicrës. Kadri Zeka dha kontribut të madh për përgatitjen e teksteve për parullat ashtu edhe përmes fjalimit të zjarrtë që e mbajti në këtë demonstratë. Në të mori pjesë edhe Bardhosh Gërvalla, ndërsa Jusuf Gërvalla nuk mund të udhëtonte jashtë Gjermanisë shkaku i mungesës së pasaportës.

“Më 11 prill u grumbulluan mbi 400 kosovarë në Bern të Zvicrës dhe me flamuj e parulla të shkruara demonstronin rrugëve të qytetit, duke shprehur solidaritetin e tyre me luftën e vëllezërve dhe të motrave të Kosovës si dhe urrejtjen për gjakpirësit titistë. Më pas, punëtorët u drejtuan në përfaqësi diplomatike në Bern, ku organizuan një miting protestues në të cilin ngritën zërin e protestës për terrorin e masakrat që po bëjnë ushtria e policia fashiste në Kosovë”. Kështu e përshkruan Kadri Zeka rrjedhën e kësaj demonstrate.

Demonstrata në Bern nuk ishte një përjashtim në vete. Në këtë kohë mërgimtarët e shpërndarë gjithandej nëpër shtetet e Evropës Perëndimore ishin ngrehur në këmbë dhe po zhvillonin veprimtari të dendura për përgatitjen dhe organizimin e demonstratave të tjera në mbështetje të Kosovës. Pikërisht në valën e përgatitjes së këtyre demonstratave, Kadri Zeka ia arrin të njohë dhe të bashkohet me shumë shokë, veprimtarë politikë të çështjes së Kosovës. E veçanta e gjithë kësaj ishte afrimi i tij me vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, me të cilët më pastaj do ta bashkonte veprimtarinë politike në shërbim të Kosovës dhe të drejtave të saj, bashkim ky të cilin s’do të mund t’ua thyente as vdekja nga plumbat e UDB-së së Beogradit zyrtar.

Duke mos përjashtuar mundësinë që njohja e Kadri Zekës me vëllezërit Gërvalla të datojë edhe më herët, demonstrata e mbajtur më 11 prill 1981 në Bern të Zvicrës, shënon paraqitjen e tyre të parë publike përmes veprimtarisë së përbashkët politike në dobi të çështjes së Kosovës.

Të bashkuar si vëllai me vëllanë, Kadri Zeka, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla ishin organizatorët kryesorë të tetë demonstratave të mëpasshme dhe të dhjetëra tubimeve me punëtorët gjatë vitit 1981, të cilat tundën sheshet e Evropës.

Krahas organizimit të përbashkët të demonstratave, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla zhvillojnë një bashkëpunim të frytshëm edhe në fushën e publicistikës. Jusuf Gërvalla, pasi fillon bashkëpunimin me gazetën “Liria”, duke i dhënë në ndihmë përmes artikujve dhe teknikës, pas tre numrave e ndërpreu botimin e gazetës “Lajmëtari i lirisë”. Si rezultat i këtij bashkëpunimi është botuar numri 3 në maj të vitit 1981, pastaj edhe numri 4-5 i “Lirisë” në vitin 1981.

“Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u bë nën hijen e tankeve” dhe “Kosovë sa hije të ka xhamadani i trimërisë!”, këta janë dy artikujt e Jusuf Gërvallës të botuar në “Liria”, nr. 3. Ndërkaq në numrin 4-5 të kësaj gazete i botohet artikulli “Tradhtarët e vjetër dhe tradhtarët e rinj” si dhe poezia “Shqipja bën edhe pa gjëmë, i mjafton lavdia”.

Pjesë të çmueshme të mozaikut të publicistikës patriotike shqiptare, të zhvilluar në Evropën Perëndimore, janë edhe organi i Frontit të Kuq Popullor, “Bashkimi” dhe “Zëri i Kosovës”.

“Bashkimi” filloi botimin në vjeshtën e vitit 1978 si organ i Frontit të Kuq Popullor. Nga gjithsejtë tre numrat e botuar, numrin 2 dhe 3 i redaktoi Jusuf Gërvalla. Ndërkaq “Zëri i Kosovës” filloi së botuari si organ i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), në nëntor të vitit 1981. Numri 1 dhe 2 i tij u përgatitën dhe botuan nga Jusuf Gërvalla.

Prekjes së shqipes letrare, flamurit dhe pretendimeve antishqiptare të serbëve, se shqiptarët e Kosovës e kanë republikën e tyre, pas demonstratave të marsit e prillit 1981, Jusuf Gërvalla i përgjigjet ashpër përmes artikullit “Gjuha shqipe dhe flamuri shqiptar në shënjestër”, të botuar në numrin 1 të “Zërit të Kosovës”.

“Udhëheqja e Beogradit është bërë pikë e helm mes tjerash edhe për një arsye: pse u lejua (!) unifikimi i shqipes, përkatësisht pse u lejuan shqiptarët në Jugosllavi të zbatonin gjuhën letrare gjithëshqiptare”… “Ngjashëm patën thënë këta maniakë të serbizmit (s’është larg mendsh që në të ardhmen shprehja “serbizëm” do të përdoret në kuptimin e një fashizmi në katror), kur doli në shesh kërkesa për republikën e shqiptarëve: “Kosovarët s’janë pa republikë, e kanë republikën e Serbisë!!!”… “Kërkesa e këtij z. Laziçit paraqet njëfarë konçesioni (ironik) ndaj shqiptarëve: Flamuri shqiptar s’ka nevojë të hiqet krejtësisht (tash për tash), por atij duhet t’i ndërrohet forma, që të mos jetë identik me flamurin kombëtar në RPS të Shqipërisë”… “Logjikë e shkëlqyeshme! E pjekur për t’ dalë përballë jo me fjalë e kopalla, po me pushkën plot, si logjikës më të mykur fashiste ”. Këto janë disa nga veçimet e përgjigjes së Jusuf Gërvallës dhënë Beogradit zyrtar ndaj fushatës së tij shoviniste.

  • Kadri Zeka në demonstratën e Cyrihut, më 18 prill 1981

Opinioni ndërkombëtar dëgjon edhe zërin e Kosovës, jo vetëm të Beogradit

Bazuar në informatën e hartuar nga Kadri Zeka, demonstratën e Bernit e pason ajo e Zürichut të Zvicrës, e cila u zhvillua më 18 prill 1981, në të cilën morën pjesë mbi 700 punëtorë nga Kosova.

Më vonë demonstrata të tilla organizohen edhe në Stuttgart, më 25 prill 1981, e Düsseldorf të Gjermanisë Perëndimore, më 9 maj 1981. Gjithnjë sipas kësaj informate, në të parën ishin të pranishëm mbi 500 demonstrues, ndërsa në të dytën mbi 800 .

Duke i hedhur një vështrim dhunës së ushtruar mbi popullin tonë në Kosovë nga policia dhe ushtria jugosllave në bashkëpunim edhe me veglat e tyre shqiptare, në njërën anë, si dhe qëndresës së shqiptarëve në funksion të realizimit të kërkesave të tyre të ligjshme të shtruara në demonstratat gjithëpopullore të mars-prillit 1981, në anën tjetër, Kadri Zeka, në thirrjen e shpërndarë për demonstratën në Zürich të Zvicrës, mes të tjerash, konstaton: “Pas sulmeve të egra të policisë e të ushtrisë jugosllave mbi Kosovën, udhëheqësit serbë e ata jugosllavë menduan se do ta gjunjëzojnë popullin tonë. Por, në fakt, po ndodhë e kundërta. Demonstratat e grevat po vazhdojnë edhe më me furi. Dora e fuqishme e popullit po godet pa mëshirë policët pushtues, që kanë ardhur nga gjithë Jugosllavia. Ngjarjet e Prekazit e të Drenicës ishin një mësim i mirë për armiqtë e tradhtarët e shitur. Këto ditë në Prekaz u ringjall Ahmet Delia dhe u tregoi udbashëve, se kur t’ia rrethosh shqiptarit shtëpinë, ai e ka zakon të të presë me pushkë”.

Ndërkaq në fjalimin e mbajtur po në këtë demonstratë, me qëllim të parapërgatitjes shpirtërore për të përballuar humbjet dhe situatat e rënda me të cilat do të ndeshen pas kthimit në Kosovë, bashkatdhetarëve do t’ua kumtojë plot dhembshuri të vërtetën e hidhur: “Kurrë më Kosovën tuaj të dashur nuk do ta gjeni siç e keni lënë herën e fundit. Atje do t’u presin varre të reja. Ju pret vringëllima e armëve të rënda të policisë fashiste serbe. Do t’i gjeni spitalet përplot me vëllezër dhe motra të plagosura. Do t’i gjeni burgjet përplot me të rinj, me lulen më të bukur të Kosovës, që rënkon nën kërbaçin fashist. Në çdo hap do të ndesheni me patrulla policësh dhe ushtarësh me bajoneta të kthyera drejt gjokseve shqiptare. Do të dëgjoni krismën e çizmes së xhandarit fashist mbi tokën tuaj të dashur atërore, mbi kalldrëmet e fëmijërisë suaj, në oborret e kopshtet tuaja ku keni lindur e jeni rritur”.

Përmes këtyre demonstratave si dhe trakteve të shpërndara në to, të cilat u përkthyen në gjuhë të huaja, veçanërisht gjermane, opinioni ndërkombëtar, tani duke dëgjuar drejtpërdrejt edhe zërin e shqiptarëve dhe jo vetëm atë të Beogradit shovinist, u ndikua shumë për ta kuptuar realitetin e Kosovës, për t’u njohur me qëllimin dhe kërkesat e demonstratave të shqiptarëve në Kosovë, aq më tepër kur demonstratat e zhvilluara në Evropë përmbanin të njëjtat kërkesa që ishin shtruar nga demonstruesit në Kosovë. Nëpër këto demonstrata, në një pjesë të madhe të të cilave mbajti fjalimet kryesore, Kadri Zeka shquhet edhe me talentin dhe vlerat e tij prej një oratori të rrallë, kështu që fjalimet e tij të përshkuara nga entuziazmi dhe frymëzimi i veçantë, nga dashuria e madhe për popullin dhe atdheun, së këndejmi edhe urrejtja dhe këmbëngulësia për ta luftuar armikun, bënë që ato të përcilleshin me vëmendje nga demonstruesit, me duartrokitje dhe brohoritje të fuqishme “Kosova Republikë”!

– Të luftoni pareshtur e me të gjitha forcat derisa të realizohen të gjitha të drejtat e popullit tonë;

– të kundërshtoni me forcë dhunën dhe terrorin e pashoq që po ushtron regjimi mbi popullin e rininë tonë;

– të forconi pareshtur unitetin luftarak të radhëve tuaja;

– të përkrahni e të ndihmoni me të gjitha mundësitë bashkatdhetarët që keni në Kosovë;

– të zbuloni dhe të demaskoni pa mëshirë ata elementë të shitur që bëjnë punën e armikut, që mbjellin panik dhe konfuzion në radhët tuaja, duke ju denoncuar juve te armiku;

– të sabotoni ato të ashtuquajtura “Klube Jugosllave të Punëtorëve”, që janë shndërruar në çerdhe të rrezikshme antishqiptare, e në vend të tyre të formoni klubet e shoqëritë tuaja, të pavarura kulturore, artistike e sportive;

– mos lejoni që të humbni gjuhën, kulturën e traditat tona të mira.

Këto janë ndër kërkesat dhe orientimet qenësore, tejet largpamëse, që shtronte Kadri Zeka përmes “Letrës së hapur” drejtuar bashkatdhetarëve, në mënyrë që nga ta të përkrahej sa më fuqishëm dhe të ndihmohej realizimi i kërkesave të drejta të popullit tonë për liri dhe Republikë, të shtruara në demonstratat e vitit 1981 në Kosovë.

  • Jusuf Gërvalla (së bashku me bashkëshorten e tij, Syzanën) në demonstratën e Shtutgartit, më 25 prill 1981.

Shtypi ndërkombëtar pohon shtypjen e egër ndaj shqiptarëve

Kadri Zeka, me të drejtë, në fjalimin e mbajtur në demonstratën e organizuar në Düsseldorf të Gjermanisë, nxjerrë konkludimin: “Fjala e propagandës jugosllave, prapa së cilës qëndron aparati shtypës policor, të cilit mund t’ia kenë lakmi edhe fashistët më të tërbuar, ka humbur fare peshën e vet, sidomos këto kohët e fundit. Tashmë i gjithë shtypi evropian e botëror, e ka thënë deri diku mendimin mbi ngjarjet e fundit në Kosovë dhe realitetin jugosllav. Në pjesën dërmuese të artikujve, në gazetat perëndimore është folur për absolutet dhe egërsinë e qeverisë jugosllave, e cila konsideron se krijimi i Republikës së Kosovës do të kishte qenë murtajë për Jugosllavinë. Në këto gazeta nuk do të hasim në asnjë artikull që të mos pohojë së paku faktin se shqiptarët në Jugosllavi janë të shtypur egërsisht në pikëpamje ekonomike, sociale e nacionale ”.

Kadri Zeka gjatë veprimtarisë së tij patriotike në mërgim, përveç si organizator i dëshmuar, orator dhe publicist – lërues i guximshëm i mendimit politik – shquhet edhe me thjeshtësinë e tij, afërsinë, dashurinë dhe respektin që tregon në raport me bashkatdhetarët, veçanërisht për respektimin e mendimit dhe vullnetit të tyre – tipare këto të një personaliteti të formuar, përfaqësues dhe bartës i vlerave demokratike. Vendimi që merr së bashku me Bardhosh Gërvallën, për t’u mbajtur demonstrata në Bruksel, sipas kërkesës paraprake të mërgimtarëve në këtë vend, ani pse pas informatave se Emin Fazliu (alias Emil Kastrioti) me kompani, “zunë të përhapnin fjalë se si në ditën e demonstratës rrugëve të Brukselit do të derdhet gjaku në mes të shqiptarëve”, së bashku me Jusuf Gërvallën kishin vendosur të anulohej demonstrata, është një ndër shembujt më emblematik të respektit që kishte Kadriu për bashkatdhetarët dhe në këtë rast edhe për mendimet dhe pikëpamjet e të tjerëve. Dhe vërtet mendimi i bashkatdhetarëve kishte rezultuar të jetë i drejtë: demonstrata ishte përgatitur dhe kishte kaluar mirë, ndërkaq që për suksesin e saj ishte folur në gjithë Brukselin.

Për ta shmangur shfaqjen e dilemës se pse në këtë demonstratë dhe në konsultim me bashkatdhetarët për mbajtjen apo anulimin e saj nuk kishte marrë pjesë edhe Jusuf Gërvalla, duhet theksuar se ai në këtë kohë ende nuk kishte dokumente të udhëtimit jashtë Gjermanisë.

Demonstrata e mbajtur në Bruksel, më 13 qershor 1981, përveç pjesëmarrjes në të edhe të një numri të madh të shqiptarëve që UDB-ja jugosllave i kishte shpërngulur më parë përmes dhunës në Turqi, shquhet edhe për peticionin e hartuar, së bashku me traktin e shpërndarë në demonstratë nga Kadri Zeka, i cili në formë të shkruar i drejtohet Kryesisë së Jugosllavisë, Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe Kuvendit Federativ të Jugosllavisë. Faktikisht, në mos qoftë peticioni i vetëm, ky mund të jetë peticioni i parë që parashtron në formë të shkruar dhe mbron, nëpërmjet argumenteve të shumta shkencore para organeve udhëheqëse jugosllave, kërkesat e demonstratave të mars-prillit të vitit 1981 në Kosovë, identifikon qartë dhe me pjekuri shkaqet që çuan në hedhjen e shqiptarëve në demonstrata.

1. Kosovës t’i njihet statusi i Republikës në kuadër të Federatës.

2. Popullit tonë t’i njihet e drejta për vetëvendosje.

3. Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë.

4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t’i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet.

5. Të njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të flamurit kombëtar nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi.

6. Kushte më të mira pune dhe jetesë për nxënësit e studentët kosovarë; trajtim i barabartë i tyre me studentët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë.

7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje.

8. Lirinë e fjalës e të shtypit.

9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore në Kosovë.

10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjella nga jashtë.

11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit për të marrë dënimin e merituar.

Këto janë kërkesat politike të parashtruara përmes peticionit nga demonstrata e Brukselit, të dërguar në emër të punëtorëve shqiptarë nga Kosova dhe shqiptarëve të shpërngulur në Turqi.

Themeltarë të bashkimit jetik të mbijetuar

Siç shprehet Kadri Zeka në fjalimin e mbajtur në demonstratën e organizuar më 18 prill 1981 në Zürich të Zvicrës, atëkohë kur e gjithë Kosova ishte në rrethim dhe ishte shndërruar në llogore lufte. “Me tankun dhe bajonetën e ushtarit pushtues, armiku po mundohej ta mbysë në gjak popullin tonë heroik, rininë tonë revolucionare”. Prandaj, vijon ai të shpërfaqë më tutje vizionin politik bashkues, “çastet e vështira që po kalon atdheu ynë dhe rreziqet që po i thuren atij e bën edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë, ngaqë vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike, mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve”. Kjo nuk është një frazë e shqiptuar kot nga Kadri Zeka, për konsumim ditor apo e rastësishme. Ai ishte thellë i bindur se pikërisht në këtë qëndron çelësi i realizimit të të drejtave sociale dhe lirisë kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Kjo ishte deviza e tij jetësore mbi të cilën e ngre dhe e thellon vizionin e tij politik, për të cilin përkushtohet me të gjitha forcat gjer në frymën e fundit. Kjo është kryeteza e “Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, të hartuara në maj të vitit 1981, në hartimin dhe jetësimin e të cilave Kadri Zeka u angazhua me tërë qenien.

Jusuf Gërvalla ishte i pajtimit qind për qind me tezat e shtruara nga Kadri Zeka. Ai i shtyp ato, i shumëzon, i dërgon një numër ekzemplarësh Kadri Zekës në Zvicër dhe vetë i shpërndanë në rrethin e Stuttgartit.

Duke pasur ato teza për bazë, me bashkimin e të gjitha grupeve dhe organizatave të fshehta, do të arrihej bashkimi i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë. Dhe pikërisht 9 ditë para vrasjes, në bisedën telefonike që Kadri Zeka zhvillon me një bashkëkohanik, më 8 janar 1982, fjalët e tij të fundit ishin: “Do të bashkohemi dhe t’i japim shtytje luftës së drejtë të popullit tonë që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Rroftë uniteti dhe bashkimi i popullit tonë!”.

Para këtij qëllimi të shenjtë Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla nuk vinin asgjë tjetër. Prandaj, UDB-ja jugosllave e humbi toruan dhe, për ta qëlluar bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje a pikëpamjesh politike, në natën e 17 janarit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë, qëlloi me plumba ideologët dhe bartësit kryesorë të këtij bashkimi: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. U vranë heronjtë, por jo edhe bashkimi.

Pikërisht një pjesë e këtyre tezave janë ndër shtyllat më të fuqishme mbi të cilat nga ana e gjeneratës pasuese të Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, të organizuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), u themelua më vonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe e mbështeti programin e saj politik. Prandaj, edhe roli i mërgimtarëve ishte me domethënie jetike për fatin e luftës, çlirimit dhe lirisë së Kosovës.

_____________

Literatura:

Durmishi, Xhafer, Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985, Epoka e re, 24 janar 2007.

Hajrizi, Mehmet, deklaratë me shkrim dhënë autorit më 13 gusht 2021.

Hajrizi, Mehmet, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë, 2008.

Lajmëtari i lirisë, viti I, nr. 1, gusht 1980.

Liria, nr. 3, Zvicër, 1981.

Pllana, Ramadan, Deklaratë me shkrim dhënë autorit më 15 prill 2021.

Rashiti, Ismet, bashkëpunëtor i Kadri Zekës, Deklaratë me shkrim dhënë autorit më 12 prill 2021.

Rexha, Kadri, Fati i luleve, Buzuku, Prishtinë, 1993.

Zeqiri, Rudina, Format specifike të komunikimit të organizatave të fshehta shqiptare gjatë monizmit jugosllav, Autorja, Tetovë, 2020.

Zeka, Kadri, Artikuj e fjalime, Biblioteka “Liria”, Zvicër, 1986.

Zëri i Kosovës, nr. 1, Gjermani, nëntor 1981.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura