Pashtriku, 26 mars 2021:
Koha po shtronte kërkesa dhe detyra të ngutshme
Në fund të fundit, populli shqiptar kishte arritur të vetëdijesohet, ta njohë gjenezën dhe të kaluarën e vet edhe pa “zbulimet” e famshme të pseudoshkencëtarëve serbë. Populli ynë tashti dinte fort mirë për ngritjen e vet nëpër shekuj si dhe për ballafaqimin me armiqtë e tij të shumtë në rrugën e gjatë heroike dhe tragjike të historisë së tij mijëvjeçare. Ai e dinte se kurdo dhe kushdo që lakmoi begatinë dhe trojet e tij, vetëm varrin e vet e gjeti në to dhe në vend të lavdisë me vel të turpit u mbulua. Prandaj, më shumë se asnjëherë tjetër tashti kishte marrë kuptimin e plotë testamenti i popullit i shkruar me gjak:
Se Kosova e ka pas adet,
Nga një luftë me ba për vjet
Testament që për agresorët eventualë populli ynë me kohë e ka vënë në dyert e Kosovës, të kësaj toke “varre krajlash …”.
Nga kjo situatë e krijuar, për të gjithë po bëhej e qartë se me shpalljen e kundërrevolucionit në Kosovë, me përdorimin e dhunës policore dhe ushtarake si dhe me aplikimin e administratës së dhunshme ushtarake nuk do të vihej rregull në këtë pjesë të shqetësuar të Ballkanit. Përkundrazi, mbarë bota paqedashëse përmes shtypit e përkrahu kërkesën e drejtë të popullit të Kosovës lidhur me statusin e Republikës, ndërsa i gjykoi ashpër masat represive, duke theksuar se masat e këtilla e thellojnë krizën edhe më tepër, i çrregullojnë akoma më shumë marrëdhëniet fqinjësore dhe ndërnacionale në Kosovë, e destabilizojnë Jugosllavinë dhe e prishin ekuilibrin dhe paqen në Gadishullin Ballkanik, në Evropë dhe më gjerë. Dhe kjo pa fajin më të vogël të popullit shqiptar. Në këtë aspekt një ndihmë dhe përkrahje të jashtëzakonshme dhe vendimtare e dha edhe Shqipëria.
Ngjarjet tragjike të Kosovës popullin shqiptar nuk e dobësuan as e luhatën për asnjë moment nga rruga e tij e nisur. Përkundrazi, populli ynë, tashmë i pajtuar me fatin e luftës dhe i bindur thellë në kauzën e vet të shenjtë, qëndroi me besim të patundur në drejtësinë e amshuar dhe në ditët e bardha të lirisë. Edhe muza popullore, si zakonisht në raste të këtilla, këtyre ngjarjeve u bëri jehonë duke i përjetësuar ato në mijëra vargje të epikës sonë të re, ku i këndohet vitalitetit, qëndresës, krenarisë dhe përjetësisë së popullit tonë:
Mbushë Kosova me plisa t’bardhë
Me kokë lart si male t’Sharrit
Lind lulëkuqja e lirisë
E ndrit ballin e shqiptarit
Gjethi i ahut prapë shpërthen
Bar të njomë livadhet mbushe
Përmbi varre t’dëshmorëve t’ri
Çel Kosova gjithë lulëkuqe
Mbaju ti, Kosovë Dardane
Mbushi djepat me Azema
Sa herë ngjallen Krajloviqët
Shqipja lind o veç Skendera
Ju moj nëna o kosovare
Lot mos lëshoni o përmbi varre
Çdo dorë vajze e çdo dorë burri
Për Kosovën…
Janë gjithmonë shtizë flamuri
Djem e vajza që ranë tue thirr:
– Rroftë Kosova Republikë!..
Ngriten prapë burrat shqiptarë
Si shkambij zemër çelik
Thërret sharkia djemtë e çikat
Që me gjak i mbushën sheshet
N’rrugët e tua o moj Kosovë
Do t’u ngrehen o monumentet.
Në kohën kur tashmë Kosova ishte bërë poligon i provës gjenerale për klanin unitarist serbomadh dhe kur populli shqiptar në Jugosllavi po përjetonte vuajtjet dhe krajatat më të mëdha dhe më të padurueshme gjatë historisë së tij, edhe para bijve dhe bijave të popullit tonë, para organizatave dhe grupeve politike të fshehta, para atdhetarëve të vërtetë, kjo kohë e madhe po shtronte kërkesa dhe detyra të ngutshme dhe të rëndësishme: që të jetohet me kohën; që vigjilenca të jetë në nivelin më të lartë; që për çdo problem të krijuar shpejt të merrej qëndrimi i drejtë; që të mos kishte tërheqje në njërën anë para situatave të krijuara apo atyre që do të krijoheshin, që të mos u bishtërohej kërkesave dhe luftës së drejtë të popullit tonë; që angazhimit në këtë luftë t’i printe arsyeja e kthjellët…sepse siç po shihej në horizont, prova të reja dhe akoma më të rënda po i përgatiteshin popullit dhe atdheut tonë të lashtë.
Demonstratat dhe klasa vazale politike
Shpërthimi i demonstratave në Kosovë, klasën politike shqiptare, si përherë, e zuri të papërgatitur dhe të pa aftë për t’i dalë përballë situatës së krijuar, krizës politike, krizës ekonomike dhe krizës morale në të cilën ishte zhytur Kosova dhe mbarë Jugosllavia. Ndonëse kishte vite që Serbia, Kroacia dhe Sllovenia po përgatiteshin, secila në mënyrën e vet, që vdekja e Titos t’i zërë sa më të forta dhe sa më të pavarura, ndonëse qarqe të ndryshme nacionaliste dhe shoviniste serbomëdha po përgatiteshin hapur me program për kryqëzatat e tyre antishqiptare dhe vetëm po e prisnin vdekjen e Titos për t’u hudhë në sulm, klasa politike shqiptare, me besim të patundur në pathyeshmërinë e sistemit vetëqeverisës jugosllav, në bashkim-vëllazërimin e rrejshëm dhe në komunizmin e pamoralshëm jugosllav, bënte gjymin e rehatshëm dhe, si dëshmi besnikërie ndaj Federatës, me përulësinë e zagarit të bindur, burgosnin pa mëshirë bijat dhe bijtë më të mirë të Kosovës. Të dehur nga arritja e disa rezultateve pozitive, si Kushtetuta e vitit 1974, Universiteti, zyrtarizimi dhe unifikimi i gjuhës shqipe, përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, fillimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, etj. klasa politike shqiptare me kohë e kishte braktisë dhe lënë fare në harresë nismën e vitit 1968 për avancimin e statusit të Kosovës në nivelin e Republikës, e cila do të ishte garancia dhe siguria më e mirë për çfarëdo të papriture në të ardhmen. Ndonëse edhe fshatarët në ara, edhe punëtorët në fabrika, edhe barinjtë në bjeshkë e kishin kuptuar gjëmën që po i përgatitej Kosovës dhe shqiptarëve, politikanët tanë, në vend që të përgatitin strategjinë për mbrojtje, ata, të mbytur në luks dhe në shkëlqimin marramendës, po bënin shtatë palë qejfe dhe kokrrën e sefasë. Prandaj, siç do të përbetohen me mijëra herë deri në ditët e sotit, demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, klasën politike shqiptare i zunë gafil dhe në befasi të pashpjegueshme. Kësisoj, klasa politike e Kosovës, as kësaj radhe, nuk e pati kurajën të ngrihet mbi vetveten që të kalojë në anën e popullit të vetë si mbrojtëse e saj, si mbrojtëse e vetvetes dhe si mbrojtëse e Kosovës para rrebeshit shovinist dhe tragjedisë që i kishte rënë mbi kokë.
Në vend se të qëndrojë në nivelin e detyrës, si përfaqësuese e popullit, siç ia kishte ënda të thirrej, burokracia politike e Kosovës, që në hapin e parë kapitulloi dhe, si nxënësi i dëgjueshëm, filloi t’i përsërisë dhe t’i ripërtypë qëndrimet, diskutimet, platformat dhe konkluzionet e forumeve politike, kulturore, fetare dhe shtetërore serbe, të cilat për bazë kishin gënjeshtrat, shpifjet, insinuatat, paragjykimet, mashtrimet, etj. Në përpjekje titanike për t’i mbrojtur postet e veta, të rrezikuara seriozisht, apo në luftë për ta shfrytëzuar rastin e bekuar serbian që u kishte trokitur në derë për t’u ngritur hala më shumë në hierarkinë politike, politikanët shqiptarë, në shëmbëllesë të Kainit dhe si dorë e zgjatur e armikut serb, me zell të madh dhe me energji të pakufishme do të shkelin me të dy këmbët mbi vullnetin, mbi të drejtën, mbi dinjitetin dhe mbi gjakun e popullit të vet. Dhe, për të qenë më bindës në këtë rrugë, dhe për të qenë sa më të përpiktë në zbatimin e dhunës brutale mbi masat e gjëra, në zbatimin e furishëm të fushatës antishqiptare kundër historisë, kulturës dhe mbarë kombit shqiptar, burokracia politike e Kosovës, me lehtësi të madhe, angazhuan një pjesë të inteligjencies së Kosovës, intelektualë servilë, intelektualë të pakarakter, intelektualë të dështuar, të cilët, pa vrasje të ndërgjegjes dhe me kënaqësi të veçantë, do të hyjnë në shërbim të kësaj politike.
Dhe, kjo politikë shtypëse dhe shfarosëse antishqiptare nuk do të zgjatë me ditë apo me muaj, por me dekada të tëra. Dhe, tek diku, pas tetë vitesh, kur Serbia arriti ta plagosë rëndë mbarë një popull, duke e rrahë, duke e fyer dhe duke e burgosur pothuajse gjysmën e popullatës së moshës madhore, tek atëherë kur Serbia arriti ta degradojë pozitën kushtetuese të Kosovës, pra, tek atëherë, klasa politike e Kosovës zu të zgjohet nga gjumi i gomarit në gojë të ujkut dhe ta kuptojë se gjatë tërë jetës paska qenë vetëm kukull dhe marionetë në dorë të armikut dhe se rruga e tradhtisë paska vetëm një përfundim: limoni i shtrydhur hudhet në pleh, ai që ia bën gropën vëllait bie vetë në të, ndërsa gjykimi i historisë është i pamëshirshëm.
Demonstratat dhe forcat e organizuara ilegale
Shpërthimi i demonstratave në Kosovë, forcat tona të organizuara politike patriotike ilegale i gjeti në krye të detyrës. Ato, që gjatë gjithë kohës kishin vepruar hapur dhe në ilegalitet, ato që gjatë gjithë kohës kishin ndjekur me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve politike dhe shoqërore në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavi, tashti, me shpërthimin e trazirave të reja, me ngritjen e një populli në këmbë, shihnin riaktivizimin e një vullkani që nuk jepte shenja të fashitjes për një kohë të gjatë. Nisur nga gjendja e re e krijuar në Kosovë pas demonstratave të para, këto organizata dhe grupe do të mobilizohen në shkallën më të lartë dhe do ta analizojnë situatën e krijuar për të marrë pastaj qëndrim sa më të drejtë lidhur me rrugën e zhvillimit të ngjarjeve në perspektivë. Ndonëse në ilegalitet të thellë dhe të rrezikuar nga dënimet drakonike që i pritnin, anëtarët e forcave të organizuara patriotike bënë një punë të pashembullt dhe vetëmohuese në propagandimin dhe sqarimin e kërkesave të ditës, në sqarimin e taktikës dhe të strategjisë së luftës, ku me fjalë, ku me trakte, ku me pamflete, ku me shembullin personal dhe ku me gazeta ilegale.
Në përballimin e sulmit të ushtrisë dhe të policisë nga masat e gjëra të popullit shqiptar, në vënien e gjoksit përpara tankeve nga djalëria heroike shqiptare, në qëndrimin e drejtë dhe në aktivitetin e rrufeshëm të punëtorëve dhe të fshatarëve, në mbajtjen heroike gjatë procesit të hetimeve dhe të gjykimeve të vajzave dhe të djemve të arrestuar për politikë, në qëndrimin e paluhatshëm të popullit gjatë procesit të diferencimeve politike, në shkrimin e parullave në mure, në asfaltin e rrugëve, në shpate të kodrave e gjetiu, në organizimin e bojkotit dhe të grevave, në çarmatosjen dhe likuidimin e patrullave të policisë, në zënien e rrugëve me gurë nga rinia, në prishjet e mbledhjeve diferencuese nëpër bashkësitë lokale të fshatrave dhe të lagjeve të qyteteve, në heshtjen e bllokut të pathyeshëm të profesorëve universitarë, që aq shumë e vriste armikun, në filozofinë e qëndresës vepruese të intelektualëve atdhetarë, organizatat dhe grupet politike ilegale shihnin guximin dhe vendosmërinë e popullit për rezistencë dhe luftë të pa kompromis deri në fitoren e vërtetë. “Sa më i egër që bëhet sulmi frontal antishqiptar i serbomëdhenjve me masa politike e shtetërore, aq më e vetëdijshme po bëhet popullsia jonë për rrezikun më të ri nga zhdukja fizike e asimilimi, aq më shumë rinia e populli ynë po i shtrëngojnë radhët e veta, aq më shumë forcat tona të organizuara patriotike po e marrin veten dhe po përgatiten që lufta e ardhshme të mos i zërë ngushtë për asgjë”, thuhej në një gazetë ilegale të asaj kohe dhe vazhdohej: “Rinia me hovin e saj që doli në dritë sidomos gjatë demonstratave dhe pas tyre, duhet ta intensifikojë edhe më tej iniciativën për aksione që armikut s’i lënë mundësi dhe kohë të mendojë e të planifikojë në mënyrë komode. Tashmë ka ardhur koha që punëtorët tanë trima, të cilët iu bashkuam me aq vendosmëri rinisë patriotike në demonstrata dhe u përleshën heroikisht me milicinë fashiste serbe, të mendojnë më seriozisht për ngritjen e vetes së tyre në një shkallë më të organizuar. Si shtyllë e luftës së ardhshme, ata duhet të marrin masa përgatitore që lufta të mos i zërë ngushtë. Për këtë arsye është e nevojshme që si në qytet ashtu në fshat, të tregohen më të hapur ndaj agjitacionit dhe propagandës së forcave tona të organizuara dhe më të mbyllët për propagandën e armikut. Punëtorëve u bie barra e rëndë që armikut t’ia japin grushtin më të madh, në fillim në planin ekonomik, me bojkotime e greva, e më vonë edhe në frontin e luftës. Asnjë ditë nuk duhet të na kalojë pa i sjellë një dëm sado të vogël armikut të egër serbomadh, deri sa të mos ngrihemi në një shkallë të tillë që të mund të organizojmë edhe aksione të tipit më të lartë të organizimit revolucionar, siç janë grevat e përgjithshme në shkallë kombëtare”.
Në kohën kur mjeteve të informimit, gazetave, radios dhe televizionit si dhe mbarë inteligjencies atdhetare shqiptare ua kishin mbyllur gojën me dhunë, si çështje tjetër e ngutshme e forcave të organizuara patriotike, që koha ua shtroi si imperativ të dorës së parë, ishte edhe propagandimi i luftës së drejtë të popullit shqiptar, si brenda ashtu edhe në opinionin ndërkombëtar, demaskimi i deklaratave të shovinistëve serbë lidhur me situatën e përgjakshme që mbretëronte në Kosovë, demaskimi i deklaratave të cilat dezinformonin opinionin se gjoja në ngjarjet e Kosovës ka gisht RPS e Shqipërisë apo diplomacitë e huaja, e kështu me radhë.
Demonstratat gjithëpopullore dhe ngritja e mbarë popullit në kryengritje kishin shtruar objektiva të reja dhe të ngutshme. Më në fund, filozofia e të vepruarit deri në vdekje për lirinë e popullit dhe të atdheut ishte bërë pjesë e punës dhe e jetës, moto dhe betim i të gjitha forcave të organizuara patriotike ilegale: “Me një popull që ka tradita si ky yni dhe me një shkallë të ndërgjegjes së tillë shoqërore e kombëtare që ka sot populli dhe rinia jonë, forcat patriotike nuk kanë si të vënë në peshojë mundin dhe sakrificat nga ana e tyre. Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur dhe më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”.
Demonstratat dhe intelingjencia atdhetare
Pas shpërthimit të demonstratave dhuna serbomadhe, në mënyrë të veçantë, u drejtua dhe ra mbi kokën e inteligjencies atdhetare të Kosovës. Pjesa dërmuese e intelektualëve tanë atdhetarë, profesorët e Universitetit, profesorët e shkollave të mesme, arsimtarët e shkollave fillore, shkrimtarët, gazetarët, historianët, kompozitorët, piktorët, skulptorët, artistët e teatrit dhe të filmit, këngëtarët, etj, etj. qëndruan të pathyeshëm kundruall kësaj dhune të egër shtetërore. Si gjithmonë në të kaluarën edhe kësaj radhe u gjet një numër i konsideruar intelektualesh lakmitar dhe frikacak që u thyen para kësaj dhune dhe u bënë pjesë e mekanizmit të pushtetit gjakatar. Vlen për t’u cekë këtu sidomos qëndresa heroike e profesorëve të Universitetit menjëherë pas shpërthimit të demonstratave të studentëve.Tubimi diferencues që do të mbahet me atë rast do të zgjatë me orë të tëra dhe rezultati për regjimin do të jetë tepër trishtues dhe shumë dëshpërues.
Atë natë profesorët, ndonëse të kërcënuar, do të mbajnë qëndrim dinjitoz dhe në vend që t’i dënojnë demonstratat dhe studentët e tyre, ashtu siç priste regjimi, ata do t’i arsyetojnë kërkesat e studentëve ndërsa policinë speciale serbe do ta akuzojnë se mbi studentët kanë ushtruar dhunë shtazarake dhe masakër të përgjakshme. Qëndresa e profesorëve të Universitetit të Kosovës do të ketë jehonë të gjatë dhe do të këtë ndikim vendimtar për qëndrimin e mëtutjeshëm të të gjitha shtresave popullore në mbarë Kosovën. Fushata antishqiptare serbomadhe si dhe procesi i diferencimit më së rëndi do t’i goditë pikërisht inteligjencien shqiptare. Ata do të jenë të detyruar të rrëfehen lidhur me botëkuptimin dhe mendimin e tyre rreth ngjarjeve të ndryshme historike si dhe rreth situatës aktuale politike në Kosovë, do të detyrohen të pendohen për veprime të ndryshme të cilat i kishin bërë dhe për ato që nuk i kishin bërë, më në fund, atyre do t’iu kërkohet me dhunë për të folur apo për të shkruar lidhur me tema të caktuara, aksion ky që do të rezultojë me zero.
Pra, intelektualët tanë me personalitet të formuar, intelektualët tanë të talentuar dhe krijues, intelektualët tanë të ndërgjegjshëm për rolin që u takonte, bartën barrën e rëndë të qëndresës vertikale, të rezistencës dhe të zhvillimit të rrjedhave kulturore, politike dhe mbarë kombëtare. Ndonëse kanë mundur të bëjnë hala më shumë, padyshim, pa mendimin, pa qëndrimin si dhe pa veprimin edhe të intelektualëve tanë Kosova nuk do të arrinte në shkallën ku është sot.
Demonstratat e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë
Nuk do të ishte i plotë kuadri sikur këtë temë ta përfundonim pa e cekë shkurtimisht edhe aktivitetin e madh dhe shumë të rëndësishëm politik të bashkatdhetarëve tanë që jetonin dhe punonin në Evropën Perëndimore. Shtypja me gjak e demonstratave në Kosovë nga ana e Beogradit shkaktoi tronditje të thellë në ndërgjegjen kombëtare të secilit shqiptar, qoftë në atdhe e qoftë edhe në pikën më të largët të planetit tonë. Masakrat në masë, represaliet dhe dhuna e qeverisë së Beogradit mbi popullin e pafajshëm dhe duarthatë në mënyrë të veçantë indinjoi kurbetçinjtë ekonomikë në Evropën Perëndimore, të cilët familjet, farefisin dhe çdo gjë të shenjtë të tyre e kishin në Kosovë. Prandaj edhe pezmi i tyre i ngritur në shkallën më të lartë kërkonte domosdonë e një aktivizimi dhe zbrazjeje të vetëdijshme dhe të organizuar.
Në këto rrethana Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin vënë në lëvizje të jashtëzakonshme. Në bazë të mirëkuptimit që e kishin gjetur mes njëri-tjetrit, në situatën e krijuar, ata do të bien në ujdi që t’i bashkërenditin edhe veprimet e përbashkëta të organizuara patriotike. Kishte ardhur koha e pritur. Momentet nuk prisnin më. Vendimet dhe veprimet duhej të ishin në nivelin më të lartë. Ngjarjeve të përgjakshme të Kosovës trime duhej t’u jepje përkrahje në të njëjtën mënyrë. Flakë për flakë. Opinioni ndërkombëtar duhej sqaruar. Gënjeshtrave dhe dezinformatave të Beogradit duhej kundërvënë argumentet e forta dhe bindëse të së vërtetës. Po ashtu lidhur me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, sidomos tashti pas tragjedisë dhe gjëmës së saj, kërkohej edhe veprim aktiv dhe plan i organizuar politik, i cili do të merrej me frymëzimin dhe orientimin e veprimeve dhe aksioneve të ardhshme në Evropën Perëndimore dhe kudo në botë. Aktiviteti i tyre i përbashkët në fillim do të jepë rezultat të frytshëm sidomos në organizimin e demonstratave nëpër qendra të ndryshme të Evropës Perëndimore. Demonstrata e parë dhe shumë e suksesshme, si rezultat i këtij bashkëpunimi, do të zhvillohet më 11 prill të vitit 1981 para ambasadës jugosllave në Bern, kryeqytet i Zvicrës.
Edhe demonstrata e dytë u mbajt në Zvicër, më 18 prill, në qytetin Cyrih. Demonstrata e tretë u mbajt më 25 prill në Shtutgart të RF të Gjermanisë. Po në RF të Gjermanisë, në qytetin Dyzeldorf, më 9 maj u mbajt edhe demonstrata e katërt. Demonstrata e pestë u mbajt më 16 maj në Mynih. Dhe kështu me radhë nga java në javë. Valën e re të dhunës dhe terrorit në Kosovë do ta pasojnë edhe demonstratat e tjera që u organizuan dhe u mbajtën në Gjenevë, para përfaqësisë së OKB-së, pastaj në Francë, në Belgjikë, në Suedi, në SHBA e në vende të tjera. Demonstratat ishin përkrahje e denjë morale dhe jehonë e fuqishme e demonstratave të Kosovës. Kërkesat ishin të njëjta, parullat po ashtu të njëjta. Në to morën pjesë dhjetëra mijëra kosovarë, të cilët padrejtësia dhe skamja i kishte detyruar të kurbetonin larg atdheut, larg vatrës, larg familjes.
Nga të gjitha viset e Evropës Perëndimore dasmorët e lirisë bashkoheshin në kolonat e gjata të prira me flamurin kombëtar. I bashkonte fatkeqësia e vatrës, dhembja e popullit, ora e lirisë, qëllimi i lartë. Para ambasadave jugosllave kudo u mbajtën mitingje protestuese. Përmes fjalimeve të gjata dhe të rëndësishme demaskoheshin qëllimet dhe veprimet fashiste të qeverisë jugosllave si dhe tregoheshin shkaqet dhe qëllimet e vërteta të demonstratave të Kosovës. Po ashtu nëpërmjet peticioneve dhe memorandumeve që nga këto demonstrata u dërgoheshin forumeve më të larta shtetërore jugosllave, përfaqësive ndërkombëtare, qeverive evropiane dhe Kombeve të Bashkuara, bëhej apel për ndërprerjen e masakrave dhe të terrorit të ushtrisë dhe të policisë në Kosovë, që Kosovës t’i njihej statusi i republikës, kërkohej lirimi i qindra mijëra të burgosurve politikë të mbyllur gjatë asaj pranvere në Kosovë etj. Kërkesat e parevokueshme të kurbetçarëve tanë të shpallura para opinionit shqiptar dhe atij botërorë ishin si vijon:
1) Pa iu njohur Kosovës statusi i Republikës në kuadër të Federatës jugosllave;
2) Pa iu njohur shqiptarëve në Jugosllavi statusi i kombit dhe, rrjedhimisht, e drejta demokratike për vetëvendosje deri në shkëputje;
3) Pa u marrë menjëherë masat konkrete të të gjithë bashkësisë jugosllave që ritmi i zhvillimit të Kosovës të shpejtohet së paku në shkallën e parashikuar dhe të premtuar nga Federata- do të thotë 60 për qind mbi mesataren jugosllave;
4) Pa u marrë masa të menjëhershme kundër papunësisë katastrofike në viset shqiptare, që në afatin sa më të shpejtë të inkuadrohet krahu i lirë (ekzistues) i punës dhe të tërhiqen punonjësit tanë të shkapërderdhur në Perëndim dhe nëpër Republikat e zhvilluara të Jugosllavisë;
5) Pa shpalljen e amnistisë së përgjithshme, me të cilën do të liroheshin menjëherë dhe pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, që vuajnë dënime të rënda nëpër kazamatet jugosllave;
6) Pa marrë nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës politiko-shoqërorë, publicistë e njerëz të tjerë qofshin nga Kosova ose republikat e Jugosllavisë, që janë implikuar në një mënyrë a në një tjetër në tragjedinë më të re të Kosovës, në fushatën e tërbuar antishqiptare të serbomëdhenjve, duke i shkaktuar popullit tonë plagë të reja dhe duke ndërsyer kundër tij popujt jugosllavë të nxitur nga propaganda;
7) Pa formimin e një komisioni të posaçëm, që do të studiojë me themel dhe në hollësi aksionet shtetërore, para e pas lufte, gjë që presupozon edhe publikimin e dokumenteve të fshehta shtetërore (të vjetra e të reja), që kanë të bëjnë me aksionin në fjalë; pa marrë dënimet e merituara të gjithë aktorët e gjallë (Qubrilloviqi me shokë) dhe të vdekurit (Andriqi, Vukotiqi, etj.) të këtij akti barbar të gjenocidit; pa iu marrë e drejta qytetare publike të gjitha atyre veprave letrare (Duqiqi, Laliqi, Qosiqi, Bulatoviqi, etj.), kuazishkencore (Gjorgjeviqi, Cvijiqi, etj.) e publicistike, në të cilat pasqyrohet përçmimi kombëtar e synimet antishqiptare, dhe mbi to të vihet embargo e përhershme jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Jugosllavinë;
8) Pa u rivendosur e pa u zhvilluar më tej marrëdhëniet e filluara kohë më parë mes popullit shqiptar (dhe popujve të tjerë) në Jugosllavi me shtetin dhe me popullin shqiptar në RS të Shqipërisë, të ndërprera në mënyrë të njëanshme arbitrare e me qëllime thellësisht antishqiptare;
– Pa këto masa të menjëhershme, rigorozisht të plota, populli shqiptar i martirizuar nuk do të ketë as satisfaksionin më të vogël për krimet e vazhdueshme 70-vjeçare të gjenocidit nën regjimet e egra jugosllave, sidomos nën regjimin e vetadministrues të klikës titiste-rankoviçiste dhe rrjedhimisht, nuk do të qetësohet deri në ngadhënjimin e plotë të të drejtave dhe të lirisë së tij.
Të gjitha demonstratat ishin të organizuara mirë. Në to dominonte rendi dhe disiplina e shkallës më të lartë si dhe shprehja e zemërimit më të thellë të punëtorëve shqiptarë për dramën e re të Kosovës. Pothuajse në të gjitha këto demonstrata u bashkuan dhe shprehën indinjatën e tyre edhe qytetarët e shumtë të vendeve përkatëse si dhe demokratët gjermanë, turq etj., të cilët në to merrnin pjesë qoftë fizikisht, qoftë me trakte dhe fjalime. Nëpërmjet automobilit me megafon që u printe demonstratave, koordinoheshin veprimet, bëhej kontrollimi i disiplinës dhe i shprehjes unike të demonstruesve. Po ashtu, me megafon lexohej në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja trakti përkatës, me elemente informative e sqaruese lidhur me gjendjen e krijuar në Kosovë. Ndonjë incident që i përcolli demonstratat në fjalë, u shkaktua pa fajin më të vogël të demonstruesve. Ato vinin si rrjedhim i implikimeve të spiunëve dhe njerëzve të shitur të ambasadave jugosllave që bënin përpjekje t’i fotografonin apo t’i xhironin demonstratat.
Kosova republikë si kërkesë e kohës
Dy forcat më të mëdha të organizuara politike patriotike të asaj kohe, Lëvizja Nacional- çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi dhe Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, të cilat vepronin me vite të tëra, si platformë të tyre politike dhe ideologjike, në radhë të parë, kishin çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me vendin amë, Shqipërinë, vijë të cilën deri asokohe përafërsisht e kishin ndjekur afro pesëdhjetë organizata dhe grupe patriotike e revolucionare në Kosovë; ndonëse gjithë punën dhe aktivitetin e tyre, si në Kosovë ashtu edhe jashtë atdheut, e kishte karakterizuar pikërisht mu kjo vijë, uragani i demonstratave të fuqishme të popullit të Kosovës do t’i detyrojë ato të bëjnë kthesë taktike në punën e mëtejshme, duke mos e cenuar kështu për asnjë moment strategjinë e luftës së popullit shqiptar në perspektivën e saj. Gjatë demonstratave spontane të marsit dhe të prillit në Kosovë u shpalosën në të njëjtën kohë dy parulla kryesore: “Bashkim” dhe “Kosova Republikë”. Mirëpo, mendjet e ndërgjegjshme dhe forcat e organizuara patriotike, të cilat nuk e kishin paraparë një shpërthim aq të rrufeshëm dhe aq masiv, duke e vlerësuar situatën e përgjithshme ndërkombëtare, si dhe situatën e brendshme, do të ndikojnë që të dominojë kërkesa e dytë, pra, Kosova Republikë, e cila si kërkesë e popullit gjëllinte që nga viti 1968. Kjo kërkesë gjithëpopullore, prandaj, do të bëhet edhe platformë e ardhshme e të gjitha organizatave dhe grupeve politike të formuara më parë si dhe atyre që do të formohen më vonë.
Kërkesa Kosova Republikë në atë kohë nuk ishte as e re dhe as e panjohur për popullin shqiptar. Si njëra ndër kërkesat e mundshme të realizueshme për kohën, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga tutela e huaj, në këtë rast nga sqetulla serbe, në mbështetje të parimit mbi vetëvendosjen e popujve, kjo kërkesë ishte e shprehur legalisht në të gjitha tubimet e organizatave politiko-shoqërore të LK-së, LSPP-së dhe LRS-së gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1968, vullnet dhe e drejtë kjo e popullit shqiptar që ishte shkelë me dhunë, sikundër edhe vendimet historike të Bunjajt, nga qarqet sunduese të shovinizmit serb dhe që e kishin nxitur Kosovën të ngrihet në demonstrata popullore, të cilat qenë shuar me gjak. Megjithatë, nga kjo kërkesë nuk do të hiqet dorë as më vonë. Në mënyrë të veçantë kjo kërkesë do të bëhet domosdoshmëri e kohës gjatë gjysmës së dytë të dekadës së viteve të shtatëdhjeta, në kohën kur arsimimi i masave të gjera filloi të zhvillohet në mënyrë të mirëfilltë, ndërsa klasa punëtore nisi të vetëdijesohet për eksploatimin e Kosovës dhe për fatin dhe rolin e saj në shoqëri. Kësisoj populli shqiptar do të marshojë duke e ngritur zhivën në shkallën më të lartë të barometrit politik derisa në pranverën e vitit 1981, me kërkesën Kosova Republikë në gojë, e ktheu Kosovën, tashmë vite me radhë të rrahur dhe të përgjakur, në një vullkan të gjallë në flakën e të cilit do të digjet pa mëshirë maska e shovinizmit serb, maqedon dhe malazez.
Se kërkesa për republikën e shqiptarëve në Jugosllavi nuk i kalonte kufijtë e platformës së organizatës patriotike LNÇKVSHJ në esencën e së cilës, pos programit maksimum: “Luftën për realizimin e të drejtës demokratike për vetëvendosjen e popullit tonë deri në shkëputje, që është lufta për pavarësinë e plotë kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Jugosllavi”, ngërthente edhe “programin minimum të luftëtarëve të lirisë- luftën për Republikën e Kosovës, që s’është gjë tjetër pos lufta për autonominë e popullit shqiptar në Jugosllavi”. (“Zëri i Kosovës”, nr. 2, 1982). Jusuf Gërvalla, ideolog dhe njëri ndër prijësit e LNÇKVSHJ-së, duke e analizuar rëndësinë e kërkesës së popullit që t’i njihet Kosovës e drejta e statusit të Republikës, si dhe të drejtën e ligjshme që populli e kishte për ta bërë këtë kërkesë, në një tubim me punëtorët, të mbajtur më 28 Nëntor 1981, në një qytet të RF të Gjermanisë, mes të tjerash, theksonte: “Po t’ishte kërkesa Kosova Republikë një kërkesë boshe, një kërkesë në ajër, një kërkesë mendjelehtë, një kërkesë të cilën e kanë bërë aventurierët, një kërkesë të cilën e kanë bërë ata që ëndërrojnë pa baza, pa kurrfarë dyshimi se Beogradi, qysh më 11 mars të këtij viti, do të dilte me dokumentin për statusin e Republikës së Kosovës dhe do të thoshte: Urdhëroni shqiptarë, ja ku e keni Republikën! Të gjitha forcat, gjithë plehun, gjithë vrerin shovinist të shtatëdhjetë e kusur vjetëve, të qindra vjetëve të mëparshëm, Beogradi tash e ka akumuluar, e ka grumbulluar për të shtypur kërkesën Kosova Republikë. Por është një kërkesë shumë vitale për popullin shqiptar dhe, prandaj, Beogradi, qeveria e Beogradit, si një qeveri shoviniste e tërbuar në kulm, na e mohon me aq këmbëngulje, ose më mirë të themi, përpiqet të na e mohojë me aq këmbëngulje…Se a do të mund të na e mohojë apo jo, do të tregojë e nesërmja. E shenja se si do të mbarojë puna kemi edhe sot, për arsye se është një mori njerëzish progresivë, njerëzish liridashës në botë, që lirinë e të tjerëve e respektojnë si lirinë e vet dhe kurrsesi nuk duhet të dyshojmë në ndihmën që do ta kemi nga forcat internacionaliste të të gjithë botës. Aq më parë, kur sot ekziston një pishtar, i cili është burim për energjitë e këtyre forcave përparimtare. Ky burim nuk është as më shumë, as më pak, po pikërisht vendi amë i shqiptarëve… S’ka kurrfarë dyshimi se kur të tregohet jo objektive pritja e mëtutjeshme për kërkesën Kosova Republikë, populli do të dijë ta hedhë vet poshtë dhe të dalë me kërkesën dhe qëllimin e tij të fundit që është, ka qenë dhe do të jetë: bashkimi i ligjshëm i të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar”.
Epoka e lavdishme e UÇK’së vazhdimësi e demonstratave të vitit 1981
Populli shqiptar nëpërmjet demonstratave të vitit 1981, të qëndresës heroike dhe të demonstratave të tjera të përgjakshme që do të pasojnë nga viti në vit, deri në epokën e lavdishme të UÇK-së, kur ia ktheu pushkën Serbisë, bindi mbarë botën liridashëse se pa zgjidhjen definitive të problemit shqiptar në mënyrë pozitive kurrë nuk do të ketë paqe dhe qetësi në rajon e as në Evropë. Duke u bërë ballë në mënyrën më të qytetëruar të gjitha kryqëzatave mesjetare dhe moderne serbe, që qëllim të fundit kishin dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta dhe serbizimin e Kosovës, populli shqiptar fitoi jo vetëm admirimin e njerëzve liridashës, por edhe përkrahjen e pa rezervë të opinionit ndërkombëtar.
Pra, demonstratat e vitit 1981, në qenien, në mendimin dhe në veprimin e popullit shqiptar do të hyjnë si një vit i madh tronditjesh të fuqishme, në vetëdijen e të cilit do të zgjojnë njëherë e përgjithmonë mekanizmin e moçëm të luftës për jetë a vdekje, e që do të drejtohet ndërgjegjshëm drejt sendërtimit të pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Sinonim sublim i të gjithë këtij rezultati është vepra madhështore dhe e pavdekshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte vazhdimësi e drejtpërdrejt e idealeve të demonstratave mbarëpopullore të vitit 1981. (Pashtriku.org – 13. 03. 2010)
– FUND –
______________________
KADRI REXHA: DEMONSTRATA E VITIT ’81 – NJËRA NDËR FAQET MË TË NDRITURA TË HISTORISË SONË TË RE (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11064
***
KADRI REXHA: DEMONSTRATA E VITIT ’81 – NJËRA NDËR FAQET MË TË NDRITURA TË HISTORISË SONË TË RE (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11065