Pashtriku.org, 07. 11. 2012 – (Epika e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në repertorin e rapsodit Dervish Shaqa. Botohet në 100-vjetorin e Shtetit shqiptar) – Nëse nisemi nga fakti se krijimtaria gojore, në thelb, është pasqyra më besnike e jetës, e veprës dhe e gjakimit të një populli, atëherë me plot gojën mund të thuhet se cikli i këngëve epike historike të epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është shembulli më i mirë që dëshmon pohimin e mësipërm. Këto këngë, si shprehje e lartë e shpirtit të kombit, denjësisht i bënë jehonë unitetit nacional në rrafshin politik dhe vunë në spikamë betejat heroike të forcave të armatosura të udhëhequra nga Lidhja për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimet serbe, malazeze dhe greke. Si krijime që evokojnë dhe përjetësojnë drejtpërdrejt ngjarje historike dhe persona konkret në ato ngjarje, botëkuptimin, psikologjinë dhe disponimin kohor të popullit, këto këngë kanë një rëndësi të madhe njohëse dhe edukuese. Prandaj, me plot të drejtë, mund të konstatohet se këngët e këtij cikli epikën historike shqiptare e ngritën në një nivel të lartë ideor, etnopsikologjik, artistik dhe estetik.
………………………………………………..
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si lëvizje gjithëkombëtare e organizuar politikisht, ushtarakisht dhe administrativisht në katër vilajetet shqiptare, paraqet njërën ndër kaptinat më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar që nga epoka e Skënderbeut. Veprimtaria e saj u kushtëzua drejtpërdrejtë nga vendimet e Kongresit të Berlinit, i cili, duke i shkëputur territore të tëra, Shqipërinë historike e ndau dhe e gjymtoi në mënyrë të pashembullt. I gjendur përpara një situate hamletiane, populli shqiptar, nën udhëheqjen e Lidhjes, u ngrit si një trup i vetëm në luftë të organizuar dhe luftoi me trimëri të rrallë duke dëshmuar akte të larta të heroizmit individual dhe atij kolektiv. Prandaj, sikurse çdo periudhë e tërësishme historike apo betejë e veçantë, sikurse çdo krismë e pushkës apo ngjarje e përditshmërisë, edhe kjo periudhë heroike gjeti pasqyrim të denjë në epikën historike shqiptare me një cikël të madh këngësh nga më të bukurat.
Këngët e këtij cikli luajtën një rol të jashtëzakonshëm në mbajtjen gjallë të kujtimit për betejat historike, për figurat heroike të kohës si dhe në edukimin dhe frymëzimin e shtresave të gjëra të popullit brez pas brezi. Këto këngë, prandaj, u bënë shumë të dashura për shtresat e gjëra të dëgjuesve dhe për rapsodët e shumtë popullorë. Rrjedhimisht, mu ky cikël u bë njëri prej burimeve më të pasura të repertorit artistik të këngës patriotike të rapsodit Dervish Shaqa. Nga këngët e shumta të këtij cikli që kanë hyrë në repertorin e Dervish Shaqës po i përmend këto: ”Priti djemtë e mimleqetit “, ”Kshtu Shqipnia kish pasë adet”, “N’Fushë t’Kosovës asht lidhë jezeri”, “Shumë asqer po qet pamporri”, “Mic Sokoli n’dy tagana”, “Mic Sokoli vesh jelekun”, Sylejman aga po pisket”, “Kanë nisë luftën n’kërrshullaja”, etj. Meqë këngët e këtij cikli lënë përshtypjen e fragmenteve të një epopeje homerike për epokën në fjalë, në vazhdim të këtij shqyrtimi, ato do t’i trajtoj si një tërësi të vetme. Vetëm duke i trajtuar dhe dramatizuar kësisoj më duket se arrihet qëllimi dhe ideali i muzës popullore. Më bëhet se vetëm kështu mund të hyjmë në botën krijuese artistike të epikës së asaj epoke si dhe në atmosferën fatose të luftërave heroike të atyre viteve të përgjakura. Një mundësi të këtillë përjetimi e jep vetë Rapsodi. Me mjeshtri virtuoze, gjatë procesit interpretues të këngës, ai krijon atmosferë, dramë, të sugjestionon, të magjepsë dhe të kthen në epokën e madhe shqiptare. Me zërin e tij artistik ai rrëfen, kumton, informon, përshkruan, jep mesazhe… Të thelluar në tingujt vajtues të sharkisë dhe zërit epik të Rapsodit krijohet mbresa se kemi hyrë në një mrekulli të madhe arti ku na faniten ashtu të gjallë, na dalin përpara heronjtë duke sulmuar në sheshin e nderit, me të cilët na bëhet sikur bashkëjetojmë, sikur bashkëfrymojmë, sikur flasim dhe bisedojmë shtruar. Në këtë mënyrë, ashtu të dehur nga magjia e artit, si në vegim, zbresim ngadalë shkallëve të historisë dhe arrijmë në Prizrenin historik, në Prizrenin liridashës, të mbuluar me tym dhe me flakën e barotit.
Viti 1878. Dhjetë qershor. Shtëpia e vogël buzë Lumëbardhit jetik gumëzhinë. Nga të gjitha viset e atdheut kanë ardhur përfaqësuesit më të denjë të popullit. Atdheu gjendet në rrezik. Atdheu prapë do gjak. Të përtërihet, të bashkohet, ta ecën krah shteteve evropiane… Atdheu… Abdyl Frashëri ngadalë ngrihet në këmbë. Çdo gjë bie në fashë. Fjala e tij e fundit ashtu si ajo e fillimit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet tona që na kanë lënë gjyshërit tanë.” Fjala e tij e zjarrtë shpërthen muret dhe rend kudo. Rend aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, aty ku shqipja dëgjohet me veshë dhe aty ku shqipja ndjehet me zemër. Çdo gjë është e qartë. Një popull i tërë mend e zemër. Një popull i tërë gati për mbrojtje. Një popull i tërë gati për flijim.
…………………………………………….
Berlin. Tri ditë më vonë. Kongresi. Kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar nuk përfillen. Fati i një populli të lashtë, autokton, nëpërkëmbët, gozhdohet në arkivol, dënohet me vdekje… trojet shqiptare copëtohen si me thikë, bëhen pre e fqinjëve grabitqar:
Krejt Evropa n’kamë janë çue
N’at Berlin kanë vajtë janë shkue
Krali i Rusit n’kamë na u çue
Keq ka nisë me diskutue
Babës mret ju ka ngërmue
Cërnagorën m’e zgjanue
Shumë e vogël asht qillue
Hot e Grudë Plavë e Gusi
Me ja lshue Malit të Zi
Atëherë… Pushka… Lufta… Rruga e vetme. Leva e moçme… leva jetike e kombit shqiptar: pushka dhe mali. Shtrëngohen duart. Lidhet besa: një për të gjithë, të gjithë për një. Liri, o vdekje!
Vlon në çdo anë. Vendimet e Kongresit të Berlinit kundërshtohen në çdo hap… Qëndresë… Luftë… Popujt nuk zhdukën nga faqja e dheut… As me traktate… As me vendime të fuqive të mëdha… Populli i bashkuar si asnjëherë tjetër. Dielli i lindur në Prizren lëshon rreze… ndriçon rrugën e lirisë… rrugën pavarësisë… Nuk ka gjumë as në shtrat… I tërë populli në këmbë…
Shqipëria qëndron. Mali i zi kërcënon. Rusia shantazhon. Fund gushti 1878. I dërguari i Sulltanit në Prizren. Mehmet Pashë Maxhari. Ka mision urgjent dhe të jashtëzakonshëm. Ta bind Komitetin e Lidhjes për pajtim me vendimet e Traktatit të Berlinit. Të dorëzohen pa luftë Plava dhe Gucia. Prizreni e pret Mehmet Maxharin me plumba dhe me rezistencë të vendosur të Komitetit të Lidhjes. Me shpresa të thyera Pashai turk niset për në Gjakovë. Abdullah Pashë Dreni merr anën e tradhtisë. Krerët e Lidhjes në Gjakovë nuk lëshojnë pe. Populli është i vendosur për mbrojtje të tokave të atdheut:
Me tokë teme mbreti çka ka
Tokën teme knjazit nuk ia lëshoj…
Dita 6 shtator 1878. Gjakovë. Kulla e Abdullah Drenit e rrethuar. Në të Pasha turk. I zoti i konakut i zënë ngushtë. Mbi gjashtëqind veta në mbrojtje të Pashait turk. Mbi 4.500 luftëtarë të Lidhjes rreth kullës me armë në dorë. Të gjithë janë të vendosur dhe të gatshëm ta vrasin Pashain:
Priti djemt e mimleqetit
T’u kanë rrasë në derë t’hrememit
T’u kanë rrasë t’u kanë afrue
Me i pasë kraht me fluturue
Gjalë prej kull’s s’ju lamë me shkue
Gjallë prej kull’s pashën s’e lamë
S’e lamë pashën kurrë për t’gjallë
Luftë… Gjak… Tri ditë me radhë. Luftojnë burrat e një gjaku. Burrat e një gjuhe… Besa. Ahh, besë – shtrenjtë e paguar në këto troje… Katërmijë e pesëqind trima. Djemtë e atdheut nuk e prajnë luftën. Thirrje në të katër anët: Bini djem, ju bajraktarë..! Lufta ndizet më e rreptë. Hanëmi i pashës në krye të shkallëve. E sodit flakën e barotit. Trishtueshëm bërtet:
Kuku sot për pashallarë
Ç’na u kanë kallë sarajet flakë…
Maxhar pasha rrin menue
A e flet kush nji fajalë për mue
Babë Dovletit me i kallxue
Në Gjakovë më kanë ngujue
Me kanë mshel si me kanë grue
Col Delia syn sahati
I lumtë goja mirë vikati
Vetë po jes pashën po e çarti…
Lufta zë e pranë. Kanë shpëtuar vetëm pak ushtarë të Pashait. Edhe ata dorëzohen. Koka e Ali Pashë Maxharrit mbaron në hu. Kryengritësit, kështu, zbrazin urrejtjen dhe pezmin e grumbulluar me shekuj kundër pushtuesit turk. Sidomos tashti, kur me fytyrë të maskuar, Turqia zu t’i luaj dy role në arenën ndërkombëtare. Andaj:
Rrihnja telin babës mbret
Ali Pashën ç’ta ka gjetë
Me nji hu të paska metë.
Kshtu Shqipnia e ka pasë adet
Nga nji pashë me vra përvjet
Kem dhanë besen Dukagjinit
Mos me ja lshue tokat llatinit
Tokë llatinit nuk kem me i dhanë
Për pa u mushë me vorre an’e m’anë.
Shqipëria e udhëhequr nga Lidhja para botës dëshmohet si faktor politik. Bëhet zot i fatit të tokave të veta. Mjaftë kishin folur të tjerët në emër të saj. Mjaftë kishte dhënë djersë e gjak për të tjerët. Në vendosmërinë e Lidhjes Mali i Zi ndjehet i mospërfillur. Në qëndresën e Lidhjes Fuqitë e Mëdha shohin përbuzjen. Ndaj, duke e ndjerë nga afër copëtimin e trojeve dhe rrezikun e robërisë së re Lidhja fillon mobilizimin…
Tetor 1879. Qeveria e Malit të Zi troket në dyert e Fuqive të Mëdha dhe kërkon dhuratën e premtuar nga Kongresi i Berlinit. Kërkon dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë pa luftë. Dhe, në këtë kërkesë, Knjazi i Cetinës është tejet modest. Pushtimin e Plavës dhe të Gucisë e sheh punë të kryer, vizitë rasti, piknik fundjave. As më pak as më shumë, me sy hapur, Mark Milani ëndërron Kishën e Deçanit, bukuroshen iliriane :
Mark Milani i Malit t’Zi
Po lyp sillën në xhami
Drekën n’Plavë, darkën n’Guci
………………………
I çoj fjalë Ali Pashës n’Guci
Prit more Pashë aty po t’vi
Unë more Pashë aty due me t’ardhë
N’kishë t’Deçanit du me dalë
Se mue mbreti ma ka dhanë
Krejt krajlia përhajër ma banë
……………………………………………………………
I përkrahur me armë dhe me bukë nga Fuqitë e Mëdha Mali i Zi merr krih. Më 1 nëntor 1879 fillon provokacioni i armatosur në kufi. I ndodhur para agresionit të sigurt malazez Ali Pashë Gucia lëshon kushtrim dhe kërkon ndihmë. Kushtrimi i luftës përhapet kudo trojeve shqiptare:
Çka po ban Pasha n’Guci
Po i çon letrat nëpër Shqypni
Mori Shqypni ti qysh po thue
Mali i Zi më ka rrethue
Në vakt t’lig kam qillue
A te mbajmë a me e lshue
Krejt Shqypnia fjalë ka çue
Nuk e lëshojmë pa liftue
Pa liftue për pa u shkri
Pa shkue gjaku deri n’zinxhi
S’ja lëshojmë tokat Malit të Zi
Lufta është e pashmangshme. Dymbëdhjetë mijë ushtarë malazezë marshojnë drejt Plavës dhe Gucisë. Në supe mbajnë armatimin më modern të kohës dhe bekimin e Fuqive të Mëdha. Mijëra vullnetarë nga Kosova, Shkodra dhe Malësia e Gjakovës vërshojnë lumë atje ku i thërret zëri i atdheut. Zëri i trojeve shekullore. Mbrojtja e kufirit. Për armë kanë zemrën, për forcë kanë drejtësinë, për guxim – bekimin e tokës nënë :
I pari t’ mbramin hiq s’po e pret
Kijet n’mal vetëm i kanë lanë
Ka pesë për shpi atje po shkojnë.
Të tjerët çojnë fjalë:
Veç gjashtë ditë n’mujshi me qindrue
Fukaraja opingat sa t’i mbarojnë
I madh e i vogël qatje domë me dalë
Domë me dalë e domë me u coptue.
Ndonëse numerikisht më të pakta dhe pa armë të mjaftueshme, forcat e Lidhjes luftojnë burrërisht. Ideali i ushtrisë shqiptare është shumë i lartë. Në krye të luftëtarëve qëndrojnë heroikisht Ali Pashë Gucia, Jakup Feri, Kurt Asllani, Nuro Kurti, Çel Shabani, Zenel Dema, Dem Isufi, Rexhë Avdia, Kadri Bajri… Trimat komandojnë trima. Asnjë copë atdheu në dorë të armikut. Atdheu mbi të gjitha. Populli është në këmbë. Me mendje dhe me zemër të gjithë në front. Të gjithë sy e vesh:
Ç’janë kto gjamë që po i bjen era
Po liftojnë Rugova e Peja
Na u ka rrasë shkau te dera
Lufta e rreptë dhe e përgjakshme zhvillohet në Nokshiq. Përdorën të gjitha llojet e armëve. Shfrytëzohen të gjitha mundësitë luftarake. Kur distanca mes ushtrive kundërshtare zvogëlohet lufta zhvillohet fyt për fyt: me jatagana, me thika me shula të pushkëve. Sulme. Qëndresë. Kundërgoditje. Vrasje me armë zjarri. Prerje me jataganë. Koka trimash trofe. Mbytje në lumë. Ikje kah sytë këmbët. Dhe, në fund, fitore shqiptare:
Po ik Marku në Previ
Shikon Limin me turbi
Çka ka Limi qi dirgjet zi
Hajmedet vojnikt e mi
Çka ka Limi qi dirgjet gjak
Po lifton Shqipnia e ngratë
Nuk po i çon trupat fort larg
Der n’Taslixhe, n’Vishegrad
…………………….
Mark Milani, Mark Milica
Jam Shqipnia krejt ne plisa
Tanë me plisa e n’jatagana
Pyete Kuçin se çka i bana
Derë me derë gjamën ia çova
Derë me derë futën ia qita
N’Vishegrad shejat t’i çova
Shtatë krajlive u kallxova
Shtatë kralive u kam kallxue
S’ka çka t’vyen lufta me mue
Nuk ta lshoj Plavë e Guci
I madh e i vogël për pa u shkri
Dimri i përgjakur 1879-80 bëri jehonë kudo. Fitorja ushtarake dhe politike e Lidhjes theu mitin e forcës së Fuqive të Mëdha. Qëndresa dhe lufta shqiptare i zemëron të shatë krajlat. Turqia shtrëngon dhëmbët. Kërkesa e Fuqive të Mëdha për Turqinë është e prerë: “A po e shtron a lëshoma mue”. Ndaj, pezmi dhe mllefi i Turqisë, i grumbulluar gjatë shekujsh, tashti, nën presionin ruso-evropian, nga dita në ditë, pret momentin të shpërthejë në stuhi…
Dhe kalendari shënon datën 7 prill 1881. Në dyert e Vilajetit të Kosovës troket miku i paftuar. Mareshali Dervish Pasha. Gjakatari më mizor i Perandorisë Osmane. Çaste kobi dhe tragjedie këto për kombin tonë. Qeveria e përkohshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit lëshon kushtrimin e luftës. Kushtrimi përshkon malet… kodrat… qafat… grykat… fushat dhe me shpejtësinë e rrufesë hynë në çdo kasolle… në çdo shtëpi… në çdo kullë… Tiktaku i orës së luftës fton në sheshin e nderit… në logun e burrave. Nuk ka hamendje. As lëkundje… Ortiqe të papërmbajtura, n’shtatë e n’shtatëdhjetë, lëshohen maleve. Drejtohen atje ku i thërret zëri i njohur gjatë shekujsh. Secili kokë me vete. Secili – komisar i vatanit, në mënyrë të vet. Bashkohen gjashtëmijë kryengritës të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Në anën tjetër, të veshur në hekur, qëndrojnë tridhjetë e katër batalione në krye me Dervish Pashën. Gjashtëmijë përballë tetëdhjetëmijëve! Hëh… Ç’të bësh?! Kjo nuk është hera e parë:
Shumë asqer po qet pamporri
Qet Dervisha ma zi se korbi!
Data 16 prill 1881. Ferizaj. Në shesh të luftës dy botë. Njëra: e madhe… e zezë… e egër… shtypëse.. .gjakatare… kah do që kalon prapa lë shkrumb e hi… kudo që shkel nuk mbin bar. Tjetra: e vogël, popullore, kryengritëse, e gatshme për flijime, ka vetëm një ideal. T’i këpusë zinxhirët e robërisë dhe të bëhet zot i vetës… zot i truallit amtar… Në krye të saj trimat mbi trima: Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Brahim Rama, Sefë Kosharja… Luanët komandojnë luanë… Të gjitha këto i di edhe Dervish Pasha. Ndaj, pyet:
Ku i ka çadrat Mic Sokoli?
Ku i ka çadrat, ku i ka t’par’t
M’ka çue mreti me ja çartë
Me ja çartë m’ka çue dovleti
Don me kanë shah ner veti
Shah ner veti don me kanë
Kurgja mretit mos me i dhanë
As redifë, as nizamë!
Por, a shemben çadrat e Mic Sokolit? A shemben kullat tona? A shemben malet… kalatë e pamposhtura:
Jo nuk shembën kullat tona
Për pa u mbushë me gjak Valbona.
Kryengritja përhapet, merr flakë. Atdheu zien anë e mbanë. Kudo shtrëngim dore. Kudo jepet lamtumira e fundit. Edhe Mic Sokoli i lë shëndenë të ëmës. E ëma, që e kishte edukuar në frymë luftarake, e bekon të birin duke shprehur gatishmërinë që edhe ajo t’i rrokë armët, nëse është nevoja:
Mos i le turqit me hi
N’koftë nevoja, vi me ty.
Kurse i biri, i vendosur për çdo sakrificë, e siguron të ëmën për fitoren:
Pa u farue malsia krejt
K’tu nuk hi krajl as mbret.
……………………………………….
Lufta vazhdon e ashpër. Dervish Pasha shtron çdo gjë me zjarr e me hekur. Qëndresa e popullit nuk lëkundet. Të gjithë kanë një synim. Ideali i mban në këmbë. Nga beteja në betejë… Rendin kryengritjet… Beteja e Slivovës… Beteja e Shtimjes… Beteja e Caralevës… Beteja e Dules… Beteja e Suharekës… Nga beteja në betejë… Akte të panumërta heroizmi… Nga mali në mal… Kushtrim… Thirrje:
Mic Sokoli po m’ pisket
Ali Ibres po i thrret:
Merr bajraqet, hajde shpejt
Na rrethoi asqeri mret!
Koha nuk pret. Çdo çast e ka vlerën e madhe. Çdo minutë i humbur kushton shtrenjtë në këto momente.
Ali Ibra po pisket
M’thikë po i rrëzon ka shtatë a tetë…
Tablo të gjalla lufte. Realiteti merr ngjyrën e legjendës. Trimat nuk kursejnë asgjë. Liria më e shtrenjtë se jeta. Mësim i nxjerrë nga shkolla e jetës shekullore: vdekja për atdhe nuk është vdekje, vdekja për atdhe është përjetësi. Në fund të fundit: një herë lindet dhe një herë vdiset… Në çdo anë tym. Në çdo anë flakë:
Ku po del kjo flakë e verdhë?
Gashi i Gurit si kurdoherë
Si çdo herë rrema-rrema
Bajram Rama me shtatë zemra...
Udhëheqësit në vijën e parë të frontit. U japin zemër trimave… i trimërojnë luftëtarët e lirisë:
Sylejmani ka hip në thep
Bash si zana po pisket:
Ju Kabash bini he burra
Qitni n’thika, kacaturra
Suharekë, trima asgana
Bini n’pritë, merrni n’nishana
O Pojan, o djem çobana
Preni turqit n’jatagana
Ju Hasjanë prej Malsie
Msyni hasmin si ju ka hije
Podrimçak, he inatxhi
Mos ta lamë pashën me hi.”
Trima mes trimash. Komandantë mes komandantësh. Çaste kritike. Kacafytje… Hallakamë… Sylejman Vokshi në mesin e taborreve osmane… Kërkon të takohet me Pashain… Ç’i duhet tjetër:
Zo Dërvishi ku a vet
Pesë zabit ja lash pa jetë
Du n’Dërvishin m’u zatetë…
T’ja qes zemrën në ledinë
Orlat gjakin le t’ja pinë
Se dy herë na pruni sherr
Bim, shokë, t’vdesim me nerë!!!
Llogoret mbushën me gjak. Zënë e braktisen. Luftë ballë për ballë… luftë fyt për fyt… luftë trup me trup… Kufoma të panumërta… Gjaku deri në bark të kalit. Ali Ibra me gashnjanë/ përmbi turq po ban denam… Lufta ndizet më e ashpër… Më e egër. Shokët duhet shpaguar shumëfish. Kryengritësit marrin hak. Morali kurrë më i lartë. Plot besim dhe optimizëm për ditë më të mira:
Ali Ibra n’vranç të zi
Po i shkon gjaku për zinxhi
Qëndroni, burra, bani gajret
S’do ta lamë asqerin mbret!
Si shumë të tjerë, në gjendje të rëndë është edhe trimi tjetër, Mic Sokoli. Por, sulmon furishëm. Të paktën edhe për ndonjë çast. Deri sa ta ketë edhe frymën e fundit. Është plagosur për vdekje. Nuk dorëzohet pa e bërë edhe një nam. Nuk bie. U jep zemër trimave të bindur në fitore:
Mic Sokoli ban me dorë
Bini, shokë, se s’muj me folë
Se m’ka ra do gjak në gojë
Se m’ka ra do gjak në bark
Shtatë martina i kam në shtat.
Por, nuk bie… nuk epet… lufta duhet të fitohet me çdo kusht. I mbledh forcat e fundit. E shikon topin që i mbron llogoret turke ditë e natë. Me çdo kusht vendos të depërtojë në llogoret e armikut. E shikon vëngër topin e madh, topin gjakatar. Topi vjell gjyle pa pushim. Trimat e tij bien në log të mejdanit. Dhe, nuk përmbahet dot… Niset… në drejtim të topit. Trimi ngjan me një copë mali thinjosh të Carralevës legjendare. Gjoksi i trimit ndeshet në grykën e përbindëshit… Artilerët stepën për një çast… Dy sy flasin mjaftë… Sikur zëri i kësaj toke: “Lufton zemra! Lufton njeriu! Ne kurrë nuk kemi përfillur armët tuaja, sado të rrezikshme qofshin ato. Sepse e duam këtë tokë, është e jona kjo tokë.” Dikush tërheq litarin e topit. Tërheq vdekjen e vet. Topi gjëmon rëndë:
Mic Sokolin e vrau reja
E vrau reja, e vrau moti
E vrau Dërvishi me gjyle topi.
Gjoksi i malësorit ngrihet në lartësi. Ngrihet për të mos rënë kurrë. Ngrihet për t’u bërë qiell i përflakur Kosove. Për të mbetur i përjetshëm në kujtesën e brezave. Dhe, hyri në qenien shqiptare siç hyjnë kreshnikët në legjendë. Shokët e tij mahniten. U vlon gjaku. Edhe një herë forcat shtohen shumë fish. Sylejman Vokshi thërret. Kushtrimi përhapet në çdo anë:
Bini, djem, t’desim me nerë
Se shqiptari dy gzime ka
Nja kur leu dhe nja n’luftë me ra.
Lufta vazhdon më e ashpër se kurrë. Sulme e kundërsulme… Trimat shqiptarë mësyjnë llogoret për të mbetur aty bashkë me pushtuesin… Njëmijë e tetëqind të vrarë nga ana e armikut… Tetëqind në anën e kryengritësve. Tetëqind trima shqiptarë ranë për të jetuar sa të jetojë trualli dhe populli i tyre:
Në fushë të Kosovës a lidhë jezeri
Hajmedet, shum a’ met njeri
Mic Sokoli e Smajl Hyseni…
Smajl Hyseni ish drangue
Nanë e babë, ju met pa mue
Nanë e babë, ju met pa djalë
Në fushë të Shtimjes sot jam nalë…
Masakrat në masë vazhdojnë. Në çdo hap dënime… Arrestime… Internime… Burgosje… Ekzekutime… Varje në litar:
Sefë Kosharja i pari i fisit
Hije të paska maja e lisit
Hije më ka, or djemtë e mi
Kam dhanë jetën për Shqipni.
Kah do që shkeli këmba e armikut u bë shkrumb e hi. Çdo gjë shqiptare u përshkua me zjarr e me hekur:
Kudo vu njaj turku kamë
Gjak e varr e ka bamë
Na janë vra e na janë pre
Kanë dhanë jetën si me le
Tue luftue, trimat, për atdhe.
Por, populli nuk shuhet nga faqja e dheut… Feniksi nuk vdes… Feniksi rilind nga hiri i vet. Kryengritësit i ngjiten malit. Atje, në foletë e lirisë, ndjehen të sigurt. Kryengritësit malin e patën shokun më të shtrenjtë gjatë shekujsh. Ai ua jepte krahun… ai ua shtonte forcën… Ndaj, Dervish Pasha nuk ndihet mirë. Fitoren momentale nuk e konsideron të sigurt. E tmerron qetësia e çastit, diçka e mistershme… Ndaj, pyet për kryengritësit… për forcën e pamposhtur të popullit:
Ç’po pëvet Dërvish Pasha
Zot, ku rrin Sylejman Aga
N’ato bjeshkë, te retë e bardha
Dërvish Pasha po pëvet
Zot,mileti kah u tret
Qatje, nelt, ku zbardhin retë
Koftë kysmet do t’i shohsh opet.
Këngët epike historike të ciklit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit rapsodit Dervish Shaqa i dhanë fushë të gjerë veprimi në shumë drejtime. Në radhë të parë vendimet e Kongresit të Berlinit ishin aktuale edhe në kohën e Rapsodit. Kosova dhe viset tjera të trojeve shqiptare vazhdonin lëngimin e rëndë në robëri klasike. Mungonin shkollat, mungonte puna. Dhuna serbe nuk kishte të ndalur, ndërsa shpërnguljet e shqiptarëve po merrnin përmasa shqetësuese. Në anën tjetër ideja flakëruese liridashëse e lindur në besëlidhjen e Prizrenit jo që nuk ishte shuar, por, përmes veprimeve të djalërisë shqiptare, dëshmonte se po rritej me ritme të shpejta. Tekstet e këngëve Dervish Shaqës i jepnin dorë për shpalimin e ndjenjave patriotike në të gjitha mjediset ku këndonte. Realitetin e dhunës turke përmes aludimit e krahasonte me dhunën serbe. Të njëjtën gjë e bënte edhe me rikujtimin e betejave, luftës për liri si dhe me ringjalljen e heronjve dhe trimave që vdekjen për atdhe e bënin si me le. Këngët ishin më të shkurta dhe rrjedhimisht mesazhi i tyre ishte më i afërt dhe më i kapshëm për dëgjuesit. Tema e këngëve, e mbrujtur me elemente baladike, shtjellohej me mjeshtri, karakteri i personazheve individualizohej qartë. Në këtë drejtim ndihmonte edhe vlera e tyre e lartë artistike me simbole, me epitete, me metafora dhe me figura të bukura letrare. Por, mbi të gjitha, në interpretimin dhe në sharkinë e Dervish Shaqës, vlera e këtyre këngëve bëhej dy herë vlerë, dy herë histori, dy herë art.