KADRUSH RADOGOSHI: TRAGJEDIA E KOSOVËS DHE TRI DISKURSET

Edmonton (Kanada), 02. 12. 2015: Nuk kërkohet mençuri e madhe për të parë se në skenën publike-politike ekzistojnë tragjedia e Kosovës dhe tri diskurse. I pari është diskursi i unifikuar i hajdutëve, kriminelëve dhe mbeturinave rankoviçiste, që e kanë kapur për fyti pushtetin në Kosovë dhe mbron marrëveshjet e turpshme me Serbinë. I dyti është diskursi i unifikuar i opozitës së bashkuar rreth një kauze jetike për ekzistencën e shqiptarëve në Kosovë, i cili është kundërshtues në tërësinë e tij. I treti është diskursi hipokrit i shtypit të instrumentalizuar politikisht nga qendra të ndryshme të interesit dhe influencës dhe në të njëjtën kohë është diskurs i një pjese të fanatikëve të partive në pushtet, të cilët janë anashkaluar gjatë ndarjes së kulaçit pushtetor.
Diskursi i parë është ai i pozitës, i cili e hesht shkakun kryesor të kaosit politik, nënshkrimin e marrëveshjeve kapitulluese me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat e tkurrin hapësirën jetësore të shqiptarëve në Kosovë dhe ia lënë derën hapur përsëritjes tragjike të historisë së projektuar në elaboratet serbe për deshqiptarizimin e Kosovës. Kjo heshtje po mbulohet me diskursin satanizues ndaj opozitës, i cili po pasohet nga dhuna e shfrenuar policore ndaj opozitës dhe intelektualëve të painstrumentalizuar politikisht. Veshët e birokratëve të Brukselit po bëhen sikur nuk po e dëgjojnë këtë diskurs të tipit fashist të mashave të tyre dhe ndërkohë predikojnë parimet e demokracisë parlamentare të mbështetur në dialogun parimor në mes të pozitës dhe opozitës. Diskursi satanizues i pozitës ndaj kundërshtarëve politik do të ishte jo i plotë pa cinizmin plot zdral moral, kur ftohen deputetët e opozitës të burgosur apo të përjashtuar me vendim të kryesisë së Kuvendit për të marrë pjesë në seancat parlamentare. Ky diskurs është fyes ndaj qytetarëve, të cilëve u drejtohet. Ky diskurs po të shprehej në formë të parullës do të ishte: Rroftë demokracia, që e nxjerr atdheun në ankand dhe mbështetet në dialogun policor!

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Diskursi i dytë është ai i opozitës i cili mbështetet në logjikën e fakteve për veprimin kapitullant të qeverisë së udhëhequr nga binomi Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, të cilët kanë nënshkruar marraveshje të dëmshme për Kosovën, qoftë në aspektin formal qoftë në aspektin e përmbajtjes.
Së pari marrëveshja me Serbinë nuk është nënshkruar si marrëveshje në mes të dy shteteve, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe në kushtetutën e saj e konsideron si provincë të saj. Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për ta kuptuar faktin se nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë, pa kërkuar më parë heqjen e Kosovës si provincë serbe nga Preambula e kushtetutës serbe, do të thotë heqje dorë nga sovraniteti i Kosovës dhe parimisht rrëshqitje të Kosovës nën sovranitetin serb.
Së dyti marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është federalizim i Kosovës në një version edhe më tragjik se në Bosnje sepse deri sa atje 30 % të popullsisë serbe i jepet 49 % e territorit, në Kosovë 6 % të popullsisë serbe i jepet 25 – 30 % teritor i Kosovës në të cilin gjenden resurset më të rëndësishme natyrore të Kosovës, pa të cilat Kosova nuk mund të mbijetojë si shtet i pavarur. Së treti, ky Asociacion emri i vërtet i të cilit është “Zajednica” po krijohet mbi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe rikolonizimin e një pjese të Kosovës.
Si përfundim, diskursi i opozitës së bashkuar është i ndërtuar mbi faktet kokëforta të realtetit tragjik kosovar, të cilat nuk mund t’i fsheh diskursi i qeveritar i mbështetur nga dhuna policore dhe nga një pjesë e birokratëve ndërkombëtar, të cilët në Kosovë kanë gjetë Eldoradon e tyre.
Diskursi i tretë është ai shtypit dhe mediave elektronike, i cili formalisht shpallet si diskurs objektiv e në realitet shpirtin ia ka shitur djallit të veshur me pushtet. Ashtu si diskursi i parë edhe ky diskurs është satanizues i opozitës. Pikëvështrimi prej nga diskursi gazetaresk i shikon ngjarjet në Kosovë është pothuajse i njëjtë me atë të pozitës: heshtet shkaku i vërtet i krizës dhe vihen në spikamë mjetet, që përdor opozita për t’i kundërshtuar marrëveshjet. Ky diskurs e injoron faktin se opozitës i janë uzurpuar të gjitha mjetet e kundërshtimit demokratik. Se sa joprofesional dhe i mjerë është ky diskurs mund ta dëshmojë fakti diametralisht i kundër me të: në SH.B.A. dhe shtetet tjera demokratike diskursi i mediave është korrektor i politikës. Shembull domethënës në këtë kontekst është “Watergate skandal”, i cili i bërë publik nga media e udhëhequr nga parimet e diskursit të ndërtuar mbi të vërtetën objektive e detyroi Kryetarin e SHBA Riçard Nixon të jepte dorëheqje më 17 Qershor 1972. Këtij diskursi i takojnë edhe paraqitjet publike të disa prej fanatikëve të partive në pushtet, të cilët janë anashkaluar nga kulaçi i ndarjes së pushtetit.
E përbashkëta e të gjithë autorëve të këtij diskursi është hipokrizia përmes së cilës fajësohen të gjithë politikanët njësoj si Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e “aparatçikë” të tjerë, që janë shkaktarët kryesor të gjendjes katastrofike në Kosovë dhe Albin Kurtit, i cili për më shumë se dhjetë vjet është zëri më i artikuluar opozitar në Kosovë. Nga ky tabor i hipokritëve po vërehet se disa prej tyre i kanë mprehur dhëmbët për ta zënë ndonjë karrige pushtetore, e cila mund të zbrazet dhe duhet të zbrazet nga parapanicat momentale pushtetare. Konkretizimi i këtij diskursi në parullë politike do të ishte: Të gjithë janë fajtorë edhe pozita edhe opozita, qoftë shitësit e atdheut qoftë mbrojtësit e tij. Fajtor njësoj janë edhe rrahësit e burgosësit e edhe të rrahurit dhe të burgosurit.
Në përfundim, mund të konstatojmë se gjendjen e rëndë dhe tragjike të Kosovës e bëjnë edhe më të rëndë diskursi arrogant qeveritar dhe diskursi servil-hipokrit i mediave të shkruara dhe elektronike. Këto dy diskurse po mundohen ta ngulfasin diskursin e së vërtetës objektive dhe po vazhdojnë me shpërlarjen e trurit të votuesve kosovarë, pjesa më e madhe e të cilëve vuan nga arbitrariteti i pushtetit dhe mungesa e bukës. Përpjekja për ta eliminuar opozitën dhe çdo zë opozitar zakonisht qeveritë i çon në fundin e tyre të turpshëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura