Mos e leni pa e vizituar
KALAJA E LEZHËS
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 14. 07. 2022
Njohuri thermelore
Lumi Drin i jep fund rrugëtimit të tij nëpër Shqipëri për t`u bashkuar me Detin Adriatik, duke krijuar në këtë mënyrë Gjirin e Drinit. Zgjatimet e fushave të Zadrimës, Torovicës dhe të Bregut të Matit takohen në këtë pikë duke krijuar një “principatë” të pazakontë natyrore, atë që ne sot e quajmë Lezhë. Lezha me rrethinë shtrihet në Qarkun e Lezhës.
Qarku i Lezhës është një nga 12 qarqet në Shqipëri dhe ka një sipërfaqje prej 1.588 km². Qarku përfshin rrethin e Kurbinit, rrethin e Lezhës dhe rrethin e Mirditës. Qendra e Qarkut të Lezhës ndodhet në qytetin e Lezhës. Qarku i Lezhës kufizohet në veri me Qarkun e Shkodrës, në verilindje me Qarkun e Kukësit, në lindje me Qarkun e Dibrës, në jug me Qarkun e Durrësit dhe në perëndim me Detin Adriatik. Qarku i Lezhës ka një popullsi prej 158.377 banorë.
MONUMENTET
Si monumente të zbuluara historike aktualisht në Lezhë janë: Akrolissi (shek. 11 p.k.) Gjurmët më të hershme të qytetërimit në Lezhë. Lissusi (385 p.k) qyteti antik mjaft i zhvilluar e me rëndësi të veçantë arkeologjike dhe historike. Kalaja e Lezhës (filluar në shek 4 përfunduar në vitin 1521) është një nga vlerat e spikatura monumentale e historike të qytetit. Obelisku (1968) është një vepër monumentale në qendër të qytetit që përjetëson bashkimin e princave shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut për ti bërë ballë pushtimit osman, në kuvendin e Lezhës të 2 marsit 1444. Vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti’Skënderbeu (1981). Mbi rrënojat e Kishës së Shënkollit, më pas Xhamia e qyetit, është ndërtuar Memoriali për të nderuar vendin ku u varros Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me 17 Janar 1468. Shtëpia e Mlikajve (1910) është një banesë tipike qytetare e Lezhës (ka qenë ish muzeu i qytetit). Ura e Hekurit (1926) ura më e vjetër e ndërtuar mbi lumin Drin. Kuvendi Françeskan (1240), i themeluar nga vetë Shën Françesku nga Azizi në vitin 1221, kisha e Shën Eufemisë në Kallmet e rindërtuar në fundin e shekullit të kaluar. Ndërkohë që në Lezhë është e hapur dhe vlen të vizitohet edhe Galeria e Artit e cila ekspozon veprat e artistëve lezhjanë të cilët tashmë kanë krijuar një traditë artistike të qytetit.
KALAJA E LEZHËS
Kalaja e Lezhës ngrihet në lindje të qytetit në majë të një kodre me lartësi 186 metra. Ajo ka origjinë ilire dhe dokumentohet se ishte në listën e rindërtimeve të mëdha të Perandorit ilir Justiniani i Madh. Në vitin 1440 Kalaja iu nënshtrua një rindërtimi të ri nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe prej tyre. Në Kala mund të vërehen me lehtësi gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Në këtë Kala, objektet më interesante për tu vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Prej Kalasë shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik. Qyteti i ndërtuar në kodër ka një pozicion strategjik që kontrollon luginën e Drinit deri në Gjirin e Shën Gjinit në detin Adriatik Dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek.IV p.k. Me pushtimin romak Lezha do të administrohet nën provincën e Prevelitanit. Në shek. VI e.s. (viti 592) Lezha ishte një qendër episkopale me peshkop Gjonin. Në vitin 1107 ajo ishte nën pronarin Aleks Komneni. Në 1153 në krye të perandorisë ishte perandor Nonali. Kisha e Lezhës është e ritit Benediktin që varej drejpërdejt nga Papati. Me krijimin e shtetit të Arbrit në shek.XIII princ Dhimitri më 1208-1215 bëri një marrëveshje për shkëmbime tregtare me republikën e Raguzës. Më 1393 ra nën sovranitetin e republikës së Venedikut e cila vuri përsëri nën zotërimin e saj pas vdekjes së Skënderbeut më 1468. Gjatë krijimit të shtetit të Arbrit qyteti i Lezhës ka luajtur një rol të rëndësishëm fetar, jo vetëm si qendër episkopale, por edhe për ngjarjet e kohës.
• Krijimi për herë të parë të “Urdhërit Françeskan” nga Shën Françesku.
• Kisha e Shën Kollit e shek.XIV është monument historik me rëndësi.
• Vendi ku u mblodh Kuvendi I Lezhës 1444 nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga antikiteti shek.IV p.k me emrin qyteti i lashtë i Lisit. Këto janë mure të fuqishme me blloqe të mëdha guri. Rindërtimi i parë i kalasë datohet në shek. I p.k. Më vonë në shek. XI-XII në pjesën e akropolit të qytetit ndërtohet kështjella mesjetare e Lezhës – Elission me gurë të vegjël të gdhendur dhe me llaç. Kjo kështjellë u përforcua për të përballuar dyndjet e shteteve të para sllave që vinin nga veriu. Në ndërtimin e kështjellës ka ndihmuar pozicioni gjeografik i kodrës (planimetria paraqet formë vezake dhe drejtim lindje-perëndim.) Etapat e mureve dallohen qartë. Në kështjellë ka tri porta, dy të parat janë ndërtuar në vendet ku ishin portat e qytetit antik të Lisit. Si rezultat i tërmetit të vitit 1979 kalaja ka pasur disa dëmtime serioze. Me fillimin e punimeve restauruese në gusht 2002 DRMKTiranë konsolidoi dhe mbylli punimet restauruese dhe konservuese në këtë kështjellë.
GËRMIMET ARKEOLOGJIKE NË QAFËN E KALASË
Gërmimet arkeologjike që po kryhen në qafën e kalasë në Lezhë kanë sjellë zbulime të reja dhe të panjohura më parë, duke e cilësuar si të frytshëm bashkëpunimin 6-vjeçar të arkeologëve shqiptare dhe shkollës franceze të Romës. Zbulimi i fundit u takon 2 kishave, njëra prej të cilave i përket shekullit VIII, por studimi deri në detaj do të saktësojë këto zbulime, të cilat janë vlerësuar si një arritje e radhës e këtyre gërmimeve. Ndërkohë janë zbuluar edhe disa varre të shtrirë në disa shekuj, nga shekulli i gjashtë e deri në periudhën otomane. Sipas Etleva Nallbanit, arkeologe dhe drejtuese e projektit për zbulimet arkeologjike në kalanë e Lezhës i quajtur “Zhvillimi i Lezhës mesjetare”, zbulimet gjatë kësaj kohe kanë qenë shumë interesante dhe kanë tërhequr edhe vëmendjen e arkeologëve francezë. “Aktualisht zbulimet tregojnë se jemi në periudhën e varrezave të mesjetës së hershme. Varreza është e organizuar me varre të tipave të ndryshme, ku disa janë monumental me dhoma dhe të tjerë në formë arke me rrasa guri ose mure. Varrimet përmbajnë veshje, armë dhe vegla pune”, – shprehet Nallbani.
Por varreza nuk është i vetmi zbulim që arkeologët kanë mundur të nxjerrin në dritë gjatë kësaj kohe gërmimesh. Po në këtë zonë, në anën veriore të varrezës janë gjetur rrënojat e një kishë katolike e shekullit të tetë. Kohës i ka mbijetuar vetëm shtresa e parë e saj, ndërsa Nallbani shprehet se duke u nisur nga arkitektura e brendshme ajo konsiderohet e stilit perëndimor, e pajisur me afreske në një periudhë të dytë. Në të janë gjetur edhe pllakat e ikonostasit. Gjithashtu, janë gjetur edhe elementë që lidhen me kryqëzatën e tretë që i përket vitit 1285. Po kështu, është identifikuar edhe pjesa e banesave në periudhën mesjetare. Gërmimet në to sapo kanë filluar, por zbulimi i plotë do të ngelet për vitin e ardhshëm. “Po studiojmë edhe popullsinë e qytetit nëpërmjet studimeve arkeo-antropologjike të banorëve të mesjetës”, – shprehet Nallbani, ndërkohë që profesor Lul Bushet po merret me studimin antropologjik të banorëve të popullsisë. Sipas Bushet, qëllimi është studimi i përbërjes së popullsisë, regjimit të të ushqyerit, aktivitetin e tyre, punën që kanë kryer etj. Ndërsa më interesantja sipas tij, është gjetja e një koke të prerë me shpatë. Në këto varreza janë gjetur eshtra, kafka etj.
Ndërsa Etleva Nallbani merret me studimin e këtyre të dhënave, zhvillimin kronologjik krahinorë të varrezës, ndarjet krahinore dhe strukturën sociale. “Zhvillimi i Lezhës mesjetare” është një projekt disavjeçar që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Arkeologja Etleva Nallbani është shprehur se zbulimet e reja janë një ndikues në thithjen e turisteve, por, sipas saj, me gjetjet e reja tashme kemi material për të ndërtuar të parin muze për mesjetën e hershme në veriun e Shqipërisë. Sipas Etleva Nallbanit, arkeologe, “Kjo është një punë e bërë ndër vite në kalanë e Lezhës, nga ana jonë, që ka patur mjaft sukses, në promovimin e gjetjeve arkeologjike që kemi mundur të gjejmë dhe dokumentojmë një nga periudhat më të hershme të banorëve që kanë jetuar pikërisht në kalanë e Lezhës dhe përreth saj. Ndërsa janë me vlera kombëtare të gjitha sendet e gjetura. Ne do synojmë që në të ardhmen të prezantojmë këto gjetje jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, pasi është pjesë e zhvillimit të popullit shqiptar. Gërmimet në qafën e kalasë në Lezhë janë ndjekur me interes edhe nga kryetari i bashkisë, Viktor Ushaj, i cili i ka dhënë gjithë mbështetjen e tij grupit të arkeologëve, ndërsa ka theksuar se dhe ndërtimi i rrugës do t’i japë një tjetër vlerë kësaj zone, pasi lidh qytetin me kalanë e Lezhës dhe kjo bën që edhe numri i turistëve të shtohet vazhdimisht.
________________
Burimet:
1. Qarku i Lezhës, wikipedia
2. Lezha, wikipedia
3. Kalaja e Lezhës, https://sq.wikipedia,org/wiki/Kalaja_e_Lezh%C3%ABs
4. Historiku i Lezhes, https://lezhatourism,com/historiku-i-lezhes/
5. Kalaja e Lezhës, https://alblinecom,wordpress.com/2018/06/24/kalaja-e-lezhes/
6. Kalaja e Lezhës, një kështjellë e lashtë që “qëndron“ në ajër, prointegra.ch
7. Kalaja, Zbulo Lezhën, http://visitlezha,al/kalaja-lezhes/
8. Kalaja e Lezhës, zbulime të reja arkeologjike, sot.com,al/
9. Kalaja e Lezhës e ngritur para lindjes së Krishtit, https://www.youtube.com/watch?v=tJWUpwQUwNc
10. Zbulime arkeologjike në Qafë Kalanë e Lezhës https://www.youtube.com/watch?v=vmyuF2RcPeM
11. Kalaja e Lezhës
12. Kalaja e Lezhës
***