KATHRYN NUERNBERGER*): MOIKOM ZEQO, ‘ZODIAKU’ – POETIKA E PAZAKONTË

Pashtriku.org, 31. 03. 2016: (Shkrim i botuar në revistën “Entropy Review”, 2 shkurt 2016, SHBA për librin poetik “Zodiaku” të Moikom Zeqos, botim i Zephyr Press 2016) – Para se të flasim për “Zodiakun” një koleksion i ri poetik nga shkrimtari shqiptar Moikom Zeqo, në fillim duhet të flasim për apofenian. Apofenia, mësova nga një stacion radioje që bënte jehonë në korridorin e apartamentit, ndërsa isha ulur duke lexuar këtë libër, është ndjenja që gjërat që duken pa lidhje janë të ndërlidhura. Në nivel sipërfaqësor apofenia të ndihmon të kuptosh se je në “rrezik” nëqoftëse hyn në një dhomë me derë të thyer, ku librat dhe mobilet janë të përmbysura pranë oxhakut. Një dobishmëri e vogël e evolucionit të adaptimit. Kjo kuptimshmëri, është kur lëviz mes koleksionit të metaforave, për të kapur semantikat, kontekstet dhe simbolet. Nëqoftëse nuk kontrollohet, impulsi apofeniak të bën të hutuar dhe ndoshta të pakuptueshëm. Është pikërisht midis këtyre dy anëve apofeniane ku mund të gjeni, në prag të lidhjeve të shumta, ndjeshmërinë e lartë poetike, befasuese, tronditese të Moikom Zeqos, këtij poeti të papërballueshëm.
Në “Hyrjen”, përkthyesi Wayne Miller vëren se “imazhet dhe metaforat e Zeqos grumbullohen dhe ngatërrohen për të formuar labirinte marramendëse gjuhësore”. Është kjo ndjenjë e ekstazës tjerrëse,rrefyese në një trans universal, që të jep kënaqësi të vërtetë hipnotizuese kur lexon këtë libër. Që nga Poema e Parë “1” (pjesë e 12-të poemave frymëzuar nga simbolet e Zodiakut), zhytemi në gdhendjen e zbukuruar të logjikës asociative.
Uji është tema unifikuese e kësaj poeme, e frymëzuar nga shenja e Ujorit”. Ujra, ujra, ujra: / popuj shirash, fëmijë pikash, të palindur prej avujsh…” fillon Zeqo. Poetikë e çuditshme, e pazakontë.
Poema e parë kërcen nga një imazh i habitshëm në tjetrin. “Demonët e lumenjëve” rrjedhin ku “kafshët e lotëve dalin nga çarqet e qepallave” dhe më pas tek “Si ta kap peshkun / që ka në bark / shishen e një mesazhi të një/ Krishti fëmijë të mbytur?”

– Moikom Zeqo –

I shpërndarë midis këtyre imazheve, është pak e vështirë të kuptosh si mund të lidhen kaq shumë perceptime, si mundet një mendje e vogël njerëzore të perceptojë një tërësi të pafund oqeanike? “Përjetësia ka rënë në dashuri me vogëlsitë e mia, / të vdekshme,” shkruan ai, dhe pastaj bën lojë fjalësh me referencë ndaj vetes: “Gjithësinë e kap ngërçi.”
Të lexosh këtë Poemë të Parë, është njësoj sikur të marrësh një udhëtim të egër të paparë, të papërsëritshëm përmes një cikli ujor që rrëshqet përmes kohës dhe dimensionit. Një ndjesi që do të sfidonte trurin nëqoftëse poeti nuk do ta kishte lajkatuar aq mirë sa që lexuesi mund të pushojë dhe të shijojë udhëtimin së bashku me poetin.
Lexuesit joshqiptarë të Zeqos, përballen me një lidhje të poezisë që të bën të ndihesh në një pafundësi. Çfarë duhet të kuptojë nga këto lidhje? Siç shpjegon Milleri, “Zeqo përpiqet të artikulojë për hir të pasardhësve, shtrirjen e tij të plotë në rrënjët e kulturës shqiptare dhe mesdhetare – ashtu si dhe shtrirjen e plotë të rrënjëve të kësaj kulture në të”. Poema e Shtatë (7), për shembull, e cila shtjellon një litani vëzhgimesh mbi temën e luanëve dhe mashkullorësisë në të njëjtën mënyrë se si Poema e Parë (1) luan me ujin, na magjeps me rreshtat hapëse:
Kur lind njeriu i madh
Habitem më tepër nga ç’duhet.
Themi:
– Delja e lindi një luan?
Po lulja e lind dot një kalë?
Po pema një delfin?

Por kur poezia fillon të të tërheqë, rreshtimi i referencave historike dhe kulturore të Zeqo-s nuk shteron. Çfarë do të thotë të thuash: “Luani heraldik i Karl Topisë / rri mbi zambakët anzhuinë”? Po “kryqi i Krajës së Gjon Vladimirit”? Në këto raste duhet t’i jemi mirënjohës shënimeve të gjera dhe të ndriçuara të përkthyesit, i cili na shpjegon se Karl Topia dhe Vladimiri janë sundimtarët mesjetarë të cilët edhe pse jetuan në shekuj të ndryshëm, morën pjesë dhe ju nënshtruan grushteve të shtetit dhe panë mbretëritë e tyre të ngrihen e të bien. Dhe vetëm tani ne mund të kuptojmë pse autori, një njeri ambicioz dhe ëndërrimtar, i cili është aq pragmatist sa të dijë se asgjë nuk zgjat përgjithmonë, vazhdon të thotë: “Luani më kërkon si prehnë e përditshme.”
Është e kuptueshme pse Zeqo e përfundon poezinë me një referencë të burrërisë ambivalente që lexuesit anglisht-folës e njohin mjaft mirë:
O, Heminguej
Tha dikur: çdo libër i botuar është luan i ngordhur,
Librat e pashkruar janë luanë të gjallë.
O, Heminguej,
Heminguej,
Me dhëmbë luani të shkulur!
Përgjatë leximit të këtij libri, lexuesi ndihet sikur është i ulur në prani të një luani të gjallë. Apo ndoshta është vetëm fakti se energjia e këtyre poezive nxjerr në pah tek lexuesi luanin madhështor dhe të uritur, mendjen vigane gjahtare.

Tek poema “Parashikime të frikshme” Zeqo luan me ekstazën lirike duke ndezur prirjet tona instiktive apofenike dhe premton: “Kur Afërdita fluturake do t’i afrohet Jupiterit / në një trup shtrëngate do ta burgos shpirtin tim, / do të martoj një kalë në një zambak anzhuin / një kaktus në një kometë të porsalindur…”.
Me mjeshtëri, Anastas Kapurani dhe Wayne Miller vulosin gjuhën shqipe e çuditshme të Zeqos në një anglishte të bukur të një bote tjetër, në të cilën mund të imagjinojmë martesën midis “një deti me një sorkadhe me bisht peshku, / një bukë lypësi me një kompjuter, / një mbret me një bakterie / një Sibilë të Bogdanit me një luan eunuk…”.
Mund të imagjinojmë një lypës si një luan të plotë dhe vigan, që mund të hapë gojën për të na shpjeguar lidhjet midis të gjitha gjërave të kohërave.
______________
*) Kathryn Nuernberger është autore e dy koleksioneve me poezi, “The End of Pink” i cili fitoi çmimin “James Laughlin” nga Akademia e Poetëve Amerikanë, dhe libri i saj “Rag & Bone” fitoi çmimin “Elixir Antivenom”. Kathryn është asistente profesore në të Shkruarit Kreativ në Universitetin Qendror të Missourit, ku gjithashtu shërben si drejtoreshë e botimit “Pleides”. Poezitë e saj, midis të tjerash, gjenden në “32 Poems” “Barrelhouse”, “Crazy Horse Field” “Mid-American Review” dhe “Prairie Schooner”.

_________________
WAYNE MILLER: MOIKOM ZEQO “ZODIAK”-LABIRINTI MARRAMENDËS I METAFORAVE
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4706

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura