KËRKESAT E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË KOSOVË

Nga Shkodran IMERAJ

Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, të cilat shpërthyen në mars dhe prill po të këtij vitit, ishin demonstratat e dyta të organizuara në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, pas atyre të tetorit dhe nëntorit të vitit 1968.

Sikurse demonstratat e vitit 1968, ashtu edhe ato të vitit 1981, kanë një peshë dhe rëndësi të veçantë në historinë tonë, ngase shpërthyen në kohë dhe rrethana shumë të ndërlikuara, si politike ashtu edhe ekonomike.

Demonstratat e vitit 1981, të cilat shpërthyen në mars dhe prill, kanë rëndësi të veçantë në historinë tonë, ngase aty u kërkua dhe u brohoritën kërkesa nga më të ndryshme, dhe që kishin karakter dhe rëndësi të madhe, e të cilat përveç që kishin karakter ekonomik, ato kishin edhe karakter politik, ngase situata dhe pakënaqësitë që ishin mbledhur që nga vitit 1945, kur Kosova mbeti padrejtësisht në kuadër të Jugosllavisë, tashmë po shfaqeshin hapur.

Demonstratat më masive gjatë vitit 1981, u mbajtën më 1 e 2 prill, ku qindra demonstruese iu drejtuan rrugëve kryesore në Prishtinë, pra në kryeqytetin e Kosovës, duke demonstruar me kërkesat: “Rroftë klasa punëtore – poshtë borgjezia”, “Bashkimi i gjitha viseve shqiptare, jemi shqiptarë jo jugosllavë”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”,“Kushte për studentë”, “Kushte për punëtorë”, “Çmimeve stop”, “Duam punë”, “Poshtë robëria, rroftë liria”, “Lironi të burgosurit”, “Kosova është e jona”, “Trepça është e jona”, “Duam vetëvendosjes”, “Të gjithë shqiptarët jemi një”, “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë” si dhe ndër kërkesat kryesore që u brohorit ishte “Kosova Republikë”.

Sipas mendimit tonë, kërkesat e demonstratave të vitit 1981, ndahen në dy rrafshe: në rrafshin politik dhe atë ekonomik.

Në rrafshin politik, ndër kërkesat kryesore ishin: “Kosova Republikë”, “Bashkimi i gjitha viseve shqiptare , jemi shqiptarë jo jugosllavë”, “Duam vetëvendosjes”, “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë”, “Kosova është e jona”, “Lironi të burgosurit”, “Poshtë robëria, rroftë liria”, “Të gjithë shqiptarët jemi një”, “Trepça është e jona” etj.

Në rrafshin ekonomik, ndër kërkesat kryesore ishin: “Çmimeve stop”, “Duam punë”, “Kushte për punëtorë”, “Kushte për studentë”, “Rroftë klasa punëtore – poshtë borgjezia”, “Trepça punon, Beogradi ndërton” etj.

 Siç e cekëm edhe më lart, kërkesat e demonstruesve e vitit 1981, kishin karakter politik dhe ekonomik, e çka në vazhdim të këtij artikulli do të mundohemi t’i shtjellojmë veç e veç kërkesat e lartcekura.

Ndër kërkesat kryesore të demonstratave të vitit 1981, ishte “Kosova Republikë”. Kjo kërkesë ishte artikuluar e ndërtuar si nevojë e domosdoshme e kohës, ngase Kosova kishte statusin e elementit konstituiv me Kushtetutën e shkurtit të vitit 1974 të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, dhe që këndej demonstruesit kërkonin që statusi i Kosovës të jetë në një nivel edhe më të lartë se sa krahina, pra të jetë republikë.

Është me inertes të madh të cekim edhe një fakt për këtë kërkesë, e cila jo vetëm që u proklamua në mesin e turmës se demonstrueseve, ajo u shkrua edhe nëpër mure të shtëpive, mure të ndërresave të kuvendeve komunale e mure të shkollave e madje edhe në pjese të dukshme ka eckëshin kalimtarët. Ajo përveç që u shkrua “Kosova Republikë”, ajo u shkrua edhe me inicialet “KR”, pra Kosova Republikë.

Kërkesa “Bashkimi i gjitha viseve shqiptare, jemi shqiptarë jo jugosllavë”,po ashtu kishte një rëndësi të veçantë, ngase nëpërmjet kësaj kërkese dërgohej mesazhi që shqiptarët ëndërron bashkimin, dhe kundërshtohej ashpër ideja se popujt që jetonin në kuadër të Jugosllavisë ishin jugosllavë.

Po ashtu, kërkesë tjetër me rëndësi të madhe ishte edhe “Duam vetëvendosje”. Kjo nuk ishte një kërkesë e rastësishme, por ishte një kërkesë e kamotshme e shqiptarëve. E drejtat për vetëvendosje e shqiptarëve të Kosovës iu ishte garantuar në Rezolutën e Konferencës së Bujanit të vitit 1943-1994, por që nuk ishte respektuar nga asnjëra palë nënshkruese e kësaj rezolute, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Edhe kërkesa “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë”, ishte një kërkesë me karakter politik e kombëtar, ngase ideja se popujt që jetonin në kuadër të Jugosllavisë, ishin jugosllavë, ishte një politikë shkombëtarizuese dhe asimiluese, karshi popujve të vegjël.

Një kërkesë tjetër e karterit politik ishte “Kosova është e jona”. Nëpërmjet kësaj kërkese bëhej e ditur se Kosova është e shqiptarëve dhe assesi nuk është vend i të tjerëve, qoftë serbëve, malazezëve apo kombësive të tjera që jetonin në kuadër të Federatë së Jugosllavisë.

Po ashtu, kërkesë me karakter politik ishte edhe “Lironi të burgosurit”,e cila kishte një domethënie shumë të madhe, ngase burgjet serbe dhe jugosllave ishin të mbushura me plot shqiptarë, veprimtarë, patriotë e atdhetarë të shquar, të cilët që nga vitit 1945, kur Kosova mbeti nën Jugosllavi, ishin organizuar e kishin vepruar nëpër organizata të fshehta, vetëm e vetëm që të mbanin gjallë ndjenjat për liri, çlirim e pavarësi kombëtare. Pra, deri në vitin 1981, sipas shumë dokumenteve arkivore që ruhen në Arkivin Shtetëror të Kosovës, janë më mijëra shqiptarë të dënuar dhe të persekutuar në mënyra më çnjerëzore.

Ndër kërkesat që u proklamua në demonstratat e vitit 1981, ishte edhe: “Poshtë robëria, rroftë liria”, “Të gjithë shqiptarët jemi një”, “Trepça është e jona”. Nëpërmjet kërkesës “Poshtë robëria, rroftë liria”, bëhej e qartë dhe shprehej se shqiptarët nuk duan të jetonin në robëri dhe kjo nënkuptonte mbetjen e Kosovës nën Jugosllavisë. E me kërkesën “Të gjithë shqiptarët jemi një”, bëhej e qartë se shqiptarët ishin një dhe ishin të vendosur në rrugëtimin e tyre për liri. Ndërsa, nëpërmjet kërkesës “Trepça është e jona”, shprehej se Trepça është e Kosovës dhe se pasuria dhe fitimi nga ajo duhet t’i shkojnë në llogari Kosovës.

Siç e kemi potencuar edhe më lart, në demonstratat e vitit 1981, përveç kërkesave politike, janë proklamuar edhe kërkesat që sipas mendimit tonë kanë karakter ekonomik.

Fillimisht këtu po e veçojmë kërkesën “Çmimeve stop”, e kjo kërkesë erdhi si rezultat i ngritjes së çmimeve të shumë produkteve të jetës së përditshëm, e çka për shqiptarët e Kosovës rritja e çmimeve, duke filluar nga artikujt më elementarë, ishte e padurueshme dhe kështu si rezultat i kësaj lindi dhe u proklamua edhe kërkesa “Duam punë” dhe “Kushte për punëtorët”, çka në raport me republika e Federatës së Jugosllavisë, shqiptarët ishin më pak të punësuar.

Po ashtu, në demonstratat e vitit 1981, u proklamua edhe kërkesa “Kushte për studentë”, e cila kishte karakter të rëndësishëm, ngase kushtet në të cilat studionin e jetonin studentët e Universitetit të Prishtinës, ishin shumë të rënda. Qendra e Studentëve në Prishtinë, kishte kushte jo të mira, çka nuk i siguronte as ato më minimale për jetesë.

Po ashtu kërkesë tjetër që u proklamua në demonstratat e vitit 1981 ishte dhe “Rroftë klasa punëtore – poshtë borgjezia” dhe “Trepça punon, Beogradi ndërton”.

Me kërkesën “Rroftë klasa punëtore – poshtë borgjezia”, bëhej e qartë se shtresa të shumta të shqiptarëve ishin kundër klasës sunduese të partisë-shtet, e cila pothuajse kontrollonte çdo pore të jetës në vend.

Është me interes të cekim edhe kërkesën “Trepça punon, Beogradi ndërton”,kërkesë kjo e cila kishte një domethënie tepër të madhe, ngaqë pasuria e Trepçës, e cila ekspaltohej nga serbët dhe jugosllavët, fitimi i saj nuk ndalej në Kosovë por shkonte në Beograd. Pra, proporcioni i të ardhurave vjetore në mes shqiptarëve të Kosovës dhe pjesës tjetër të Federatës së Jugosllavisë, sipas shumë studiuesve shkon në një (1) me gjashtë (6), pra një (1) në favor të shqiptarëve dhe gjashtë (6) në favor të popujve të tjerë. Pra, e gjitha pasuria e Trepçës nuk kthehej në investime në Kosovë, por pjesa më e madhe e tyre kryhej në Beograd e kryeqendrat e tjera të republikave jugosllave.

Fare në fund, duam të theksojmë se gjatë demonstratave të vitit 1981, janë proklamuar edhe kërkesa të tjera, por në studimin tonë iu kemi kushtuar një vëmendje kërkesave të lartpërmendura, të cilat natyrshëm që kanë një peshë dhe rëndësi të veçantë, andaj përfundojmë se demonstratat e vitit 1981, kanë një rëndësi të veçantë në historiografinë tonë, ngase aty u kërkuan të drejtat, përveç atyre politike, u kërkuan edhe të drejtat ekonomike për shqiptarët e Kosovës .

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura