KOHA KUR U VRA HEROI I POPULLIT SHQIPTAR BAJRAM CURRI

100-vjetori i rënies dëshmor i patriotit demokrat Bajram Curri (29 mars 1925 – 29 mars 2025)

Koha kur u vra Heroi i Popullit Shqiptar Bajram Curri

Legata Shqiptare në Beograd, më 30 qershor 1924, njoftoi MPJ në Tiranë se, ditën e premte, 27 qershor 1924,  Ahmet Zogu arriti në stacionin hekurudhor të kryeqytetit jugosllav i shoqëruar nga kunati i tij serbofil Ceno bej Kryeziu, 19 oficerë e nënoficerë, 150 ushtarë, 50 familjarë, 60 nëpunës dhe civilë të tjerë. Në stacion u prit nga dy funksionarë të Ministrisë së Jashtme, të cilët u kujdesën për strehimin dhe ushqimin e tyre në hotelin e madh “Bristol”. Shtypi i Beogradit e prezantoi Ahmet Zogun në publik si “mysafir i posaçëm” i kryeministrit Nikola Pašić dhe “Miku me shpirt i Jugosllavisë”. (AQSH. F. 151, V. 1924, D. 257, f. 7; D. 260, f.1 dhe 260)

Shërbimet e kryera nga Ahmet Zogu në favor të mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (Jugosllavisë) ishin të dokumentuara në faturat e pagesave të qeverisë për Ahmet Zogun, të ruajtura në Arkivin Historik Ushtarak të Beogradit. Sipas tyre, prej Kongresit të Lushnjës, e sidomos pas vrasjes së Esat pashë Toptanit deri në muajin maj 1924, qeveria e Beogradit kishte harxhuar 2.000.000 dinarë për karrierën e Ahmet Zogut.” (Arkivi i Institutit Historik Ushtarak, Beograd, F-17, K. 61, I, d. 14).

“Kur në vitin 1924 në Shqipëri u rrëzua nga pushteti qeveria feudale e Ahmet Zogut,” shkruan historiani Vladimir Dedijer, “pushtetmbajtësit në Beograd e pritën këtë feudal, e armatosën dhe e hodhën me ndihmën e bjellogardistëve të Vrangelit në Shqipëri, duke shpenzuar  për këtë aventurë 105 milion dinarë.” Sipas studiuesit Zhivko Avramovski, “aventura e kthimit të Zogut në pushtet në Shqipëri” ikushtoi qeverisë jugosllave “30 mijë napolona flori”. (Vladimir Dedijer, Marrëdhëniet jugosllavo–shqiptare, 1939–1948,” Tiranë: Medaur, 2005, f. 122; Zh. Avramovski, “Gjurmime Albanologjike”, V.VII, Nr. 2.Prishtinë, 1968, f. 132)

Detyrimet e Ahmet Zogut ndaj qeverisë jugosllave për rikthimin në pushtet gjenden në dy kopje identike të “Marrëveshjes sekrete Pašić-Zog”,  në .gusht 1924, e përpiluar sipas modelit të dy marrëveshjeve të kryeministrit Pašić  dhe komandantit mercenar Esat pashë Toptani, më 17 shtator 1914 dhe 28 qershor 1915. Marrëveshja në fjalë ka 16 pika, ndër të cilat, në Pikën 12, Ahmet Zogu premtoi: “Qeveria shqiptare do të rrijë larg nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet [it. impegno –zotohet] veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elementët e tjerë që njihen ose dyshohen për ndjenjat e tyre kundër politikës jugosllave.” (AQSH. Fondi 151, viti 1925, dosja 105, dok. 2, f. 1-5)

Bajram Curri (1866-1925)

“Sipas një burimi të padiskutueshëm britanik,” shkruan historiani anglez Joseph Swire, “për realizimin e planit të Zogut u vunë në dispozicion 500 mercenarë matjanë, dibranë e esadistë, të arratisur kohë pas kohe në Jugosllavi; 1000 rekrutë malazezë e shqiptarë dhe 1000 rezervistë nga Kërçova, Tetova, Gostivari e Dibra, të veshur me rroba të vendit. Ky kontingjent komandohej nga 16 oficerë jugosllavë me uniformë. Përkrah  tyre u aktivizuan 40 oficerë dhe 800 ushtarë rusë të bardhë të gjeneralit Vrangel dhe Gjithsej u hodhën në sulm mbi 3300 forca të armatosura, të shoqëruan nga 2 bateri të artilerisë malore, model austriak, me rreze 9000 metra, së bashku me artilierët profesionistë; 10 mitraloza të rëndë e 20 të lehtë, të drejtuar gjithashtu nga mitralierë profesionistë të ushtrisë jugosllave.” (Joseph Swire, Shqipëria. Ngritja e një mbretërie,” Tiranë:Dituria, 2005, f. 351)

Vetë Ahmet Zogu e ngriti shtabin e tij në Dibër të Madhe. Dokumentet dhe dëshmitarët e luftës së  17  dhjetorit  1924, pohojnë se Ahmet Zogu organizoi sulmin në sektorin e Peshkopisë, ku guvernatori i Dibrës së Madhe urdhëroi garnizonin jugosllav të sulmonte dhe të shpartallonte mbrojtjen shqiptare në kufi për t’u hapur rrugën  mercenarëve të Zogut. Forcat  vullnetare të Elez Isufit dhe nipit të tij, Isuf Xhelilit zhvilluan një betejë heroike në malin e Kenokut. Midis dhjetra luftëtarëve demokratë dibranë, në zbatim Marrëveshjes kobzezë “Pašić-Zog”, të .gushtit 1924,  ranë dëshmorë edhe “gjenerali me shajak”, heroi  Elez Ifufi dhe nipi i tij trim Isuf Xhelili. (AQSH. F. 152, V. 1924, D. 98, f. 311)  

Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu hyri triumfator në  Tiranë. Ai mori në duart e tij pushtetin ekzekutiv si kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme dhe  komandën e përgjithshme të ushtrisë. Mbarë Shqipëria iu nënshtrua regjimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Më 25 janar 1925, gazeta “Indipendenca shqiptare” botoi me germa të mëdha lajmin e vrasjes së patriotit demokrat dibran Zija Dibra. Ahmet Zogu nuk e besoi lajmin se kapiteni i  rrezikshëm për sundimin e tij, Zija Dibra, ishte vrarë me të vërtetë. Ashtu si dikur Sulltan Mahmudi II kishte kërkuar t’ia çonin në tepsi kokën e Ali pashë Tepelenës, edhe Ahmet Zogu kërkoi me çdo kusht kokën e Dibrës, për t’u bindur vërtet se ai  kishte vdekur. (Bernd Fischer, “Mbreti Zog…” Tiranë: Çabej, 1996, f. 88)

Në ditët e para të dhjetorit 1924, kur Elez Isufi i kishte vënë gjoksin mbrojtjes së frontit të Peshkopisë dhe Bajram Curri po luftonte në Qafën e Prushit të Malësisë së Gjakovës, Luigj Gurakuqi gjendej në frontin e Koplikut të Shkodrës. “Gurakuqin,” ka dëshmuar në Fan Noli, “sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë i shtrënguar ta respektoj. Veteran i çështjes, pothuaj tridhjetë vjet në shesh të nderit paprerë, ka vënë në shërbim të atdheut tërë forcën dhe tërë jetën e tij…” Më 20 dhjetor 1924, patrioti dhe demokrati i shquar Luigj Gurakuqi u lajmërua nga kolegët për t’u nisur në emigracion drejt Italisë. Për organizimin e vrasjes së tij, Ahmet Zogu do të emëronte në postin e konsullit në legatën shqiptare të Barit bashkëpunëtorin e ngushtë të bizneseve dhe prapaskenave të tij, Çatin Saraçin. Disa ditë më pas do të infiltrohej midis emigrantëve politikë në Bari edhe krimineli shkodran Baltion Stambolla. Ndonëse kishte lidhje gjaku me Gurakuqin, në mbrëmjen fatale të 2 marsit 1925,  Stambolla u shfaq te dera e Bar-Ristorante “Cavur”, duke  shkrehur  mbi trupin e atdhetarit të madh tre plumba vdekjeprurës.

Ende pa u mbyllur zija popullore vrasjes së Martirit të Demokracisë, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zotu, tashmë i shpallur Kryetar i Republikës, Kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, më 29 mars 1925, arriti një tjetër sukses në realizimin e zotimit që kishte marrë përpara kryeministrit shovinist serb, Pashiç: vrasjen e strategut popullor të kryengritjeve për liri, pavarësi, demokraci dhe tërësi tokësore të Shqipërisë, heroit legjendar, Bajram Curri. Kur Ahmet bej Zogu ishte nisur kufirit shqiptaro-jugosllav, Bajram Curri kishte ngritur në këmbë 800 luftëtarët e tij vullnetarë të Malësisë së Gjakovës për t’u bashkuar me 500 trupat mbrojtëse të qeverisë demokratike të Fan Nolit në Qafën e Prushit. Kundër tyre kishte marshuar nga Prizreni kolona e mercenarëve të komanduar nga kunati i Ahmet Zogut, koloneli jugosllav Ceno beg Kryeziu. Në përpjekjen e parë, Ceno Begu ishte thyer keq dhe ishte kthyer në Prizren për t’u përforcuar edhe me një batalion të dytë këmbësorie e dy bateri malore serbe. Edhe në mësymjen e dytë Ceno Beu kishte dështuar, por ndërkohë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, kishte rënë në duart e Zogut.

Kufoma e Bajram Currit, pranë kufomës Prefekti i Kosovës – Hasan Kryeziu!

Ish-udhëheqësi i kryengritjeve popullore shqiptare për liri, pavarësi, demokraci dhe tërësi tokësore të Shqipërisë, patrioti i pashoq Bajram Curri u tërhoq me gardën e tij luftarake në thellësi të Malësisë së Gjakovës, me shpresë se në pranverën e ardhshme demokracia do të fitonte përsëri në Shqipëri. Por, ndërsa ngricat e janarit 1925 i kishin zbardhur malet e lirisë,  Ahmet bej Zogu do t’i niste komandantit të “operacioneve të tij ushtarake në Shqipërinë e Veriut”, kolonelit renegat të Serbisë, Ceno Beg Kryeziut, urdhrin famëkeq:

Urgjent, Tiranë, më 9 janar 1925. Kolonel Ceno Beg Kryeziut, Komandant i Operacioneve të Veriut: Currin, gjallë a vdekur, duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt, duke marrë të gjitha masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet ma!” (AQSH, F. 152, V. 1925, D. 9, f. 7/1: telegram origjinal)

Ceremonia e varrimit të Bajram Currit

Pas tre muajve ndjekjesh këmba-këmbës, mal më mal e shpellë më shpellë të Dragobisë, më 31 mars 1925, kunati dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij, Ceno beg Kryeziu, i dërgoi komandantit të Përgjithshëm të Operacionit kundër pjesëmarrësve në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924, diktatorit Zog, sihariqin e përgjakur:

“Mbas një lufte të përgjakshme që është bërë në bjeshkët e Dragobisë, i arratisuri Bajram Curri ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij, i arratisuri Shefqet Draga është zënë i gjallë. Në këtë përpjekje kanë mbetur pesë xhandarë të vrarë e katër të plagosur. Në vendin që jetonte Bajram Curri janë gjetur dhe shtatëdhjetë armë. Shokët e tij të arratisur janë shpërndarë tepër të dëshpëruar dhe po ndiqen prej fuqisë operative…” (AQSH, F. 152, D. 9, dok. 58: tel. dt. 31.03.1925, origjinal)

Që “Revolucioni i Kosovës të mos përsëritej ma”, Ceno Begu do të varte në litar burrin e mençur të kuvendeve të Malësisë së Gjakovës, Hoxhë Zogun e Bytyçit dhe kryetrimat Gjelosh Rama e Tolkuç Rama të Nikaj-Mërturit; do të vriste Asllan Currin e Husli Thaçin dhe do të digjte e shkretonte të gjitha shtëpitë e luftëtarëve që i kishin qëndruar besnikë Bajram Currit. Me shuarjen e qëndresës së pasuesve të armatosur të Bajram Currit, Ahmet bej Zogu e shoi përfundimisht edhe vatrën e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shqipëri.

Hazis Gjergji, historian, Lexington, KY, USA

————————————-

SHTOJCЁ E PASHTRIKUT

SHEFQET DRAGA RRЁFEN PЁR DITЁT E FUNDIT TЁ BAJRAM CURRIT

Me shkresën nr. 42 Rezervat, datë 6 prill 1925, prefekti i Kosovës, Hasan Kryeziu, i dërgon Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë kopjen e procesverbalit mbajtun mbi të zanunin – shokun e Bajram Currit – Shefqet Dragën, i cili ndodhej i rreshtuem ende në Krumë, “nga shkaku se ishte i sëmurë tepër, i mërdhimë kâmbësh sa që s’mundet të qëndrojë se i kanë ramun tân gishtat e kâmbve”.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 342 – Prefekturë e Kosovës, viti 1925, dosja 33, gjendet procesverbali i pyetjes së bashkëluftëtarit të Bajram Currit, Shefqet Draga, i datës 3 prill 1925, me 11 fletë, me 18 pyetje – përgjigje. Këtij dokumenti arkivor i mungojnë tre fletë, përkatësisht ato me nr. II, III dhe IV, që përmbajnë pyetje – përgjigjet II-V, kurse një pjesë e fletëve të tjera janë të dëmtuara në këndin poshtë – djathtas. Megjithatë është një dokument arkivor me shumë vlerë që hedh dritë mbi ditët e fundit të Bajram Currit, deri në momentin kur u vra nga forcat qeveritare të atëhershme, apo vrau veten që të mos kapej i gjallë. Dëshmitarët e këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë pohuar se xhamadani i Bajram Currit u gjend i hequr dhe i vendosur disa metra larg trupit të tij të vdekur, pa njolla gjaku. Sipas të drejtës zakonore të Veriut të Shqipërisë, ky gjest i tij në momentet e fundit të jetës interpretohej si mesazh për pasuesit e gjakut të tij që ta konsideronin të mbyllur konfliktin e familjes Curri me familjen Kryeziu të Gjakovës.

Në vijim sjellë këtë procesverbal, duke ruajtur gjuhën e dokumentit.

—————

Kopje

PROCESVERBAL

I mbajtun në Zyrën e Prefekturës së Kosovës më 3 prill 1926, mbi të zanunin në arratië, shokun e Bajram Currit, Shefqet Draga nga Mitrovica e Kosovës, i cili dëfton kështu:

Quhem Shefqet Draga, i lindun në Mitrovicë më 1900 mjeshtri, kur isha civil merresha me tregëti edhe që kam hy në Shqipëri në shërbim të gjindarmëris shqiptare (s’parit më 1 janar 1922 me gradën Tetar; deri në muajin tetor po të atij viti, s’dytit më 1 nëntor 1923 e deri në ardhjen në fuqi të Qeverisë legale). Shkaku i [të] dalunit tim prej gjindarmëris s’parit herë asht se unë nën komandën e rrethkomandantit të Durrësit nëntoger Ahmet Kajcen shkuem për me i shtypë rebelat e kryengritjes së marsit 1922 në katundin Sukth të rrethit të Durrësit dhe, për shtrëngimet tona bamun në popullsinë e atij katundi përmendun për zanjen të pjesës rebelizueme, Qeveria na shtrëngoj për këtë vepër tuej na qitë prej shërbimit. S’dytit kam mujt m’u futun në degën e gjindarmërisë me ndërmjetsien miqsore të ish Ministër Rexhep Mitrovicës.

P.I. (Pyetje e parë-V.H.) Qeveria të këshillon për me diftue të drejtën ç’kje shkaku i arratisjes tënde; ku e bat ndejën në arrati; kush u mbajti me bukë, kush u përcuell dhe me kënd pat përpjekun në arratië? Në rast se nuk keni me rrëfye të vërtetën keni për t’u dënue nga gjyqi ushtarak me litar.

Gj.P.I. (Gjegje pyetjes së parë-V.H.) Shkaku i arratisjes sime asht se kur isha Postkomandant në Postën e Bytyçit na friksojshin hallku (njerëzit-V.H.) tuj na thanë se me ardhjen në fuqi të Qeverisë së Ahmet Begut, kan me ju dorëzue në Serbi. Unë tuj kenë si i ikun prej andej kisha frikë që mos të më dëmtojnë autoritetet jugosllave. Kur asht zaptue Kruma prej fuqive Operative të Qeverisë Legale, unë tuj u ndodhun në Bytyç, si mora vesh … (mungojnë tre fletë të dokumentit – V.H.).

P. VI. Curri te kush pretendonte në Shkodër me u mshef? Që keni shpëtue ju, mos keni kenë shok me të?

Gj.P.VI. Sipas fjalëve të tij merret vesh se dëshironte të shkoj të Sylçe Begu në Postribë.

P. VII. Kush asht korrieri i Currit?

Gj.P.VII. Korrier të Currit nuk kemi pa, por kur ishim te shpija e Bajraktar Salih Manit erdhi një farë Sylejman efendija Kusari nga Gjakova dhe lajmëroj Currin se Sylçe Begu ndodhet në Postribë e i arratisun.

P. VIII. Ç’mendim kish Curri? Ç’ishte qëllimi i tij me udhëtimin në Shkodër?

Gj.P.VIII. Mendimi i Currit ishte për me u përpjekun ma së parit me besnikët e tij në Shkodër për me ba një lidhje me qëllim që të mujshim me bashkue fuqi për me mësy Qeverinë Legale. Shumë herë thonte që megjithëse Ahmet Begu e zaptoj Shqipninë, në qoftë se Hysniu me shokë ka mujt me ikë për Itali s’ka për ta lanë gjendjen e sotme të qetë, po përsëri kanë me mësy.

P.IX. Ç’ke shkaku i ndalimit të vijimit të udhëtimit t’uaj për në Shkodër?

GJ.P.IX. Ndalimi i udhëtimit të Currit për Shkodër u ba se Salih Mani pruni lajmin që thonte se asht zaptue Shala, udhët janë zanë edhe s’mund të kalohet. Salih Mani erdhi te na në vendin e quajtur “Bjeshka e Ahmet Gjokaj” së bashku me Met Vejselin e … Vojvoden e Vokshit dhe prunë me vedi 30 kile mollë dhe pak djathë. Ushqeheshim gjith sa herë me bukë e kryp, ka pak djath, edhe njëherë Maxhun Nimani na ka pru mish.  Ndejen e kemi ba katër javë në Bjeshkën e përmendun ku rrijshim mes dy gurëve të mëdhenj, që ishin sa me u mrojtun prej shiut. Curri kishte me vedi një baulle lëkuret, tre plafa, një jorgan, baulla ishte me tesha të veta edhe një takëm komplet për tualet. Prej të hollave kishte në një taklin e punume me dorë rruzash: një lirë Sterlinë dhe një Napulion ari.

P.X. Si mund të jetë Curri të mos ket [të] tjera të holla?

Gj.P.X. Si mund të jetë nuk e di, por di se kur asht largue Mehmeti Vogël i ka dhanë 2 Napuliona edhe shpeshherë i ka dhanë Bajraktar Salih Manit ka një Napul.[ion] për me ble duhan, kafe, sheqer, miell e tjera sende ç’ka gjente. Atë ditë që asht vra Curri s’ka pas ma pare veç një lirë sterlinë e një napulion, si thashë edhe ma parë.

P.XI. Mbas ndejes suej në Bjeshkën e Ahmet Gjokaj ku shkuet?

Gj.P.XI. Mbas katër jave ndejes në Bjeshkë, gjysmë ore larg kësaj së parës, [në një vend] që quhet “Bjezhgëz”, aty kemi ndejtë tre javë Curri, unë, Bajraktar Salih Mani, Abdi Bajrami, Adem Bajrami, Rexhep Abdullahi, Met Vejseli.

P. XII. Maxhun Nimani, Ymer Hoxha e Abdullah Syla a ndodheshin me ju edhe nëse jo [a] dini se ku ndodheshin ata?

Gj.P.XII. Maxhun Nimani ka ardhur shumë herë me ne edhe ka ndejt. Ymer Hoxhën se kam pa ndonjë herë, … Abdullah Sylën ç’kem (që kur kem-V.H.) dalë në mal se kam pa asnjëherë.

P.XIII. Në Bjezhgëzen me ç’ka ushqeheshit, kush u siguronte bukën, çfarë vendi ishte ai që rrishit, kush vinte me u pa me ju edhe çfarë lajmesh ju vinin aty dhe ç’ka fliste Curri, cili ish mendimi i tij?

Gj.P. XII. Në Bjezhgëzen ushqeheshim me buk misri të cilin e piqshim nevet në një çerep të vogël edhe shpeshherë bajshim kaçamak. Shpeshherë ngjante që me na mungue edhe buka e misrit edhe kaçamaku. Kur këto na mungonin, vendin e tyne e zijmë (zëvendësojmë) me ujë të ngrohtë sa për me mujt me mbajt shpirtin edhe më bjen ndër mend një herë na asht marrë zani ús (prej urije-V.H.). Bukën (misrin) na binte Maxhuni dhe Rexhep Abdullahi. Shkaku i mbetjes tonë pa miell misrit ishte se binte borë edhe Bajram Begu nuk i lente me u largue në ditët që binte borë vetëm që [të] mos njifshin gjurmët e mos të na hetoj kush. Ndeja e jonë aty ishte në një gur të madh, një faqet, kështu që gjysma e atij vendi ishte e hapun të cilën e mbyllnim me plafat që kështu për mos me u dukë flaka natën. Aty nuk lente Bajram Begu me ardhë asnjë njeri me na pa për me [e] mbajt në ma të madhen msheftësi vendin. Lajme s’kishim kurrfare prej kërkah, por vetëm na diftojnin shtrëngimet e nëntoger Kadri Mehmetit në Krasniqe. Në këtë vend shifej në Currin një mërzi e dishprim i posaçëm, as një send nuk fliste. Më vjen ndër mend se në një rast i thanë Currit se Serbia dishron ty me të marrë në dorë dhe me të lanë të lirë. Në ket Curri përgjegji se preferoj vdekjen në Shqipni se sa jetesën ma të mirë në Serbi. Mbas kësaj here nuk asht zanë ma në gojë të shkumunit në Serbi …

P.IV. M[b]as nisjes tuej në Bjezhgëzen tre javë ku shkuat?

Gj.P.XIV. Mbas Bjezhgëzes kemi shkue në vendin që u vramë e u zumë, të quajtun Gomurë. Para zanjes tonë dy javë që kemi shkue në kët vend.

P.XV. Na diftoni të drejtën ç’ishte plani i Bajram Currit me nisjen e tij në mal; këtu si e siguruet ushqimin; kush vinte me u përpjek me ju dhe përgjithësisht me [ç’]llafe e kalojshi tërë kohën tuaj?

Gj. P. XV. Cili ishte plani i tij bash mirë nuk e di se, kur kishin ndonjë send me randësi e të msheft, llafoseshin tinzë nesh Curri me Bajraktarin e delshin gjithë saherë jashta shpellës. Me bie ndër mend se një herë më diftoi se me të dalun dushku do të rregullojm postën dhe për këto pat porosit një herë Maxhunin për me ble një kali se thonte që si të merremi vesh me Shkodër na vinë edhe paret. Dy ditë para se u zumë çoi Maxhunin me Rexhepin në Krasniqe tuej ju dhanë një napul. për me ble letra shkrimi, një laps; dy pal çorapë e tri pal opanga. Një herë isha tuj folë diçka e ai ma preu fjalën tuej më thanë se, ah të kisha me mujt me u marr vesht me një konsull Evropjan. Në vetjen (pyetjen-V.H.) time që i bana se ç’do të delte prej kësaj nuk më dha asnjë gjegje.

P.XVI. Mbasi në rrethin tuej s’kishte njeri tjetër që të dijë me shkrue, përveç jush, ju do të dini se ç’letra i vinë Currit, ç’letra kish me vedi edhe kujt donte t’i shkruente?

Gj.P.XVI. Për deri sa kemi ndejt në mal, si ka ardhë prej kërkujt asnjë letër, se po t’i kishte pru kush letër s’ka pas kush t’ia këndojë perveç meje. Me vedi s’ka pas asnjë letër me randësi, ato letra që ka pas me vedi, në rastin që u arratisem i dogji tuej thanë se mujm me u vra edhe kështu me shtimin e këtyne letrave në dorë të Qeverisë ka me u dhanë shkak damtimi i shumë miqve e besnikëve tonë. Kujt donte me i shkrue në Shkodër nuk e di me siguri, por di se thonte: masi të çoj letrën në shpi në Shkodër, çika e jeme din me shkrue dhe ata kan me ditë ku me i gjetë paret për me mi pru mue. Për me e çue me letra në Shkodër donte me përgatitë një njeri që do ta gjente Bajraktari. Ç’ka më dukej mû dëshironte se si me mujt me shkue tinzi (fshehurazi-V.H.) në Shkodër për me ndejt i mshefun. Shpresa e tij që me dal fitues me ndonjë revolucion nër këto anë ishte e humbur se thonte që me pren këta Malësorët se këta ishin marrë vesh me Ceno Begun ka herë e unë nuk kam dit gja. Tanë shpresa e tij ishte në të arratisunit në Itali [të] Hysni Currit e tjerë dhe shumë herë përsëriste se ata të Italisë kan me mbështjellë fuqi dhe kanë me mujt me e ndryshue gjendjen e soçme në Shqipnié. Por me gjithë até kishte shpresë të plotë në fitim me anën e atyne Shqiptarëve që kan hikë në Italié.

P.XVII. Rrethimi i juej si u ba prej anës fuqive Qeveritare; sa vetë keni qenë s’bashkut edhe kush?

Gj.P.XVII. Rrethimi i jonë ash bamë në këtë mënyrë: Në ora 6 të ditës allaturka ishim tuej ndejt në shpellë të qetsueshëm edhe të zhveshun. Bajraktar Salih Mani doli përjashta për me pa, kur qe, po kthen mbas katër – pesë minutash i nxituem tuej na thanë se po ndihet një za edhe mori armën me gjithë Abdi Bajramin e Ali Nimanin e dolën jashtë ku mas pesë minutash vështrimi Aliu kthej tuej na thanë se çohi prej këtuhit edhe shmangni tërthuras se në pashim që na kan hetue do të nisim luftën. Ju, veç në këtë rast, ecni e mos u n[d]aloni kërkund. Me Bajram Begun u shtrënguem s’bashkut, tuj ardhë me ne edhe Met Vejseli u nisëm Bjeshkës tërthuras. Prap mas pesë minutash që ishim nisë të shmangena ra një pushkë edhe mas saj një batare kur po ndijmë edhe britmën e Abdis tuj bërtit ”U vra një!”. Pushka gjithnjë vazhdonte edhe na veçse ecshim në direksionin e diftuem prej Bajraktarit. Mas tri orësh të ecunit tonë, të lodhun, kemi ndryshue direksionin tuej ecun tëposhtë edhe jemi ulë në pushim nër pyell pa u çue dy orë resht. Afër akshamit më thotë Begu mue: – Fillou ti rrugës se unë të za. Masi u largova prej tij nja 50 metra, kam ndie krismen e pushkve rreth Bajram Begut edhe sa jam sjellë të shikoj shof se edhe Bajram Curri vet mbas një lisit të hollë po qëndron dhe shtie pushkë. Mbas pesë minutash lufte Curri u vra. Vrasjen e Currit e kuptova prej ndalimit të tij tuej shti pushkë si edhe prej zanit gjindarmave të cilët bërtitnë tuej thanë: “U vra Begi”. Si pava se Begu u vra, u nisa teposhtë për me ra n’dorë të ndonjë oficeri, se megjithë që pava se ushtarët janë afër, nuk pata besim me u diftumun atyne, e ma pak me ra n’dorë, prej frikës që me atë gjak të nxehtë mos të më vrasin, po tuj mashtrue ushtarët, tuej u thanë që jam gjindarmë, kërkova oficerin për me i ra n’dorë, kështu si u avita (afrova-V.H.) afër nëntoger Kadri Mehmetit i diftova se kush jam edhe ju dorëzova. Përveç meje e Currit ka qenë Bajraktar Salih Mani, Abdi Bajrami, Ali Nimani, Adem Bajrami e Met Vejseli.

P.XVIII. A ke gja ma me thanë edhe a i vërteton fjalët e tuja?

Gj.P.XVIII. S’kam ç’me thanë veç se në rrethimin e Krumës, në maj 1924, kam luftue krah për krah me Kapiten Muharrem Bajraktarin edhe jam tërhjekun me të përsëri në Bicaj, ku për fat të keq m[b]eta tuej humbur kohën me djalin e Alush Agës për me ja rujt dhe Qeveria revolucionare më kapi e më burgosi vetëm pse i jam bindë urdhërave të Qeverisë legale. Shtoj se me u arratis me Currin më ka shtymun frika për mos me më dorëzue në Serbié dhe për mos me më damtue Bytyçi, tuej ken se unë kam ken Postëkomandant atje edhe si Zyrtar kam zabatue urdhënat e superiorëve, të cilat ende i mbaj me vedi për dokumenta. Urdhënit i jam bindë edhe Qeverisë legale edhe me ndej me Currin deri më tash nuk ka ken dëshiri jem por masi u sakatova kamvet nuk kam mujt me u largue. Fjalët e mija i vërtetoj me nënshkrim.

Sh.[efqet] Draga d.v.

Prefekti i Kosovës

H.[asan] Kryeziu

Vërtetohet njësia me origjinalin

Kryesekretari i Kosovës

(firma – M.Perkola, vula)

—————————–

Sheradin Berisha © Pashtriku.org

Total
0
Shares
1 comments
  1. ENI, ENI OU TRADHTARË; JENI, JENI MERCENARË; JU KËLYSHË ZOGOLLA E TOPTANA, KURQYSH GOGOLA E RROPTANA; JU VJEN FUTA VJETË PËR VJETË, JU BJEN SHPUTA JETË PËR JETË; JU MERRË TAKSA E HARAÇ JU QETË; DUKE NËNSHTRUAR TERË SHQIPTARINË, DUKE NËNÇMUAR GJERË ARBËRINË; DUKE ASMILUAR DHE VARRËZIMI SHTRUAR O, DUKE SHKATËRRUAR PO EDHE
    TROJET NËN PLOJET GJERË MASAKRA, KASAPRA, NGA RUSE SERBË JUGOSLLAVE ËËËH, PUSE VERBË TUGOSHKAVE; PËR LIKUIDIMIN TOTALE, GLOBALE TERË PO EDHE GJERË SHQIPTARIN?!.
    TË FALA NGA MANI NEW JERSEY USA DIASPORA AMERIKANO SHQIPTARE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura