KOLONA E PESTË
Nga Bejtullah KRASNIQI, Prizren 22. 09. 2022
“Zoti t`marroftë për ditë e nga pak e më së shumti ditën e pazarit”
(popullore)
Gjysma e parë e shekullit XIX dhe gjysma e dytë e shekullit XX janë dekadat kur Amerika ka pa zhvillimin më të hovshëm në historinë e njerëzimit. Janë themeluar dhe kanë vepruar kompani gjigante të vajgurit, naftës, çimentos, hekurit, ndërtimit, rrokaqiejve, automobilave, autostradave, hekurudhave etj etj. Meqë eksploatimi i fuqisë punëtore ishte mjaftë i vrazhdë, lindi nevoja e themelimit të sindikatave për mbrojtjen e të drejtve të punëtorëve. Krerët e këtyre kompanive shpejt e kuptuan se mund t`i blenin (korruptonin) krerët e sindikatave të kompanive rivale në mënyrë që ato të falimentonin. Udhëheqësit sindikal, tanimë të shitur, organizonin greva me njëqin mijë e dyqind mijë punëtorë dhe parashtronin kërkesa që askush nuk mund të ua plotësonte. Kompanitë falimentonin dhe dyqind mijë punëtorë hidheshin në rrugë, ndërsa krerët e sindikatave bëheshin milionerë. Kështu pothuaj, gati të gjitha korporatat në Amerikë i kanë shijuar rëniet dhe ngritjet nga veprimet sindikale. Që nga ajo kohë organizatat sindikale në Amerikë kosiderohen si sinonim i organizatave mafioze.
Se kërkesat ekonomike të sindikalistëve shumë lehtë mund të shndërrohen në kërkesa politike e kemi pa në Poloni në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar me sindikatën e kantierit të ndërtimit të anijeve në qytetin Gdanjsk që quhej me një emër joshës për punëtorët SOLIDARNOST. Pas fillimit të grevave me kërkesa për kushte më të mira, kreu sindikal Leh Valensa i shndërroi kërkest në politike pa e pyetur anëtarësinë fare dhe në fund vet përfundoi si kryetar shteti, ndërsa punëtorët e gjorë edhe më tej mbetën me gishta në gojë sepse nuk e kishin ditur se kë po e përkrahnin me ato greva.
Akronimi i sindikatës sonë të arsimit SBASHK më tingëllon si sinonim i SOLIDARNOST-it polak. Të iu kujtojmë lexuesve se SBASHK-u pas luftës dy here ka mbajtur grevë nga një muaj, atëhere i pati mbyll grevat për shtatë euro rritje, kjo rritje iu pati akorduar nga partitë e atëhershme në pushtet e që tani janë në opozitë dhe e nxisin sindikatën që me këmbëngulje të mos e ndërpret grevën. Kryesia e SBASHK-ut që, si duket merr urdhëra nga jashtë sindikatës, tani edhe për pesëdhjetë euro nuk pranon ta mbyll grevën, pa le pastaj që shumë shpejt do të aplikohet edhe ligji i pagave dhe arsimtarët do të përfitojnë kënaqshëm. Çfarë po fshihet pas kësaj këmbëngulje irracionale?
Krerët e SBASHK-ut nuk janë të vetëdijshëm për takatin e tyre liliputan dhe po harrojnë se sot nuk jemi në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe jemi në Evropë. Sot, me shpejtësi elektronike po zbulohen e përhapen komplotet e konspiracionet, takimet e bisedat e ballkanasve fodyll, të pacipë e zvarranik. Sot shumë shpejt po zbulohet se kush me kë po takohet, kush me kë po ha e po pi dhe çka po thurrin.
Të tillëve pasi iu dështuan atentatet e planifikuara, iu rrekën trazirave sociale në mënyrë që sërish të vijnë në pushtet njerëz që për njëzet vjet e përdorën Kosovën dhe popullin e saj si leck për pastrimin e opingave të tyre me bajga. Në këtë projekt barra më e rendë i ra SBASHK-ut dhe me të drejtë. SBASHK-u është majmur për këtë ditë, dhe tani është koha të sakrifikohet. SBASHK-u, me këtë grevë u demaskua tërësisht duke rrënuar autoritetin e arsimtarëve që me aq shumë mund e patën fituar në vitet e okupimit kur nuk pyesnin për paga vetëm për ta mbajtur arsimin shqip në jetë, kur nuk mund t`i shkollonin fëmijët e tyre për t`i shkolluar fëmijët e të tjerëve, nuk protestuan e nuk bënë grevë as kur Bujar Bukoshi u mbeti borxh plot 15 paga e as kur ministritë e pasluftës iu premtuan shumë e nuk iu dhanë asgjë. E duruan arsimtarët veteranë edhe kërbaçin, poshtrimin e madje edhe pushkatimin nga okupatori, po shkollat nuk i mbyllën. Fituan autoritet e simpatinë e popullit, në shumë raste tregtarët, mjekët, dentistët, dhe shërbimet e tjera, me të kuptuar se dikush është punëtor i arsimit, kishin mirësinë dhe ua ulnin çmimin për aq sa ishte e mundshme në shenjë respekti për sakrificën që bënin. Të tillë ishin arsimtarët veteranë që sot gjithnjë e më pak gjenden nëpër shkolla. Tani ka ardhur një gjeneratë që është produkt i politikës së pasluftës e të cilëve iu mungon vetëbesimi dhe kështu shumë prej tyre zvarriten para punëdhënësit. Them kështu se kjo grevë është e mbështetur edhe nga drejtorët e shkollave të cilët iu bëjnë trysni arsimtarëve që të mos guxojnë ta fillojnë mësimin, në vend se të ishte e kundërta.
Këto veprime sindikale po përkrahën edhe nga opozita e bashkuar politike e Kosovës si dhe nga portalet e themeluara dhe të finansuara për këtë qëllim. Shumë gazetarë e opinionist si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri janë më agil se vet Vuçiqi që të rrëzohet kjo qeveri e pastaj ta bëjnë rrush e kumbulla Kosovën e mjerë. Edi Rama (që shqipërinë nuk e ka atdhe po vetëm vendlindje) mburret me këte aktivitet armiqësor ndaj shqipëtarëve.
Është koha që vetë arsimtarët ta kuptojnë se kush po e udhëheq SBASHK-un dhe të kërkojnë përgjegjësi për shkakun e denigrimit të autoritetit të mësimdhënësit dhe degradimin e shkollës shqipe me aq shumë mund të ngritur. Nëse jo arsimtarët e frikësuar e të dëgjueshëm, atëherë këtë duhet ta bëjë drejtësia: të hulumtojë krerët e SBASHK-ut po edhe të sindikatave të tjera, kush janë këta furacak në mesin e sindikalistëve? Prej nga vijnë? Sa prej tyre janë punëtor të arsimit? Sepse ka shumë që nuk janë, si kanë ardh ata aty? Kush i ka sjellë? Me ç`detyrë janë aty? Pse fshihen pas Rrahman Jasharit ata qi i japin urdhëra atij të gjori? Sa prej tyre kanë vila e sa prej tyre kanë banesa në Durrës e gjithandej rivierës shqiptare? Prej nga krerët e sindikatave gjithë ato të ardhura nëse janë mësues?
Vetë fakti se arsimtarët me kaq lehtësi bien pre e manipulohen nga krerët e sindikatave është indikator se bëhet fjalë për njerëz pa vetëbesim dhe me mangësi profesionale. Mendoj se Ministria e Arsimit duhet ta mendoj seriozisht testimin e arsimtarëve, madje unë mendoj se janë të nevojshme dy lloj testesh: testimi i logjikës (sepse ka mjaft të tillë që nuk e kuptojnë kohën dhe hapsirën në të cilën jetojnë) dhe pastaj testin Profesional. Të më falin ata arsimtarë që nuk hyjnë në këtë kategori dhe jam i sigurt se ka mjaft të tillë dhe mendoj se të tillët duhet vet të kërkojnë këtë gjë në mënyrë që të mos barazohen me të pamerituarit.
Kaq kësaj radhe. Një reagim i SBASHK-ut në këtë shkrim do të ishte i mirëseardhur, kështu do të dilnin në sipërfaqe edhe shumë të palara të tjera të tyre.