KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (1)
Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 23. 04. 2023
Relacioni i LËVIZJES së JUSUF GËRVALLËS dhe ORGANIZATËS MARKSISTE LENINISTE TË KOSOVËS (OMLK) gjatë periudhës prill-tetor të vitit 1981
Përmbajtja e lëndës:
1. Komunistët RUANIN rolin hegjemon
2. Tash së fundi jam në kontakt
2. Ka një mirëkuptim midis nesh
3. Ndërprerja e daljes së Lajmëtarit të lirisë
4. Menjëherë kishin shtruar çështjen e bashkimit
5. Bashkëpunim apo ndihmë e njëanshme për OMLK-në
6. I kam dhënë vetes të drejtë
7. Dy degë të të njëjtit trung
8. Ai ka një propozim konkret
9. Sugjerime nga instanca të rëndësishme
10. Titulli duhet ndërruar
11. Ka një keqkuptim mes meje dhe teje
12. Ambasada turke nuk më jep kurrsesi vizë
13. Të falem nderit për autorizimet që më jep në shumë drejtime
14. AUTORIZIMI QË MË KE DHËNË LIDHUR ME BASHKIMIN E DY ORGANIZATAVE TONA
15. UNË SHOH NJË DISPONIM TË KADRI ZEKËS DHE SHOKËVE TË TIJ QË KJO PUNË TË MOS BËHET PËRMES MEJE
16. Nuk i kanë shtruar hollësisht e me shkrim ato që duan të dinë e që kërkojnë
17. Njeri i përshtatshëm, bie fjala Shpendi a Bardhi
18. S’DUHET TË KEMI TË BËJMË FARE ME TË HUAJTË
19. NË TAKIMIN E MBRËMSHËM, TË 30 KORRIKUT 1981
20. Detyra që Jusuf Gërvalla ia ngarkon Haxhi Berishës
21. Kur lindi Partia
22. Do t’ia bëjmë edhe ne si Lech Walesa
23. Ndoshta pikërisht nga radhët e tyre
24. Atje ku duket se ka pasur pasivitet ose harresë
25. Pse ke ardhur?
26. A vlejnë këto fjalë edhe për mua?
27. As rastësisht nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të çoroditur
28. Janë si buka prej një brumi
29. Iu kemi kundërvu ideologjisë komuniste
30. Patentimi i formulës sekrete të lirisë dhe përralla e Crvenkapës
_____________________________
1. Komunistët RUANIN rolin hegjemon
Faridin Tafallari: “Me organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK), që e kishte qendrën e vetë në Zvicër u vu në lidhje edhe Hysen Gegaj. Ky na tregoi se ishte takuar me përfaqësuesit e kësaj organizate. Hyseni foli shumë mire për ta. Por shtoi se për t’u bashkuar pranonin vetëm me kushtin që të udhëhiqnin ata.” (Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 28)
Vlerësimet e mëposhtme të Hasan Malës e Xhafer Shatrit janë për librin “Terror-Dhimbje-Qëndresë të Faridin Tafallarit.
Hasan Mala: “Nga zemra të uroj shumë sinqerisht dhe sukses, se është shkruar ashtu si është, si ka qenë. Të lumtë, të lumtë …. se aty është e vërteta dhe vetëm e vërteta.” (Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, f.382)
dhe
Xhafer Shatri: “Libri është një realitet dhe i paanshëm. Ky libër është si një lis i natyrshëm…Andaj, të lumtë dhe të uroj nga zemra suksese që iu kushtove këtij libri madhor të kohës…”. (Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, f.382)
Mehmet Hajrizi: “Fillimisht duhet thënë se organizimi në Shqipëri i Luftës Nacionalçlirimtare, që për veprimtarët e kohës, në saje të literaturës që vinte nga Shqipëria, ishte në detaje i njohur, u bë modeli më i afërt, për ta zbatuar në kushtet e çlirimit të Kosovës. Atje ka pasur një Front Nacionalçlirimtar, që bashkonte forcat antifashiste të bindjeve të ndryshme, por Partia Komuniste në të RUANTE ROLIN HEGJEMON.” (Histori e një Organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f. 97)
Brat Berat Luzha: “Faktikisht, ne jemi vetëquajtur marksistë-leninistë, por realisht kemi qenë atdhetarë të mirëfilltë, idealistë. Nuk kemi qenë të indoktrinuar nga ideologjia. Kemi qenë veprimtarë të çështjes kombëtare… Pak ose fare pak jemi marrë me çështje ideologjike.
…Rilindjen’ e kam drejtuar pa asnjë problem të tillë ideologjik.
…Përmes ngjyrimit ideologjik, kemi tentuar t’i kundërvihemi ideologjisë komuniste titiste. Edhe në këtë mënyrë e kemi goditur armikun.” . (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f. 220)
Kështu pra OMLK e vetëquajtur marksiste-leniniste, me ngjyrimin e vetë ideologjik, me komunizmin e vetë të rrejshëm e ka luftuar komunizmin e vërtetë titist. Që në fillim duket qartë se cili është suksesi i OMLK-së që me komunizmin e vetë të rrejshëm e me ngjyrime, të cilit i ka dalë boja, ta RUAN rolin hegjemon në raport me Jusuf Gërvallën dhe Lëvizjen e tij.
2. Tash së fundi jam në kontakt
Jusuf Gërvalla: “Tash së fundi jam në kontakt edhe me një shok të grupit të Marksistë-leninistëve të Kosovës, të tubuar rreth organit të tyre “Liria”. Personalisht, për organin e tyre kam mendim shumë të mirë, po edhe shoku me të cilin kam kontaktuar duket shumë i ngritur dhe i pjekur.” (Letër Sabri Novosellës, 14 prill 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 259)
Për relacionin e Jusuf Gërvallës me Kadri Zekën kam shkruar pak në artikullin “Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985″. Këtu do të bazohem në çdo fjalë që e kam thënë më 1992, por situata e kërkon që ky shtjellim të zgjerohet ashtu siç e meriton. Këtë çështje tani është edhe më lehtë ta studiojmë pasi gati të gjitha letrat e Jusufit, si anëtarë i LNÇKVSHJ janë bërë publike.
Që ta kemi një tablo sa më të plotë do të kthehem pak në kohë në fillimet e njohjes së Jusufit me Kadriun, njohje e cila është bërë në kohën kur Jusufi me Ibrahim Kelmendin nuk ka kurrfarë kontakti. Letra e parë e Jusufit dërguar Sabri Novosellës më 14 prill 1981, është dokumenti i parë që Jusufi me shokë të Lëvizjes së vet flet për OMLK-në.
3. Ka një mirëkuptim midis nesh
Jusuf Gërvalla: “Ka një mirëkuptim midis nesh dhe kemi rënë në ujdi që t’i bashkërenditim veprimet. Lidhur me këtë, për fillim, kemi zënë të organizojmë një varg demonstratash, nëpër qendra të ndryshme evropiane, që kanë për qëllim të bëhen përpjekje e zëshme e ngjarjeve aktuale në Kosovën tonë trime.” (Letër Sabri Novosellës, 14 prill 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 259-260)
Këtu flet Jusufi për mirëkuptim me Kadri Zekën. Prej njoftimit e deri në fund të jetës, Jusufi kontaktet e veta me OMLK-së i ka vetëm përmes Kadri Zekës. Ky kontakt i Jusufit në bazë të karakterit të tij njerëzor dhe organizativ i mjafton. Se a ka pasur apo nuk ka pasur Kadriu asnjë anëtarë të organizuar jashtë, apo 300 anëtarë e 300 kandidatë kjo punë Jusufit nuk i ka interesua.
4. Ndërprerja e daljes së Lajmëtarit të lirisë
Kadri Rexha. “Jusuf Gërvalla shihte në horizont bashkimin e domosdoshëm të forcave të organizuara patriotike dhe revolucionare, që vinte si nevojë e frontit të luftës së organizuar në kushte të reja, si nevojë e lëvizjes së masave të gjëra, si nevojë e rezistencës dhe e veprimit aktiv të popullit tonë. Prandaj duke e ndërprerë botimin e revistës (Lajmëtari i lirisë – shën. i Xh. D.) Jusuf Gërvalla në këtë drejtim po i jepte shenjat e para të bashkimit.” (Fati i luleve, Prishtinë 1993, faqe 199)
Se Jusufi, pas njohjes me Kadri Zekën dhe revistën “Liria” vendosë për ndërprerjen e Lajmëtarit të lirisë është e vërtetë, dhe motivi i Jusufit është pikërisht ashtu siç e ka parashtrua Kadri Rexha.
Mehmet Hajrizi: “Jusuf Gërvalla, pasi filloi bashkëpunimin me ‘Lirinë’ e pushoi botimin e ‘Lajmëtarit të lirisë’. Po kështu veproi edhe Fronti i Kuq me ‘Bashkimin’. Në revistën e tij ‘Lajmëtari i lirisë’, Jusuf Gërvalla shkruante: ‘Këto ditë na ra në dorë numri i parë i revistës ilegale kosovare ‘Liria, organ i marksistë-leninistëve të Kosovës. Duke u nisur nga përmbajtja e saj, nga qëndrimi marksist-leninist në të shqyrtuar të temave të qëlluara vitale, si dhe nga gjuha e stili përkatës, shumë i pëlqyeshëm, si dhe nga entuziazmi për punën e ndershme të autorëve të kësaj reviste, të gjithë lexuesve tanë u rekomandojmë ta gjejnë e ta lexojnë me kujdes ‘Lirinë’.” (Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, faqe 124)
Jusuf Gërvalla: ”Këto ditë na ra në dorë numri i parë i revistës ilegale kosovare ’Liria’, organ i marksistë-leninistëve të Kosovës. Duke u nisur nga përmbajtja e saj, nga qëndrimi marksist-leninist në të shqyrtuar të temave të qëlluara vitale, si dhe nga gjuha e stili përkatës, shumë i pëlqyeshëm, si dhe nga entuziazmi për punën e ndershme të kësaj reviste, të gjithë lexuesve tanë u rekomandojmë ta gjejnë e ta lexojnë me kujdes ’Lirinë’. Po këtë porosi kemi edhe kur është fjala për revistën ’Bashkimi’, organ i Frontit të Kuq, me të cilin besojmë, lexuesit tanë të ndershëm kanë pasur rastin të njihen edhe më herët.” (Lajmëtari i lirisë, nr.2, tetor – nëntor 1980, faqe 14)
Shkaqet e ndërprerjes së “Bashkimit” të Frontit të Kuq dhe rolin e Sadik Blakajt i kam trajtuar në tërësi në shkrimin “Kështu e pata kuptuar” (www.pashtriku.org). Dalja e gazetës Bashkimi nuk ka qenë e mvrarur nga Fronti i Kuq por nga Jusuf Gërvalla. Jusufi e ndërprenë angazhimin në gazetën Bashkimi për hir të Hysen Gegës dhe jo për hir të revistës Liria apo të Kadri Zekës e Mehmet Hajrizit.
Sa i përket Lajmëtarit të lirisë, ashtu siç e kanë paraqitur shokët e Kadri Zekës e sidomos Mehmet Hajrizi nuk është. Sipas krekosjeve të disa komunistave të modës, del se përmbajtja e artikujve të “Lirisë” të shkruar nga komunistat e modës, me ngjyrën e ngjyrimet e modës, Jusufit ia kanë qitë vehten prej huji dhe sipas kësaj pikërisht pse Jusufit i paska dal vehtja prej huji, në atë farë gjendje depresioni vendosë me e ndërpre Lajmëtarin e lirisë. Numri i parë i Lirisë ka dal në tetor 1980, dy muaj pas numrit të Lajmëtarit të lirisë. Profecia e Lajmëtarit për daljen e Lirisë, pra është realizue brenda dy muajsh. Ajo çka është tepër e çuditshme në këtë mes është se si nuk doli deri më sot askush nga anëtarët apo kandidatët e flaktë të Lirisë, për ta akuzuar Jusufin se ua ka përvetësue emrin e Lirisë d.m.th. emrin “Liria” e ka përdorë si pjesë në emërtimin e plotë “Lajmëtari i lirisë” nga gazeta e tyre që ka dalë dy muaj më vonë. Kjo për mua është anomali dhe çështja më e pakuptueshme gjer më sot.
Siç e kam thënë në një rast tjetër, gjatë shkrimit të numrit të fundit të Bashkimit (dhjetor 1980), Jusufi as që e ka pasë ndërmend ndërprerjen e Bashkimit. Ky fakt tregon se përkundër të gjithave, përkundër krekosjeve të mëdha prej të cilave ekziston rreziku me i marrë mësysh vehtes, Jusufit nuk i ka dalë vehtja prej hujit edhe pasi i ka lexuar artikujt e modës të komunistave të modës në revistën Liria. Megjithatë fakti është fakt, revista Liria dhe serioziteti i dukur në atë kohë, që kanë ardhë prej anëtarëve të tubuar rreth Lirisë, ka ndikim të madh në ndërprerjen e Lajmëtarit të lirisë. Këtu vlen të përsëritet se ndërprerja e Bashkimit është sqaruar tani tërësisht se është e një karakteri krejt tjetër. Përveç revistës Liria, ndikimi vendimtarë për ndërprerjen e Lajmëtarit të lirisë ka ardhur nga ngjarjet e Kosovës të filluara më 11 mars 1981. Ndërprerja e Lajmëtarit dhe koncentrimi i tërësishëm i Jusufit në botimin e Lirisë, si gjest i bashkimit të forcave për goditje sa më të koncentruara, është përshëndetja e përgjigja më domethënëse që Jusufi ia dërgon Kosovës.
4. Menjëherë kishin shtruar çështjen e bashkimit
Një pasqyrë krejt tjetër false na e paraqet Sabri Novosella në shkrimin “Si e themeluam Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi – LRSHJ”, me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të LRSHJ – mars 1992.
Sabri Novosella: “Në Evropë kishin marrë kontakt Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka dhe menjëherë kishin shtruar çështjen e bashkimit të organizatave ekzistuese. Për këtë Jusufi vazhdimisht e njoftonte degën e LNÇKVSHJ-së në Turqi dhe Metush Krasniqin, Kryetarin e Lëvizjes në Kosovë.” (Zëri, 28 mars – 4 prill 1992)
Jusufi i shkruan Sabri Novosellës më 14 prill 1981, se “Tash së fundi jam në kontakt edhe me një shok të grupit të Marksistë-leninistëve të Kosovës, të tubuar rreth organit të tyre “Liria”.
Kjo letra 14 prillit 1981 është shumë informative ashtu siç është edhe çdo germë e Jusufit e hedhur në letër. Pika e parë kjo tregon se kontakt me shkrim Jusufi merr me Sabri Novosellën pikërisht 16 muaj pas ndarjes së tyre më 14 dhjetor 1979 në Prishtinë.
Sabri Maxhuni – Novosella: “Ragip Hoxha ishte kryekonsull i Shqipërisë në Stamboll. Unë i prita shumë mirë. Ragipi kërkoi që të dalim dhe të bisedojnë më lirshëm. Dolëm. Ragipi më tregoi se ishte në dijeni për çdo gjë për mua, për rrugën time nëpër Shqipëri dhe porosinë që e kishte për të kontaktuar me mua. E falënderova për vizitën dhe kërkova nga Ragipi, nëse e kishte marrë adresën e Jusuf Gërvallës nga Gjermania, pasi që Ajet Haxhiu më kishte thënë ”që mos të dërgoja njerëz te Jusufi, sepse Jusufi është vendosur në një vend të sigurt dhe se lidhjen me Jusufin do ta siguronte përmes lidhjeve tona.“ (Rezistenca kosovare mes dy zjarresh, Prishtinë 2010, faqe 138)
Pika e dytë, kjo na tregon përafërsisht se kontakti me Kadri Zekën është vendosur tash së fundi (d.m.th. pas 11 marsit dhe si pasojë direkte e ngjarjeve në Prishtinë nga 11 marsi e më tutje dhe jo si pasojë e daljes së revistës Lajmëtari i lirisë apo Liria, siç kam menduar unë më 1992, nga shkaku se më 1992 nuk i kam pasur në dorë të gjitha faktet e Jusufit sikur më 2010).
Fjalia ime nga viti 1992
Xhafer Durmishi: “Në tetor 1980, dy muaj pas numrit të parë të “Lajmëtarit të lirisë” filloi dalja e revistës “Liria”, organ i Marksistë-Leninistëve të Kosovës, që pati si rrjedhim edhe njohjen e Kadri Zekës me Jusuf Gërvallën.” (Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, Tiranë 1997, f. 327)
– në dritën e letrës së Jusufit del e gabuar. Unë kam menduar se Jusufi me Kadriun janë takuar shumë më herët se sa takimi e njohja e tyre në të vërtetë. Jo revistat por është 11 marsi ai që ka ndikua në njohjen e Jusufit me Kadri Zekën.
Jusufi me ndihmën e Bardhit del në skenë menjëherë qysh në janar 1980.
Letra e Jusufit e 14 prillit 1981 vërteton kohën e rivendosjes së kontaktit të Jusufit me Sabri Novosellën, pastaj kohën shumë të përafërt të vendosjes së kontaktit me Kadri Zekën. Kjo letër vërteton edhe kohën e sidomos mënyrën e vendosjes së kontaktit të Jusufit me Ibrahim Kelmendin. Ja se çka thuhet në te:
Jusuf Gërvalla: “Në fillim të qëndrimit tim këtu, më ofroi bashkëpunim me gazetën “Bashkimi”, organ i Frontit te Kuq Popullor, njëri nga bashkëpunëtorët e saj. Meqë gazeta edhe më parë shkonte në popull, madje në një gjendje të keqe, unë e pashë të udhës dhe të lejueshme dhe bashkëpunova me të në disa numra (të cilët po t’i dërgoj menjëherë – te artikujt e shkruar prej meje po e vë nga një shenjë).”(Letër Sabri Novosellës, 14 prill 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 259)
Nga 8 faqet e botuara të Ditarit të Jusufit, ku përshkruhen ngjarjet e një muaji, pra nga 14 dhjetori 1979 deri më 14 janar 1980, askund nuk përmendet Ibrahim Kelmendi, çka do të thotë se rreshtat e mëposhtëm janë falsifikime e shpikje të shokut të mirë të Sadik Blakajt:
I. Kelmendi: (Fjalë të atribuara Bardhoshit):” – Mezi ia doli të arratisej vëllai, Jusufi. Isha ta ndihmoja për të hyrë ilegalisht në Austri. Ai dëshiron të të takojë sa më parë.” (Atentatet, faqe 9)
I. Kelmendi me fjalitë e mësipërme ka dashtë me thënë se është Jusufi ai që e ka kërkuar atë në radhë të parë dhe jo ai Jusufin. Kush e ka thirrur kend në telefon na del si çështje shumë më e rëndësishme siç do ta shohim në shtjellimet tjera të kësaj teme. Por ai (I. K.) thelbin e fjalisë së lartë e shkatërron dhe prapë se prapë e zbulon dhe e demanton veten duke thënë se është ai që iu ka afruar Jusufit së pari me shpresë se do të pranoj me ia redaktua gazetën.
I. Kelmendi: ” – Jusuf Gërvalla, i thonë. Tani do të më ndihmojë ta përsosë drejtshkrimin e shqipes dhe do të m’i korrigjojë shkrimet për gazetën Bashkimi. Shpresoj se do të pranojë edhe ta redaktojë gazetën. (Atentatet, f.11)
Në fillim të shkurtit 1980 Jusufi i përvishet punës dhe e ndihmon revistën Bashkimi, organ i Frontit të Kuq, pa e ditur dhe pa dyshuar se Fronti i Kuq është emërtuar dhe bashkëthemeluar nga UDB-a. Pas mesit të dhjetorit 1980, për këtë çështje ai ka dyshime aq të forta dhe në mënyrë të njëanshme i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me I. Kelmendin.
Pa u largua nga tema, dua të them se Jusufin, përmes Bardhit ka qenë më lehtë me e gjetur sepse Jusufi me gazetën Bashkimi ka dalë në skenë menjëherë. Kadri Zeka ka qenë në Zvicër prej prillit 1978 dhe atij ka mundur t’i interesoi se çka është çështja e revistës Bashkimi dhe puna e Frontit të Kuq. Në sondazhet e tyre Hydajet Hyseni, herët e ka gjetur Ibrahim Kelmendin por jo edhe Jusufin. Arsyeja është tepër e thjesht. Ata nuk janë mërzit për Frontin e Kuq pasi kanë qenë të preokupuar me përgatitjen e Frontit të tyre të madh popullor.
Selatin Novosella: “Duke folur për rrethanat e kohës dhe përpjekjet organizatave të ndryshme të bënin një bashkim veprues, Sabri Novosella, po në këtë numër të gazetës së cituar (Drita, Malmö, nr.10/1997-shën i Xh. D.), shton: “Ne shumë shpejt vumë kontakte të rregullta me Jusuf Gërvallën, i cili tashmë, bashkë me të vëllanë Bardhoshin, dhe të shoqen Suzanën, e kishin formuar Degën e Lëvizjes në Gjermani.” (Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 139)
Jusuf Gërvalla: “Dhe kështu, për kaq kohë sa njihemi – e nuk është pak po më se dhjetë muaj – ne të shumtën i kemi rënë kush thumbit e kush patkoit. Mendoj se kjo e ka arsyen e vet objektive. Ti ke njerëzit e tu, me të cilët, sipas mendjes sime, ke vështërsi në realizimin e kontakteve për shkak të largësisë. Kam përshtypjen se, pos kësaj, edhe me ta ke mospajtime dhe sygjerime e urdhrave të tyre s’të fle në hatër tu përmbahesh gjithmonë. Unë nga ana tjetër i kam humbur të gjitha lidhjet me njerëzit e mi dhe për çdo hap që bëj kam stërngarkime, sepse nuk e di në mos bej gjësend, që nuk përputhet me luftën aktuale, që bëjnë ata në vendlindje. Kjo është një tragjedi vetvetiu. Kurse tragjedia tjetër është se edhe unë edhe ti, në këto kushte, ndiejmë pasiguri në një pikë: kë përfaqësojmë…” (Letër I. Kelmendit, nëntor 1980; Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010 faqe 281-283)
Selatin Novosella:” …Sabri Novosella, po në këtë numër të gazetës së cituar (Drita, Malmö, nr.10/1997-shën i Xh. D.), shton: “Ne shumë shpejt vumë kontakte të rregullta me Jusuf Gërvallën…” (Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 139)
Bardhosh Gërvalla: “Herrn Nijazi Saracoglu, Mahmut Pasa Çadesi 82, TR-ISTAMBUL, Türkei
I dashur Shoku Nijazi, dje, pasi e mora lidhjen telefonike me ju, isha shumë i gëzuar, sepse kanë kaluar më se 15 muaj që po presim ndonjë lajm nga shoku Bashkim Prishtina (Sabri Novosella-shën i Xh. D.), për të cilin ju mund ta dini rastësisht se ku po qëndron. Jusufi, vëllau im para dy ditësh ka shkuar në veri të Gjermanisë tek një nip i yni, kështu që ai nuk mund t`ju shkruan edhe 6 ditë deri sa të kthehet prapë këndej.
… Me Shabanin (Shaban Yldrim, Bayerstr. 5, 8000 Munchen – shën i Xh. D.) u njohëm para dy javësh në panairin e artizanatit, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Ai edhe na dha adresën dhe telefonin tuaj. … Kishte me qenë mirë sikur edhe Bashkimi të na shkruajë sa më parë. Në fund po iu përshëndes ju me gjithë familjen dhe dashamirët tuaj. Bardhosh Gërvalla, Habichthöhe 40 D-7101, Untergruppenbach, W. Germany, Tel. qyteti Ludwigsburg 7141/26091″ (U botua për herë të parë nga Faridin Tafallari si pjesë e shkrimit “Kur Jusuf Gërvalla shkruante” në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011)
Selatin Novosella:” …Sabri Novosella, po në këtë numër të gazetës së cituar (Drita, Malmö, nr.10/1997-shën i Xh. D.), shton: “Ne shumë shpejt vumë kontakte të rregullta me Jusuf Gërvallën…” (Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 139)
Jusuf Gërvalla: “Gjëja më e rëndësishme lidhur me “Lajmëtarin” është se, duke qenë krejt i vetmuar, nuk e mora dot guximin ta emëroja atë si organ të LNÇKVSH. Kjo është e vetmja arsye pse në të nuk flitet e brohoritet në emër të Lëvizjes sonë. Mjafton ta përmend faktin se dy materialet e Lëvizjes, që i botova në numrin 3, i lëshova me njëqind druajtje, ngase nuk isha në gjendje të gjykoja vetë dhe të fitoj bindjen e plotë se a bëja mirë apo keq.” (Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981)
Për mua do të ishte sa absurde aq edhe qesharake sikur t’i fajësoja përfaqësuesit e OMLK-së se pse nuk kanë marrë kontakt më herët me Jusufin, kur vetë si me thënë eprori i Jusufit në Organizatë, Sabri Novosella, nuk është në gjendje ta bëjë atë punë për 16 muaj të plotë. Ajo çka deshta të them është se “faji” për marrjen e kontaktit kaq të vonë me Jusufin, qoftë me Sabri Novosellën qoftë me Kadri Zekën nuk është i Jusufit.
Në dritën e këtyre fakteve, shtrembërimet në fjalinë e mëposhtme të Sabri Novosellës na dalin edhe më të qarta:
Sabri Novosella: “Në Evropë kishin marrë kontakt Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka dhe menjëherë kishin shtruar çështjen e bashkimit të organizatave ekzistuese.”
Ta analizojmë pak këtë fjali të vetme. Në te është përdorë fjala menjëherë. Kjo fjala menjëherë në këtë rast vepron dhe krijon iluzione në dy drejtime edhe nëse qëllimi i autorit, në rastin më të mirë, ka qenë që ajo të ketë vetëm një kuptim. E vërteta është se:
-Në Evropë, Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka nuk janë takuar menjëherë,
-Pas takimit, Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka nuk e kanë shtruar çështjen e bashkimit të organizatave menjëherë.
Pas takimit me Jusufin, Kadri Zeka menjëherë i kërkon ndihmë Jusufit për përgatitjen e nxjerrjen e Lirisë, dhe Jusufi i jep menjëherë çdo ndihmë, ashtu siç i kishte ndihmuar Ibrahim Kelmendit gjatë vitit 1980. Dhe në këtë kohë Jusufi menjëherë e ndërprenë Lajmëtarin e lirisë. Si pasojë e ndihmës së pakursyer të Jusufit dhe bujarisë e zemërgjerësisë së tij, Kadri Zeka dhe shokët e tij nuk kanë as arsyen më të vogël me qenë të pakënaqur apo me u ngutë e me fillua menjëherë bisedime për bashkim.
5. Bashkëpunim apo ndihmë e njëanshme për OMLK-në
Hydajet Hyseni: “Si rezultat, me propozim të Jusuf Gërvallës, u ndërpre botimi i gazetës Lajmëtari i lirisë dhe vazhdoi të dalë Liria si botim i përbashkët i OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së”, i përgatitur bashkarisht dhe me një teknikë tjetër.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 290)
Puna e Jusufit në revistën Liria nuk mund të quhet bashkëpunim i Jusufit me Kadri Zekën e OMLK-në, pasi revista Liria nuk ka qenë projekt i përbashkët i Jusufit dhe Kadriut, por vetëm punë, projekt dhe pronë e OMLK-së dhe që Jusufi kurrë nuk ka pretendua e as ushqye vehten me ëndrra që ta ketë hisen e vetë në te. Në këtë kuptim puna e Jusufit duhet të quhet ashtu siç e ka emrin e vërtetë; ndihmë e njëanshme për OMLK-në.
Puna e përbashkët për organizimin e demonstratave e Jusufit dhe Kadri Zekës mund të quhet bashkëpunim i tyre, bashkëpunim i OMLK-së me LNÇKVSHJ-në, pasi demonstratat nuk janë bërë për hir të asnjërës organizatë, por për hir të luftës së popullit në Kosovë.
Jusuf Gërvalla: “Me një shok (Kadri Zekën – shën i Xh. D.) të “Lirisë” organizuam në Zvicër dhe në RFGJ katër demonstrata të punëtorëve kosovarë në botën e jashtme, dhe jemi në prag të organizimit të demonstratës së pestë. Duheshin shkrime, trakte dhe fjalime, pastaj, duhej një vrap i madh për tubimin e njerëzve. Demonstrata e parë u mbajt më 11 prill në Bern të Zvicrës, e dyta më 18 prill në Cyrih të Zvicrës, kurse e treta dhe e katërta në Shtutgart e Dyseldorf të RF Gjermane, me 25 prill, përkatësisht më 9 maj.” (Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 261-262)
Se Jusufi nuk ka kurrfarë bashkëpunimi me I. Kelmendin në këtë kohë e në organizimin e demonstratave, është punë që është vërtetuar. Se si kanë bashkëpunuar në këtë periudhë Kadri Zeka me shokun e të mëvonshëm të organizatës Ibrahim Kelmendin është çështje që nuk më takon mua ta them.
Në letrën e 13 majit 1981, Jusufi i raporton Sabri Novosellës për Grupin e Riza Salihut e për Frontin e Kuq. Për Grupin e Marksistë-leninistëve të Kosovës ai ka konsiderata krejtësisht tjera:
Jusuf Gërvalla: “I tillë nuk është as në shkrime as në pikëpamje të organizimit grupi i Marksistë-leninistëve të Kosovës, të bashkuar rreth organit të tyre “Liria”. Përkundrazi ata, jo vetëm që luftojnë si ne për bashkimin e domosdoshëm me vendin amë, por, sa kam mundur të konkludoj nga kontaktet e mia me njeriun (Kadri Zekën – shën i Xh. D.) e tyre, janë edhe shumë të pjekur dhe organizatorë të zotët.” (Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 265-266)
Kadri Rexha. “Jusuf Gërvalla shihte në horizont bashkimin e domosdoshëm të forcave të organizuara patriotike dhe revolucionare, që vinte si nevojë e frontit të luftës së organizuar në kushte të reja, si nevojë e lëvizjes së masave të gjëra, si nevojë e rezistencës dhe e veprimit aktiv të popullit tonë. Prandaj duke e ndërprerë botimin e revistës (Lajmëtari i lirisë – shën i Xh. D.) Jusuf Gërvalla në këtë drejtim po i jepte shenjat e para të bashkimit. Kontributi i Jusuf Gërvallës në botimin e revistës ”Liria” u shpreh në hartimin e materialeve origjinale, në përpunimin dhe redaktimin e materialeve të ndryshme, në lekturë, në daktilografimin e materialeve, në përgatitjen teknike, në përkujdesjen artistike, në botimin definitiv të revistës si dhe më në fund, në propagandimin dhe shpërndarjen e saj. Nga ky bashkëpunim i frytshëm kanë dalë në dritë nr.3 dhe nr.4-5 i revistës ”Liria”. (Fati i Luleve, faqe 199)
Numri i tretë i “Lirisë”, doli në maj 1981, nën mbikëqyrjen teknike të Jusufit, i cili e radhiti dhe bëri të gjithë punën grafike e teknike për nxjerrjen e numrit të tretë. Jusufi, si çdo mendimtar serioz dhe me cilësi të lartë vazhdimisht ka shkruar dhe gjithnjë ka pasur një varg artikujsh të gatshëm. Në këtë pikë ai nuk i ka thënë Kadri Zekës se këtë apo atë shkrim e kam për ty, por ia ka treguar Kadriut të gjitha shkrimet e gatshme për momentin, e në mesin e të cilave Kadriu vetë i ka zgjedhë ato që i janë dukur më të mirat. Për numrin 3 të Lirisë, Kadriu prej shkrimeve të Jusufit i ka zgjedhë:
1. Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u bë nën hijen e tankeve
2. Kosovë sa hije të ka xhamadani i trimërisë!
Jusufi gjithashtu organizoi dërgimin e këtij numri në Kosovë, duke e angazhuar për këtë punë shokun e vetë të ngushtë Haxhi Berishën nga Prapaqani, i cili ka futur me mijëra ekzemplarë të këtij numri në Kosovën e mbushur me forca të mëdha ushtarake e me atmosferën e orës policore. Për futjen e numrit të 3 të Lirisë në Kosovë ka kontribuar edhe Kadri Zeka. Për kryerjen me sukses të kësaj rruge ai e ka nisë shokun e vetë Qamil Isufin me pasaportë në xhep, kuptohet me pasaportë revizioniste dhe jo pasaportë proletare ashtu siç i këndon Vladimir Majakovski. Tmerrin dhe vuajtjet e udhëtimeve me pasaportë revizioniste vetëm një komunist i vërtet mundet me i përshkrua. Qamil Isufi shkon për ta organizuar pranimin e Lirisë në Kosovë.
6. I kam dhënë vetes të drejtë
Jusuf Gërvalla: “Tani më lejo të dalim te një nga çështjet më të rëndësishme për momentin aktual, pra, te çështja e bashkimit të vërtetë të të gjitha forcave të mbara revolucionare. Unë, kohën e fundit, me qëllim të mirë, i kam dhënë vetes të drejtë të të dekonspiroj ty tek një person, te ai shoku (Kadri Zeka – shën i Xh. D.) i “Lirisë”, me të cilin kemi bashkëpunuar qe disa kohë. (Letër Sabri Novosellës, 16 qershor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 270)
Nga rreshtat e mësipërm duket përpikmëria e Jusufit. Ai i tregon Kadri Zekës për Novosellën, pasi ritmi i punëve dhe çështjet e bashkimit të vërtetë e kërkojnë këtë. Por ai nuk harron aspak dhe menjëherë e njofton Sabriun se e ka bërë këtë dhe për çfarë qëllimi e ka bërë. Në këtë çështje Jusufi asgjë nuk ia lenë harresës.
7. Dy degë të të njëjtit trung
Jusuf Gërvalla: “Ai, duke nxjerrë konkludime nga puna e Organizatës së tij dhe nga ajo e LNÇK, sidomos nga organi ynë “Zëri i Kosovës”, ka ardhur në këtë përfundim: sipas të gjitha gjasave, edhe LNÇKVSH edhe Marksistë-leninistët e Kosovës janë dy degë të të njëjtit trung. Një patriot revolucionar, i cili prej kohësh qenka në burg (ai thotë se nuk është fjala për Ademin, por për dikë tjetër), qenka përgjegjës për ndërprerjen e kontakteve mes anëtarëve të vjetër të organizatës së hershme me anëtarët e krahut të ri të kësaj organizate. Kështu që, pjesa e vjetër e asaj organizate (të përbashkët) ka ndjekur një rrugë të caktuar dhe sot ka arritur deri te emri Marksistë-leninistët e Kosovës, kurse krahu i ri, duke mos marrë kontakt me kohë me anëtarët e vjetër, qenka zhvilluar në Lëvizjen e sotme Nacionalçlirimtare të Kosovës. Për këto konkludime ai merr për bazë pikërisht organin “Zëri i Kosovës”, të cilin Marksistë-leninistët e paskan pasur gjithashtu organ të vetin për një kohë të gjatë (sidomos që nga viti 1974, thotë ai, paskan dalë disa numra të këtij organi). Në rast të tillë, sipas mendimit të tij, bashkimi i organizatave tona jo vetëm që nuk është i vështirë, por është puna më e natyrshme.“ (Letër Sabri Novosellës, 16 qershor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 270-271)
Hydajet Hyseni: “Qysh në bisedën e parë që kishte zgjatur gjithë natën deri në mëngjes, ata jo vetëm kishin gjetur te njëri tjetri shokun e ardhshëm të kauzës e idealit, por edhe kishin konstatuar se në të vërtetë organizatat që përfaqësonin ata vepronin mbi bazë të së njëjtës platformë politike, dhe se ishin degë të shkëputura të të njejtës rrënjë.“ (Për takimin e parë të Kadri Zekës me Vëllezërit Gërvalla.) (“Therror në themelet e Bashkimit”, fejton në 8 vazhdime në Zëri, 21 shkurt-2 mars 2002, i ribotuar edhe në përmbledhjen e Rasim Selmanajt, Heroi me Kitarë, Prishtinë 2007, f. 28)
Mehmet Hajrizi: “… por Partia Komuniste në të RUANTE ROLIN HEGJEMON ” (Histori e një Organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f. 97)
VIJON …
_____________________–
KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (2)
Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 24. 04. 2023