REXHEP KASUMAJ: FARSA E KUVENDIMIT!

Berlin, 07. 12. 2015: Ka një kohë për gjithçka, thotë Bibla, po përse nuk e marrin vesh këtë mësim të vjetër regjimtarët e fortifikuar të Prishtinës? Jo, jo. Ata çuditërisht as nuk duan e as nuk dijnë. Janë obskurë e të trëmbur si askush. I tmerron alternimi rregullar dhe përballja me statusin e qytetarit të lirë…
Ndaj dhe, duke keqlexuar Sekretarin Kerry, të pajisur shprese se janë favorizuar pozicionalisht, bëjnë ftesën bajate për dialog!
Dhe ndërsa qëllimmirët (Meta i Tiranës) nuk posedojnë asgjë pos hirit të fismë, hipokritët (Hashim e Isa), nga ana e tyre, kanë hedhur një kartë të ligë në qarkullim: arnimin e imazhit të rrugëdalësit nga nyja e krijuar vetë.
Si rrëfen historia politike, çdo negociatë nënkupton një përafrim palësh drejt qendrës pajtimore! Aherë: meqë opozita refuzon në plotni dy Marrëveshjet, për “Zajednicë” e “Demarkacion”, ç’kuptim do të kishte një kuvendim i tillë. Dhe mbi ç’premisë?

Ndoshta Premieri nuk pret thyerjen e vështirë opozitës por, pas syzimit me të, këtë kuvendtarin e zott e sugjestiv, së paku, tërheqjen pjesore të saj. Arritja e këtij caku të shenjuar do ti nënshtronte pastaj gjithçka së njëjtës logjikë, formulë e pikëfillesë: tregtimi i tokave dhe interesit kombëtar. Mbase Statusi i ”Zajednicës” do pudrosej mashtrueshëm, si nuset e pabukura, ndërkohë që për “Demarkacionin” do të rihapej tregtimi, jo për ti kthyer, po për të matur prapë kuotën e hektarëve që i falen Malit të Zi: 10.000, 5000, 7000…apo sa?!
Dhe titullarët do festonin saturnalisht, i madh e i vogël, fitoren shkëlqimtare. Belgradi poashtu, madje pa fshehur gëzimin e triumfit historik, si do të shprehej shefi i diplomacisë serbiane tek rezymonte punën njëvjetore të qeverisë. E kundërshtarët e Serbisë që përceptohen natyrshëm dhe si armiqë të klikës lokale vetë: edhe do mposhten edhe do poshtërohen. E bashkë me ta dhe kauza e shtetit që lëkundet ecjesh si një fëmijë i retarduar…
Kuvendimi, i zbardhur kështu, vërtetë s’ka si të mos jetë një farsë për moralin dhe i pamundshëm për të drejtën!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura