(Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së tij)
FJALA PËR ADEM DEMAÇIN MBAJTUR NË TUBIMIN E SHOQËRISË LËVIZJA

Nga Emrush Xhemajli
Krahas punës legale që Adem Demaçi ka bërë gjatë viteve nëntëdhjeta, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dhe më vonë në Partinë Parlamentare, Ai mbajti lidhje ilegale në fshetësi me Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe përmes saj me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës derisa u bë hapur Perfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së.
I.
Kontributi i Adem Demaçit ka qenë i jashtëzakonshëm për bashkimin, unitetin dhe kontinuitetin e Lëvizjes Popullore të Kosovës në mbledhjet përgatitore të gushtit të verës së vitit 1991 për Mbledhjen e III-të të Përgjithshme të LPK-së që u mbajt më vonë, 3/4 tetor, në Ujmir të Klinës.
II.
Më 10 Gusht 1992 në Lucern të Zvicrës është mbajtur mbledhja e Kryesisë së LPK-së në të cilën morën pjesë Adem Demaçi, Ahmet Haxhiu, Fazli Veliu, Gafurr Elshani, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe unë, Emrush Xhemajli. Në atë mbledhje u diskutua vetëm një pikë. Lufta e armatosur e popullit të robëruar shqiptar. Po citoj ate që tha Adem Demaçi në fillim të takimit: “Shumë shpejt do të vijë para nesh e do të shtrohet detyra, e luftës së armatosur…., populli do të kërkojë që të luftojë…” dhe dha një varg idesh dhe orientimesh për Kryesinë e LPK-së lidhur me përgatitjen e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Pra, po bëhet fjalë për vitin 1992, për fillimin e procesit të formimit të UÇK-së.
III.
Takimi dhe aktiviteti më mbresëlënës me Adem Demaçin ka qenë gjatë luftës.
Ndodhi më 20 dhjetor 1998 në vendqëndrimin e Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtre të Kosovës në Jabllanicë të Gjakovës. Me disa ushtarë unë isha në të zbritur nga kodra me lisa të gjatë të Jabllanicës (aty ku sot janë varrezat e dëshmorëve), Shof tek ngjitet dikush kodrës përpjetë. Nuk po më besohej. Ai ishte Adem Demaçi. Befasia nuk kishte qenë vetëm imja. “Eu…po t’i këtu?” ishte fjalën e parë që e tha Adem Demaçi ende pa u përshëndetur nga habia për vendin dhe rrethanat e takimit. Me Bacën ishim mësuar të shifeshim vetëm në mbledhjet ilegale, në takime e tubime të pajisur me libra, fletore lapsa e kompjuterë, tani po takoheshim me uniforma e armë. Me gëzim e mall u përshëndetëm me te dhe me Skender Kastratin që e shoqeronte atë. Adem Demaçi ishte nisur për te Shtabi i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së në cilësinë e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politikë të saj.
Unë shmanga një nga ushtarët që kisha me vete dhe i thash të shpejtojë para neve dhe të lajmëroi në Shtab për ardhjen e Adem Demaçit dhe të merren masa për pritje.
Rrugën e kaluam shpejt. Kur mbërritëm në hyrje të vendqëndrimit të Shtabit, Maliq Ndreca, Komandanti i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, kishte rreshtuar një togë nderi me ushtarë. Ata qëndronin të disiplinuar e krenar për udhëheqësin e tyre të cilin e njihnin të gjithë. Planet që bënim shumë vite më herët për ngritjen e ushtrisë ishin bërë realitet. Adem Demaçi po parakalonte një nga rreshtat e Ushtrisë sonë Çlirimtare.
Në Shtab ishte Zv. Komandanti i Zonës Nazmi Brahimaj. Komandanti Ramush Haradinaj atë ditë ishte në inspektim në një rajon tjetër të Zonës.
Adem Demaçi na njoftoi se për pak kohë këtu do të jetë edhe zyrtari i misionit verifikues i OSBE-së, z. Shën Bërns me shoqëruesit me të cilët u mbajt një takim i përbashkët në Shtabin e Zonës së Dukagjinit.
Gjatë qëndrimit në Zonë Adem Demaçi u interesua për gjendjen e Ushtrisë, për zhvillimet në terren, luftimet. Adem Demaçi ishte i impresionuar me zhvillimin e UÇK-së në këtë zonë dhe shprehu pikëllim për dëshmorët e rënë. Adem Demaçi me këtë rast vizitoi të plagosurit e betejave të fundit. Në veçanti u ndalë dhe bisedoi me të plagosurin Agron Rama, komandant i Brigadës 134 “Bedri Shala”. Dyzet ditë më vonë Agroni do të vritet në një pritë të forcave serbe derisa po shkonte për shërim në Republikën e Shqipërisë.
Kujtimi për Adem Demaçin do të rrojë në jetë të jetëve. Ai është pjesë e qenjes sonë dhe gjeneratave që do të vijnë.
Lavdi.
(Pjesë e fjalës së mbajtur më 1 mars 2026 në Zvicër, në tubimin e Shoqërisë Lëvizja, mbajtur me rastin e 90 vjetorit të lindjes se Adem Demaçit)
——-

Në foton e parë: pamje nga mbledhja e 10 gushtit 1992.


Në foton e dytë dhe të tretë: pamje nga takimi në Shtabin e Zonës Operative të Dukagjinit i zyrtarit të misionit verifikues të OSBE-së, z. Shën Bërns i Përfaqësuesit të Përgjithshëm politik të UÇK-së dhe pjestarëve të Shtabit të Zonës së Dukagjinit, zëvendëskomandantit të Zonës Nazmi Brahimajt dhe Ndihmëskomandatit për Personel dhe administratë, Emrush Xhemajlit.
===========================
EMRUSH XHEMAJLI: ADEM DEMAÇI DHE LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS 1)
***
HISTORIKU I LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS (LPK’së), BOTUAR NË GAZETËN ‘ZËRI I KOSOVËS’, NË 20 VJETORIN E THEMELIMIT /NGA EMRUSH XHEMAJLI/
***
EMRUSH XHEMAJLI: RILIND BYTYÇI – HISTORI E NJË PERSONALITETI TË JASHTËZAKONSHËM
***
EMRUSH XHEMAJLI UDHËHEQËSI I MADH I LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS
https://pashtriku.org/emrush-xhemajli-udheheqesi-i-madh-i-levizjes-popullore-te-kosoves/
© Pashtriku.org