KOSOVA DHE QËNDRIMI NEBULOZ I FUQIVE PERËNDIMORE

????????????????????????????????????

KOSOVA DHE QËNDRIMI NEBULOZ I FUQIVE PERËNDIMORE

Nga Xhelal Zejneli

            Në pesë vjetët e fundit, Kosova është njohur vetëm prej katër shteteve. Që kur e shpalli pavarësinë, Kosovën e njohën 117 shtete të botës. Gati gjysma e tyre, pavarësinë e saj e njohën në vitin e parë të shpalljes së pavarësisë, në vitin 2008. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësinë e saj nuk e kanë njohur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Nga vendet, anëtare të BE-së, Kosovën s’e kanë njohur Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qiproja. Mosnjohjet e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, pranimin në organizatat ndërkombëtare etj.

            Njohjen e fundit Kosova e ka marrë nga Izraeli më 1 shkurt 2021. Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Tramp (Donald J. Trump). 

            Para Izraelit, gati tre vjet, Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet i botës. Përpos kësaj, ajo u ballafaqua me fushatën e Serbisë për çnjohje. Sipas Beogradit, njohjen e Kosovës e kanë tërhequr: Burundi, Gana, Ishujt Solomon, Liberia, Madagaskari, Republika e Afrikës Qendrore, Sierra-Leone, Surinami, Togo etj. Autoritetet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje. 

            Brenda 14 vjetëve të pavarësisë,, Kosova është anëtarësuar në disa organizata, si: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit, etj.    

Kosova ende nuk është anëtare e BE-së, e Këshillit të Evropës, e Organizatës Botërore të Tregtisë, e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) etj. 

*   *   *

            Pa angazhimin e ShBA-së Kosova as mund të njihet nga shtetet e tjera, as mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

            Sikundër shihet, procesi i njohjeve dhe i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare kanë ngecur. ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania duket sikur e kanë pezulluar angazhimin e tyre për të lobuar për njohjen e Kosovës nga vendet të cilat ende s’e kanë njohur apo për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

*   *   *

            Autoritetet e përtashme të Kosovës kanë të drejtë kushtetuese për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj. Kjo nuk është vetëm e drejtë, por edhe detyrim i tyre. Veprimet e autoriteteve të Kosovës për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës dhe për ta mbrojtur tërësinë tokësore të saj, jo rrallë has në kundërshtimin e Fuqive të Mëdha perëndimore.

            Kosova është shtet, shtet i pavarur dhe demokratik. Si e tillë, ajo ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë sovranitetin dhe tërësinë e tokave. Shtrohet pyetja: Fuqitë Perëndimore a janë për një Kosovë sovrane në kufijtë ekzistues, apo e kanë ndryshuar qëndrimin.

            Në qoftë se autoritetet e Kosovës nuk paskan të drejtë ta shtrijnë sovranitetin e vet në mbarë territorin e saj, atëherë shtrohet pyetja: Përse u bë lufta?! Po qe se autoritetet e Kosovës nuk kanë të drejtë ta mbrojnë dhe ta ruajnë integritetin territorial të saj, atëherë shtrohet pyetja: Përse u bë lufta?!

            Ku ka shtet në botë me dy valuta zyrtare, siç pretendojnë serbomëdhenjtë e Beogradit me dinarin serb?! Çka i mungon euros që nuk e njohin serbët?! 

            Për të arritur absurdi kulmin, BE-ja thotë: “Çështja e dialogut duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të Brukselit…” Turp!

            Tani i erdhi radha urës së Ibrit që e ndan Mitrovicën më dysh. Përsëri u prononcuan këta të BE-së, përkatësisht Fuqitë perëndimore, bashkë me ShBA-në. Ata thanë: “Hapja e urës së Ibrit për qarkullimin e mjeteve të transportit duhet të zgjidhte në kuadër të dialogut të Brukselit!” Turp, e dhimbshme!

Fuqitë perëndimore bëjnë çmos për t’ua bërë qejfin çetnikëve serbë të kryekriminelit Vuçiq i cili me bashkëpunëtorët e tij e ka vendin në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte dhe për gjenocidin të kryer në Kosovë në luftën e fundit.              

            Evropë, Amerikë! Kujt i pengon hapja e një ure dhe përse?! Urat i lidhin shpatet e maleve, i lidhin brigjet e lumenjve, i lidhin qytetet, fshatrat, zonat, rajonet. Urat dinë të lidhin edhe popuj, edhe kultura, edhe qytetërime. Urat janë edhe simbole të lidhjes së njerëzve. Për urat dhe rolin lidhës të tyre është dhënë edhe çmimi “Nobel”.

            S’ka shtet në botë me dy palë pasaportash, me dy palë targash të automjeteve. Fuqitë perëndimore – ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania duhej t’i kishin thënë Serbisë fashiste t’i japë fund sistemit paralel në veri të Kosovës. Ç’janë këta flamurë nëpër rrugët e qyteteve të veriut të Kosovës, ç’është ajo përmendore e car Llazarit e vendosur në kundërshti me ligjet e Kosovës. Ç’janë ato grafitë nëpër muret e ndërtesave të veriut, me përmbajtje antishqiptare dhe fashiste. Ç’është ai qëndrim antishqiptar dhe fashist i Kishës Ortodokse – fashiste – Serbe? Ç’është kjo politikë fashiste e Serbisë, e udhëhequr nga kryekrimineli Vuçiq dhe nga bashkëpunëtorët fashistë të tij.

            Përmendorja e heronjve çlirimtarë të Kosovës nuk mund të rinë bashkë me përmendoret e kriminelëve, pushtuesve, okupatorëve, vrasësve, kolonizuesve, çetnikëve, vojvodëve serbomëdhenj.

            Ç’është ai sistem paralel i arsimit të veri të Kosovës?! Historia e luftës çlirimtare të Kosovës nuk ri pranë historisë fashiste të pushtuesve serbë, të udhëhequr nga kriminelët, si: Sllobodan Millosheviqi, vojvodë Voisllav Shesheli, Tomisllav Nikoliqi, Voisllav Koshtunica, Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi, kryeministri i përtashëm Millosh Vuçeviq dhe epigonët e tyre si Aleksandar Vulini, Nenad Popoviqi, etj.        

            Si është e mundur që Fuqitë perëndimore ta tolerojnë fashizmin serbomadh?!

            Fuqitë perëndimore e s’e shohin vallë se serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat si në asnjë vend të BE-së?! Ç’kërkojnë vallë më shumë se kaq?!

            Aleatët perëndimorë të Kosovës – ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania e dënojnë Kosovën, edhe pse ajo ndjek politikë demokratike dhe properëndimore. Fuqitë perëndimore të sipërthëna, përfshi këtu edhe miken e Serbisë – Francën, e shpërblejnë Serbinë ndonëse e dinë saktë se ajo është shteti më destruktiv i rajonit të Ballkanit, është shtetet prorus, është përçuese e interesit rus në rajon, është satelite politike e Rusisë, ka aspirata territoriale ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, pse jo edhe Maqedonisë.

            Fuqitë perëndimore e tolerojnë dhe e mbështesin Serbinë, ndonëse ajo ndjek politikën e forcës, zhvillon luftë psikologjike, luftë speciale, përhap propagandë gebelsiane, armatoset, ka blerë armë prej Putinit, kohët e fundit ka blerë dhe vazhdon të blejë armë edhe prej shteteve perëndimore, si për shembull nga Franca. Më 15 korrik 2019 presidenti francez Emanyel Makron (Emmanuel Macron, 1977- ) vajti në Beograd për një vizitë dyditëshe. Më 29 gusht 2024 ai shkon në Beograd për së dyti brenda pesë vjetëve. Kosovën e anashkalon. Turp! Mëkat!

            Vitet e fundit vendet perëndimore, si: Gjermani, Franca, Austria, Italia, ShBA-ja investuan miliarda euro në Serbi. Me këto investime, perëndimorët e mbajnë gjallë regjimin fashist të kryekriminelit Aleksandar Vuçiq.

            Qëllimi i Fuqive perëndimore është ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e interesit apo nga sfera ruse e ndikimit. Prandaj pra e ledhatojnë atë. Por kjo ka një çmim, e ky çmim është sakrifikimi i Kosovës. Këtë çmim pra u dashka ta paguajë Kosova.

            Kosova i vë sanksione Rusisë për agresionin nda Ukrainës dhe ndëshkohet prej perëndimorëve. Serbia nuk i vë sanksione Rusisë për pushtimin e 30 për qind të territorit ukrainas. Përkundër kësaj, ajo shpërblehet, mbështetet, ledhatohet, saqë edhe lëvdohet.

            Çfarë politike kjo e perëndimorëve?! Me vite të tëra u lodhëm duke i quajtur aletë dhe miq të përjetshëm. E konsiderojmë veten popull më proamerikan në botë. Serbët nëpër pyetësorë sot e kësaj dite figurojnë si një ndër popujt më antiamerikan. Kosova ndëshkohet, ndërsa Serbia shpërblehet. Çfarë paradoksi! E dhimbshme!     

*   *   *

            A thua Fuqitë perëndimore – ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj Kosovës.

            S’ka se si të mos shtrohet pyetja: Cili është qëndrimi i Tiranës zyrtare në këtë mes?!

            Tirana zyrtare, përfshi edhe opozitën politike të Shqipërisë, nuk duhet ta mbështesin politikën proserbe të Fuqive perëndimore. Tirana zyrtare dhe opozita politike e Shqipërisë duhet t’ia bëjnë me dije Amerikës se nuk do ta mbështesin kurrë një politikë proserbe të Fuqive perëndimore.

            Serbia del fituese në të katër anët. E çon mirë me Putinin, me Pekinin, me të ashtuquajturën Botë e tretë apo me vendet e painkuadruara të kohës së Josip Brozit, me vendet arabe, me aleaten “historike” – Francën, tani edhe me Uashingtonin dhe fuqitë e tjera perëndimore. Vuçiqi, ky mashtrues planetar, hiqet politikan i madh. Edhe patriot, edhe serb i madh, edhe nacionalist, ultranacionalist, demokrat, luftëtar i paqes gjithmonë i gatshëm për luftë, prorus, proukrainas, prokinez, proarab, proizraelit, proevropian.

*   *   *

Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, mbiemri i vajzërisë, Kasner, 1954- ) ishte kancelarë e Gjermanisë në vitet 2005-2021. E kanë quajtur “kancelarë e kohës së krizës”. Gjatë qeverisjes 16-vjeçare të saj, puna e Kosovës nuk u mbyll. Ajo e furnizonte Gjermaninë me naftën dhe gazin rus me çmime të volitshme dhe ishte e afërt me Vlladimir Putinin. Duke qenë e afërt me të, nuk kishte si ta mbyllte punën e Kosovës ashtu si e kërkonte drejtësia historike. Në kohën e qeverisjes së saj, çështja e Kosovës nuk lëvizi fare nga vendi. 

Presidenti amerikan Barak Obama (1961- )e udhëhoqi ShBA-në në vitet 2009-2017. Sekretare e shtetit në vitet 2009-2013 ishte Hilari Klinton (Hillary Diane Rodham Clinton, 1947- ).Në kohën e presidencës së Obamës çështja e Kosovës nuk lëvizi asnjë hap para.

            Donald Tramp (Donald J. Trump, 1946- ) ishte në krye të Amerikës në vitet 2017-2021. Në kohën e presidencës së tij Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Ajo u nënshkruar më 4 shtator 2020 në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në prani të presidentit Tramp. Kjo marrëveshje joreale kurrë nuk u realizua.

            Që nga viti 2021 në krye të Amerikës ndodhet presidenti i përtashëm Xho Bajden (Joseph Robinette Biden Jr., 1942- ). Brenda pak kohëve, mandati i tij presidencial do të mbyllet. Gjatë mandatit të tij çështja e Kosovës nuk u mbyll.

            S’ka dyshim se Merkeli, Obama, Trampi dhe Bajdeni e kanë mbrojtur Kosovën nga ndonjë agresion eventual të Serbisë, por këta nuk kanë bërë diç më shumë për ta mbyllur çështjen e Kosovës njëherë e mirë.

            Bie në sy se ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që Kosova nuk është në krye të agjendës së Fuqive perëndimore – Uashingtoni, Londrës, Berlinit dhe Parisit. Kuptohet, në botë nuk është vetëm problemi i Kosovës. Ka edhe shumë probleme të tjera.

            Shqiptarët duhet të mendojnë në mos edhe vetë janë fajtorë për zvarritjen dhe prolongimin e zgjidhjes së “çështjes” së Kosovës.  

*   *   *

            S’ka dyshim se çështja e Kosovës është çështje amerikane. Megjithëkëtë, duket sikur këtë çështje ShBA-ja ua ka besuar Gjermanisë dhe Francës. Duket sikur Berlini anon nga Kosova, ndërsa Parisi – nga Serbia. Më e drejtë është të mendohet se këto dy fuqi të kontinentit kërkojnë për Kosovën një zgjidhje “racionale”. Ato kërkojnë një zgjidhje në kuadër të simetrisë së interesave kundërthënëse historike të tyre.

            Punën e Kosovës Moska synon ta paraqesë si një problem gjeopolitik ku cenohen interesat e saj në Ballkan. Sipas saj, në Kosovë ndeshen interesat strategjike dhe gjeopolitike ruso-amerikane. Rrjedhimisht, në zgjidhjen e “çështjes” së Kosovës u dashka të pyetet edhe Moska, të përfillet edhe interesi rus.

            Nuk ekziston çështje e Kosovës. Këtë tentoi ta bënte çështje Vuçiqi, i mbështetur fuqimisht nga Moska. Përfaqësuesit e Kosovës në dialogun e Brukselit takohen, jo me Vuçiqin, por me Putinin. Putini e sugjeron Vuçiqin dhe i thotë: “Shkel sa më fortë dhe mos lësho pe se unë qëndroj pas Serbisë!”  

            Serbia nuk humb shumë nga zvarritja e anëtarësimit në BE për arsye se perëndimorët vazhdimisht e ushqejnë me ndihma financiare dhe me investime. Kosova ndërkaq nuk e ka përkujdesjen e duhur të perëndimorëve. Është e dhimbshme të thuhet se sot e tutje nuk dihet dot se aletë të kujt janë fuqitë perëndimore, të Kosovës demokratike apo të Serbisë totalitariste, tiranike, autokratike, autoritare, bizantine, diktatoriale, antidemokratike, antihistorike!

            Rrogat dhe pensionet në Kosovë janë skajshëm të ulëta. A e çojnë mendjen ndonjëherë  presidenti francez Emanyel Makron (1977- ) dhe kancelari gjerman Olaf Sholc (Olaf Scholz, 1958- ) se si jeton ai popull me ato paga dhe pensione të ulëta?!

            Shqiptarët, në një anë ankohen se s’kanë, kurse në anën tjetër nuk i lënë shpenzimet e tepërta: Dasmat e kushtueshme të përcjella me muzika të kushtueshme, synetimet e kushtueshme, netët e beqarisë, netët e kanës, ceremonitë fetare të kushtueshme, vajtjet në pelegrinazh, organizimi i party-ve, mbrëmjet e kushtueshme të maturës, vajtjet nëpër dete në vende ezoterike, ndonëse detet i kanë jo fort larg derës, veturat e shtrenjta, veshjet e kushtueshme me rastin e ceremonive të ndryshme.

Në anën tjetër, në shumë vise shqiptare shkollat s’kanë as kushte themelore për zhvillimin normal të procesit mësimor. Spitalet nuk janë të pajisura me mjete teknike mjekësore bashkëkohore. Përmbytja e rrugëve nga reshjet dhe vërshimi i kanalizimeve. Shtëpi dy-trekatëshe rinë të mbyllura për arsye se pronarët e tyre ndodhen në Gjermani dhe gjetkë. Me arsim jocilësor nuk shkohet para. Me vendin e tretë në botë – nga fundi, në testin PISA, ti je larg lirisë.                                   

*   *   *

            Fuqitë e Mëdha të Evropës janë të njohura për dëmtimin e interesave jetike të shqiptarëve. Për shembull Kongresi i Berlinit (1878) mori vendime që cungonin vise të banuara nga popullsi shqiptare në dobi të shteteve fqinje. Serbia merrte disa toka me popullsi shqiptare në krahinat e Vranjës, Nishit, etj. deri në afërsi të Gjilanit. Mali i Zi merrte Plavën dhe Gucinë dhe fitonte të drejtën e lundrimit të lirë mbi Bunën dhe në liqenin e Shkodrës. Kongresi i Berlinit shtroi edhe çështjen e rishikimit të kufirit me Greqinë në jug. Me këto vendime tokat shqiptare copëtoheshin, ndaj hasën në kundërshtimin e vendosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. 

            Konferenca e Ambasadorëve e mbajtur në Londër në vitet 1912-1913, për sa u përket kufijve bëri një padrejtësi të madhe në dëm të kombit shqiptar. Gjashtë Fuqitë pjesëmarrëse nuk i përfillën të drejtat dhe interesat themelore të Shtetit të ri shqiptar. Brenda kufijve të tij u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare dhe më pak se gjysma e popullsisë me kombësi shqiptare, rreth 800 mijë frymë. Më tepër se gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Pjesa më e madhe kaluan nën Serbinë, pjesa tjetër nën Malin e Zi dhe Greqinë. Në këtë mënyrë nga trungu i atdheut “gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër” shkëputën krahinat më pjellore dhe që kishin qenë vatra të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare.   

*   *   *

            Dialogu i Brukselit midis përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë zhvillohet me ndërmjetësimin e politikanit spanjoll Zhosep Borel (Josep Borrell, 1947- )si dhe tëpolitikanit sllovak Mirosllav Lajçak (Miroslav Lajčák, 1963- ). Sllovak është edhe zëdhënësi i BE-së për Ballkanin Perëndimor Peter Stano.  

            Sikundër shihet, që të tre vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo paraqet padrejtësi për Kosovën. Ata nuk janë caktuar rastësisht pjesëmarrës në dialogun e Brukselit. Sidoqoftë, këta s’kanë në dorë asgjë. Çdo gjë është në duart e Uashingtonit, Berlinit dhe Parisit.

            Fuqitë perëndimore do ta kenë vështirë të gjejnë në Kosovë një kryeministër që do ta nënshkruante krijimin e një dodik republike. Çfarëdo asociacioni t’u japësh serbëve në veri, ata do ta shndërrojnë atë në dodik republikë e cila do të jashtë kontrollit të Prishtinës.

            Krijimi i asociacionit nuk është asgjë tjetër pos legalizim i sistemit paralel në veri, të financuar nga buxheti i Kosovës.  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura