Pashtriku.org, 15. 11. 2013 -Parashqevi Qiriazi (1880-1970), e njohur edhe me emrin Paraskevi D. Kirias, studioi në Robert College në Konstantinopojë dhe u kthye në Shqipëri për të punuar si mësuese. Më 1909 ajo botoi një abetare për shkollat fillore. Më pas organizoi arsimin për të vegjël, shkolla mbrëmjeje në Shqipërinë jugore dhe ndihmoi për të vënë bazat e një sistemi bibliotekar. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Ajo ndihmoi për themelimin e shoqatës “Yll’ i mëngjesit” më 1909 dhe në Shtetet e Bashkuara botoi periodikun e ilustruar me të njëjtin emër, që doli në Boston nga 1917 deri më 1920. E përdyjavëshmja “Yll’ i mëngjesit”, kushtuar ndriçimit dhe përparimit të popullit shqiptar, përfshinte artikuj mbi politikën, shoqërinë, historinë, filologjinë, letërsinë, arsimin dhe folklorin. Parashqevi Qiriazi mori pjesë edhe në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 si përfaqësuese e bashkësisë shqiptaro-amerikane.
Kënga e Alfabetiti Shqip, është shkruar prej Sevasti Qiriazit
Armiqëtë o shqipëtarë,
Po perpiqenë
Shkronjat turçe dhe greqishte,
të na apënë;
Le t’i mbajnë ata per vetëhe;
Kemi tonatë.
Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia; cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.
– MOTRAT QIRIAZI –
Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lindjes.
Lindën dhe u rritën në një mjedis thjesht shqiptar, një djep vërtet i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë apo heronjve shqiptarë…Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit dhe na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.
Prindërit e Sevastisë, Dhimitri e Maria – edhe kjo vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës, – patën dhjetë fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga pak më vonë kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj me ndjenja e ideale atdhetare. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte personalitetet e shquara të Rilindjes si Kostandin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj. Në këtë shtëpi u bënë, në vitin 1908, mbledhjet e Komisionit të Alfabetit.
Sevasti Qiriazi – Dako, e zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, ndjeu që herët nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazi-Dakos (1871-1949) të studionte në kolegjin me emër Robert College në Konstandinopojë e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Është thënë se Sevasti Qiriazi-Dako ka botuar një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941) e me të motrën Parashqevi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”.
Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u regjistrua në Kolegjin e Kostandinopolit, e para vajzë shqiptare, në ato kohë, që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Kostandinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën”, d. m. th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat. Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhën turke e arabe për fëmijët myslimanë. Më 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj. E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Kostandinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit. Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoqi leksionet në Fakultetin e Pedagogjisë në University of Chicago. Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë. Në vitin 1905, u kthye në Europë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarinë energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Meqë ai ishte specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe. Ato qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë. Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëndrimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan me njëri-tjetrën, dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrën dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me përkushtim e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.
Më 16 janar të vitit 1909 Paraqshevi e Sevasti Qiriazi, mbështetur nga zonja të njohura korçare themelojnë shoqërinë “Ylli i mëngjezit”, e para e këtij lloji në Shqipëri. Në një kohë kur vendosej perçe, ato nxisnin emancipimin e femrës dhe përfshirjen e saj në lëvizjen patriotike. Duke sfiduar të gjitha vështirësitë dhe paragjykimet, i thërriste nxitja për dituri. Motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi qëndruan në krye të kësaj lëvizje. Shkolla Shqipe e Vashave, e çelur nga Sevastia ishte thyerja e parë e akullit në Korçën ku flitej vetëm greqisht e turqisht.
Mbas luftërave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke, dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912-1914; po për arsye të përndjekjeve të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, erdhën në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako. Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star” (“Ylli i Mëngjesit”), çifti Dako – Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, më 12 tetor, në prag të Konferencës së Paqes të Parisit.
Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe, së bashku me Parashqevinë, që kishte ardhur nga Parisi mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias, një institut me karakter hollësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme mësimore-edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahinash e besimesh. Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjetësh shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias. Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, dhunimeve, burgosjeve, torturave, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj. Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh Kristo Dako, burgosjen e djemve të saj, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq, në vitin 1949, e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën. Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël, Viktoria, dhe kuzhinierja e Institutit Kyrias. Më vonë, asaj i dhanë titullin “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.