HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (29)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (29)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 28 Korrik 2021

QËNDRESË GRANITI

(Enkas për figurën Qëndresë-Graniti, i cili ishte i pathyer kurrë, i ndjeri Halil Alidemaj nga Pozherani i Moravës së Epërme)

Qysh në moshën e njomë rinore, që nga viti 1948 e deri në vitin 1950/51, edhe unë u bëra njëri ndër banorët e Pozheranit, kur nëna ime ndjesë pastë më dërgoi te Shaban Haxhiu, përndryshe te motra e Memit, tezja Miradie bashkëshortja e tij, sepse ajo nuk kishte fëmijë të gjinisë mashkullore, por kishte vetëm vajza… Nga ajo kohë unë kam njohuri për familjet pozheranase; veçanërisht për ato familje patriotike apo dhe lojale për sistemin e atëhershëm shoqëror e pushtetor. Njëra nga familjet që anonte tërësisht drejt vijës kombëtare me aspirata shumë të sinqerta ishte familja Alidemi. Ndërsa i ndjeri Hakiu, kur kisha me të sy më sy më shqiptononte fjalën: “Korbi i zi mbi Pozheranin”. Ishte kjo koha e hershme e moshës rinore. Ndërkaq, gjatë viteve që shërbeja si imam në Drenoc të Deçanit, kur nëpërmjet ligjëratave të mia në xhami dhe çdo festë solemne fetare, unë përpiqesha gjithmonë t’i zë ngoje të burgosurit politikë, duke ua qajtur hallin edhe të ballafaqimit të tyre me skamje ekonomike, e në mesin e tyre zija ngoje edhe të ndjerin – Halil Alidemin, Ekrem Kryeziun, sepse me z. Fuad Kryeziun, i cili atëbotë ushtronte në Pejë detyrën e drejtorit të Burgut. Nëpërmjet tij unë e njihja mirë dhe mësoja për figurat e personaliteteve më të ndritshme të kombit shqiptar.

Kështu pra, për herë të parë inspirimet e mia për dashuri ndaj Mëmëdheut dhe për kombin shqiptar, i mora në Shkup nëpërmjet shkelqësisë së tyre z.Rexhep Bunjakut, Abdullah Musliut e shumë patriotëve të tjerë para se të shkoja në studime islame në shtetet arabe. Ndërsa me të kthyer nga shtetet arabe në atdhe, unë tani isha i pajisur mirë me etje dhe dashuri për atdhé e fé, të cilat i gërshetoja me simpatinë besimo-islame, nga njëra anë dhe me dashurinë kombëtare nga ana tjetër dhe që një ditë do të ndesh në një program, i cili do të m’i plotësoj zbrastësitë e mia shpritërore për një liri të plotë nga sistemi monist. Sepse ndoshta unë isha i vetmi nga teologët që për sistemin monist isha halë në sy, i denoncuar dhe i shpallur irredentist e antijugosllav(1975-1976) nga të gjitha Bashkësitë islame: në Shkup, në Prishtinë e në Sarajevë.

Dhe më 6 maj 1990 në një mëngjes për mua lindi Dielli dy herë: njëherë si zakonisht, ndërsa të dytën herë kur një djalosh me një mercedes të zi erdhi tek unë në Fushë-Kosovë dhe më tha: – “Eja me mua, sepse burrat e popullit të thërrasin në Dardani, një zyrë me emër” Estetika!”. Shpejt më rrapëlloi në kujtesë qe sa ditë më parë isha në Zvicër(Gjenevë) në aktivitetet e mia në pajtimet kombëtare dhe në shtëpinë e dashamirit tim dhe mikut tim të çmuar zotëriut – Ejup Ahmeti nga Smira e Vitisë, ku aty më erdhi një zë nëpërmjet telefonit të z. Ejupit: “Ta kam shkruar emrin tim me emrin tënd…” dhe një zë tjetër me emrin Kujtim. Më vonë mësova se zëri i parë ishte: Zëri i magjistër Halil ALIDEMIT, ndërsa i dyti ishte: zëri i ambasadorit të Shqipërisë në Beograd.

Këtë mësova pasi arrita te zyra: ESTETIKA në Dardani, ku pasi arrita aty në ballë të hyrjes më priti i ndjeri: mr. Halil Alidemi, Ramadan Bunjaku, Ibrahim Osmani, e disa figura të tjera që nuk ma tërhoqën vëmendjen për momentin e pikërishëm. Pa humbur kohë u zu ngoje fjala që shqiptova më parë, ndaj më njëherë pyeta: A është ky program partish i pushktës-barotit, apo i rezistencës pasive?! I ndjeri më tha pa hezitim – “Po e radikalizmit dhe luftës e synim për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”.

U gëzova pa masë dhe u thashë: – O vëllezër, Ju e dini se dje më 5 maj 1990 u mbajt Kuvendi i LDK-së në Medresenë “Alaudin”, në Prishtinë dhë mua m’u dha fjala ta përshëndes këtë kuvend në emër të nënave kosovare, në emër të pajtimeve që ishin bërë deri në atë ditë, siç e dinë të gjithë.

Pa asnjë luhatje e përqafova ofertën që të anëtarësohem në programin e “UNIKOMBIT”, në krye me të ndjerin, ku anëtarësoheshin edhe kooptoshehin edhe shumë anëtarë të tjerë.

Unë e çmoja shumë të ndjerin Halil Alidemin, e doja më tepër se anëtarët e familjes sime. Duke pasur në mendje gjithnjë si inspirator potencial z. Ejup Ahmetin, kur në udhëtimet e para për Evropë ishtë Zvicra, Gjermania, ku qëndronin së bashku si dy vëllezër binjakë të një nëne, në mesin e atyre mërgimtarëve, e shpeshherë na mërthente edhe vaji e qanim së bashku, duke analizuar fatin e kombit tonë dhe vuajtjet e të ndjerit në burgjet e sllavoshkinisë, kur kjo elitë pishtarësh ishin në burgje, ndërsa unë si imam në Drenoc dhe në Pozheran, në vend që të grumbulloja “FITRIT” e Ramazanit për Kryesinë Islame, unë i grumbulloja për të burgosurit politikë dhe madje i ftoja edhe disa imamë të tjerë që të vepronin në këtë mënyrë si unë. Mirëpo, kjo ndërmarrje e guxim imi më kushtoi me ndëshkime e tortura nga pushtetmbajtësit e atëhershëm.

Duke menduar z. magjistër Halil Alidemin se si ai ka vuajtur dhe si i ka përballuar torturave që kishte përjetuar, më dukej vetja shumë i vogël ndaj tij. Pasi na ndau koha edhe dorëheqja ime pas udhëtimit tim së bashku për Tiranë, kur mizorisht u ndala në rrugë nga një grup huliganësh në Librazhd, duke u kthyer nga një mision, ku para udhëtimit për Tiranë, u betuam në Shkup, kur z. Shemsi Reçica nuk udhëtoi me ne, por unë e detyrova të udhëtoja me detyrë, sepse me veti kisha një shkresë me nënshkrimet e disa figurave ushtarake të Shqipërisë… por, mjerisht makina m’u azurpua në rrugë dhe mbeta vetëm në mëshirën e Zotit të Madhëruar dhe mezi arrita të kthehesha prapa.

I ndjeri Halil Alidemi u rrit në varfëri, por i inspiruar në çështjet kombëtare. E tërë jeta e tij është përplot me vuajtje që ia shkaktoi sistemi diskriminues monist. Ishte si gjithmonë i mërguar, duke e përfunduar jetën në mërgim së bashku edhe me bashkëshorten besnike – Teutën. Zoti i mëshirshëm i pastë në mëshirën e Vet të ndjerin Halil Alidemin dhe bashkmendimtarët e tij siç ishtë ai!

Kam respekt të veçantë për familjen e tij, ndaj Zoti i pastë mëshiruar!

Fushë-Kosovë, më 26 maj 2005     Idriz Kosova

DISA KUJTIME LIDHUR ME JETËN DHE VEPRIMTARINË E HALIL ALIDEMËS

Meqë unë me Halilin Ishim shumë të afërm-djemë teze, unë nga fshati Cernicë e Halili nga fshati Pozheran, ndaj si djem teze, që nga mosha fëmijërore, shpesh jemi takuar dhe jemi endur tek njëri-tjetri, Cernicë, Pozheran dhe anasjelltas.

Endjet tona dhe takimet tona kanë bërë të mundshme që shumë fshatarë të fshatit Cernicë dhe Pozheran të na njohin mirë se ç’ishim ndërmjetveti.Vajtjet dhe ardhjet tona te njëri-tjetri ishin të rëndomta dhe të zakonshme, mu për këtë edhe kujtimet tona në çdo periudhë kohore janë të shumta.

Në shkollën fillore, ndonëse ishim të rinj, ishim kureshtar të mëdhenjë për mësim, duke e pyetur njëri-tjetrin se çka kishim nxënë në shkollat fillore, unë në shkollën fillore të Cernicës, e Halili në shkollën fillore të Pozheranit.

Të them të drejtën unë isha objktiv ndaj disa mësimeve që Halili i përvetësonte në shkollën e tij, ku ai tregohej i aftë, më tepër në recitime të bukura të vjershave dhe në këndimin e këngëve me melodi të mira, në sport etj. Kështu ne mësonim njëri nga tjetri.

Edhe në ditët e sotme po më kujtohet se Halilit shumë herët i kishte lindur kureshtja si arsimdashës ,ku dituritë e fituara në mësim, në bankat shkollore ato edhe më tepër i begatonte,i plotësonte edhe me aktivitete tjera, të cilat ishin të shumta si: seksioni i letrarëve ,seksioni muzikor ,seksioni folkloristik……..i sportit etj. Halili pjesën më të madhe të kohës e kalonte në ushtrime të këtyre aktiviteteve të lira.

Nga praktika dihet se zëri i një shkolle për të mirë përhapej, sidomos nëpërmjet aktiviteteve të lira, të cilat paraqiteshin në vende të hapura, fusha, salla etj, ku dhe shkolla e Pozheranit ishte vlerësuar si më e mira në komunën e Vitisë.

Krahas mësimeve në shkollë si dhe aktiviteteve të lira, Halili ishte i interesuar edhe të lexonte, sidomos kishte dëshirë t’i lexonte ato libra që ishin të rralla e që pak kush dinte për to. Kështu p.sh njëherë unë pata rastin që atij t’ia jap të lexonte një libër “Kosova djepi i Shqiptarise”. Halili këtë libër e kishte lexuar me shumë vëmendje, ndaj lidhur me përmbajtjen e këtij libri zhvilluam diskutime, komentime e analiza.

Interesimi i Halilit për leximin e librave sa vinte e shtohej, dukuri e cila më tepër u pa në shkollën e mesme Normale.

Kështu në ndërkohë edhe Halilit i kishte rënë në dorë një libër me titull”I drejtë, por i gjykuar”. Libri ishte në gjuhën serbokroate.Unë i bëra pyetje Halilit se prej kujt e kishte marrë këtë libër, ai më tregoi se këtë e kishte marrë prej një shokut të Ferizajt Rexhë Xhaklit. Që nga kjo kohë u pa dukshëm se te Halili kishte lindur dëshira për të lexuar asi lloje librash, të cilët më tepër e preknin, e trajtonin çështjen kombëtare shqiptare, etnografinë shqiptare etj.

Me kalimin e kohës dhe pjekurisë së Halilit, ai u tregua se me shumë parime të sistemit komunist të mos pajtohet. Sidomos më kujtohet shumë mirë njëherë në vitin 1955-56, kur Halili më vizitoi në punë, në fshatin Skifter të komunës së Vitisë. Ishte stina e dimrit. Mu në ditën kur Halili më vizitoi, në fshat kishte filluar aksioni për mbledhjen e armëve. Mua si drejtor i shkollës, në mëngjes më erdhi urdhëri që dy klasë të mësimit, që ishin afër kooperativës, të lëshohen nxënësit dhe të shkojnë në shtëpi, në mënyrë që klasët t’i përdornin për tubimin dhe rrahjen e shqiptarëve. Pasi këto klasë ishin pak më largë nga ato në qendër, unë me Halilin u nisëm drejt atyre  dy klasëve, për të mësuar se ç‘po ndodh në shkollën time. Mirëpo, rojtari m’u drejtu, duke më thënë : – shok drejtor mos hyn në objekt se kështu e kam urdhërin nga ata më lartë.

Unë e Halili kaluam anash murit kah dritaret e klasëve dhe me veshët tanë dëgjuam britmat e njerëzve, duke thënë ”of kuku nanë, of kuku për mue”. Unë e Halili vajtëm deri në kooperativë, blemë artikuj që mos të binim në sy, sepse kishim shkuar për të vëzhguar se çka po ndodhte me shqiptarë brenda katër mureve të këtyre dy klasëve.

Të them të drejtën një sjellje e tillë ishte, jo vetëm antihumane por edhe antikombëtare. Duke komentuar këtë me Halilin se çka ishte duke ndodhur, Halili ndërhyri, duke treguar se një gjë e tillë kishte ndodhur në fshatin Pozheran, ku armiku serb barbar në xhami të Pozheranit, duke i rrahur fshatarët edhe kishte mbytur 20 veta.

Në kontest të këtyre ndodhive të pamira dhe të shumta të armikut barbar kundër shqipëtarëve, Halili e vuri në dijeni edhe rastin e zhdukjes së babait të tij Behxhetit dhe mixhës, Januzit, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, duke i nxjerrë nga brigadat ushtarake Jugosllave të asaj kohe,ndërsa dy mixhallarët tjerë si Izeti dhe Bejta nga frika që do t’i likuidonin, lëshuan vendlindjen, duke ikur nëpër shi e borë, pa ngrënë e pa pirë vetëm për të ikur larg në emigrim,ku bashkë me ta në atë kohë kishte emigraur edhe Hysen Tërpeza më shumë shokë të tjerë, në Greqi, në Itali etj.

Të gjitha këto ngjarje të trishtueshme populli i kishte përjetuar në kurriz të vet.

Një nxitje e urrejtjes dhe e pakënaqësisë si padashje u paraqit te Halili. Njëherë Halili ishte në shtëpinë time dhe rreth orës 21 00, duke shikuar TV të Beogradit në ekranin televiziv shikonim një emision të rregullt me titull ”Si rjepet derri”. Halili porsa e pa këtë emision menjëherë i dëshpëruar u ngrit në këmbë dhe m’u drejtua mua: shihe kusheri se çfarë barazie kombëtare ne shqipëtarët gëzojmë sot në këtë sistem monist. Ne shqipëtarët në TV ende nuk kemi të prezentuar apo të paraqitur asnjë fjalë për arsim, kulturë, art e tjera, ndërsa serbët, kanë kohë që në ekranin televiziv të paraqesin dhe të shkojnë aq larg sa duke shpjeguar edhe si rjepet derri në kohëzgjatje mbi 30 minuta.

Edhe përkundër mospajtimeve me regjimin e athershëm komunist, Halili thonte se ne shqipëtarët duhet të punojmë shumë më tepër, në mënyrë që shumë gjëra si në politikë dhe në veprimtari tjera sa më parë duhet drejtuar-avancuar në të mirën tonë dhe sa më shpejtë të ecim përpara.

Halili ishte një arsimdashës i fortë, adhurues i flakët i arsimit, ku pa dyshim ai dha kontributin e vet në procesin edukativo-arsimor, në fillim si mësues në fshatrat e Ferizajt, si në Firajë etj, pastaj në Malishevë të Drenicës, në vendlindje në Pozheran etj.

Në këto vatra të arsimit dhe të edukimit, Halili nuk u kursye dhe punoi me përkushtim të madh, ndaj nga këshilltarët pedagogjik të komunave u vlerësua si ndër më të dalluarit.

Në procesin e mësimit Halili ishte shumë konkret dhe tërheqës, sepse mësimin e shprehte, e shpjegonte me zemër e shpirt përpara nxënësve, ku nxënësit me vëmendje të koncentruar e përcillnin mësimin e Halilit. Halili ishte një pedagog, i cili në shumë aspekte i njihte nxënësit si dhe prindërit e tyre, kështu që krijoi një trekëndësh pedagogjik shkollë-prind-shoqëri, dhe në këtë mënyrë ai u bë shembull në komunikim të lirë me prindër dhe me qytetarë të atij vendi, ndaj e adhuronin si mësues e si pedagog të aftë në shkollë.

Halili qysh herët u dëshmua edhe si ideolog i çështjes kombëtare shqiptare, duke filluar që nga bankat shkollore të shkollës Normale. Në këtë kohë, Halili botëkuptimet e veta kombëtare shqipëtare filloi t’i zgjerojë edhe te shumë shokë të tjerë, kështu që pa vonesë me disa shokë si Bardhyl Nushin, Xhemajl Lalën, Nakije Nushin, në shenjë pakënaqësie dhe mospajtimi me regjimin monist, organizuan dhe tentuan ta kalonin kufirin për në Shqipëri.

Meqenëse nuk arritën ta kalonin kufirin të gjithë ranë në burg. Halili e vuajti burgun në Komunën e Gjilanit, prej 6 muajsh, ndërsa shokët e tij nëpër komunat e tyre.

Në Burgun e Gjilanit, Halili u torturua shumë. Mirëpo ai qëndroi i pathyeshëm Në burg, falë nënpunesit shqiptar, Musa Ilazit(Hoxha) nga fshati Cernicë, Halili shpëtoi edhe nga më e keqja. Unë si djalë tezeje Halilin e kam vizituar në burg disa herë, duke i dërguar ushqim e rroba.

Pas vuajtjes së dënimit, Halili erdhi në këmbë tek unë në Cernicë.

Në shtëpinë tonë ishte një moment i gëzimit të madh kur rreth Halilit u grumbulluan dhjetra vetë, si të familjes sime ashtu edhe të tjerë, sepse për Halilin kishin dëgjuar shumë më herët se kishte rënë në burg.

Meqë ishim shumë të përmalluar pothuajse 24 orë bisedonim me të. Halili rrëfente se si e ka kaluar kohën në burg, dhe me kënd ishte takuar gjatë vuajtjes së dënimit, etj.

Ditën e dytë, të nesërmen unë dhe Halili shkuam në Pozheran në këmbë, duke kaluar nga fshati Cernicë, nëpër Vrapçiq, Zhiti arritëm në Pozheran.

Edhe këtu në familjen e Halilit ishte një gëzim i madh dhe i papërshkruar sepse Halili ishte person i dashur dhe i afërt për gjithë fshatin. Rreth Halilit kishte edhe shumë njerëz që më parë nuk i kisha njohur.

Unë i bëja shumë pyetje Halilit rreth frikës dhe guximit të tij gjatë gjithë asaj periudhe, duke filluar para burgut, gjatë burgut, dhe pas daljes së tij nga burgu.Halili shpeshherë m’u përgjigjte; trimat vdekjen e provojnë vetëm njëherë. Frikacakët   vdesin shpeshherë para vdekjes.

Nga përgjigjet e këtilla shihet se Halili ka qenë një personalitet me vetëdije të guximtarit dhe ai shpeshherë më thoshte se guximtari asnjëherë nuk del nga moda gjatë tërë jetës, me veti e mban guximin e krahas guximit edhe krenarinë.

Halili me këto ide, të cilat i thonte haptas para miqve dhe shokëve, ku dhe ai shpeshherë ka qenë para arratisjes, ndoshta edhe para vdekjes, por kësaj asnjëherë nuk iu ka frikësuar. Po ashtu Halili thoshte se vlera më e madhe e njeriut është të guxosh dhe të jetosh.

Trimërinë e guximin, Halili e ka shpreh dhe dokumentuar në çdo kohë dhe në çdo vend, bie fjala edhe gjatë gjykimit me shokë, në gjykatën e Prishtinës, ku përveç krenarisë së tij për atë që ishte, duke u gjykuar, para trupit gjykues Halili ua thoshte troq atë çka mendonte, duke mos pas asnjë fije frike prej tyre.

Ndërkohë, kur trupi gjykues bëri një pauzë të punës, Halili edhe pse ishte i rrethuar me policë paprmitmas u kthye prapa dhe në shikimin e parë, më pa mua dhe u shpreh me këto fjalë: – ku je kushë dhe si je kushë?,me çrast roja e policisë, Halilit ia tërhoqi vërejtjen.

Lirimi i Halilit nga burgu ishte një gëzim i madh për familjen e ngushtë, për farefisin,për shokët dhe miqtë e tij. Në minutat  e parë të ardhjes së Halilit nga burgu, unë me nxitim të madh dhe shumë i gëzuar arrita te Halili, duke e përqafuar i thashë: shyqyr që dole nga burgu. Halili menjëherë m’u përgjigj duke më thënë: ”burgu ishte për burra”.

Halili qysh në bankat shkollore është marrë edhe me shkrime, jo vetëm në prozë, por edhe me poezi. Poezitë e tij janë botuar nëpër revista të ndryshme e që shumica e tyre në kohën e fundit janë botuar në një libër. Halili ka qenë adhurues i madh i muzikës, këndonte bukur dhe dinte shumë këngë. Në çdo tubim shoqëror, në çdo gazmend e festa kombëtare, Halili printe i pari me këngë, ku na jepte me kuptua se kishte prirje edhe në artin e muzikës. Ai qysh në moshën e hershme rinore është marrë edhe me sport. Në fillim në Pozheran është marrë me futboll, ndërsa në shkollën e mesme, në Normale edhe si hendbollist. Në shkollën Normale si hendbollist, Halili ishte ndër më të mirët lojëtar. Halili shumë shpejt i zotëroi rregullat dhe shkathtësitë e duhura të këtij sporti, ndaj shpeshherë me hedhjen e topave të tij në rrjetë i gëzonte pa masë shikuesit gjatë lojës. Hedhja e topave të tij për portierin ishin të paevitueshëm, ndërsa për publikun ishin senzacionale.

Në këtë kohë Shkolla Normale, formoi ekipin e parë të hendollit, i cili u pagëzua me emrin “Normalisti”.

Në kohën kur Halili luante në hendboll për “Normalistin” nuk ka pas nxënës të shkollave të Prishtinës dhe as qytetar që nuk e kanë njohur Halilin si lojëtarin më të dalluar, ku pas përfundimit të lojës, për suksesin e treguar vërshohej nga përqafimet e shokëve e të profesorëve.

Ndërkohë, Halili e pa të nevojshme dhe të domosdoshme që të kryej studimet në  Fakultetin Juridik.

Gjatë studimeve në Fakultetin Juridik, Halili i vërejti padrejtësitë në shumë lëmi të administratës në dëm të popullit shqiptar.

Halili kundërshtoi përdorimin e gjuhës serbe, në dëm të gjuhës shqipe.

Kët dukuri të aplikimit të gjuhës serbokroate, Halili e kishte parë edhe gjatë punës,   ku  ishte nëpunës në komunën e Prishtinës. Në këtë vend të punës, Halili haptas luftonte kundër përdorimit të termave barbare –serbe në gjuhën shqipe. Dihet mirëfilli se termat gjuhes serbokroate ishin ngulitur thellë në shprehjet  e lira të popullit shqiptar.

Halili si gjatë punës ashtu edhe jasht orarit të punës shoqërohej me të gjitha shtresat e njerëzve, ishte i afërt dhe i pranueshëm në bisedë për çdo njeri. Kur ishte qasja profesionale dhe ideologjike dëshironte të takohet dhe të bisedojë me njerëz guximtarë, profesionistë dhe ideologjikisht të ngritur dhe të dalluar.

Halili si ideolog i çështjes kombëtare shqiptare gjithnjë dëshironte të shoqërohej edhe me njerëz të kalibrit të tij. Njëherë, Halilit i ra rasti që të takohej dhe të njoftohej me Ramadan Hoxhën nga fshati Cernicë e Gjilanit, por me banim në Prishtinë.

Ramadan Hoxha bashkë me vëllain e vet Kadri Halimin për çështje kombëtare shqiptare kishin vuajtur dënimin me burg nga 10 vjet.

Halili, gjatë bisedës, përcillte me vëmendje çdo fjalë të Ramadanit, dhe pajtohej në tërësi me Ramadan Hoxhën.

Ramadani ishte i natyrës së një oratori dhe shumë gjëra i rrëfente guximshëm, ndaj Halilit iu drejtua, duke i thënë se qysh nga ngjarjet e masakrave të Luftës së Dytë Botërore, kur serbët barbar i kanë bërë popullit shqiptarë masakra, unë, Ramadani e shumë shokë të tjerë asnjëherë nuk jemi pajtuar me një regjim të tillë. Në kontest të kësaj vlen të përmendim masakrën e Tivarit,vrasjet e panumërta të shqiptarëve nëpër fshatra të shumta të Kosovës si në Llashtice, Pozheran etj, në Kosovën Lindore dhe Maqedoni etj.

Ramadan Hoxha në bisedë e sipër nuk e la pa i treguar Halilit se qysh herët kur ai ishte nxënës, në Shkollën Normale të Gjakovës në vitin 1951-52 me disa shokë, në shenjë pakënaqësie kishte vendosur që të iknin për në Shqipëri, në mënyrë që atje të shkollohen dhe të punojnë të lirë.

Lidhur me këtë ngjarje të organizimit me shokë për në Shqipëri ishte njoftuar edhe Nazmi Zeka si bashkëvendas. Mirëpo, Nazmiu nuk iu bashkua këtij grupi. Unë, Nazmiut për amanet ia dhashë koferin me rroba që e kisha në Shkollën Normale, që të ma dërgojë në shtëpi, në Cernicë, dhe t’ia jap në dorë nënës sime.

Ramadani i rrëfeu Halilit se një grup shokësh, në mbrëmje morën rrugën nëpër male që ta kalonin kufirin. Me të afruar afër kufirit, forcat policore na penguan, sepse kufiri ishte përforcuar  aq shumë saqë  ishte e pamundur të kalonim dhe në fund u dorëzuam dhe ramë në burg, ku e vuajtëm dënimin sipas ligjit Jugosllav.

Ramadan Hoxha edhe mëtutje vazhdoi të ishte nje ideolog i flakët i çështjes kombëtare, ku pas disa vitesh me vëllain e tij Kadri Halimin përsëri ra në burg dhe u dënua me 8 vjet burg të rëndë.

Rrëfimin e Ramadanit, Halili e përjashtoi si ngjarje personale të individit.

Mund të thuhet, se, edhe Halili ngjashëm kishte vepruar si Ramadani. Njëherë ra në burg  kur ishte nxënës në Shkollën Normale, kurse për të dytën herë pas disa viteve kur ishte i punësuar, ra në burg me kohëzgjatje mbi 11 vjetësh.

Halili ka pas guxim dhe besim në sjelljet e tija. Halili si personalitet dinte të mendonte dhe të ngrihet dhe ta thoshte atë që mendonte.

Gjithmonë kishte dëshirë t’i zgjidhte problemet e pazgjidhura, që paraqiteshin pengesë dhe ngecje në shoqëri.

Halili shpeshherë thoshte, udhëheqës mund të bëhet ai njeri, që di dhe merr guximin të ngrihet dhe ta thotë atë që mendon, ta thotë të vërtetën.

Ai dinte të fitonte përkrahjen e njerëzve rreth vetes, kishte shumë shokë e miq dhe dëshironte të mësonte prej tyre. 

Në këtë drejtim ai dëshironte të zgjeronte rrjetin e vet me njerëz të kalibrit që edhe ai i përkiste, psh në atë kohë ishte i shoqëruar me shumë shokë me parime dhe ide të njëjta me Ukshin Hotin, me të cilin për çështjen kombëtare vuajti një burg të gjatë.

Halili shoqërohej dhe me Ali Hadrin si ideolog i zgjuar kombëtar dhe akademik i parë, poashtu dhe me Musli Mulliqin, i cili ishte po ashtu akademik i parë i arteve të Kosovës, me Dr.prof Zekirja Canën si ideolog i dalluar para luftës dhe pas luftës në Kosovë, si njeri i mendjes dhe i pendës, por edhe guximtar i madh.

Halili kërkonte të bashkëpunonte edhe me njerëz guximtarë të politikës, kur kryetar i komunës së Kaçanikut ishte Sali Bajra. Sali Bajra ishte një person i zgjuar, guximtar, për nga rezistenca që i bënte sistemit monist të asaj kohe.

Halili bashkëpunonte edhe me shokë të mendjes dhe të pendës psh siç ishte Rrustem Berisha punëtor shkencor në Institutin Albanologjik, bashkëpunonte edhe me Dr.Mehmet Halimin, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik, për çështje të ndryshme gjuhësore.

Halili shoqërohej edhe me qytetarë të tjerë të lirë, të cilët kishin guximin dhe në shumë raste tregonin trimërinë e tyre. Kështu psh. Halili shoqërohej edhe me Bedri Çitakun, i cili në atë kohë u tregua si trim dhe guximtar i njohur.

Ai gjatë jetës dhe punës së tij për çështjen kombëtare ka përjetuar dy herë  burgjet; një vuajtje të burgut kur ishte nxënës në Shkollën Normale dhe tjetrin gjatë kohës së punës, i cili edhe pas daljes nga burgu qëndroi i pathyeshëm në rezistencë kundër armikut barbar.

Për çështje kombëtare u largua nga puna, ndaj iku në mërgim, ku punoi deri në frymën e fundit-deri në vdekje.

Për angazhimin e tij të pashoq që tregoi për çështjen kombëtare,

Lavdi i qoftë për jetë e mot!

I qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë Etnike për të cilën punoi tërë jetën!

Nazmi Zeka,veteran i arsimit, Prishtinë

(Atdheu është si familja)

mbeta pa tri dëshira

(babai, nëna, Atdheu)

I ndjekur politik

Nuk i njoha tri dëshira

(babain, nënën, Atdheun)

Në lulen e pranverës sime,

që në fëmijëri,

armiku barbar ma vrau babin tim të ri

Unë u rrita

pa e njohur

dashurinë e tij

ashtu si dhe babai

dashurinë

për fëmijën e tij.

Unë u rrita

si u rrita…

as vet s’mund

ta dij …!

pa një dashuri

të babait tim

të ri

Mu në vlugun

e rritës dhe punës sime,

armiku barbar

më burgosi,

larg nga familja

më qelikosi.

Por…

e vuajtura

e lodhura

e përmalluara

nënë

që për shumë vite

nuk më kishte parë

(dhe as prapa grilave)

ajo e këputur

e përmalluar për mua,

e unë për të,

nuk më priti,

ndërroi jetë

iku në pakthim.

Regjimi serb barbar

edhe pas burgut

prap nuk më la

të qetë

Më largoi nga puna

unë…

pa asnjë tjetër mendim,

ika në mërgim.

Atje punova shumë

për çështjen kombëtare

gjer më frymën time

të fundit- përfundimtare

Në fund

për gjithë atë…

që për shumë vite

këndova e punova

nuk i shijova.

Këto janë

babain, nënën, Atdheun

edhe unë ika me mallě- ika në pakthim

(në kohën e frymëzimit)

E bukur është nata

E bukur është nata,

Kur hëna ndriçon.

E bukur është nata,

kur ajo është e qetë.

E bukur është nata,

kur yjt ndriçojnë.

E bukur është nata

kur koha kalohet në shoqëri

E bukur është nata,

kur jam i lodhur për gjumë.

E bukur është nata,

kur shkruaj poezi.

Por, shumë më e bukur është nata

kur unë jetoj dhe punoj në liri

(i lodhur nga shëndeti)

Të dua atdhe

Atdhe, për ty

shumë kam punuar

e flijuar

por, tani po e shoh

se nuk do të mundem

të lirë me të përjetuar.

Atdhe të dua edhe kështu si je.

Atdhe të dua si zogu,

që e don folenë,

por, të kisha dashtë

edhe shumë më mirë

sikur të kisha parë

e shijuar krejt të lirë.

Nazmi Zeka

LIRIA NË SHPIRT TË LINDI

Heret në rini,

Të lindi ideali për liri.

Shtypjen asnjëherë dot s’e durove,

Atë në çdo hap e luftove.

Kudo qëndrove si burrë,

Si një shkëmb me gurë.

Largë vendlindjes gjete strehim

Që të punosh i lirë për bashkim.

Deri në vdekje, pendën kurrë s’e ndale.

Vijimisht punove për çështjen kombëtare.

Për këtë, breznitë gjithmonë do të kujtojnë,

Dhe rrugën tënde ata do ta vazhdojnë.

Liria në shpirt të lindi,

Në zemër t’u rrit,

Në mendje t’u pjek,

Me gojë e me shkrim fuqishëm e shprehe.

Pozheran, më 19 prill 1996     Nazmi ZEKA

Ku i kemi të parët tanë?!

Ku i kemi të parët tanë?

Për liri ata na i vranë.

U vra Bexheti që varri s’i dihet,

U vra Jonuzi në lule të rinisë

Po ku na mbetën Bejta dhe Izeti?!

Trimat lindin trima si trashëgimtarë

Ndër ta ishte Halili djalë atdhetar.

Kush ishte Halili kët çdo kush e di,

Që në shkollë fillore tilloi idenë e tij.

Ishte i ri 13 vjeçar

Nga dora e tij në shkollë

Valoi flamuri ynë komëtar.

Ideologu i paepur nuk pushonte fare,

sepse në zemër e kishte çështjen kombëtare.

Në vitin 1981 Republikën kërkoi,

Por armiku i egër me burg e dënoi.

Në burgjet e Sërbisë gjithëçka përjetoi,

Por rrugën që kishte nisur kurrë nuk e harroi.

Kur doli nga burgu,

Halili përsëri nuk pushoi

Partinë e UNIKOMB-it menjëherë e formoi

Trimat kurrë nuk vdesin si Halil Alidema

Por gjithë Kosova në zemër do ta kemi

Autor Miradije Alidema

Xhaxhait tim Halil Alidema

Ishe i fortë, prandaj qëndrove,

Nga torturat që i përjetove,

Në burg të zi, ku brinjët t’i thyen

dhe me hekur të nxehtë

të bënë varr në shpinë.

Nga fëmijët tuaj,

kur vinin në vizitë,

kërkove të sjellin barëra

që t’i zvogëlojë dhimbtë

Por me gjithëatë,

s’deshe të dorëzohesh.

kur vinim në vizitë

ti i fortë tregohesh.

Kur dole nga burgu

qëllimet s’i harrove

Por larg shtëpisë dhe familjes

idenë tënde e vazhdove.

Këtë ide që e nise

Qysh prej fëmijërisë

nga vdekja e hershme

Nuk i shijove rrezet e lirisë.

Autor nipi i të ndjerit: Fitim Alidema

  • VIJON –  

________________________________

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (28)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 28 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura