KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (X)

Tiranë, 11 shtator 2020: Portreti e lufta e UÇK-së nuk i ka borxh njollosjeje as Serbisë e as ndonjërit që vërtet është i njollosur
“Në periudhën e formimit të UÇK-së, gjatë gjysmës së parë të vitit 1993, në këtë zonë nuk ishte shprehur krimi i organizuar. Me qëllim, para së gjithash, për armatosjen e grupeve të formuara rishtas, pjesëtarët e UÇK-së nga zona e Drenicës dhe e Metohisë, duke u lidhur me kushërinjtë e tyre me punë të përkohshme në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Suedi dhe në vende të tjera, të cilët ishin përfshirë edhe në veprimtari të palejueshme, kishin vendosur shumë kanale për transportimin e armëve dhe të pajisjeve, si dhe të mjeteve financiare për nevojat e terroristëve në Kosovë – Metohi”.[1] Sipas Serbisë, me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këto hapësira u themelua krimi i organizuar. Dihet që deklarime të tilla duhen konsideruar banale, por ja që ka edhe prej atyre si Dick Marty që i beson dhe i vë edhe në raportin që quhet i Këshillit të Evropës. Nga të dyja palët (që, në fakt, janë një), si serbët ashtu edhe Marty arsyetojnë, sipas mendësisë së tyre, se edhe punëtorët shqiptarë nëpër Evropë, me ndihmën e tyre për luftën çlirimtare, ishin përfshirë në veprimtari të palejueshme. Se si mund të jesh i përfshirë në veprimtari të paligjshme nëse angazhohesh për të luftuar në një mënyrë ose tjetër për ta çliruar atdheun nga pushtuesi kjo është e pakuptimtë. “Në bazë të kësaj, ishte arritur një lidhje solide e ndërsjellë e figurave kyçe të terrorizmit shqiptar dhe të bartësve të krimit të organizuar në krahinën tonë në një masë të madhe me diasporën shqiptare të kriminalizuar dhe një pjesë të politizuar, e cila paraqet një faktor shumë të rëndësishëm për funksionimin e lidhjes së krimit dhe të terrorizmit shqiptar”.[2] Diaspora shqiptare, sipas Serbisë, është një pjesë e kriminalizuar dhe një pjesë e politizuar, por duke qenë shqiptarë për serbët, nuk mund të ketë asnjeri të pastër. Diaspora shqiptare në rrjedhën e veprimtarisë kombëtare ka qenë dhe mbetet në lartësinë e përgjegjësive për çlirimin e atdheut dhe ndërtimin e jetës qytetare në vend, duke financuar dhe marrë përgjegjësi të mëdha në gjithë hapësirën ku është shpërndarë për ta siguruar jetësimin e atdheut dhe çlirimin e tij. Ajo ka dhënë prova të fuqishme për ta fuqizuar luftën e UÇK-së. E quan Serbia dhe Marty UÇK-në organizatë terroriste apo të krimit të organizuar, ajo mbetet emblemë e krenarisë kombëtare shqiptare. Në portretin e saj nuk ka asnjë njollë. Askush, qoftë edhe zotëri Marty, në emër të Evropës e për interesat e Serbisë nuk mund ta njollosë atë dhe veprën e saj.
“Njëkohësisht, sanksionet që bashkësia ndërkombëtare zbatoi ndaj Republikës Federative të Jugosllavisë, si dhe bllokada tregtare e Republikës së Maqedonisë nga ana e Greqisë, kontribuuan që qysh herët të vendoseshin rrugët e kontrabandës së drogës nga Turqia drejt tregut evropian-perëndimor e orientuar në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovë – Metohisë. Një pjesë e të ardhurave që realizuan me këtë punë të paligjshme, bartësit e këtyre veprimtarive i paguan, gjoja, në fondet humanitare, prej të cilave u financuan veprimtaritë e pjesëtarëve të UÇK-së”.[3] Serbia gjithnjë ka tentuar ta paraqesë veten si shtet lider në Ballkan, që është e fuqishme ta disiplinojë gjithë rajonin. Këtë edhe e ka propaganduar gjerësisht në gjithë historinë e saj politike. Një dukuri e tillë shihet edhe në citimin e mësipërm, ku u vihet faji sanksioneve të botës kundër Jugosllavisë, që kontribuuan të “vendoseshin rrugët e kontrabandës së drogës nga Turqia drejt tregut evropian-perëndimor e orientuar në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovë – Metohisë”. Duket vërtet qesharak ky arsyetim, por ja që ndërtohet në atë mënyrë të stërholluar që në politikën dhe opinionin evropian konsumohet dhe bën efekte duke favorizuar të kundërtën e së vërtetës.
Aspak Serbia edhe sot nuk ka vrarje ndërgjegje për atë që ka bërë mbi popujt e Ballkanit, duke i shkatërruar e duke vrarë me qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, por ka shqetësim se bllokada dëmtoi Ballkanin pasi krijoi kushte të favorshme “nga pamundësia e Serbisë për ta ndalur, si rrjedhojë e bllokadës ndërkombëtare”.
Lexuesi duhet të përpiqet të kuptojë domethënien e çdo citimi. Ne duhet të dimë se çfarë thotë armiku për ne. Nëse përpiqemi ta fshehim atë që thotë ai, domethënë ai ka të drejtë, sepse ne trembemi prej atyre thënieve. Nëse vërtetë dikush e ndjen veten fajtor, le të japë llogari, por portreti kombëtar dhe portreti e lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i ka borxh njollosjeje as Serbisë e as ndonjërit që vërtetë është i njollosur. Unë kam dëshirë që ne duke e njohur të vërtetën, të dimë t’i kthejmë përgjigje edhe armikut.
Askush nuk duhet të habitet, armiku kryen punën e tij. Me rëndësi është që edhe ne të kryejmë punën tonë. Në citimet e mësipërme dhe të gjitha ato që do të citohen në këtë kapitull, lexuesit do të arrijnë të kuptojnë se për Serbinë të gjithë shqiptarët kudo që janë, janë mafiozë, kriminelë, terroristë, bashkëpunëtor të krimit, trafikantë, etj., ndërsa shqiptarë të mirë konsiderohen ata të bindurit, ata që nuk e kundërshtojnë pushtimin dhe ata që bashkëpunojnë me pushtuesin. Ndërsa çdo thirrje në emër të atdheut, të kombit, të moralit dhe të drejtësisë që keni dëgjuar deri sot, Serbia e konsideron kriminalitet. Të gjithë ata që kanë këtë mendim, të çfarëdo kombësie qofshin, edhe shqiptarë po të jenë, unë dëshiroj të vihen në frontin e opinionit të Serbisë publikisht, se shqiptarëve në historinë e tyre nuk u prishin punë. Ndoshta do t’i mundojnë, siç do t’i mundojë edhe raporti i Dick Martyt në emër të Evropës me gjykatën speciale që prodhoj dhe vuri në veprim, por në fund fitorja është e shqiptarëve të ndershëm dhe e luftëtarëve të UÇK-së.
“Nga pothuaj 900 milionë DEM (marka gjermane) që arritën në Kosovë e Metohi ndërmjet viteve 1996 dhe 1999, gjysmën e përbënin paratë e fituara me tregtinë e narkotikëve, që specialistët e Interpolit në dhjetor të vitit 2000, i çuan në përfundimin se janë veprimtari të mjeteve të mbledhura për Kosovën dhe UÇK-në të përdorura për pastrimin ilegalisht të parave të fituara”.[4] Unë nuk kam pritur që Serbia të shprehet ndryshe. Nëse do të shprehej ndryshe do të dilte nga vetja. Por shqiptarët që i kanë dhënë ato të ardhura financiare për luftën e tyre për liri, e dinë mirë se me sa mund e djersë i kanë fituar ato para, duke punuar pa orar që të financojnë familjet në varfëri të tejskajshme dhe të japin kontributin e mundshëm për çlirimin nga pushtuesi.
Të gjithë besoj e kujtojnë edhe vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizimin e përgjithshëm, ku përjashtoheshin nga mobilizimi të gjithë ata që me punën e tyre në Evropën Perëndimore e në Amerike, kishin mundësi të financoni sado pak që luftëtarët të mund të vazhdonin kryerjen e detyrave luftarake kundër pushtuesit. Po të kishte para të mjaftueshme e të bollshme siç pretendon Serbia në deklarimet e saj, nuk kishte nevojë të shmangeshin kjo kategori e shqiptarëve nga mobilizimi për të qenë luftëtarë në frontet e lirisë në atdhe.
Pra, duhet kuptuar se edhe ata që kanë financuar Luftën Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë kontributin e tyre shumë të madh për lirinë. Por asnjë prej tyre nuk ka menduar të fitojë në rrugë të paligjshme për të financuar luftën.
Edhe Europa në vitin 1998 duke dëgjuar shpifjet serbe bëri një bllokim të përkohshëm të këtyre fondeve, por kur vërtetoj se ato nuk ishin tjetër veçse para të qytetarëve të emigruar që i fitonin me punën e tyre të ndershme në vendet e Evropës dhe që i financonin për lirinë e vendit të tyre, ky bllokim u hoq dhe financimi vazhdoj normalisht.
“Kanalet për transportim ilegal të drogës, UÇK nuk i ka shfrytëzuar vetëm si mënyrë që heroina të transportohej në Evropë, për shkak të fitimit (profitit) të madh, por edhe për shkak të futjes së armëve në Ballkan. Droga është këmbyer drejtpërdrejtë me armë ose ato janë blerë me para të fituara nga tregtia e narkomanëve në Shqipëri, Bosnjë – Hercegovinë, Kroaci, në Qipro, Itali, Mal të Zi, Zvicër dhe në Turqi”.[5] Sipas citimit të mësipërm gjithkush duhet të kuptojë se sipas propagandës shpifëse të Serbisë, çdo armë që ka ardhur në Kosovë për të luftuar me të për çlirimin e vendit nga pushtuesi, është blerë me parat e drogës dhe të trafikut të saj. E për këtë nuk përtohet të njollosen jo vetëm shqiptarët, por edhe Bosnje – Hercegovina, Kroacia, Qiproja, Italia, Mali i Zi, Zvicra dhe Turqia. Nuk janë vetëm këto shtete që konsiderohen se ishin në lojën e shqiptarëve për trafikun e Drogës. Në citimet e mëposhtme do të shikoni se nuk kursehet as Franca, Anglia, Gjermania, Kanadaja e edhe ShBA-ja. Por këto nuk janë befasi, ne jemi mësuar me shpifje të tilla. Problemi qëndron në atë se si t’u bëhet e qartë Dick Martëve se këto janë mashtrime. Rruga e sqarimit të këtyre të pavërtetave që ua veshin serbët të gjithëve, por për hatër të shqiptarëve ose nën diktatin e tyre, që këtë nuk besoj se e pranojnë gjermanët, francezët, anglezët, italianët, grekët, turqit, skandinavët, amerikanët etj., që të jenë vënë nën diktatin e shqiptarëve e të bëjnë çfarë duan shqiptarët.
Unë jam i sigurt jo sipas bindjeve, por duke e parë dhe njohur gjendjen në vendin dhe në kohën ku dhe kur ka ndodhur, se çdo armë e futur dhe përdorur në Luftën Çlirimtare të Kosovës nga UÇK-ja, është blerë me paratë e mundit dhe të djersës së shqiptarëve në atdhe dhe në vendet e tjera, si dhe luftëtarët asnjëherë nuk kanë kërkuar far luksi për vetë përveç elementëve më minimal për jetesë. Dhe kur them luftëtarët, nuk kam parasysh ushtarët e thjeshtë të frontit, por nga Komandanti i Përgjithshëm e UÇK-së, anëtarët dhe funksionarët e Shtabit të Përgjithshëm e në gjithë hierarkinë e kësaj lufte, që unë për fatin dhe lumturinë time i kam njohur dhe ua di bëmat dhe jetesën e asaj kohe të lavdishme, për të cilën ata vetë por edhe çdo shqiptar duhet të ndihet krenarë.
“Me ardhjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë – Metohi u krye dezintegrimi dhe çmilitarizimi formal i UÇK-së, por kjo organizatë as deri më sot nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e vet. Një pjesë e përbërjes e ka orientuar veprimtarinë në plan politik, nëpërmjet partive: Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa rreth 10.000 pjesëtarë të UÇK-së janë përfshirë me transformimin e UÇK-së në Korpusin e Mbrojtjes së Kosovës dhe në Shërbimin e Policisë së Kosovës”.[6] Çfarë mendon Serbia në këtë libër të 2004 dhe Dick Marty me raportin e vitit 2010, a mos kanë menduar se çlirimtarët, pasi të çlirohej atdheu do ta braktisnin atë? Natyrisht pas lufte luftëtarët ingranohen në parti politike, në polici të vendit, në forcat ushtarake dhe në administratën civile. Pse Serbia dhe zotëri Marty mendojnë se pas lufte ata nuk duhet të ishin askund. Pse mendojnë se duhet të ishin jashtë Kosovës ose të mos kishin asnjë të drejtë? A e kuptojnë pse luftohet për liri Serbia e zotëri Marty? Realisht kur lexon deklarime të tilla ata që i kanë shkruar duket se janë shakaxhinj, por që bëjnë siç thonë shqiptarët: Shaka pa kripë.
“Ka rëndësi përfundimi se krimi i organizuar në Kosovë – Metohi, duke marrë strukturën dhe infrastrukturën e UÇK-së, është zhvilluar dhe degëzuar krahas me terrorizmin shqiptar dhe që tani paraqet një bazë materialo-financiare të qëndrueshme, por dhe ekspansive të lëvizjes terroriste-separatiste shqiptare në tërësi”.[7] Duket se sipas Serbisë paslufta meqenëse nuk lejoj të ishte më e të sundonte Serbia në Kosovë si dinte ajo, tashmë nuk do të kishte tjetër veçse terrorizëm dhe separatizëm shqiptar në tërësinë e shtrirjes kombëtare. Ku do të kishte vetëm ekspansionizëm. Po vërtetë a dihet se kush quhet ekspansionist? A quhet ekspansionist ai komb që lufton dhe punon të sundojë vetveten apo ai shtet e komb që lufton e bën masakra për të sunduar kombet e tjera? Këtë përgjigje është me vend ta japë zotëri Marty, i cili në raportin e tij ka shkruar gjithçka që shkruajnë serbët veçse duke u përpjekur të moderojë gjuhë.
Struktura dhe infrastruktura e UÇK-së do të jetë përjetësisht e pranishme në Kosovë, pasi ajo është struktura dhe infrastruktura e lirisë, duan apo nuk duna serbët dhe zotëri Marty.
[1] Po aty faqe 10
[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 11, botimi serbisht
[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 9, botimi serbisht
[2] Po aty faqe 9
[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 9, botimi serbisht
[4] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 9-10, botimi serbisht
[5] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 10, botimi serbisht
[6] Po aty faqe 10
[7] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 11, botimi serbisht.
***
UÇK-ja bëri një luftë për ta çrrënjosur njëherë e përgjithmonë kriminalitetin e Serbisë kundër popullit të Kosovës
“Në qershor të vitit 2003, Beri Fleçer, zëdhënës i policisë së UNMIK-ut në Kosovë – Matohi, në deklaratën për media ka thënë se një nga pengesat më të mëdha me të cilën ballafaqohen forcat e kombeve të Bashkuara, është thellësisht e rrënjosur mafia shqiptare, e cila përdorë parullat nacionaliste të shqiptarëve të Kosovë-Matohisë atëherë kur ato iu përgjigjen kërkesave të tyre. (“Çdo herë kur burgosnin ndonjë prej udhëheqësve gangsterë, ai mbështillej me flamurin shqiptar, kurse në rrugët shpërthenin demonstruesit. Kjo nuk ishte shoqëri e qëlluar me krimin e organizuar, por shoqëri e bazuar në krimin e organizuar”, deklaroi Fleçer”.[1] Jam i sigurt se në qoftë se Beri Fleçer ka përdorur një gjuhë të tillë ai nuk është tjetër veçse një i dërguar i Serbisë, pasi populli shqiptar e di mirë se UNMIK-u në Kosovë nuk ka pasur demonstrata për mbrojtje gangsterësh, por për mbrojtje të luftëtarëve të arrestuar sipas paragjykimeve serbe, të cilët në përgjithësi në gjykimet e gjykatave ndërkombëtare kanë dalë në pafajësi.
Dhe ajo që duhet theksuar në këtë moment është e vërteta se populli shqiptar në Kosovë nuk është një popull që do të largohet nga këto troje, por një popull që do ta gëzojë lirinë e tij aty në trojet e të parëve dhe që me gjithë vështirësitë e daljes nga një luftë e përgjakshme me pushtuesin do të ndërtojë gradualisht një jetë të begatë. Prandaj edhe shoqëria që ndërton me gjithë pretendimet që kemi për më mirë, do të jetë një shoqëri shqiptare e kulturuar dhe me ardhmëri, por pa pushtuesit serb sot e në shekujt e ardhshëm.
UÇK-ja bëri një luftë finale pikërisht për të çrrënjosur njëherë e përgjithmonë kriminalitetin e Serbisë kundër popullit të Kosovës. Ajo as që do të lejojë të instalohen struktura kriminale në këto hapësira të vendit të tyre, i cili është larë me gjakun e djemve dhe vajzave luftëtarë, të cilët në frontet e luftës kundër pushtuesit shekullor serb, derdhën gjakun e tyre të pastër për të çimentuar lirinë e përjetshme të atdheut.
“Grupet e para të armatosura të UÇK-së në zonën e Drenicës i ka udhëhequr Adem Jashari nga Prekazi i Poshtëm, ndërsa anëtarët ishin kushërinjtë e tij më të afërt dhe më të 1argët, kryesisht persona të prirë për dhunë dhe kryerjen e veprimeve kriminale të imta. Më vonë atyre iu bashkuan ish-oficerë të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe pjesëtar të MPB të Serbisë me kombësi shqiptare, të cilët iu larguan besnikërisë ndaj shtetit dhe organeve të tij, si dhe pjesëmarrës të ndeshjeve të armatosura në trevat e Kroacisë dhe të Bosnje – Hercegovinës, ku kanë fituar përvojë luftarake”.[2] Mirë që Serbia e di se grupet e para të armatosura të UÇK-së në zonën e Drenicës i ka udhëhequr Adem Jashari nga Prekazi i Poshtëm, por nuk thotë asgjë se si me ushtri masive ndërmori një operacion të posaçëm kompleks për të luftuar kundër Adem Jasharit, duke u vënë përballë fëmijëve e grave, pleqve e plakave, të cilët luftuan deri në pikën e fundit të gjakut, për t’i thënë jo Serbisë njëherë e përgjithmonë. Vërtet a ndihet krenare Serbia që duke luftuar kundër Adem Jasharit ka vrarë pleq e fëmijë? Besoj se ndihet shumë krenare përderisa nuk përmendet fare ky operacion i gjerë. Por me gjithë madhështinë e qëndresës, me gjithë fuqinë e rezistencës, me gjithë jehonën e luftës kombëtarisht e ndërkombëtarisht, me gjithë rënien heroike të 56 luftëtarëve të moshave prej 80 e deri në 8 vjeç, Serbia përsëri ka guximin dhe i quan “persona të prirë për dhunë dhe veprimtari kriminale”. Kur lexon këtë vlerësim edhe njeriu më indiferent e kupton saktësinë e vlerësimit të Serbisë për shqiptarët dhe gjithçka që ndërmarrin ata për jetën dhe lirinë e tyre. A e dinë shqiptarët se në Luftën e Prekazit kanë marrë pjesë 8 mijë trupa ushtarake e policore serbe me të gjitha llojet e armëve? A e dinë shqiptarët se në Luftën e Prekazit, organizimi i forcave serbe ishte në dy fronte, në frontin e brendshëm me 4 mijë trupa dhe në frontin e jashtëm me 4 mijë trupa? A e dinë shqiptarët se brenda unazës së frontit të brendshëm luftonin vetëm 60 luftëtarë të moshave të ndryshme deri edhe fëmijë? A e dinë shqiptarët se, çdo luftëtari lirie brenda unazës së rrethimit i ka takuar të ketë përballë 67 luftëtarë serb të armatosur deri në dhëmbë? A e dinë shqiptarët se ata luftëtarë lirie bënë 3 ditë luftë? A e dinë shqiptarët se ata luftëtarë lirie rezistuan sa të ishin një perandori? Shqiptarë – përuluni përpara akteve të tilla të atdhetarisë, të cilët Lufta Çlirimtare e Kosovës i ka pasur të shumtë në të gjitha frontet e luftës prej fillimit e deri në mbarim.
“Megjithëse përbërja fillestare e këtij organizimi nuk e kishte reputacionin me të cilin të tërhiqte anëtarë të rinj, UÇK-ja, për një kohë relativisht të shkurtër, arriti të siguronte masivitet të rëndësishëm. Për këtë sipas serbëve “efekte pati edhe terrori i kryer nga ana e shtabeve terroriste vendore mbi pjesën “indiferente” të popullatës shqiptare. Duke organizuar të ashtuquajturat treshe, ekstremistët frekuentonin udhëheqësit e fiseve dhe i kërcënonin me likuidimin e disa anëtarëve të atyre familjeve, të cilat nuk do të jepnin përfaqësuesit e vet për repartet e UÇK-së (Ka ekzistuar edhe mundësia që pjesëmarrja në repartet e UÇK-së “është blerë”, me pagesë nga 2 deri 5 mijë marka gjermane (DEM) komandantit të vendit të UÇK-së, gjoja për nevojat e organizimit, edhe pse një pjesë e rëndësishme e këtyre mjeteve ka përfunduar në xhepat e privatëve). Forcimit të UÇK-së i kanë kontribuar edhe paratë e krimit, si dhe ndihma e diasporës shqiptare”.[3] Me gjithë dashakeqësinë Serbia edhe kur është e detyruar të deklarojë një fakt të asaj kohe përpiqet ta njollosë në mënyrën më të ndyrë. Më sipër lexojmë: “UÇK-ja, për një kohë relativisht të shkurtër, arriti të siguronte masivitet të rëndësishëm”, që është një e vërtetë e pranuar ndërkombëtarisht. Gjithë bota ka pranuar se UÇK-ja është organizata guerile më e suksesshme në botë, që për një kohë shumë të shkurtër u njoh prej botës, u vlerësua prej saj, u pranuar si qytetare bashkëkohore e botës moderne dhe në përfundim kjo botë e madhe u bë bashkëluftëtare e saj që ajo të plotësonte detyrat e saj me dëmtime sa më të vogla në popullatën që mbronte prej armikut, duke ardhur në përfundimin e luftës me një fitore të përbashkët të UÇK-së dhe të NATO-s.
Por ja që ky sukses nuk paska qenë sipas serbëve i merituar, sepse shtabet e UÇK-së paskan bërë presion mbi pjesën indiferente të popullatës shqiptare. E sa për sqarime për atë periudhë, me pahir e detyrim nuk lejohej të merrej askush në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi të marrët me mashtrim apo me presion gjithnjë të lënë pa përkrahje në situata të vështira luftarake e të lënë frontin bosh, pasi ikin, sepse ata nuk kanë ideal dhënien e jetës për atdhe e liri. Prandaj edhe UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, ku kishte të drejtë të rreshtohej çdo shqiptar i gatshëm për sakrifica në emër të atdheut. Por këto shpifje të rinovuara në vitin 2010 nga Dick Marty, nuk do të kenë të ndalur, sepse realisht Serbia nuk mund të kuptojë lirinë e të tjerëve dhe çdo veprim kundër saj, pavarësisht se është i drejtë, do të ketë pas një skenar të ngritur me shumë mjeshtri për ta njollosur atë e për të krijuar një mjegullnajë që opinioni në vend të së vërtetës të pranojë gënjeshtrën.
“Policia Gjermane, në mars të vitit 1999, ka konstatuar se rritja e tregtisë me heroinën, me të cilën në tregun e Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve skandinave merren shqiptaret, ka koinçiduar me forcimin e shpejt të UÇK-së. Është vërtetuar se nga një ushtri fshatare e armatosur lehtë, siç ishte disa vjet më parë, UÇK-ja u zhvillua deri në forcë prej dhjetëra mijëra njerëzish, të pajisur me raketahedhëse, me armatim kundërtank dhe me pushke AK-47. (“The Times”, 24 mars 1999, teksti me titull “Paratë e drogës janë të lidhura me kryengritësit kosovarë” autorët janë korrespondentë nga Boni, Roxher Bojs dhe Eske Rajt)”.[4] Unë nuk ndjejë ndonjë trysni nga informacione të tilla, pasi e kam të njohur praktikën e Serbisë që shpifjet nuk i bën gjithnjë vetë, por në shumicë të rasteve blenë autorë të ndryshëm në vende të tjera, siç duket edhe rasti i këtyre dy gazetarëve që Serbia i njeh me dhëmbë e dhëmballë. Por ashtu siç duket në të gjitha pamjet edhe rasti i zotëri Marty, i cili ka ngritur një tajfun mashtrimesh me një raport voluminoz në emër të Evropës, por që është si dy pika uji me këtë libër të shkruar nga Serbia 6 vjet para raportit. Sidoqoftë, unë ndihem krenar që dikush atje në Gjermani e paska ditur se UÇK-ja ishte bërë një ushtri e fuqishme kur bota vendosi të bëhet partnere e saj në luftë kundër Serbisë. Se ka edhe këtu në Kosovë e në Shqipëri, që megjithëse i thonë vetes shqiptarë dhe flasin shqip, nuk arrijnë të kuptojnë atë që qenka kuptuar në Gjermani që në vitin 1999, e në Serbi komentuar në vitin 2004.
“Numrin më të madh UÇK-ja e ka pasur gjatë bombardimeve të NAT0-së kur nën armë u rreshtuan mbi 20.300 pjesëtarë. U formuan brigada, të cilat, pa bashkërendime të rëndësishme ndërmjet tyre, vepronin në shtatë zona operative – Drenica, Pashtriku, Dukagjini, Shala, Nerodimje dhe Karadak”.[5] Me thënë të drejtën më duket interesant që Serbia në atë kohë paska pasur një informacion thuajse të saktë. Por meqë jemi këtu, dua të saktësoj plotësisht, se me fillimin e goditjeve të NATO-s, UÇK-së iu bashkëngjitën 19 mijë luftëtarë, të cilët i dhanë një hov të mëtejshëm luftës për liri dhe bashkëpunimit me NATO-n.
“Pas shpalljes zyrtare të çmilitarizimit të UÇK-së në tetor 1999, në intervale të ndryshme, në territorin e Kosovë – Metohisë janë regjistruar veprimtaritë e rreth 40 grupeve të armatosura të shqiptarëve, me nga 10 deri 300 anëtarë aktiv kryesisht nga radhët e ish-UÇK-së dhe persona të gatshëm për kryerjen e veprimeve kriminale. Një numër i madh i këtyre grupeve ishte i formuar me nismën ose angazhimin e drejtpërdrejtë të Rustem Mustafës, të quajtur “komandant Remi”, të Fatmir Humollit dhe të disa oficerëve të tjerë të K3K, por që veprojnë nën patronazhin e Hashim Thaçit, ose të ashtuquajturave shërbime sekrete shqiptare të formuara në Kosovë – Metohi”.
Gjithkush ka të drejtën të bëjë krahasimin e gjuhës së përbashkët të Serbisë dhe të zotëri Martyt. Fjalor, që duke u përpjekur të nxijë gjithçka, është i formuluar në atë mënyrë që të njollosë gjithë hapësirën e Kosovës. Por populli i njeh mirë edhe Rustem Mustafën edhe bashkëpunëtorët e bashkëluftëtarët e tij dhe nuk mund të zbehet portreti i tij me shpifjet serbe, përkundrazi, sa më shumë të shpif Serbia për djemtë e luftës, aq më i madh bëhet portreti i tyre në sytë e popullit shqiptar që i gëzohet lirisë, duke parë se Serbia është hedhur jashtë njëherë e përgjithmonë.
[1] Po aty, faqe 11
[2] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 12, botimi serbisht
[3] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 12 – 13, botimi serbisht
[4] Po aty, faqe 13
[5] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 13, botimi serbisht
***
Serbia e kthen shikimin prapa tek UÇK-ja, pasi ajo i ka shkaktuar më shumë dhimbje
“Veprimtaritë me prioritet të pjesëtarëve të këtyre grupeve në funksion janë frikësimet e popullsisë serbe dhe të spastrimit etnik të territorit të Kosovë-Matohisë, likuidimin e dëshmitarëve potencialë për akuzat eventuale të Hagës kundër terroristëve shqiptarë dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre”.[1]

Po të kishte një veprimtari të tillë në Kosovë pas luftës çlirimtare, nuk do të kishte sot serbë në Kosovë. Por shqiptarët janë qytetarë modernë, ata nuk kryejnë asnjë veprim denigrues e shfarosës ndaj atyre që qëndrojnë në të drejtën e tyre, qofshin ata edhe serbë.
Por në gjithë këtë fjalologji Serbia do të bënte mirë të thoshte si e shpërnguli nga shtëpitë e tyre 75 për qind të popullit shqiptar në vitin 1999. Kështu ndoshta do të detyrohej të bënte në një mënyrë një kërkim faljeje publike për veprën e saj masakruese ndaj një kombi të tërë. E sa u përket likuidimeve, nuk mund të flitet në erë, pasi Kosova është një shtet demokratik dhe shumëllojshmëria e ideve politike për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit duke përmirësuar në vazhdimësi jetën e popullit është kusht i demokracisë që po ndërtohet në Kosovë. Njëkohësisht duhet ditur se edhe serbët e Kosovës kanë krijuar një tufë me parti politike dhe nuk po i shqetëson askush. Por dihet qëllimi i deklarimeve të tilla, nëpër të cilat synohet të krijohen parakushte për konflikte politike në Kosovë. Megjithatë kam kuptuar se shpifje të tilla nuk kanë luajtur asnjë rol në Kosovë, pasi aty të gjithë e dinë se çfarë bëjnë dhe mund të thuhet se atmosfera politike më harmonike se në Kosovë në pak vende është në Evropë.
Fatkeqësia qëndron në mashtrimin e opinionit ndërkombëtar, që nuk e njeh gjendjen e vërtetë në Kosovë, e nëpërmjet këtyre deklarimeve të gënjeshtërta krijon mendim të gabuar se dukuri të tilla mund të jenë të vërteta. Pa folur pastaj kur gjendet edhe ndonjë megafon keqdashës, si zotëri Marty, që i përforcojnë këto tullumbace të toksike që i hedhë Serbia në qiellin shqiptar për ta ndyrë e helmuar.
“Veçanërisht janë vërejtur veprimtaritë e grupeve që quhen: ‘Ideali’, ‘Skifteri’, ‘BIA’, ‘Kështjella’, ‘Shqiponjat e Mëdha’, ‘Dora e zezë’, ‘Syri i Shqiponjës’, ‘Shqiponjat e Zeza’, ‘Tigrat e Zinj’, ‘Maskat e Zeza’, ‘Zjarri’, ‘Akatana’, ‘Siguria e Vendit’, ‘Siguria e Atdheut’, ‘Flamur Kombëtar’, etj.”.[2] Duke përmendur emërtime të tilla pas përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia duket sikur kërkon të bëjë barazimin me emërtimet e njësive kriminale paramilitare të saj që kanë vepruar në Kosovë gjatë luftës. Por nuk mund të bëhet barasvlefshmëri e tillë, pasi ky popull i ka përjetuar me tmerr veprimet e tyre dhe masakrat që ata kanë kryer mbi këtë popull për gjatë gjithë periudhës së luftës. Kurse UÇK-ja nuk kishte pse të ngrinte struktura luftarake pasi lufta kishte përfunduar. Të gjithë emrat e njësive kriminale është mirë Serbia t’i adresojë atje ku edhe sot vepron, në zonat ku bën akoma krime dhe terrorizëm, ku banojnë serbët si qytetarë të Kosovës së çliruar, sepse prej shqiptarëve populli shqiptar e di mirë nëse kanë vepruar apo jo njësi të tilla. “Shfaqja e pjesëtarëve të UKSH në mjediset fshatare të kujton daljen në skenë të anëtarëve të UÇK-së gjatë viteve 1996 e 1997, kur me metodat e frikësimit, kurse më vonë edhe me likuidime, e imponuan popullsinë shqiptare që t’iu bashkoheshin masivisht atyre”.[3] Duke bërë një deklarim vlerësues, për Armatën Kombëtare Shqiptare, një strukturë që u deklarua në vitin 2002, për të mbrojtur fitoret e arritura nga Ushtritë çlirimtare të mëparshme dhe avancuar ato më tej, Serbia e kthen shikimin prapa tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pasi vërtetë ajo i ka shkaktuar më shumë dhembje. Dhe prapë i kthehet për t’i përforcuar metodave të frikësimit e të imponimit që i paska bërë UÇK-ja popullit shqiptar që të dalë në luftë kundër Serbisë. Nuk e di vërtetë mendon Serbia se ka ndonjë shqiptar që do të pranonte të ishte nën sundimin e saj? Nëse vërtetë mendon kështu, do të ndihesha i habitur dhe do të vlerësoja se Serbia nuk korrigjohet e do të apeloja për të gjithë shqiptarët që të rritin vigjilencën ndaj Serbisë se megjithëse jashtë Kosovës, mbetet e rrezikshme si dje kur na kishte nën sundim kolonial.
“Dhuna në Kosovë – Metohi kryhet për motive etnike, politike dhe ekonomike. Më të shumta në numër dhe më të pa skrupuj janë sulmet e shqiptarëve mbi serbët dhe malazezët të kryera për shkak të urrejtjes nacionale, me qëllim të spastrimit etnik. Është e dukshme se një numër i madh i këtyre krimeve është kryer me plan dhe që rezultatet e hetimeve shpesh kanë treguar për ndërhyrjen e UÇK-së, përkatësisht tani të UKSH-së, por që një numër i vogël vepruesish është zbuluar, siç kanë pohuar në njoftimet e tyre edhe përfaqësuesit e OSBE-së në Prishtinë. (Në mesin e vitit 2003, mediet perëndimore kanë vërejtur se nga qershori 1999 numrin më të madh të sulmeve terroriste e kanë filluar ekstremistët shqiptarë mbi serbët dhe pjesëtarët e pakicave të tjera etnike. Rezultati është dëbimi i pothuaj 240.000 joshqiptarëve nga Kosovë – Metohia, ndërsa pjesëtarët e pakicave që mbetën në Krahinë u grupuan në enklavat e izoluara)”.[4] Unë duke lexuar këtë citim kam dëshirë të pyes publikisht çdo njeri që njeh gjendjen: A ka sot serb që nuk është në shtëpinë e tij në Kosovë dhe a ka shqiptarë që nuk është në shtëpinë e tij në Kosovë?
Sepse sot, në Kosovë të gjithë serbët janë në shtëpitë e tyre, janë në pronën e tyre, shkojnë në rrugën ku shkojnë të gjithë, punojnë në punën e tyre, kanë pushtetin e tyre dhe askush nuk i ngacmon. Mund edhe të ketë të larguar por me sa shihet, janë të larguar ata serbë e malazezë që u sollën nga Bosnje – Hercegovina, Kroacia e Serbia gjatë luftërave të pas vitit 1990. Të cilët u sollën masivisht në Kosovë e natyrisht edhe unë po të isha njëri prej tyre, pas largimit të Serbisë nuk do të qëndroja si kolonë në një shtet të huaj. Ndërsa edhe sot ka shqiptarë, që prej presionit të serbëve nuk kanë shkuar në shtëpitë dhe pronat e tyre megjithëse lufta ka përfunduar prej mbi 20 vjetësh. Unë këtë e konsideroj shqetësim, por ky fakt nuk përmendet as në fjalorin e Serbisë e as të Dick Martyt. Nëse serbët kanë shqetësime se duan Serbinë në Kosovë, ta kuptojnë njëherë e mirë që përjetësisht kjo s’ka për të ndodhur më. Për këtë të jetë i sigurt edhe zotëri Marty me gjithë raportin e tij antishqiptar në emër të Këshillit të Evropës.
“Në periudhën nga ardhja e forcave Ndërkombëtare në Kosovë – Metohi deri në 23 gusht të vitit 2003, terroristët shqiptar kryen në territorin e Krahinës dhe në komunat e Preshevës e Medvegjës gjithsej 6.571 sulme, nga të cilat 5.962 mbi serbët e malazezët, 207 mbi shqiptarët 335 mbi personat e kombësive të tjera. Në të njëjtën periudhë mbi pjesëtarët e policisë janë kryer 57, kurse mbi përfaqësuesit e ushtrisë së Serbisë – Malit të Zi gjithsej 10 Sulme. Në këtë rast janë vrarë 1.206 persona dhe janë plagosur 1.319 qytetarë dhe 15 policë. Fati i 846 vetave, nga gjithsej 1.146 persona të rrëmbyer, deri tani nuk dihet”.[5] Lexojeni këtë paragraf për të kuptuar se si përzihen ngjarjet dhe territoret për të sjellë një emërues të përbashkët – emrin e UÇK-së. Me ardhjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë a kishte më ushtri e polici serbe që të bëheshin sulme ndaj tyre? Gjithkush e di se nuk kishte dhe praktikisht sulme të tilla ishin të pa mundura, pasi forcat shqiptare nuk janë futur asnjëherë në territore përtej kufijve të Kosovës. Ndërsa në qoftë se flitet për Ushtrinë Çlirimtare Preshevë – Medvegjë – Bujanovë, dihet që Serbia me këtë ushtri me prezencë ndërkombëtare ka nënshkruar një marrëveshje paqeje. Marrëveshje që nga pozitat e të fortit deri tani nuk e ka zbatuar. Ashtu sikurse është nënshkruar edhe një marrëveshje paqeje në Ohër me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare nga shtetin i Maqedonisë, e cila gjithashtu akoma mbetet e pa implementuar.
Këto janë veprimtari në kuadër të lëvizjes kombëtare dhe unë mendoj se lëvizja kombëtare edhe pas këtyre nuk duhet të ndalet deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare e bashkimin e të gjithë shqiptarëve e trojeve të tyre në një shtet të vetëm kombëtar.
Dhe shikoni që Serbia për ato çfarë i intereson të ngrejë shpifje paska evidenca të çuditshme, kurse për rreth 2 mijë të zhdukurit shqiptar nuk ka evidencë, që është një tregues i fuqishëm i prezencës së mashtrimit dhe shpifjes kundërshqiptare me qëllime të caktuara, siç duket si instruksion për zotëri Martyn, që të ketë material të bollshëm për raportin.
“Veçanërisht shqetësuese është tendenca e rritjes së numrit të vrasjeve të shqiptarëve që janë në listë dëshmitarë ose që kanë dëshmuar kundër pjesëtarëve të paditur të UÇK-së”.[6] Paragrafi i cituar më lartë është një ideologji të cilën Serbia nuk e përdorë për herë të parë. Kjo është ideologjia që ka përdorur gjatë gjithë hapësirës kohore të pushtimit. Sepse gjithnjë është përpjekur të ngulit tek të gjithë shqiptarët, idenë që rreziku i shqiptarëve janë shqiptarët; që shqiptarët i bëjnë vetëm keq njëri tjetrit; që shqiptarët duhet të jenë vigjilent ndaj rrezikshmërisë që paraqesin ndërmjet vetes; që shqiptarët janë hakmarrës dhe të egër me njëri tjetrin; që shqiptarët po u prishe interesat e tyre të likuidojnë etj. Të gjitha këto ne i njohim dhe e dimë që Serbia atë program ka, sepse vetëm ashtu mund ta mbante të sunduar Kosovën dhe të mbajë viset e tjera të pushtuara, duke përçarë shqiptarët në mënyra nga më monstruozet. Por që këtë fjali e përdorë edhe Dick Marty në raportin e tij, kjo të duket pak interesant, pasi nuk ndalet vetëm me akuza për vepra të kryera por edhe me paramendime se çfarë mund të ndodh në qoftë se këto akte dalin në dritë.
“Ekspansioni i krimit të organizuar në Kosovë – Metohi është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimtarive terroriste të UÇK-së, disa udhëheqës të së cilës kanë shfrytëzuar autoritetin në këtë organizatë për të vendosur kontrollin mbi tregtinë ilegale në zonën e vet të kompetencave (para)ushtarake”.[7] [1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 17, botimi serbisht
[2] Po aty faqe 17
[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 20, botimi serbisht
[4] Po aty faqe 21
[5] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 21, botimi serbisht
[6] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 22, botimi serbisht
[7] Po aty faqe 28
VIJON …
_____________________
KUDUSI LAMA: UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (IX)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10474

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura