Tiranë, 02. 02. 2017: Libri “Qasje albanologjike” është libri më i fundit i prof. dr. Hysen Matoshit, i cili i jep dimension dhe hapësirë punës kërkimore-shkencore që bëhet në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në këtë libër janë pasqyruar përpjekjet e disa brezave që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e Albanologjisë dhe që kanë bërë që ky institucion të qëndrojë në këmbë e të mbijetojë në sajë të kontributit të tyre. Punonjësit e këtij institucioni u kanë qëndruar me dinjitet pushtuesve serbë, duke punuar për periudha të gjata pa pagesë, duke na treguar se vazhdimësia dhe rritja e këtij institucioni qëndron tek përkushtimi i tyre për të sjellë para opinionit publik dhe atij shkencor, prova dhe dëshmi të identitetit tonë kombëtar. Opinioni shkencor dhe publik, evropian dhe më gjerë, ka qenë i njohur deri më sot për identitetin e shqiptarëve, më shumë prej fqinjëve tanë pushtues se sa prej vetë shqiptarëve. Për ta thyer këtë mentalitet evropian që është formuar nga pseudo-shkenca e fqinjëve tanë, dijetarët shqiptarë që ndodheshin nën pushtimin serb, e krijuan me zemër këtë institucion shkencor, për ta ngritur në ditët e sotme në nivelin më të lartë shkencor dhe që tashmë është në gjendje të ballafaqohet me dinjitet në bashkësinë e institucioneve shkencore të mbarë botës.
Shkenca dhe identiteti kombëtar
Autori ka dashur t`u japë përgjigje të drejtpërdrejta disa pyetjeve që shqetësojnë jo vetëm opinionin shkencor, por edhe atë publik. E tillë është dhe trajtesa “Shkenca dhe identiteti kombëtar”. Autori i mëshon fort idesë se në trajtimin e një problemi, qoftë ky dhe i identitetit kombëtar, nuk mund të bëhet kurrsesi mbi fakte dhe dëshmi të pjesëshme. Trajtimi shkencor kërkon sjelljen e plotë të fakteve dhe dëshmive që lidhen me një problem të caktuar. Duke përdorur metodën e një analize tërësore, prof. dr. Hysen Matoshi arrin në përfundimin se deri tani ka qenë politika ajo që ka përcaktuar identitetin e kombeve më të vegjël, siç ka qenë dhe rasti i shqiptarëve nën të ashtuquajturën Jugosllavi. Për të shkatërruar identitetin e qëndrueshëm të popujve të vegjël, kjo politikë prodhoi identitetin klasor. Në këtë trajtesë zënë vend jo vetëm fenomenet që kanë ndodhur nën të ashtuquajturën Jugosllavi, por dhe ato pas shpërbërjes së saj, siç është rasti i Enciklopedisë që nxori Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë që realitetet politike atje, kërkonte t`i kthente në realitetete shkencore. Një përgjigje të argumentuar autori jep edhe për disa qarqe shqiptare që, pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, flasin për lindjen e një identiteti të ri. Autori i jep përgjigje një pyetjeje të drejtpërdrejtë. Me lindjen e një shteti të ri, a krijohet dhe një komb i ri? Ndryshe nga sa ndodh me shumë akademikë e profesorë në trojet shqiptare që u shmangen përgjigjeve të drejtpërdrejta, kur ato lidhen me politikën, në përfundimet që dilet pas leximit të kësaj trajtese ndodh ndryshe.
Trajtesa të kësaj natyre i bëjnë nder jo vetëm autorit, por dhe vetë Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Albanologjia sot-parë në dritën e funksionimit të Institutit Albanologjik
Tepër interesant dhe me vlerë shkencore është dhe trajtesa “ Albanologjia sot-parë në dritën e funksionimit të Institutit Albanologjik” ku jepet një panoramë e gjerë e përpjekjeve të shqiptarëve për të ngritur një Institut Albanologjik në Prishtinë dhe politikat antishqipatare të qeverive të ish-Jugosllavisë për ta mbyllur këtë institucion që ka qenë dhe mbetet pikë orientuese e shqiptarëve në udhëkryqet e historisë. Përballë skemave asimiluese të Aleksandër Rankoviqit dhe Milosheviçit, ky intitucion i përballoi me sukses sulmet e tyre duke dhënë tek shqiptarët shembullin e qendresës për të mos u gjunjëzuar e asimiluar. Në ato kushte të vështira nën sundimin e qeverive të Beogradit, Instituti Albanologjik i Prishtinës nuk u mposht. Ata i financuan vetë disa projekte të kushtueshme, duke sakrifikuar mirëqënien e tyre dhe të familjeve të tyre, traditë e cila vazhdon edhe sot për shumë nga figurat më të njohura në Kosovë, të cilat e vazhdojnë punën e tyre edhe kur u mungojnë financimet nga shteti. Duke i parë me admirim dhe adhurim disa nga figurat më të shquara në Institutitin Albanologjik të Prishtinës, kupton se botën shpirtërore dhe atë materiale nuk e lëviz paraja, por përkushtimi i njerëzve për çështje të rëndësishme kombëtare, për ta sjellë kombin shqiptar në vëmendjen e opinionit publik evropian dhe më gjerë si një komb vlerash të qëndrueshme, të shenjuara qysh në zanafillën e qytetërimeve mesdhetare.
Letërsia
Autori jep një pasqyrë të zhvillimeve të letërsisë shqipe nga zanafilla e saj deri në ditët e sotme, shtrirë në të gjithë hapësirën shqiptare. Një vend i rëndësishëm i kushtohet letërsisë së vjetër shqipe dhe studiuesve të saj. Autori e shikon zhvillimin e letërsisë shqipe në konteksin historik, si dhe marrëdhëniet e saj me letërsinë e popujve të tjerë ballkanik. Arbëreshët e Italisë shihen si urë që lidh letërsinë shqipe me atë evropiano-perëndimore. Po letërsia jonë ka përfituar dhe nga letërsia e orientit nëpërmjet ngulimeve shqiptare dhe krijimit të disa qendrave kulturore dhe në veçanti Stambolli, gjatë Periudhës së Rilindjes Kombëtare. Kjo hapje e letërsisë shqipe ndaj Lindjes dhe Perëndimit lidhet kryesisht me pozicionin gjeografik të trojeve shqiptare. Letërsia është vlera reale që popujt kanë krijuar gjatë historisë së tyre dhe që i bashkon ata. Letërsia shqipe, e krijuar si vlerë midis Lindjes dhe Perëndimit, nuk i ndan këto dy njësi gjeografike, por i bashkon ato. Vlerat përbashkuese janë vlerat reale që krijojnë popujt dhe kjo vlerë gjendet dhe tek letërsia shqipe.
Autori ndalet hollësisht në letërsinë shqipe që u krijua midiss dy Luftrave Botërore, sjell në vëmendje të opinionit shkencor dhe atij publik vlerat që krijoi letërsia jonë nëpërmjet përfaqësuesve më në zë të kësaj periudhe. Përmenden disa nga revistat më të rëndësishme që u bënë djepi ku u rrit letërsia shqipe dhe që shërbyen si urë komunikimi midis autorit dhe lexuesit.
Autori ndalet në letërsinë shqiptare të ditëve të sotme dhe vlerëson përfshirjen që u është bërë disa shkrimtarëve që në periudhën komuniste ishin lënë në harresë. Si shembull sjell Historinë e Letërsisë Shqiptare, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por nga ana tjetër vëren se disa autorë, vepra e të cilëve i ka dhënë ngjyrim jo vetëm periudhës në të cilën jetuan, por e kanë shtrirë ndikimin e tyre dhe në zhvillimet e mëpastajme të letërsisë sonë, u është dhënë më pak hapësirë seç duhej t`u jepej në të vërtetë. Si shembull vjen poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, të cilin e krahason me hapësirën e ngushtë që i është dhënë në raport me disa shkrimtarë të tjerë. Analiza e autorit ndalet dhe në dukurinë e hermetizimit në letërsinë shqipe, me përfaqësuesit e saj Beqir Musliu dhe Anton Pashku, ndërsa si fazë kalimtare në kërkim të shprehjes letrare përmenden dhe autorë të tjerë.
Autori ndalet dhe në zhvillimet e ditëve të sotme jo vetëm në poezi, por dhe në prozë, sidomos në gjininë e romanit, e cila ushqehet me të dhëna nga realiteti shkencor, historik dhe jetësor. Analizon dy këndvështrimet e ndryshme që janë dhënë për figurën e Skënderbeut, nëpërmjet analizës që i bën veprës së Rogasien Foresë. Autori francez e shikon Skënderbeun si mbrojtës i Krishtërimet, një vlerësim i lartë, parë nën këndvështrimin e të huajve. Në përkthimin shqip, mbrojtësit të Krishtërimit, i është dhënë dhe një përmasë tjetër, që e lidh me truallin që e nxori atë. Janë trojet shqiptare që nxorën nga gjiri prijësin e tyre, që i dhanë pontecialin njerëzor, ushtarak dhe ekonomik për t`i bërë sfidë perandorisë osmane, për të mbrojtur trojet e tyre dhe vetë kontinentin evropian. Nëse kontinenti evropian e vlerëson Skënderbeun si mbrojtës i Krishtërimit, në radhë të parë duhet të vlerësojnë popullin që e bëri atë të tillë.
Vepra e Rogasien Foresë për Skënderbeun, përkthimi në shqip dhe vlerësimi i saj nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i kujtojnë kontinentit evropian se në këto troje ballkanike ishin shqiptarët ata që u bënë mbrojtësit e Krishtërimit dhe prijësin e tyre e bënë simbol të paqes dhe të lirisë.
Një tjetër figurë e spikatur e trojeve tona që ka marrë kujdesin e autorit është dhe ajo e Hasan Prishtinës. Atdhetar i flaktë dhe politikan i matur, figura e të cilit është skalitur në disa krijime artistike. Ky libër i kushton një vëmendje të veçantë akademik Rexhep Qosjes, një analizë e hollësishme për veprën e tij disa dhjetëra vëllimesh. Kontributi i tij si historian i letërsisë dhe kritik, prozator dhe dramaturg, eseist dhe publicist, e bën veprën e tij të çmuar e të vlerësuar.
Në këtë libër gjen vend elegjia e Hafiz Ali Korcës “Vajtimet e Adheut”, por dhe poezia e Ibrahim Dalliut, e Petro Markos dhe e Shaban Demirajt. Autori u kushton vëmendje Mehmed Akif Ersojt dhe Bajram Krasniqit. Në këtë libër shpaloset dhe lirizmi i Gjergj Fishtës, autori i veprës monumentale “Lahuta e Malcis”
Gjuhësia
Gjuha dhe trashëgimia etnokulturore përbëjnë themelet e identitetit të një kombi. Ndaj dhe Rilindasit tanë bënë të gjitha përpjekjet për krijimin e një alfabeti me të cilën të shkruhej gjuha shqipe, përpjekje të cilat u kurorëzuan me Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Autori ndalet në kontributin që dha Kongresi Alfabetit në bashkimin e shqiptarëve dhe në manifestimet e shumta në përkrahje të tij, që u zhvilluan kudo në trojet shqiptare.
Instituti Albanologjik i Prishtinës ka dhënë një kontribut të çmuar për standartizimin e gjuhës shqipe. Kongresit të drejtshkrimit të vitit 1972, i parapriu Konsulta Gjuhësore e Prishtinës me pjesëmarrje të gjerë të autoriteteve të dalluara shkencore të asaj kohe. Po kështu një ndër veprimtaritë e para pas Kongresit të Drejtshkrimit ka qenë dhe simpoziumi shkencor “Probleme aktuale të kulturës së gjuhës shqipe”, mbajtur në Prishtinë nga datat 15-17 dhjetor 1980 nga Instituti Albanologjik.
Autori jep një pasqyrë të plotë të punës së Institutit Albanologjik për standartizimin e gjuhës shqipe, duke na dhënë emrat dhe punimet shkencore të personaliteteve që kanë kontribuar në këtë fushë, kontribut i cili arrin në 600 vëllime me studime e materiale albanologjike. Autori i del në mbrojtje kësaj pasurie të çmuar duke kritikuar edhe tendencat që janë shfaqur në këto dy dekadat e fundit të cilët arrijnë deri në mohimin e plotë të standartit të shqipes të vitit 1972, duke theksuar “Për sa kohë që ka mohues, do t`i duhen dhe dashamirët dhe mbrojtësit, por të mos harrojmë që shqipja standarte ka nevojë për profesionistë, për dijetarë dalzotës, për institucione shkencore dhe përgjithësisht shoqërore që do ta ndryshojnë statusin e saj, duke e bërë atë gjuhë të kulturës, të shtetit, gjuhë të komunikimit funksional mbarëkombëtar” (fq. 208).
Autori ndalet dhe në gjuhën e teksteve universitare duke sjellë shembuj të një përdorimi të keq sintaksor të gjuhës shqipe. Kërkon ngritjen e nivelit gjuhësor në tekstet shkollore, por dhe në media dhe në administratën publike duke i mëshuar idesë se gjuha standarte është mëshiruar në njërën nga idetë më jetë gjata tek shqiptarët: një komb-një gjuhë standarte.
Një vend të veçantë zë dhe profesor Idriz Ajeti, kontributi i tij i çmuar si njohës i ligjësive të gjuhës shqipe. Jeta e tij është e lidhur me përpjekjet e tij për të na dhënë modelin e suksesshëm të komunikimit të shqipes standarte, për ta pasuruar, për ta lartësuar, për ta ruajtur nga fjalët e panevojshme që hyjnë dhe sot në gjuhën shqipe nga përdorimi i gjuhëve të huaja.
Në këtë libër i kushtohet vëmendja e duhur prof. Selman Rizës, emri i të cilit lidhet ngushtë me themelimin e institucionit të parë shkencor në Kosovë, me Institutin Albanologjik të Prishtinës. Autori sjell dhe vlerësimet e disa personaliteteve shkencore shqiptare për prof. Rizën, përpjekjet e tij për atë pjesë të kombit tonë të mbetur nën robërinë sllave. Duke i dhënë vlerësimin maksimal prof. Rizës, autori sjell në vëmendje të opinionit shkencor dhe atij publik se në shkencë nuk ka përfundime të mbyllura e të qarkuara njëherë e përgjithmonë. Mendimi shkencor lind dhe jeton, kur flitet dhe debatohet. Aq më tepër kur lidhet me albanologjinë. Njëkohësisht kërkon respekt e vlerësim për autorët dhe vlerat e arritura prej tyre. Dhe nënvizon: “Natyrisht, ne mund ta diskutojmë rezultatin shkencor të cilitdo dijetar, madje dhe të atyre kulmorë, por asnjëherë nuk duhet të vëmë pikëpyetje mbi kontributet e tyre monumentale”.(fq. 233)
Historia
Një popull që nuk interesohet për historinë e vet, nuk është vetëm pa të shkuar, por do të jetë i mjegulluar në rrugëtimin dhe veprimet e tij. Historia e një kombi është historia e tij në marrëdhënie me të tjerët. Autori na sjell nëpërmjet këtij libri historinë tonë në marrëdhëniet me fqinjët dhe sidomos me fqinjin tonë verior, Serbinë. Nuk është vetëm struktura shtetërore serbe ku prodhohet ideologjia shoviniste e pushtimit të hapësirës së tjetrit, por dhe Akademia e Shkencave e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe që e ushqejnë dhe e frymëzojnë këtë ideologji shoviniste, në vend që të ushqenin dashurinë mes popujve. Autori në trajtesën “Hapësira etnike kulturore shqiptare dhe Kisha Ortodokse Serbe” sjell me dëshmi të shumta, në një periudhë të gjatë kohore, rënien e Kishës Ortodokse Serbe në moçalin e shovinizmit. Aty gjen rolin negativ të saj në tkurrjen e trojeve shqiptare dhe zhdukjen e gjurmëve të kulturës sonë në trojet e pushtuara.
Autori, po kaq sa është i ashpër me ideologjinë shoviniste të fqinjve tanë që i dyfishuan territoret e tyre me troje shqiptare, po aq i ashpër është dhe me ata shqiptarë që kanë rënë në grackën e të huajve. Si shembull vjen “Republika e Mirditës” e cila ishte produkt i politikës serbe për t`i shtuar territoret e saj deri në detin Adriatik. Në këto synime grabitqare, fqinji ynë verior i kordinonte veprimet e tij dhe me atë jugor, me Greqinë, i cili nuk qëndronte më poshtë nga grykësia dhe pangopësia e egër. Autori i godet ashpër synimet e tyre:
“Megjithëse kishte përfituar shumë territore shqiptare, politika gllabëruese serbe i kishte vënë detyrë vetes që kufirin e saj ta shtrinte deri në Shkumbin, duke ia lënë me ‘zemërgjerësi’ pjesën që i mbetej aleates së saj, Greqisë”. (fq. 269). Autori ndalet në rrjedhën e Luftës së Parë Botërore dhe në pasojat që pati kjo luftë për shqiparët dhe trojet e tij. Ndalet në pranverën e vitit 1981 dhe e shikon atë si zgjimin e mendësisë kryengritëse, rezultatet e së cilës u kurorëzuan me çlirimin përfundimtar të Kosovës në vitin 1999. Se si mund të studiohet historia e trojeve shqiptare, autori e jep atë në modelin historianit Shkëlzen Raça.
Trashëgimia
Historia mbështetet mbi dokumente arkivore, mbi autorë që përshkruajnë ngjarje e dukuri në kohën në të cilën ata kanë jetuar. Po në mungesë të tyre, epika historike në këngët popullore na vjen në ndihmë për të depërtuar në thellësi të viteve apo të shekujve. Autori vlerëson punën e Institutit Albanologjik, Degën e Folklorit, i cili e sjell këngën popullore në një hark të gjatë kohor: që nga Lufta e Kosovës 1389 deri në fund të Luftës së dytë Botërore. Autori analizon këngët: “Haxhi Tishku” dhe “Shqiptarë turqeli” si dëshmi të kujtesës popullore që pasqyroi historinë e asaj pjese të shqiptarëve që mbeti nën robërinë jugosllave. Autori duke na dhënë kontribuesit e trashëgimisë sonë popullore, ndalet tek ilirologu i shquar Aleksandar Stipqeviç dhe vepra e tij “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, botuar në Zagreb 2011, duke na dhënë modelin e studiuesit të trashëgimisë sonë popullore. Rëndësinë e kësaj vepre e tregon dhe përkthimi i menjëhershëm në shqip nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në vitin 2012.
Në këtë libër gjen vend veprimtaria arsimore dhe shkencore e prof. Fazli Sylës, por edhe si drejtues i Institutit të Albanologjisë në vitet e tij të vështira 1986-1991. Autori e sheh si detyrim që figurave madhore që kanë kontribute të spikatura, t`u bëhet vlerësim i herë pas hershëm, sepse ngritja e përgjithme shoqërore, shtetërore dhe kombëtare ka brenda kontributin e këtyre individëve. Një vlerësim të tillë merr dhe pasardhësi i tij, si drejtues i këtij Instituti në vitet 1991-2007, prof. dr. Sadri Fetiu. Autori ndalet gjatë tek vepra e tij: “Trajtesa albanologjike”. Prof. dr. Sadri Fetiun e shohim si mbrojtës të flaktë, në përballje me disa akademikë që kërkonin rishikimin e gjuhës standarte ku, në pak rreshta, argumenton pse duhet ndërprerë ky proces destabilizues.
“Nostalgjikët e mendësisë së ngushtë krahinoriste, tashmë duhet ta kenë të qartë se njësimi shekullor i gjuhës sonë, madje dhe ky që lidhet me periudhën pas Luftës së Dytë Botërore-pra, me konsultën e Prishtinës së vitit 1968 dhe me Kongresin e Drejshkrimit të vitit 1972, ka ecur shumë përpara dhe shqiptarët nuk kanë kohë të kthehen prapa, ta ndalin procesin e zhvillimit dhe të njësimit të gjuhës letrare kombëtare vetëm pse dikujt i teket t`i rishikojë ‘përqindjet e caktuara të përfshirjeve dialektore’ dhe jo tërësinë e pasurisë dhe vitalitetin e zhvillimit të saj.” (faqe 339).
Homazhe
Në këtë pjesë gjejmë tre personalitete të rëndësishme të kultturës dhe shkencës shqiptare. Prof Anton Çetta vjen si një figurë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, që ideoi projekte të rëndësishme dhe i zbatoi ato. Autori e sjell si një personalitet të rëndësishëm që me punën e tij bëri të mundur funksionimin e Institutit Albanologjik duke punuar me përkushtim në themelimin dhe ngritjen e Degës së Folklorit pranë këtij Instituti.
Prof. Zekeria Cana vjen në shpalosjen që autori mundohet t`i bëjë jetës dhe veprës së tij në një moment të kufizuar kohor, siç janë fjalët e lamtumirës në përcjelljen për në banesën e përjetshme. Hulumtoi në arkivat e Serbisë dhe Malit të Zi dhe na solli vepra që bazohen mbi dokumente të pakontestueshme, duke i bërë veprat e tij të jashtëzakonshme për nga rëndësia dhe vërtetësia që ato mbartin.
Prof. Ymer Jaka vjen në fjalën e lamtumirës të prof. dr. Matoshit si një figurë e rëndësishme që i shpalosi vlerat tona kombëtare në kontekstin evropian. Ka 45 punime studimore dhe shumë shkrime të tjera që përveç shkrimit në shqip, i ka botuar ato në frëngjisht dhe italisht. Përkthyes i talentuar dhe studiues i përkushtuar, ai sjell në shqip figurën e Skënderbeut sipas historiografisë frënge apo duke filluar me veprat e iluministëve të shquar francezë: Volterin dhe Rusonë e duke përfunduar me Marsel Prustin me romanin “Anës Svanit”.
Mbyllje
Në këtë libër gjen përkushtimin e atyre që kanë punuar në këtë institucion shkencor, si dhe arritjet e punës së tyre. Ata janë dhe do të mbeten dijetarë të shquar, veprat e të cilëve hodhën bazat shkencore për Albanologjinë. Vihet gjithashtu në dujke, me fakte konkrete, shovinizmi i Akademisë së Beogradit dhe i asaj të Athinës. Të kundërt me këta dijetarë shovinistë të këtyre institucioneve, lartësohen figurat e Institucionit Albanologjik të Prishtinës, veprat e të cilëve janë ndërtuar mbi fakte dhe dëshmi që përfshijnë kontekste të gjera kohore dhe saktësia e tyre është e bazuar në burime të shumta historike, të trashëgimisë popullore dhe në veçanti të atyre arkivore. Ky libër çel një vizion të ri se si duhet të punojnë dhe institucionet e tjera shkencore që merren me Albanologjinë në Tiranë dhe në Shkup apo dhe studiues të tjerë jashtë këtyre institucioneve, për ta plotësuar sa më shpejt pasaportën e identitetit tonë kombëtar.