Tiranë, 12. 02. 2016: – Shënime për librin “Modernët e kohës”, nga Sejdo Harka- 1. Sejdo Harka paraqitet para lexuesit me librin “Modernët e kohës”: kritik letrar, studiues dhe eseist. Në të tri këto pjesëndihmnesa e tij është e ndjeshme dhe tregon për përkushtimin dhe punën e kujdesshme për të sjellë një vepër të arrirë. Në këtë kuptim, ia ka arritur qëllimit dhe libri i tij është mirëpritur dhe vlerësuar. Në këto shënime do të ndalem vetëm për ndihmesën, që ky autor sjell për letërsinë shqipe, në gjininë e kritikës letrare. Ka përzgjedhur nga letërsia botërore dhe ajo shqipe disa nga këto vepra dhe i përcjell te lexuesi me dashuri dhe profesionalizëm. Kritiku i një vepre letrare ka karakter të dyfishtë: nga njëra anë, i drejtohet lexuesit për ta përzgjedhur këtë vepër në leximet e tij dhe, nga ana tjetër, i drejtohet autorit duke vënë në dukje arritjet dhe mangësitë. Duke lexuar analizat dhe komentet e kritikut Sejdo Harka, të lind dëshira t`i lexosh këta libra, të komunikosh drejtpërdrejt me këta autorë, nëpërmjet veprës së tyre. Qëllimi i komentit ose i analizës së një vepre letrare është që të përcjellë te lexuesi përgjigjen e pyetjes: “Pse ia vlen, që ky libër të lexohet?”
2.
Ky libër fillon me poetin iranian Molana Xhelaludin “Rumi”, i cili jetoi në shekullin XII dhe në moshën 40-vjeçare u bë një nga poetët dhe dijetarët më të mëdhenj të kohës së tij. Universi i poezisë, që ai krijoi, u bë një urë e fortë i lidhjeve ndërmmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Në analizën e Sejdo Harkës janë evidentuar të gjitha këto vlera, që poeti persian mundi t`i përcjellë, jo vetëm lexuesit të kohës së tij, por edhe brezave pasardhës, vlera që i shërbyen kombit të tij dhe gjithë rruzullit tokësor, sepse ato janë vlera që i drejtohen cilitdo, pavarësisht se ku ndodhet apo jeton. Poeti shkruan me dashurinë e mendjes dhe të zemrës. Ai kërkon që dashuria e tij të gjejë vend jo vetëm te bashkëkombasit e vetë, por dhe te bashkëkohësit e tij, kudo që të ndodhen. Ai shkruan për brezat e shkuar, por dhe për brezat që vijnë. Skruan për ata, me të cilët ndan shqetësimet për vendin e tij, si dhe në rafshin global.
Kopertinat e librit të Sejdo Harkës (Tiranë, 2015)
Poeti kërkon që çdo gjë e arritur të mos vyshket apo të thahet, por të ketë jetë sa vetë shoqëria njerëzore. Disa ia kanë arritur që mesazhet e tyre të jenë gjithëkohore dhe universale. Kritiku Sejdo Harka e evidenton poezinë e Rumit një vlerë universale, që u drejtohet të gjitha vendeve të botës, si mesazhe paqeje dhe mirësie. Ai vëren se poezia iraniane, në rrjedhë të kohrave, ka nxjerrë vazhdimisht poetë të përmasave botërore, te të cilët kanë gjetur pika kontakti dhe poetët e botës perëndimore. Kjo është përmasa universal, që krijon letërsia e një vendi, e cila i drejtohet gjithë njerëzimit. Vetmia, që krijojnë shtetet mes tyre apo dhe armiqësia e tejskajshme, që i ka çuar ato në konflikte të përgjakshme, asnjëherë nuk e kanë patur miratimin apo bekimin e letërsisë. Nëse mes shteteve numërohen raste të shumta, kur komunikimi mes tyre ka qenë i ndërprerë, nuk janë të pakta rastet, kur letërsia ka ngritur ura komunkimi ndërmjet popujve.
Kur kërkon të zbulosh vlera të një autori të njohur, është e vështirë të sjellësh diçka të re. Aq më e vështirë bëhet kjo, kur ke të bësh me autorë të përmasave botërore, siç është Esenini. Ai është si Himalaja për letërsinë botërore. Do të mundesh dot të ngjitesh në të tilla lartësi, për të parë diçka me syrin tend, që dikush tjetër nuk e kishte parë më parë, kur dihet që lartësitë sulmohen nga të gjithë? Por Sejdo Harka ka guxuar. Ashtu siç ka bërë dhe me poezinë persiane, ku lexuesit i ka sjellë imazhe të pashkelura më parë, ka mundur ta bëjë dhe me Eseninin.
3.
Letërsia e Rilindjes dhe ajo e Pavarësisë zënë një vend të rëndësishëm në faqet e librit “Modernët e kohës”. Sa herë përmendet letërsia e Rilindjes, mendja të shkon te poeti Naim Frashëri, që ka tërhequr vëmendjen e pothuaj të gjithë studiuesve dhe kritikëve të letërsisë sonë. Ai është bërë objekt dhe i kritikut Sejdo Harka. Është vështirë të flasësh për të, kur krijimtarinë e tij e kanë analizuar në të gjitha përmasat, autorë me peshë në letërsinë shqiptare, si: Ismail Kadare e Dritëro Agolli, Ali Xhiku dhe Rexhep Qosja dhe prapë asnjëri prej tyre nuk e ka eksploruar gjithë kuadratin e dritës, që përcjell vepra e tij. Përpjekja, që bën autori i këtij libri, tregon se nuk kanë për të pushuar ndonjëherë analizat dhe komentet për veprën aq të çmuar të Naimit.
Ndaj syrit vëzhgues të Sejdo Harkës nuk kanë mbetur as Lazgush Poradeci, Ali Asllani e Lame Kodra. Ata, që interesohen për letërsinë e kësaj periudhe, nxënësit dhe studentët, mësuesit dhe pedagogët, do të gjejnë një material të pasur, që hedh dritë mbi veprën letrare të këtyre shkrimtarëve.
4.
Pasi autori ka jetuar një jetë të tërë me veprën e Kadaresë, mësues në shkollat e mesme në Përmet dhe Tiranë, ku jeton aktualisht, ka shkëputur tri nga veprat e tij, me të cilat kërkon të komunikojë me lexuesin dhe si kritik letrar, duke shpalosur vlerat reale, që krijojnë këto vepra në fondin e letërsisë shqipe dhe asaj botërore. E fillon me romanin “Darka e gabuar”, duke e njohur fillimisht lexuesin me përmbajtjen e tij, për të depërtuar pak nga pak në thellësitë e kësaj vepre, për të kuptuar mesazhet që ajo përcjell, për periudhën në të cilën jetojmë.
Eseja “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” është një përpjekeje e Ismail Kadaresë për të hedhur dritë mbi disa çështje, që qendrojnë ende me pikëpyetje. Edhe studiuesi dhe kritiku Sejdo Harka mundohet, ashtu si dhe Ismail Kadareja, t`i kthejë këto fjali pyetëse në dëftore. Po, që të hiqet pikëpyetja, duhet të zbardhet çështja. Ja, si mundohet t`i japë përgjigje njërës prej enigmave, që shqetëson shoqërinë e sotme shqiptare:
“Sëmundja e shtrëmbërimit të realitetit te ne, për fat të keq, ka lënë enigma për shumë ngjarje e probleme të rëndësishme për shoqërinë, kombin dhe historinë e tij. Historianët, të ndodhur përballë tymnajave dhe presioneve politike, kanë deformuar historinë. Albanologët e rinj kanë arritur ta shtrembërojnë të vërtetën edhe për lëvizje epokale, si ajo e Rilindjes Kombëtare duke e quajtur atë “lëvizje të kokave të prera dhe e flamurëve të përgjaku”’. Albanologët e rinj, edhe prejardhjen e gjuhës shqipe nga ilirishtja e quajnë mit?! Po, edhe sikur të jetë mit, ai ka zënë rrënjë në shpirtin e popullit shqiptar. Thelbi i këtij miti është: “Mos më vrit, mos më shpërngul, sepse jam në tokën time!”. (Sejdo Harka “Modernët e kohës, Tiranë 2015, fq. 81).
Interesant është dhe këndvështrimi i studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka për librin e Kadaresë “Motive të Parisit”. Aty fokusohen ngjarje politike dhe letrare dhe një bëhet përpjekje për zbardhjen e disa ngjarjeve historike, për t`i dhënë Shqipërisë vlerën e merituar dhe, siç thotë historiani Groult, në një bisedë me Kadarenë në Vatikan: “Evropa duhet të mbështetet te ky komb, për emancipimin e Ballkanit. Kombi shqiptar është, në mos më evropiani, ndër më evropianët”. Ky ërfundim i historianit Groult, mbështet te historia e Shqipërisë në mijëvjeçarët e shkuar, për të cilën ne shqiptarët, në vend që ta zbardhim, e mbajmë ashtu siç e kërkojnë fqinjët përreth nesh!?
Dritëro Agolli ka zënë një vend të kosiderueshëm në këndvështrimin kritik të Sejdo Harkës, duke na sjellë disa nga vlerat që ka poezia e tij humoristike, të cilat të bëjnë jo vetëm për të qeshur, por edhe të mirë, të fshish nga mendja lakminë dhe ëndrrat e këqija. Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes dhe motivi i dashurisë, i cili konceptohet si produkt i harmonisë shpirtërore dhe asaj trupore.
Në fokus të kritikut kanë ardhur dhe romanet e shkrimtarit Ben Blushi, të cilët në median e shkruar dhe atë televizive kanë qenë objekt i debateve të shumta, ku morën pjesë kritikë të letërsisë, opinionistë, shkrimtarë e gazetarë, duke e përqendruar debatin në çështje të ndryshme, që veprat e tij artistike kanë ngritur para shoqërisë shqiptare. Romani “Të jetosh në ishull” solli para opinionit publik një realitet artistic, për të cilin pati mjaft diskutime, të cilat kërkonin të zbardhnin, nëse shtrëmbërohej apo jo historia shqiptare, në këtë roman. Debate ngjallën dhe romanet e tjera të tij: “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”. Analiza, që Sejdo Harka u bën romaneve të Blushit tregon seriozitetin dhe profesionalizmin e tij edhe si kritik i letërsisë.
5.
Është me mjaft interes këndvështrimi, me të cilin ka parë disa nga autorët e trevave shqiptare si: Murat Gecaj, në librin “Dorela”, i cili kërkon që gjithësecili të jetë një misionar, që përcjell në breza dashurinë njerëzore dhe Skënder Hasko me romanin “ 6 muaj nga jeta e Besianit”, i cili është vlerësuar si: “ Libri më i mirë i Panairit të vitit 2005”.
Në këtë libër gjejnë pasqyrim autorë, si: Visar Zhiti me romanin “Funerali i pafundmë”, ku përcillen mesazhe filozofike, që lidhen me jetën e vdekjen dhe Bashkim Hoxha me romanin “Hotel Ballkan”, ku qënia njerëzore vështrohet si pjesë e Universit.
Enver Petrovci vjen në këndvështrimin e kritikut Sejdo Harka me dramën “Mallkimi i të mallkuarve”, kurse Diana Çuli me romanin “Engjëj që mbyten nga djaj”.
Një vëmendje të veçantë ka marrë poezia e Koçi Petritit dhe Sokrat Habilajt për vëllimin poetik “Të kisha thënë për lotin…”.
Në analizën e kritikut Sejdo Harka do të gjesh dhe disa autorë tjerë shqiptarë, si: Petraq Risto e Viron Kona, Andon Andoni dhe Niko Tyto, Thanas Dino dhe Musa Kraja, Reshida Çoba, Haxhi Aliaj etj.
…Me librin “Modernët e kohës” Sejdo Harka bën pjesë në atë numër të paktë, që numëron kritika shqiptare. Ndihmesa e tij është mirëpritur nga lexuesi, i cili kërkon të evidentohen vlerat reale, që krijon letërsia. Letërsia kërkon të vlerësohet dhe ky vlerësim kërkon që analiza të jetë sa më afër objektivitetit. Lexuesi i formuar ka nevojë për art të mirëfilltë letrar. Kritikut seroz i lind detyra që, në morinë e librave, të përzgjedhë ata libra,, që mbartin këto vlera dhe t`ia paraqesë lexuesit, që të depërtojë sa më lehtë në kuptimin e veprës dhe mesazhet, që ajo përcjell. Libri “Modernët e kohës” krijoi urën e besimit ndërmjet tij dhe lexuesit.