Francë, 25 Nëntor 2017: Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten e 18 majit 1939, në ballinë, apelin e mbretit Zog në lidhje me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Mbreti i shqiptarëve i është drejtuar asokohe Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve me qëllim për të mbrojtur interesat tona kombëtare.
Në vijim, do të gjeni dokumentin e plotë të liderit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Apeli i mbretit Zog
Ja teksti i apelit të Mbretit Zog drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve :
Konferenca e Londrës në 1912-1913 dhe më pas Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 1921 e patën njohur pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria u pranua zyrtarisht si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe kufijtë e saj u vendosën përfundimisht. Që atëherë, dhe për tetëmbëdhjetë vjet, Shqipëria ka mbajtur marrëdhënie korrekte dhe të përzemërta me të gjitha shtetet dhe sidomos me fqinjët e saj, duke u dalluar kështu si një faktor i vërtetë paqeje.
Me të njëjtën frymë dhe si një shtet i pavarur, Shqipëria ka nënshkruar një traktat aleance mbrojtëse me Italinë. Ky traktat u regjistrua rregullisht në Lidhjen e Kombeve, në përputhje me Nenin 18 të tij. Italia, në mënyrë të padyshimtë në kundërshtim me këtë traktat, si dhe me të gjitha normat drejtuese të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe më veçanërisht me paktin e Lidhjes së Kombeve dhe paktin Briand-Kellogg, dhe pa ndonjë provokim nga ana e Shqipërisë së Pavarur, ka dhunuar ushtarakisht territorin shqiptar për herë të parë më 6 prill 1939 nga ajri, dhe, pastaj me 7 prill nga bombardimet e porteve dhe qyteteve bregdetare, si dhe me zbarkimin e trupave në bregdetin shqiptar.
Ushtria shqiptare, pavarësisht numrit të vogël të trupave të saj dhe pamjaftueshmërisë së pajisjeve të luftës, i bëri ballë pushtuesit ashtu si çdo shtet i lirë duhet të bëjë për të mbrojtur pavarësinë e tij. Një milion shqiptarë bënë sakrificat më të mëdha për të shmangur dhunën italiane. Por, me kohën, rezistenca nuk ishte e mundur, duke pasur parasysh sulmin e papritur, të bërë me të gjitha mjetet moderne, që një shtet prej 44 milionë banorësh mund të ketë në dispozicion kur ka paramenduar një akt dhune.
Duke protestuar fuqishëm dhe zyrtarisht kundër dhunës së Italisë dhe kundër zhdukjes së pavarësisë së Shqipërisë, e cila është anëtare e Lidhjes së Kombeve, i lutem Shkëlqesisë tuaj të sjellë në vëmendjen e anëtarëve të Lidhjes së Kombeve këto fakte, duke kërkuar që pushtimi nëpërmjet gjakut dhe hekurit (dhunës) nga Italia të mos njihet dhe të merren masa për restaurimin e të drejtave të mëparshme të popullit shqiptar.
Zogu I, mbreti i Shqiptarëve.
Nga Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)