LEKA NDOJA(*): HAGJIOGRAFIA DHE IDETË E ‘NEW AGE’

Tiranë, 02. 06. 2013 – Krijimtaria e Moikom Zeqos krijon një kolanë hagjiografike të mjeshtërve të mëdhenj dhe mendimtarëve shqiptarë e parashqiptarë. Një lloj salikimi jo vetëm artistik por edhe mistik, duke u futur në mediumin e fakteve e jo fakteve për të ndërtuar një historiografi të re qytetërimi. Ndoshta të një Atlantide të humbur nacionalkulturore.
H y r j e
Korpusi i krijimtarisë së Moikom Zeqos është paraqitur ashtu menjëherë në publik (në katër a pesë vjet) përmes disa titujve dhe në një kohë të shkurtër, dhe për arritjen e përcjelljes së kësaj vepre nga kritika ka munguar qoftë edhe një paraqitje përshkruese nëpër promovime nga mund të nisnin diskutimet për të arriturën dhe kuptimin e kësaj vepre nga kritikët e shkrimtarët pikësëpari dhe mandej për t’u bërë objekt i shkrimeve kritike apo përcjellëse të veprës dhe propozimit të mënyrës së leximit nga publiku. Shkurtimisht duhet thënë që, nëse ndonjë vepër letrare e ka të domosdoshme një rrahje mendimesh, të tilla vepra, si dhe vëllimi me tregime me teknikat më të ndërlikuara në letërsinë shqipe si ”Fjalëkryqet e Babilonisë” ku jetësohet dhe mendimi i historisë së artit dhe qytetërimit bëhen të pakomunikueshme me publikun pa një disputacion mes autorit dhe shkrimtarëve.
Vepra të tilla mbeten për t’u zbuluar mandej në kohë nga kritika e specializuar dhe me shije të lartë estetike. Vetë autori duke mos i kushtuar vëmendje popullarizimit përmes aulave të shumta, që rrinë bosh tek ne, për veprën e tij, megjithëse thyen tabutë e rrëfimit dhe të filozofisë së shkrimit të monografisë ”Kështu foli Mona Liza”, Mes Laokontit dhe Krishtit (Onufri ll), bie në një tabu të re, atë të mospërfilljes së mediumeve efikase si, ”promovimet” a paraqitjet, megjithë nivelin e caktuar të shkrimtarëve tanë, pse mos ta themi, disnivelet e tmerrshme të shkrimtarëve tanë.

– DR.MOIKOM ZEQO – 

Shkrimi i tij është ndarje me bori nga tradita e shkrimit nga shekulli që shkoi, duke qenë më pranë Trebeshinës në temat mistike dhe modernitetin e kompozimit, vështrimin e ngjarjes ndonëse me më pak dramaturgji.
Edhe Kabalistët e mesjetës kanë pasur nevojë për një opinion qoftë edhe kur rrezikoheshin nga heretizmi i shkrimeve të tyre, bie fjala e një Piko della Mirandolas (sh. 14) që shkonte në Romë apo kapërcente përtej alpeve a në Spanjë për një disputacion për veprën mbi natyrën njerëzore apo magjike të Krishtit me të 900 tezat e tij ndezëse.
Mosbesimi ndaj ”promovimeve” do ta shkatërrojë të ardhmen e artit më shumë se censura e diktaturës.
Ne po bëjmë një përshkrim sintezë të tri veprave pa i ndarë në gjini për të arritur në një pikëvështrim drejt substancës estetike dhe strukturës së kompozicionit të veprave përmes prozës dhe Mitosit si ngjarje a rrëfim siç e quan Fraji. Çështja e mitologjisë dhe e ideve është një problem më vete, në mos kryesori, që kërkon një vështrim të detajuar.
Përdorimi i mitit të Laokoontit virgjilian afron më shumë me Lesingun sesa me shortarin e famshëm të shkatërrimit të Trojës.
Rasti i Onufrit, që autori vjen në kontakt me shpirtin e tij përmes Najadës së cilës i drejtohet si medium, mbetet për t’u përcjellë si vizion i Zeqos për paralajmërimin e piktorit të famshëm të rrezikut nga Danajtë por në shekullin e Turqisë (sh.16) dhe një kryqëzimi të papërcaktuar. Këto dy mite e fusin Onufrin mes dy filozofive të mëdha për ta ndriçuar ose për t’i dhënë një vlerë më të madhe sesa kishte një piktor mesjetar që pak mund të lëvizte nga modelet dhe kanonet e Kishës lindore dhe fryma e teknikave të reja që vinin nga Rilindja europiane (Firencia, Venecia).
Këto, mite e ide, mund të kuptohen më lehtë midis strukturës së tekstit që ka formë apostolike përmes letrave që i drejtohen Najadës, vetvetes, por që i kushtohen ”apostullit” jo vetëm të artit Onufër, 12 letra të tilla, përveç Vll kapitujve që nisin me psalme, që gërshetohen mes tyre sipas numrave të simbolikës biblike.
Letrat përshkohen nga stili i letrave të apostullit Pal drejtuar ithtarëve kristianë.
Mënyra e ndërtimit të veprës, teknikat e kompozimit, që është arsyeja ose thelbi i autorit që formon mëvetësinë e stilit të tij, ku po ndalemi diçka.
1. Hagjiografia dhe Piktura
Automatizmi i shkrimit psikologjik të ndërdijes së shkrimtarit përmes poetikës së tij të lindur, përdorimit të dendur të figurave dhe miteve të ndryshëm fetarë dhe artistikë është si një mjet për të arritur tek vetë ngjarja apo vetë kompozimi, dhe intriga (ndonëse kjo pothuaj nuk ekziston në dy veprat ”Kështu foli Mona Liza”, ”Midis Laokoontit dhe Krishtit”.
Edhe në tregimet ”Fjalëkryqet e Babilonisë” intriga është e reduktuar por mjaft e efektshme duke arritur majën artistike të autorit që në këtë vëllim pranon ndikimin e Borhesit në kompozim dhe tematikë duke patur si veçori të tij frymën e rinkarnimit në kohë të ndryshme të ”makinës së kohës”. Kohën ai kështu e nxjerr nga realiteti i shkrimtarit si të parëndësishme.
Këtë veçori të pakohësisë ose bashkëkohësisë do ta fetishizojë autori i ”Fjalëkryqet e Babilonisë” që gati është ndarë përgjithnjë me narracionin si realizëm e logjikë të përgjithshme.
Ky synon tek tregimet modelet rinkarnacionit në personazhet mistikë, marrë nga historitë antike, të Bizantit dhe deri të bektashianëve a të antifashizmit.
Përkundrazi tek ”Fjalëkryqet” nuk dominon teknika e automatizmit psikologjik me mjetet e citimit si në gjendje gjysëmhipnotike, por kompozimi arrin në nivelin e formës limpide që kërkonte Henri Xhejmsi.
Kthehemi tek Mona Liza e librit ”Kështu foli Mona Liza”
Konfeksionet e Shën Agustinit, të Zhan Zhak Rusosë janë të famshme për nivelin abstragues dhe sprova e tyre ka qenë tepër e drojtur e intime. Preteksti për konfesion shpesh është më i rëndëishëm se vetë përmbajtja e ligjërimi gjatë aktit para rrfyemtores.
Mënyra për të shkruar një histori arti e ka shqetësuar Moikom Zeqon. Për të derdhur në një formë antiakademike, njohuritë e esetë e tij ai ka përdorur idenë Platoniane të udhëtimit për në botën e Historisë së shkuar shpesh me dokumente të rrallë e së shumti piktografikë.
Ashtu si Dantja që ka përdorur Virgjilin, dhe Beatriçen si simbolikë të dashurisë dhe si mjet poetiko- erotik për të plotësuar aventurën e përshkrimit të artit, Moikomi ka ngritur në këtë personazh disputativ portretin e Leonardos, Mona Lizën, si udhëheqëse ”hermafrodite” (sipas perceptimit të Zeqos) i ndikuar nga komentatorët më vramëndës të kohëve, edhe moderne, që i citon lirisht në libër.
Adaptimi i Mona Lizës në këtë kuptim hyjnor, jo pa qëllim, të çon në konceptimin mitologjik të Apollonit që trajtohet me fytyrë të feminilizuar si hyjni e artit.
Zëvendësimi i saj (Beatriçes) sipas mitologjisë kalorësiake mesjetare me një ”artefakt” si Mona Liza, herë si medium, subjekt, e herë si person real, nuk e shpëton Zeqon nga ndërlikimet kompozicionale për t’i ikur këtij modeli e skeme, duke ju drejtuar në vetën e parë asaj si model dashuror mesjetar (donna) por edhe si ”domine”, Perëndi mistike duke i drejtuar Mona Lizës edhe informacionin e kohëve moderne dhe autorëve të fundshekullit XX.
2. Stili baobab
Rinkarnimi i Mona Lizës sipas filozofisë budiste e ka shtrënguar Zeqon të përdorë metodën e shkrimit mesjetar ”Baobab” që e ka trajtuar U. Eko, duke bërë digresione të tmerrshme nga subjekti, syzheja, (nëse mund të themi se ka një të tillë) duke e shpënë metodën e rrëfimit ”baobab” in exstremis për të kompensuar mungesën e syzhesë.
Kjo e bën modusin e rrëfimit, por jo rrëfimin, më trivial apo fundja barok lidhur me gjininë e monografisë klasike.
Meqë duhet pak retorikë në kësi rastesh, mund të themi se ka një interesim për mospranimin e metodës së përshkrimit kronolgjik të historisë dhe të artit si e njohur (ose diskutim për metodën).
Kronologjik jo, por pluritematika është një nga karakteristikat e prozës së Moikom Zeqos, ndërsa rinashimento pikturike e shtyn të përfytyrojë një rinashimento të tërësishme të civilizimit shqiptar pavarësisht nga fetishi bizantin që mun të ketë devijuar piktori Onufër, (ose që e pretendon autori).
Mjet tjetër i rrëfimit të Zeqos është ai i fluksit apo ”rrjedhës psikologjike” e njohur (vagull tek ne) si teknikë e James Joyce-it dhe Proust-it, me anë të një teknike të tillë, autori është i lirë të bashkojë proceset estetike dhe ato psikologjike afër këtij kanoni të pashkelur mirë nga arti shqiptar.
Me këtë koncept ai nuk shikon një vijë ndarëse midis Savanarelës, Maçados dhe Onufrit apo Buzukut dhe Leonardos apo Marin Barletit. Ky koncept vjen në përfundimin e uiniversalizmit të krijimit pa dallim, edhe për etërit shqiptarë të mendimit e artit.
Historinë e artit shqiptar ai e sheh si një aspekt të artit e zhvillimit universal, si kohezion e jo si është zakon të kultivohet në Shqipëri, si specifikë gjoja. si origjinalitet i shkëputur.
Tabuja e kombëtares si xhepi i historisë, nuk parapëlqehet nga Moikom Zeqoja. Dhe ky është koncepti i një kritiku arti me përvojë me kuptimin e thellë të njohjes dhe ndikimit të shkollave që e zotëruan qytetërimin tonë madje me shekuj me radhë duke e lënë në hije origjinalitetin e kërkuar me sforcim nga shkruesit e artit shqiptar dhe ata që peshkuan në këtë koncept temat e veprave të tyre.
Në llojet e pikturës, skulpturës dhe letërsisë, me synim integrimin iluziv në Rinascimento-n europiane me domosdo, si dhe qëllimi i shprehur nga vetë ai për një kompozicion abuziv në kurriz të një udhëheqëse shpirtërore si të kalorësve të mesjetës që pranonin t’i shërbenin një Dame që ia kish pasë depërtuar zemrën e ja mbante në dorë zemrën, si në mottetët dhe madrigalet e mesjetës.
Disa esse studimore të mirëfillta, janë dhe krijime të mirëfillta, si një ”Letër el Grekos”, krahas popullarizimit të historisë së pikturës të Rinashimentos që ripërcillet për t’u lidhë me një antologji të pikturës shqiptare ose të hamendësuar, shpesh me hamendësim faktesh ose të shpëndërruar në ”fakte letrarë” dhe si kryeqitje karshi një kompleksiteti kulturor.
Shkrimi i tij endet mes efektit letrar edhe atij studimor duke ruajtur një ekuilibër të kënaqshëm.
Kjo shpesh është shikuar si novitet si nyjëtim i mundimshëm i leximit të punëve të këtij autori e themi termin punë ”work” pasi ndërthurja e elementeve shpesh shkon deri në eksperimentim dhe performancë që shoqërohen edhe me ballinat e pikturuara nga vetë ai në çdo libër për të krijuar një dëshirë komunikimi ose sinteze.
3. Zarathustra dhe Mona Liza
Tipologjia e titujve shpesh ka provuar se kalku ndodh që i mbijeton titullit të origjinës si doktor Fausti i Gëtes. Mona Liza është shpallur nga autori si një Zarathustër, një analogji religjioze, një Beatriçe parajsore dhe demon njëkohësisht. Shkrimi elektrik afrohet me përshkimin nëpër pyllin e egër të Zarathustrës së Niçes. Si demon zarathustrian vetëm areali i saj (kërkimit të Mona Lizës) nuk është liqeni Aral por pellgu adriatiko jonik që quhej asokohe deti i Venedikut.
Enumeracionet poetike niçeane e ndihmojnë autorin të ngjisë një purgator të thiktë siç është ai i rikrijimit të një kohe dhe hapësire si mesjeta kulturore, të çarjes së kësaj enigme të madhe, më të madhe se pyjet që përshkonte Zarathustra.
Kjo teknikë e egër e ka ndihmuar autorin që të shkëputet nga pluhurat e kërkimeve të ftohta filologjike për të qenë më i lirshëm dhe i sigurtë në temën e rëndë të monografisë alla Kazanzaqis, të Onufrit II.
Njëkohësia e pamjes së ndodhive dhe momentit universal të artit. Koncepti i Xhan Batista Vicos, i riciklimit të historisë e ka prekur si çdo lëvizje estetike Zeqon ose e riprodhon si kulturë për një arsye të tijën.
Shkrimi i Zeqos është Apoteozë për Onufrin dhe i konsideruar si shkrimet e Apostujve, si një skrib në stil e Apokliptik në fantazi, me ndihmë orakulli që e transfiguron në objektin që merr të shqyrtojë që në më shumë se një rast është nj pretekst letrar e ikumenik.
Ai shkon deri në kultivimin e vetësugjestionit të magjisë për të hyrë në komunikim me botën e Onufrit, një lloj spiritizmi ku filologu bëhet mistik e murg kabalist. Megjithëse Onufri është shumë më lëndor sesa JHV e kabalistëve.
Ky lloj ushtrimi i thellimit në kabalistikë është bërë ndoshta vetëm nga Bogdani tek Çeta e Profetënve, apo Buzuku në ndërmarrjen e tij kabalistike për vërtetiminpërmes magjisë për të hyrë në komunikim jo me Jezusin për të kuptuar natyrën e Tij por me gjuhën shqipe që flinte diku në intelektin etern.
4. Ikonografia si pretekst letrar
Teknika e kalamburit e shtyn autorin që të kryejë disputacione të rrezikshme filozofie, përmes sofizmave zbulon dyshimin Deskartesian të cilit i beson gati mitikisht. Një idhull që tashmë e pranon gati me kreni. Rrokja kompozicionale e ka çliruar nga shembujt e përvoja apokaliptike i ka lënë mbresë.
Adhurimi i ikonave e bën pagan e idhujtar kulturor, ku vetë kultura i nënshtrohet paragykimit formal. Idetë janë pikat e diamantit të shkrimit që Niçja i merr si vlerat e farës ndaj frutit të zakonshëm artistik. Këto frute mbeten dhe teprojnë, tani mbetet vetëm rendi për t’i dalluar e për t’i përcjellë në një muze kritik.
Brenda historisë së artit autori jep edhe një histori filozofie, një gërshetim kriticist që paraqitet në formë kaosi ose e kërkon këtë efekt tek lexuesi i pakultivuar, kërkon që ta marramendë atë dhe ta largojë shpejt.
Nëse De Sanctis thosh me të drejtë se forma është gjithçka, këtu gjithçkaja mbetet ndër frytet e hulumtimit e të ideve, forma mbetet për t’u definuar. Tekstura e Gjon Teologut le shpresë për vërtetimin e ardhjes së engjujve me bori.
Zbulimi i habisë libreske, tregon një krahasim me jetën e rrafshtë të autorit që nuk gjen habinë në aktet e përditshme sado të rralla qofshin.
5. Konfesione
Afirmimi i figurave të çensuruara, është një tjetër prirje e autorit që sjell më tepër kaos pasi anashkalon etapën e njohjes, arsyet e mosnjohjes me pa të drejtë.
6. Antiromani
Parodia e formës dhe e sintaksës së antiromanit ose e romanit të ri ku pamjet e episodet e sferës së historisë bashkohen në një kaleidoskop permanent, ku faktet e personazhet e marrë nga historia me atributet e habitshme për kohën, merren e rimerren si fragmente me një durim prej alkimisti.
Mbetet për t’u zbuluar gjithmonë qëllimi final i autorit, që qartësinë më të madhe do ta arrijë në tregimet ”Fjalëkryqet e Babilonisë”.
7. Rinkarnimi i estetikës
Ndjekja e etimologjisë së mendimit aplikohet si metodë, por renditja në kohë e hapësirë e ideve nuk qartëson metodën, dhe shpesh autori e ndjen të panevojshme ta ruajë kësisoj rendi në metodë.
Blobi si parodi, e enumeracioni i ngjarjeve afrohet me bibliografitë e pemën gjenealogjike të gjenezës ebreje dhe të poetizmit uitmanian, mistikën e Uiliam Blejkut, dhe futurizmit.
Në pasthënie autori paraqet mënyrën e tij apokrife të shkrimit dhe burimet e filozofive, estetikave dhe autorëve. Përsiatja e tij është më e mirë se akulturimi. Është një harlisje mendimesh pas një shkretëtire kulturore ku disputacionet e mendimit tmerrojnë njerëzit si dinosaurët e muzeumeve.
8. Vodëvili në muze
Blobi a vodëvili historik e burlesk njihet nga vetë autori dhe ai kënaqet me krijesën e tij, si një kronikan i lashtë a editor gjerman që nuk mban përgjegjësi për pamjet që pasojnë njëra tjetrën duke ja lënë logjikën pamore shikuesit se lexuesi nuk është i përgatitur për këtë ekspeditë kulturore, ndëshkimore, apo vetëfrustuese të urdhërit stigmatin.
Didëroi mund ta ndante nga grafomanët me lehtësi një autor nëse do të shihte një linjë të mbyllur, një elipsë monotone por të sigurtë.
Ndjesia pas leximit për një vepër të papërfunduar nëse është quajtur e gabuar mund të vërtetohet me një rilexim të kurdohershëmpër të qortuar këtë mendim të parë, të paktën duke pranuar idetë e 3 librave të një autori që megjithë ndjesinë e parë do të qëndrojnë gjithsesi.
_____________________
KUSH ËSHTË LEKA NDOJA
*) Leka Ndoja, është shkrimtar, botues dhe përkthyes shumë i njohur në Shqipëri. Ka lindur në Tiranë në vitin 1962. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi në fillim të viteve 90. Ka punuar si gazetar dhe skenarist në TVSH në vitet 1993-2002. Nga viti 2004 drejton “Qendrën e Studimeve Ndërshqiptare”. Ka botuar rreth 50 ese kulturologjike dhe “Traktatin e artit inteligjent”. Ka botuar tre vëllime me poezi; “Rrezja e territ” 1993, “Zaret u hodhën” 1996, “Këngët barbare” 1999, romanin “Motel El Salvador” 2002. Ka përgatitur librin “Vox populi” të Zef Malës 2002. Nga përkthimet, ka sjellë së pari vëllimin antologjik “Pambarimi” të G. Ungarettit, (Çabej 1997), si dhe ka botuar në revistat letrare cikle poetikë nga Xhon Kits, Karduçi, Montale, Quasimodo, Marinetti, Papini, Ted Hjuz, Masters, Hini etj. Ka përkthyer nga anglishtja dhe ka botuar librat albanologjikë “Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme’ të Kristo Dakos 2003, “Epiri” N.G.L. Hammond QSN 2004, “Kanuni shqiptar” Margaret Hasluck 2005. Ka përgatitur komentarin e Skartacinit mbi veprën Komedia Hyjnore të Dante Alighierit përkthyer nga i ati Mark Ndoja.

………………………………………

Moikom Zeqo i dhuroi 500 libra Bibliotekës së Ulqinit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura